Problemet e Borxheve të Falura

Atëherë kjo ministri që drejtohej nga Ahmet Shala u bë zemërgjerë për shkak të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa fali ndëshkimet tatimore të bizneseve të periudhës 2000-2008.

Në shtatorin e vitit 2008 ministri i atëhershëm Shala arsyetoi vendimin me faktin se shteti i Kosovës është ndërtuar në bashkëpunim me bizneset dhe qytetarët.

“Konsideroj se filozofia e shteti të ri të Kosovës është ndërtuar në një partneritet jo vetëm me biznesin, por edhe me qytetarët dhe në këtë kuadër kemi propozuar të bëhet pezullimi i ndëshkimeve, për t’u dhënë shans bizneseve të shlyejnë borxhin kryesor dhe interesin, por t’u falen ndëshkimet,” kishte thënë Shala.

Sipas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të vitit 2008 për të shlyer ndëshkimet tatimore të ATK-së bizneset duhej të paguanin borxhin kryesor dhe interesin ndaj Administratës Tatimore, duke lidhur marrëveshje individuale me këtë administratë.

Falja e dështuar e 2008-ës

Vendimi i para më shumë se 7 vjetëve konstatonte se borxhi i përgjithshëm i bizneseve ndaj ATK-së ishte 230 milionë euro, nga i cili 100 milionë, apo gati gjysma ishin ndëshkime.

ATK-ja tregoi për KALLXO.com se sa mjete inkasoi dhe sa ndëshkime fali sipas vendimit të 2008-ës.

“Në bazë të Vendimit 07/35 të datës 10.09.2008 për Faljen e Ndëshkimeve Tatimore i cli ka qenë në fuqi deri më 31 dhjetor 2008, janë shqyrtuar 2 mijë e 555 kërkesa për faljen e ndëshkimeve, prej të cilave janë mbledhur 26 milionë e 900 mijë euro, ndërsa shuma e shlyer ka qenë 9 milionë e 300 mijë euro,” Thuhet në përgjigjen me shhkrim të ATK-së.

Atëherë qeveria kishte kërkuar që ndëshkimet ndërmarrjeve publike t’u falen pa bërë kurrfarë dallimi mes tyre. Kjo për këtë kategori thuhet edhe në përgjigjen e Administratës Tatimore.

“Sa u përket ndërmarrjeve publike, të gjitha kërkesat janë trajtuar në mënyrë të barabartë, por nuk kanë qenë të ndara sipas statusit të tyre,” vijojnë përgjigjet e ATK-së në lidhje me ndëshkimet e falura tatimore.

Nëse nga 130 milionë borxhe kryesore dhe interes të bizneseve ndaj ATK-së, kjo administratë arkëtoi vetëm 26 milionë e 900 mijë euro, i bie që marrëveshje me ATK-në për falej ndëshkimesh në këmbim me pagesën e borxheve nënshkruan vetëm 10 për qind të bizneseve.

Ministri Shala në atë kohë kishte paralajmëruar ndëshkime për bizneset që nuk do të lidhnin marrëveshje me ATK-në për pagesë të borxheve, në mënyrë që t’u falen ndëshkimet.

Këto ndëshkime bizneset i paguan “rëndë”, pasi në vitin 2015 qeveria mori vendim që të falë borxhet e bizneseve dhe qytetarëve të periudhës 2000-2008.

ATK-ja nuk i lejoi qasje KALLXO.com në listat e vjetra të borxheve të tatimit bazë, interesave dhe ndëshkimeve për bizneset me arsyetimin se kjo gjë është konfidenciale.

“Sa i përket listës së bizneseve në bazë të Ligjit nr.03/L-222-për Administratën Tatimore dhe Procedurat,përkatësisht nenit 84 që përcakton konfidencialitetin e informatave tatimore, informatat e tilla konsiderohen konfidenciale, përveç nëse aplikohet paragrafi 3 i po të njejtit nen, ku tatimpaguesi mund të lirojë çdo person nga dyshimi i konfidencialitetit,” thuhet në përgjigjet e ATK-së.

Borxhet ndaj ATK-së që në vitin 2008 ishin 230 milionë euro gjithsej, deri në vitin e kaluar kanë mbërritur vlerën e 280 milionë eurove në total.

Ligji i faljes me mungesa

Tash me Ligjin për Faljen e Borxheve që hyri në fuqi në shtator të vitit të kaluar, bizneseve dhe qytetarëve do t’u falen borxhet që kanë ndaj ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shtetërore në periudhën 2000-2008, me kushtin që ata në marrëveshje me ndërmarrjet dhe institucionet të shlyejnë borxhet e viteve 2009-2014.

Udhëzimi Administrativ 04/2015 për Procedurat e Faljes së Borxheve në nenin 9 përcakton mënyrën se si qytetarët dhe bizneset do të paguajnë detyrimet e periudhës 2009-2014.

“Personat duhet të lidhin marrëveshje me Institucionet Shtetërore apo Ndërmarrjet Publike për pagesën me këste të kryegjësë së borxhit publik, të gjobave dhe interesit të llogaritur për atë borxh për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Pagesa e borxhit sipas këtij paragrafi duhet të kryhet brenda afatit prej dy 2 vjetësh për personat juridikë, 3 vjetësh për persona fizikë nga data e lidhjes së marrëveshjes,” thuhet në këtë nen të udhëzimit.

Por as ky udhëzim administrativ i ATK-së e as Ligji për Faljen e Borxheve me asnjë nen nuk e precizon se çfarë do të ndodhë me ato biznese që nuk nënshkruajnë marrëveshje me ATK-në, ose ndonjë institucion a ndërmarrje tjetër publike që i kanë borxh.

Agim Dibrani, kryetari i Komisionit për Faljen e Borxheve e pranon se me ligj nuk është paraparë ndëshkimi i atyre që nuk lidhin kontrata për pagesë të borxhit.

“E vërtetë që në ligj dhe udhëzim administrativ nuk është specifikuar një gjë e tillë, por çdo ndëshkim pastaj do të bëhet sipas ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat nr.03/L-222. Ne si komision vazhdimisht jemi në përcjellje të punës së implementimit të ligjit,” tha Dibrani.

Lista e borxheve e publikuar nga ATK për periudhën 2009-2014 në total kap shumën në vlerë prej 116 milionë e 350 mijë euro, ku 54 milionë e 800 mijë euro janë tatime bazë, 27 milionë e 300 mijë janë ndëshkime, 31 milionë e 500 mijë janë interes si dhe 2 milionë e 750 mijë janë gjoba.

Përveç borxheve të mbledhura tatimore, në këtë listë figurojnë edhe borxhet e pensioneve të cilat bizneset dhe ndërmarrjet publike nuk i paguan për punëtorë që në total kapin shumën në vlerë prej 17 milionë e 120 mijë eurove, 8 milionë e 780 mijë nga të cilat janë borxhe të tatimit të pensionit bazë bazë, 3 milionë e 120 mijë janë ndëshkime si dhe 5 milionë e 220 mijë euro janë interes.

Në nëntor të vitit të kaluar KALLXO.com zbuloi se edhe ndërmarrjet publike që me vendim të qeverisë duhet të falin borxhet e pasluftës deri në shpalljen e pavarësisë, vetë u kanë borxhe institucioneve shtetërore.

http://kallxo.com/ndermarrjet-publike-ne-hall-me-ligjin-per-faljen-e-borxheve/

Edhe pse ATK-ja i ka futur në të njëjtën listë me bizneset edhe borxhet që ndaj saj  kanë ndërmarrjet publike, kryetari i Komisionit për Faljen e Borxheve Agim Dibrani thotë se këtyre ndërmarrjeve nuk do t’u falen borxhet ndaj ATK-së.

“Ndërmarrjeve publike shoqërore nuk u falen borxhet tatimore nga ATK-ja as për periudhën 2000-2008 pavarësisht që këto ndërmarrje po mendojnë se u falen. Decidivisht ligji nuk e thotë një gjë të tillë, megjithatë ne do të dalim publikisht me një prononcim dhe t’u tregojmë se borxhet falen vetëm për persona fizikë dhe jurdikë, por jo për publik,“ tha Dibrani.

Borxhet e grumbulluara të ndërmarrjeve të larguara

Borxh të grumbulluar ATK-së për periudhën 2009-2014 i kanë edhe ndërmarrjet me investitorë të huaj që më nuk janë të pranishme në Kosovë dhe biznese kosovare që kanë pushuar veprimtarinë.

Agim Dibrani sqaron nëse ATK-ja mund t’u bëjë ndjekje penale këtyre bizneseve.

“Ne i kemi emrat e atyre ndërmarrjeve që kanë ardhur, kanë punuar në vite të caktuara edhe na kanë ikur, s’kanë qenë të Kosovës, e kanë borxh ndoshta deri në 6 milionë euro. ATK-ja sipas Ligjit për Mospagesë të Tatimit ndjek të gjitha procedurat ,si: tenton, bën fletëparaqitje, shikon a po zhvillon dhe ku po zhvillon ai person biznes,” shpjegon Dibrani.

Ai ndërmarrjet që vepruan në Kosovë dhe tani më nuk janë i sheh shumë problematike për t’ua marrë borxhin rreth mospagesës së tatimit.

“Ajo kategori e këtyre ndërmarrjeve është problematikë e veçantë. Ka raste kur s’mundesh me i gjet absolutisht fare, te këto raste ka me mbet ky Ligji i Administratës Tatimore 03/L-222, neni 33 që parasheh pse nuk është ndjekur procedura për 6 vjet,” thotë Dibrani.

Neni 33 i Ligjit për Administratën tatimore parasheh që pas vendimit të gjykatave në rast se vërtetohet se personat juridikë nuk i kanë shlyer borxhet, atyre  mund t’u konfiskohen pronat që posedojnë.

Dibrani ka një porosi për borxhlinjtë. Thotë se kjo është falja e fundit e borxheve nga qeveria.

“Nuk jam përgjegjës për vendimin e vjetër të vitit 2008 të qeverisë, por të jeni të bindur se qeveria nuk do të falë më borxhe,” thotë Dibrani.

Sipas tij qytetarët dhe kompanitë duhet të shlyejnë borxhet për të përfituar nga kjo falje, sepse nëse ligji hyn në fuqi Dibrani thotë se mosshlyerja e borxheve do të rezultojë me konfiskim të pronave.