Pro-Credit Paditet nga Punëtorët

Diturie Hoxha e kishte lënë vendin e saj të punës si drejtoreshë e Shoqatës së Bankave të Kosovës që të punojë në bankën Pro-Credit në janar të vitit 2012.

Hoxha, udhëheqëse e trajnimeve të bankës, thotë se ishte ftuar vetë nga banka dhe në korrik të atij viti i përfundonte periudha provuese. Sipas kontratës, mos-ndërprerja nënkuptonte vazhdim automatik të kontratës si dhe performancë të kënaqshme.

Pas kësaj, Hoxha kishte shkuar në pushim vjetor.

Një javë pas kthimit nga pushimi, në fillim të muajit shtator 2012, ajo thotë se iu kërkua dorëheqja nga menaxhmenti i bankës me kompensim të dy pagave.

Hoxha kishte kontratë deri më 12 janar 2013.

E bindur se ky veprim nga banka ishte i padrejtë, Hoxha zgjodhi që këtë çështje ta drejtojë në organet e drejtësisë duke bërë padi në Gjykatën Komunale, më 17 shtator 2012, për kthim në vendin e punës.

“Ajo është udhëzuar gojarisht që të mos paraqitet në zyrë për të ushtruar detyrën si Udhëheqëse e Njësisë së Trajnimeve në ProCredit Bank, Kosovë”.

Hoxhaj po ashtu ka bërë edhe kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Prishtinës. Në të tregohet se i ishte ndaluar qasja në kompjuterin e saj pa paralajmërim. 

“Dorëheqja më është kërkuar gojarisht dhe në mënyrë të menjëhershme duke mos më lënë hapësirë për të shqyrtuar alternativat dhe analizuar ligjshmërinë e kërkesës”, thotë Hoxha.

Sipas saj, pas refuzimit të ofrimit të dorëheqjes, i është ofruar një pozitë më e ulët, në Lipjan. Por, në padi ajo kërkon rikthimin në vendin e punës sipas kontratës.

“Dorëheqja më është kërkuar gojarisht dhe në mënyrë të menjëhershme duke mos më lënë hapësirë për të shqyrtuar alternativat dhe analizuar ligjshmërinë e kërkesës. Diturie Hoxha

Hoxha thotë se kjo ka ndodhur dhe po ndodhë edhe me punëtorë të tjerë. 

“Punëtorët, kryesisht në pozita të larta, degradohen në nivele të papranueshme, ashtu që dorëheqja të jetë hapi pasues i tyre. Asnjë arsyetim nuk ofrohet nga banka për degradimin ose siç e quan banka risistemimin e tyre”, shton Hoxha. 

Hoxha po ashtu ua kishte postuar një letër ish kolegëve të saj, në të cilën i njoftonte për rastin e saj individual dhe i paralajmëronte që të mos nënshkruanin dorëheqje nëse do t’u kërkohej.

Gazeta ka kuptuar se ekzistojnë së paku edhe dy padi tjera të kësaj natyre kundër Pro-Creditit.

Por, disa punëtorë të tjerë janë dorëhequr dhe kanë pranuar pagat e ofruara për kompensim.

Labinot Tuzi, i cili punonte si administrator në Gjakovë, thotë i ishte kërkuar orëheqja. Më 26 dhjetor ishte dita e fundit e tij në punë. Që prej asaj kohe Tuzi nuk ka gjetur vend tjetër pune. Ai nuk i ka paguar as këstet e kredisë të cilën e ka marrë prej kësaj banke, pjesë e së cilës ishte vetë.

“Më është kërkuar dorëheqja. Nuk më kishin paralajmëruar më herët. Nuk kam pasur asnjëherë probleme as vërejtje”, thotë Tuzi për gazetën.

Dëshmitar i këtyre ngjarjeve thotë se nuk ka dashur të jetë Gjon Kabashi i cili kishte punuar rreth nëntë vjet në këtë bankë dhe kishte pozitën menaxher i lartë në Prishtinë.

“Më është kërkuar dorëheqja. Nuk më kishin paralajmëruar më herët. Nuk kam pasur asnjëherë probleme as vërejtje. Labinot Tuzi

Ai po ashtu nuk është më pjesë e kësaj banke. 

“Kam qenë punëtor i bankës rreth 9 vjet. Kam dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar pikërisht për shkak të padrejtësive të mëdha që pashë se po bëheshin pa ndalur”, tha Kabashi. 

Ai tha se dha dorëheqje për shkak se nuk mund të pajtohej me largimet e punëtorëve. 

Një i larguar tjetër është Ramiz Dreshaj i cili kishte punuar mbi 9 vjet në këtë bankë, në Pejë.

Shumë të tjerë nuk duan të flasin publikisht me emra. Gazeta posedon një listë me emra prej 56 personash të cilët kanë qenë punëtorë të bankës Pro Credit, por janë larguar gjatë vitit 2012.

Banka Pro Credit nuk ka dashur ta konfirmojë listën me arsyetimin se kjo është e ndaluar me ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave.

Por ajo mohon se se bëhet fjalë për largime sistematike nga puna. Banka thotë se mbetet ndër punëdhënësit më të mëdhejnjë në Kosovë, aktualisht me 1,047 punëtorë.

Zyra për informim e Pro Creditit thotë se numri total i të punësuarve në fund të vitit 2011 ka qenë 1,071 persona, ndërsa në fund të vitit 2012 ky numër ka qenë 1,100.

“Përqindja e lëvizjeve të personelit ka qenë dhe vazhdon të jetë e njëjtë ndër vite (rreth 10 për qind)”, thotë banka. “Në çdo institucion, organizatë, apo kompani, është praktikë e shëndoshë organizative që të ketë lëvizje të personalit, normalisht duke qenë në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi, përfshirë këtu ligjin e punës”.

Banka nuk pranon interpretimin e disa ish-punëtorëve se menaxherët në pozita të larta largohen për t’u zëvendësuar me punëtorë të rinj që dalin nga programit bankierët e rinj e të cilët paguhen më pak. Ajo thotë se, sipas rregullave të saj, pothuajse të gjitha pozitat e reja plotësohen përmes kandidatëve që dalin përmes këtij programi — që funksionon si një trajnim parapërgatitor, i financuar nga banka, dhe ku përzgjedhen kandidatët më të mirë.  

Po ashtu, ajo thotë se vepron kur ka shkelje etike dhe se ka vendosur të blejë disa shërbime operacionale nga kompani tjera, sikurse për pastrim, për çka paguan miliona euro në vit.

“Përqindja e lëvizjeve të personelit ka qenë dhe vazhdon të jetë e njëjtë ndër vite (rreth 10 për qind). ProCredit Bank

Banka thotë se shuma e pagesës së punëtorëve është çështje konfidenciale ndërsa mohon mundësinë se i ka kërkuar ndonjë punëtori dorëheqje. 

Në ligjin e punës, në nenin 70 që flet për ndërprerjen e kontratës nga ana e punëdhënësit, thuhet se ndërprerja e marrëdhënies së punës lejohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative. 

Banka Pro Credit në Kosovë nuk është në humbje. Sipas bilancit të gjendjes, të publikuar në fund të vitit 2012, profiti i bankës ishte pak mbi 15 milionë euro.

Ndërsa, profiti i gjithë grupit (21 banka PCB në 21 shtete të botës në tri kontinente), sipas ueb faqeve përkatëse të filialeve të Pro Creditit, ka qenë rreth 60 milionë.

Banka thotë se ka shpenzuar rreth 70 për qind të profitit më 2012 në formë të riinvetsimeve brenda saj.

Ligji nuk parasheh dorëheqjen brenda ditës e as kërkimin e dorëheqjes.

Në nenin 71 që përcakton kohën e njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës thuhet se punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës në kohë të pacaktuar prej gjashtë (6) muaj deri në dy (2) vite punësim, tridhjetë (30) ditë kalendarike; prej dy (2) deri në dhjetë (10) vite punësimi, dyzetepesë (45) ditë kalendarike; mbi dhjetë (10) vite punësim, gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike.

Sipas rregullores së brendshme të bankës, në rast të performancës së ulët, parashihet që punëtorit t’i jipet vërejtje me shkrim dhe një afat për t’u përmirësuar, gjatë të cilit nga punëtori pritet të rrisë performancën. Largimi nga puna mund të pasojë pas kësaj nëse gjatë periudhes së ofruar nuk ofrohen rezultate.