Prizreni i Sunduar nga të Fuqishmit e Hotelierisë

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se shumë objekte biznesore që gjenden në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren kanë probleme me ligjin. Ka biznese që kanë tejkaluar lejen e marrë nga autoritetet komunale, por ka edhe hotele që janë ngritur pa leje. Biznesmenët e fuqishëm të qytetit kanë mposhtur autoritetet komunale që nuk kanë treguar vullnet për të vendosur rend urbanistik në Zonën Historike të Prizrenit.

Hotel Kaçinari

Një prej tyre është Pren Kaçinari. Hoteli i tij është i njohur në Prizren. Quhet “Hotel Kaçinari”. Ka katër vjet që operon në këtë zonë.

Para vitit 2011 në atë vend ishte një shtëpi e vjetër që ishte menduar  të futej në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Kjo ishte menduar nga Qendra Regjionale e Trashëgimisë Kulturore, tregon Sami Hoxha, drejtori i kësaj qendreje.

Por Kaqinari nuk lejoi që kjo të ndodhte. E rrënoi shtëpinë e vjetër.

Qendra Regjionale një vit pas rrënimit, në tetor të vitit 2012, kishte kërkuar ndërhyrjen e inspektoratit komunal. Nuk ishte marrë parasysh.

Nijazi Kryeziu, drejtor i Urbanizmit në Prizren konfirmoi se “Hotel Kaçinari”, nuk ka leje për ndërtim.

Por biznesmeni Kaçinari e vlerëson si të arsyeshëm veprimin e tij.
Kaçinari thotë se kishte bërë përpjekje të mëdha për të marrë leje për ndërtim, mirëpo autoritetet komunale nuk ia kishin dhënë.

Tregon se nuk i ka ndalur punimet përkundër gjobave nga autoritetet komunale.

“M’kanë dhënë dy-tre her[ gjoba. Na kanë ndërpre punën edhe prapë kemi vazhdue. Edhe e kam kry objektin,” thotë Kaçinari.

Ai shton se nuk është i vetmi që ka ndërtuar pa leje në “Shatërvan”. Kaçinari nuk beson se mund të vendoset që të rrënohet objekti i tij katërkatësh ku ka investuar shuma të mëdha parash.

“Shpresoj të mos vendosin me e rrënu, unë duhet me i pritë, nuk kam ku shkoj… përndryshe, nëse ia nisin rend me i rrënu të gjitha objektet çka janë pa leje këtu në qendër, kur të vjen radha te une e prishi vetë, nuk ka nevojë as policia me ardhë,” thotë Kaçinari.

Hotel “Centrum”

Përballë me hotel “Kaçinarin” ndodhet hotel “Centrum”.

Ky biznes në pronësi të vëllëzërve Albert e Robert Gjonaj ka tejkaluar lejen për ndërtim.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi Robert Gjonajn. Ai parapëlqeu të mos flasë rreth kësaj teme.
Drejtoria e Urbanizmit i ka dhënë leje vetëm për dy kate, ndërsa objekti ka katër kate.

Pëlqimin për të ndërtuar vetëm dy kate e kishte dhënë  Qendra Regjionale e Trashëgimisë Kulturore më 16 maj të vitit 2008.

Kjo qendër para pesë vjetësh, në shkurt të 2010-ës, kishte kërkuar që të intervenohet në këtë objekt.
Por autoritetet komunale nuk kishin lëvizur për të realizuar kërkesën e kësaj qendreje.

Hotel “Shadërvani”

Edhe hotel “Shadërvani” i cili ndodhet në qendër të Shatërvanit në Prizren, ka tejkalim të lejes dhe mënyrës së destinimit.

Ky objekt i nisur për shtëpi dykatëshe, është bërë hotel trekatësh.

“Hotel ‘Shadërvani’ është pajisur me leje të ndërtimit shtëpi individuale për banim me etazhitet P+1,” thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Urbanizmit dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

QRTK-ja kishte kërkuar intervenim edhe për këtë objekt.

Më 7 dhjetor të 2011-ës e kishte bërë këtë.

Meqë pronari i këtij objekti Tunë Kqiraj, aktualisht gjendet në paraburgim si i dyshuar për fajde, Gazeta Jeta në Kosovë provoi të kontaktojë me Leonard Tushin, menaxherin e hotelit.

Mirëpo takimi me të ishte i pamundur.

Pak metra larg hotel “Shadërvanit”, ndodhet edhe “Classic Hotel” me pronar Sedat Hotin.

Ky objekt trekatësh me nënkulm ka tejkaluar lejen për ndërtim. Urbanizmi ia kishte lejuar të ndërtonte vetëm një kat, duke përfshirë bodrumin dhe përdhesën.

Ndërsa Sedat Hoti, pronar i hotelit, parapëlqeu të mos flasë lidhur me këtë temë, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Objekti i ish-JugoBankës

Po ashtu, edhe objekti që ndodhet karshi Urës së Gurit, i njohur si objekti i “JugoBankës” ka kaluar nëpër probleme të cilat janë paraqitur si aksidentale.

Investitori ishte pajisur me leje për renovimin e ndërtesës me 9 janar të vitit 2013.

Hoxha nga QRTK-ja deklaroi se investitori nuk u ishte përmbajtur kushteve gjatë punimeve në objekt.

Kjo, sipas tij, kishte çuar deri te rrënimi i objektit i cili ka qenë nën mbrojtje.
Pas rrënimit, investitori kishte bërë kërkesë për rindërtimin e objektit. QKRT-ja këtë kërkesë ia kishte përcjellë Ministrisë së Kulturës.

Ministria më 12 gusht të vitit 2013 e kishte pajisur investitorin me leje për rindërtimin e objektit.
Pajisjen me leje për rindërtim e konfirmoi edhe Nijazi Kryeziu i Urbanizmit.

Por rrënimi i objektit gjatë punimeve është duke u hetuar nga prokuroria.

Njësiti policor për krime ekonomike më 30 janar të vitit 2014 ka dorëzuar në prokurori kallëzimin penal lidhur me këtë rast.

“Lënda gjendet në punë te prokurori i çështjes!” thotë kryeprokurori Sylë Hoxha.

Përveç këtij rasti që është nën hetime, Hoxha thtoë se nuk kanë informata tjera nëse ka edhe biznesmenë tjerë që kanë degraduar Qendrën Historike në Prizren.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe Gjykatën Themelore në Prizren për të marrë informata se sa raste të degradimit të qendrës historike janë duke u shqyrtuar në gjyq.

Afërdita Kicaj, zëdhënëse e gjykatës, deklaroi se është vetëm një rast i pranuar nga gjyqi dhe nuk pranoi të jepte detaje të tij. Kicaj shtoi se lënda është e re dhe ende nuk i është ndarë gjyqtarit.

Kristal Club

Sikur për të vënë qershinë mbi torte, një lokal tjetër që ndodhet në zemër të sheshit “Shatërvan” i lëshon zërin muzikës aq sa është e papërballueshme për banuesit në këtë zonë dhe vizitorët e sheshit të qytetit.

Të gjithë qytetarët me të cilët është takuar Gazeta Jeta në Kosovë pa dashur që ta zbulojnë identitetin, flasin për këtë shqetësim, mirëpo ata që janë të thirrur që të veprojnë në këtë drejtim, siç duket nuk kalojnë “asnjëherë” andejpari!

Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit ka parashikuar edhe decibelat deri ku mund të ngrihet zëri i muzikës në lokale.

“Muzika me zë më të lartë se (shtatëdhjetë) 70 decibelë, përveç gjatë ngjarjeve/organizimeve të natyrës publike për të cilat merret paraprakisht leja prej Komunës,” është një prej ndalesave që parasheh ky ligj.

Ndaj kësaj situate ka reaguar Qendra Regjionale e Trashëgimisë Kulturore.

Samir Hoxha, drejtor në këtë qendër, thotë se përveç zërit është reaguar edhe për punimet që janë bërë aty.

“QRTK-ja e Prizrenit ka reaguar për punimet që janë bërë pa pëlqimin tonë (atëherë kafe ‘Holywod’, tani “Kristal Club”) duke iu drejtuar Drejtorisë së Inspektorateve për intervenim (nr. 56 të datës 2010). Po ashtu i jemi drejtuar disa herë Drejtorisë së Inspektorateve për intervenim në mosrespektimin e zërit brenda Qendrës Historike të Prizrenit,” thotë Hoxha.

Por kryeinspektori Bedri Bytyqi thotë se ka një arsye se pse nuk është intervenuar për të ndalur zhurmën e këtij lokali.

Thotë se Inspektorati deri më tash nuk ka pasur pajisje për të matur nivelin e zërit. Por tash komuna ka blerë këto pajisje.

“Drejtoria e Inspektoratit ka blerë këto pajisje me të cilat do të operojë në vazhdim në lokalin në fjalë dhe të gjitha objektet e tjera ku konstatojmë nivel të lartë të zhurmës, apo ndotjes akustike,” thotë Bytyqi.

Ndërkaq Eduard Kqiraj, menaxheri i këtij lokali, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se ka pasur raste kur policia ka ndërmarrë aksion për ndërprerjen e zërit të muzikës pas orës 24 për të gjitha lokalet, në këtë rast edhe në lokalin të cilin ai e menaxhon.

Por para orës 24:00 thotë se nuk është bezdisur nga askush. Tregon se nuk është në dijeni se ligji parasheh rregullimin e zërit në decibela.

“Asnjëherë nuk kanë ardhë me na tërhjekë vërejtjen as policia, as inspektoriati. Nuk e di që ligji e thotë deri në 70 decibelë, askush nuk ka ardhë me na thënë diçka,” thotë Kqiraj.

Task Forca

Bedri Bytyqi, kryesinpsektori në Prizren, deklaroi se tejkalimet e lejes dhe ndërtimi i objekteve pa leje rreth Shatërvanit është bërë në kohën kur ai nuk ishte në këtë pozitë.

Bytyqi është pjesë e Task Forcës për Qendrën Historike.

“Së shpejti do të intervenohet edhe në këto objekte,” thotë Bytyqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Pamundësia e autoriteteve komunale për t’u marrë me biznesmenë të fuqishëm në Prizren është kritikuar në vazhdimësi nga shoqëria civile në këtë qytet.

Hajrulla Çeku nga “Ec ma ndryshe”, thotë se përpos ligjeve specifike që ofrojnë mbrojtje për Qendrën Historike, Kuvendi i Komunës së Prizrenit kishte miratuar edhe master-planin për konservimin dhe zhvillimin e kësaj zone.

“Deri më tani pushteti lokal ka dëshmuar se nuk ka vullnet që ta zbatojë as politikën e vet publike,” thotë Çeku për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shton se mosveprimi i autoriteve komunale ka shtyrë nivelin qendror të krijojë Task-Forcë për Qendrën Historike të Prizrenit.

Por, sipas tij, edhe Task-Forca ende nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret.

Kjo Task Forcë ka në përbërje përfaqësues të MMPH-së, Ministrisë së Kulturës, asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komunës së Prizrenit dhe Këshillit për Trashëgimi Kulturore dhe ka për qëllim zbatimin e Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Në vitin e parë të ekzistencës, kjo task-forcë nuk është mbledhur asnjëherë, ndërsa deri më tani ka mbajtur gjithsej 5 mbledhje me anëtarët e saj, mirëpo ende nuk është parë ndonjë rezultat.

Kryesuesi i Task Forcës për Qendrën Historike të Prizrenit, Qemajl Hasani, ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se sa takime ka mbajtur kjo task-forcë, cilat janë veprimet konkrete që janë ndërmarrë dhe pse nuk është intervenuar deri më tani, apo kur do të intervenohet në objektet e lartcekura.