Prishtina: Qyteti Nën Okupim

Shumë njerëz e mbajnë në mend 11 Qershorin 1999 – ditën e çlirimit të Prishtinës – si datën kur jeta urbane dhe kulturore u kthye sërish në kryeqytet për shumicën shqiptare të Prishtinës. Ky ndryshim erdhi pas gati një dekade të izolimit dhe diskriminimit të shqiptarëve nga institucionet publike të qytetit. Kjo datë shënon fillimin e ndeshjes midis vlerave urbane dhe rurale në qytet. Njashtu kjo datë shënon edhe momentin kur Prishtina filloi ta humbasë popullatën serbe, e cila sot jeton zakonisht në periferitë e kryeqytetit.

Prishtina si një kryeqytet që ka shërbyer si udhëkryqi i shumë civilizimeve pushtuese në këtë rajon, gjithmonë është përpjekur, por pa sukses, ta ruajë identitetin dhe rrënjët e saja që shtrihen deri në kohërat antike. Kjo përpjeke e pasuksesshme lidhet drejtpërsëdrejti me ndjenjën e bashkësisë dhe kolektivitetit brenda qytetit, e cila gati se më nuk ekziston aspak. Ekzistojnë dy faktorë që mund të karakterizohen si qenësor në zhdukjen e shumë ndërtesave me vlerë arkitektonike në Prishtinë.

Faktori i parë shkatërrues ka të bëjë me periudhën jugosllave të viteve 1940-ta dhe 1950-ta kur pjesa më e madhe e trashëgimisë osmane në kryeqytet u sakrifikua për betonin komunist. Kjo përpjekje për të modernizuar qytetin shpuri deri në humbjen e një pjese të madhe të Çarshisë së Vjetër. Për më tepër, xhamitë dhe kishat që ishin të ndërtuara në Sheshin e sotëm të Nënës Terezë u sakrifikuan për hir të mbjelljes së një mendësie socialiste tek kryeqytetasit e provincës së atëhershme.

Me ndërrimin e regjimit në vitin 1999, Prishtina e rifitoi epitetin e saj të një qyteti. Kryeqyteti e hapi veten dhe mirëpriti jetën kulturore edhe pse kjo ende mbetet modeste. Me një hov të shpejtë Prishtina u bë një vend vibrant me një jetë të natës që vazhdon të jetë në lulëzim e sipër dhe me makiatot ndër më të mirat në botë – thonë disa. Por, ky ndryshim solli me vete edhe faktorin e dytë shkatërrues në kryeqytet.

Të etur për ta lënë pas çdo fragment të erës jugosllave në Prishtinë, kryeqyteti filloi të përshëndetej me identitetin që i kishte mbetur prej kohës jugosllave. Shumë ndërtesa në qytet iu  nënshtruan një faze të “modernizimit” kapitalist me ç’rast u veshën me xhama reflektues të cilët sot e kësaj dite mbulojnë betonin jugosllav. “Rrokaqiejt” e ndërtuar rishtazi filluan të dalin si kërpudha dhe me shumë sukses ndikuan në gjenocidin urban që kishte filluar qysh në vitet 1940-ta.

Mirëpo, janë dy ndërtesa me status të pazgjidhur e që kanë luajtur dhe do të luajnë një rol kyç në betejën për mbrojtjen e arkitekturës së qytetit.

Ndërtesa e parë është Kisha Ortodokse pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ndërtimi i së cilës filloi rreth vitit 1995. Kjo kishë e papërfunduar perceptohet nga shumë prishtinas si ilegale mu për faktin se ishte ngritur në pronën e Universitetit të Prishtinës nën direktivat që vinin nga Beogradi. Kisha ishte paraparë të ishte më e madhja në krejt Kosovën dhe për qytetarët shqiptarë të Prishtinës ngritja e saj në mu atë vend u bë shembulli më i vrazhdë i okupimit dhe shtypjes serbe. Përpjekjet e pasluftës për ta rrënuar apo thënë më mirë për ta çuar në hava fatmirësisht nuk ishin të suksesshme. Dikur e mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it, sot kisha mbetet gjysmë e përfunduar duke pritur një vendim për fatin e saj të mëtutjeshëm. Njëra nga idetë që janë parashtruar në lidhje me kishën është propozimi për shndërrimin e saj në një galeri të arteve duke ia ruajtur të gjitha element arkitektonike. Duke marrë parasysh ndërtimin e saj ilegal dhe duke kujtuar se çka simbolizon ajo për popullatën shqiptare, kthimi i saj në një galeri do të ishte zgjidhja me optimale për këtë ndërtesë që është precipitat i një regjimi antishqiptar.

Mirëpo, një propozim i tillë mund të hedhet poshtë nga shqiptarët që jetojnë në Prishtinë, pasi që një pjesë dërrmuese beson se çdo gjë e periudhës para vitit 1999 nuk duhet të zë vend në kryeqytet. Një shembull i kësaj injorance është Hoteli Union karshi ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. E ndërtuar rrethi vitit 1920 me një arkitekturë marramendëse austro-hungareze, kjo ndërtesë është një nga të paktat të ndërtuara me këtë stil në kryeqytet. Në vitin 2008, autoritet komunale vendosën se kinse Hotel Unioni nuk paska ndonjë vlerë arkitektonike dhe se duhet të rrënohet për të ngritur bulevardin e ri. Personalisht, në vend se ta kontestoj vlerën e Hotelit Union, unë do të isha më i disponuar ta kontestoja logjikën dhe dobinë që i sjellin njerëzimit ata zyrtarë komunalë që morën vendimin për rrënim. Përkundër nënshkrimit të peticionit për ruajtjen e Hotelit Union, ai “aksidentalisht u ngulfat nga flakët”. Ky ishte një triumf për ata injorantë që ishin të vendosur ta rrënonin atë që kishte shumë vlerë për të tjerët.

Prishtina e shënoi përvjetorin e çlirimit javë më parë duke festuar kthimin e jetës në qytet pas periudhave të rënda të viteve 90-ta. Por, duket se sot kryeqyteti kosovar po vuan nga provincializmi, injoranca dhe mentaliteti egoist.

Trembëdhjetë vjet pas luftës Kisha Ortodokse në Prishtinë nuk simbolizon okupimin serb. Mirëpo, rrënojat e Hotel Unionit janë shembulli më tragjik dhe i gërditshëm i okupimit të ri që ka lëshuar rrënjë thellë në Prishtinë.