Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Presidenti veç edhe një ditë afat për të kompletuar përbërjen e KQZ-së

Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i ka mbetur vetëm një ditë afat ligjor për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Këtij mekanizmi i ka përfunduar mandati më 27 mars të këtij viti, por për të emëruar anëtarët e rinj, presidenti Thaçi më 7 qershor i ishte drejtuar Kushtetueses për sqarime se nga sa përfaqësues u takojnë grupeve parlamentare në KQZ.

Gjykata Kushtetuese vendimin për këtë çështje e ka marrë në muajin nëntor me ç’rast e ka cilësuar si “të papranueshme” kërkesën e presidentit Thaçi.

Lidhur me këtë vonesë ‘maratonike’, KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën e Presidentit, nga e cila kemi marrë përgjigjen se “brenda një afati shumë të shkurtër do ta bëjnë emërimin”.

“Presidenti Thaçi, pas pranimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në një periudhë sa më të shkurtër kohore do ta bëjë publik vendimin e tij”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Partitë politike në pushtet dhe ato opozitare e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kanë kërkuar nga presidenti që të mos e zvarrisë më shumë këtë proces.

Opozita fajëson presidentin Thaçi për zvarritje të qëllimshme

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë për KALLXO.com që janë të patolerueshme vonesat e presidentit, pasi, sipas tij, ekziston mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Është e patolerueshme që presidenti nuk i ka kryer obligimet e veta kushtetuese që të bëjë KQZ-në funksionale. Ne presim që presidenti të veprojë sipas Kushtetutës dhe të emërojë anëtarët e KQZ-së, sepse vendi mund të shkojë shpejt në zgjedhje. Me sa kam informata, mund të jenë mbi 20 raste nëpër kuvende komunale të këshilltarëve që kanë mbetur tash e gjashtë muaj pa u certifikuar nga KQZ-ja”, ka thënë Hoti, duke shtuar se së paku një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk është ricertifikuar.

 Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryetare e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë për KALLXO.com se presidenti Thaçi ka pasur tendencë ta mbajë të bllokuar KQZ-në.

“Siç e kemi parë [Thaçi] ka dy qëndrime: e para që ta mbajë të bllokuar KQZ-në  dhe e dyta që anëtarët të cilët i përkasin VV-së dhe LDK-së, njërin t’ia japin Nismës ndërsa tjetrin PSD-së, pra është një tendencë e tij që të shkelë legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, theksoi Haxhiu.

Tutje ajo e ka konsideruar vendim të drejtë aktgjykimin e Kushtetueses ndaj kërkesës së presidentit.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, pra vendimi për shpallje të papranueshme lëndën e presidentit është vendim i drejtë, për faktin se Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendosë për gjithçka çfarë presidenti pyet, pasi edhe në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, kompetencat janë të qarta se kur presidenti mund t’i drejtohet këtij institucioni”, tha Haxhiu.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion ka thënë që nga shpallja e vendimit presidenti ka 10 ditë afat për emërimin e anëtarëve të rinj sepse në të kundërtën ka paralajmëruar se do t’i drejtohen GJK-së.

“Janë dhjetë ditë kur presidenti duhet që t’i emërojë anëtarët e propozuar nga subjektet politike, pra dy nga koalicioni PAN, dy nga LVV, dy nga LDK-ja. Në rast se presidenti Thaçi vazhdon ta mbajë të bllokuar KQZ-në, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shkelje kushtetuese”, theksoi Haxhiu.

Për këtë çështje, KALLXO.com ka provuar të marrë qëndrim edhe nga Partia Socialdemokrate (PSD), por pavarësisht insistimit të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Pozita arsyeton vonesat e presidentit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, ka arsyetuar vonesën e presidentit.

“E arsyetoj vonesën nga ana e presidentit sepse lënda ka qenë në Gjykatë Kushtetuese dhe nuk mund të veprosh kur një lëndë është në gjykatë, presidenti ka vepruar drejtë dhe edhe tani do të veprojë drejtë”, ka thënë Beqa për KALLXO.com.

Tutje, Beqa e ka konsideruar si të domosdoshëm funksionalizimin e KQZ-së për shkak të dorëheqjeve nëpër asamble.

“Është shumë e domosdoshme që të funksionalizohet KQZ-ja. Ka shumë asamble që kanë dhënë dorëheqje dhe duhet të konfirmohet dorëheqja në asambletë komunale. Kemi po ashtu edhe deputetë brenda një grupi parlamentar i cili është në pritje që të bëhet certifikimi i tij“, tha ai duke shtuar se kompletimi i këtij institucioni është në interes të vendit.

Kurse, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, thotë se presin që ky subjekt të ketë një anëtar në KQZ.

“Nisma si parti parlamentare edhe sipas rregullave të funksionimit të KQZ-së, duhet ta ketë një anëtar në KQZ. Organi i KQZ-së duhet me qenë funksional, shkuarja në zgjedhje të parakohshme në nivelin lokal siç është rasti në veri të vendit, mosqenia funksionale e atij komisioni faktikisht e bllokon funksionimin e demokracisë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi thotë se subjekti i tij ka kërkuar që të ketë një përfaqësues brenda institucionit të KQZ-së.

“AAK-ja e ka pasë një përfaqësues dhe duhet ta ketë, për çështje të tjera duhet të konsultohen liderët së bashku me presidentin dhe të  arrihet një zgjidhje”, ka theksuar Isufi.

Demokraci Plus dhe KDI: PSD nuk ka të drejtë të ketë anëtar në KQZ

Valmir Ismaili nga Demokraci Plus thotë për KALLXO.com se arsyeja që presidenti e ka zvarritur procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së është krejtësisht politike dhe e paarsyeshme.

“Presidenti i vendit nuk po mund të shkëputet nga anësia e tij politike dhe të jetë i pavarur në vendimet e tij. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Rastin Nr. KOU9/14 e ka sqaruar mirë se çka nënkupton grupi parlamentar, prandaj Presidenti i vendit nuk ka pasur nevojë që këtë çështje edhe një herë ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Si duket presidenti i vendit është duke vonuar emërimet në KQZ thjesht sa për të blerë kohë për ish-subjektin e tij politik dhe partitë tjera që tashmë janë në pozitë”, tha ai.

Ismaili thekson se është shumë e qartë se si duhet të jetë përbërja e re e KQZ-së.

“Nga dy (2) anëtarë duhet të kenë LDK dhe Vetëvendosje, dy (2) anëtarë koalicioni PAN, katër (4) nga grupet parlamentare që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, dhe kryetarja e KQZ-së që vjen nga Gjykata Supreme. Çdo përbërje tjetër e KQZ-së do të ishte joligjore”, tha ai, duke shtuar se PSD-ja nuk kanë të drejtë përfaqësimi në KQZ.

Tutje, Ismaili thotë se mosfunksionalizimi i KQZ-së po sjell probleme të shumta.

“Kemi një numër të anëtarëve të kuvendeve komunale që nuk po mund të zëvendësohen për shkak se KQZ nuk po është funksionale. Po ashtu, kemi një deputet të Kuvendit të Kosovës që nuk po mund të marrë mandatin (zëvendësim) për shkak të të njëjtit problem. Përveç kësaj edhe brenda vetë institucionit të KQZ-së nuk po mund të ecin përpara shumë projekte”, përfundoi ai.

Ndërkaq, Eugen Cakolli hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), e ka cilësuar si të panevojshme kërkesën e presidenti Thaçi për interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

“Kjo kërkesë ishte e panevojshme, arsyet për një zvarritje të tillë nga ana e presidentit janë të natyrës politike, duke qenë se bazuar në formulën aktuale të ndarjes, koalicioni PAN do të ketë të drejtën e propozimit të vetëm dy anëtarëve, po aq sa edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA”, tha Cakolli.

Tutje Cakolli ka bërë të ditur që PSD-ja nuk do të këtë të drejtë të propozojë anëtar në KQZ.

“PSD nuk do të ketë të drejtën e propozimit, sepse kjo e drejtë i takon ekskluzivisht grupit parlamentar të LVV-së, sipas numrit të fituar të ulëseve në zgjedhjet e 11 qershorit, të paktën bazuar në praktikat e deritanishme”, ka thënë ai.

Sipas tij, pas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, çfarëdo vonese tjetër do të paraqiste shkelje të vetë Kushtetutës, meqë presidenti është garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve.

“Kurse, sa i përket funksionimit të KQZ-së, moskonstituimi i përbërjes së re ka ndikuar që një numër i konsiderueshëm i akteve të brendshme të mbesin pa miratuar, duke ndikuar negativisht në funksionimin e këtij institucioni gjatë viteve në vijim”, theksoi Cakolli.