Presidenti dhe ish-Presidentja | Foto: KALLXO.com

Presidenti - të Zgjidhet me Votë Direkt nga Populli

Është shumë e nevojshme që të miratohen ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit. Duke qenë i zgjedhur nga Kuvendi, fatkeqsisht pozita e Presidentit të Kosovës gjithmonë ka qenë pjesë e pazarit të partive politike “ti këtë– unë atë”.

Zgjedhja e drejtpërdrejtë mënjanon problemet që i kemi hasur në të kaluarën.

Në vitin 2010, Presidenti Fatmir Sejdiu, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për “shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës” prej tij “duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës së Kosovës si dhe postin e kryetarit të partisë politike – Lidhja Demokratike e Kosovës”.

Në vitin 2011 pas zgjedhjes të Behgjet Pacollit President, Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se Kuvendi ka bërë shkelje kushtetuese gjatë zgjedhjes së Presidentit, “meqë vetëm 67 deputetë morën pjesë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës”.

Pas një krize politikë në prill të vitit 2011 partitë arritën marrëveshje që në krye të shtetit të vendosin një Presidente të panjohur, Atifete Jahjagën.

Së fundi, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Presidentin Hashim Thaçi, i cili asnjëherë nuk do të mund të përfaqësojë unitetin e popullit duke qenë themelues e ish-lider i Partisë Demokratike të Kosovës.

Zgjedhja e drejtpërdrejtë mund të sjellë kandidat të pavarur.

Një sistem mazhoritar për zgjedhjen e Presidentit, siç është për kryetar të Komunës, hap mundësi për zgjedhjen e kandidatëve të rinj dhe ngre potencialin për kandidatë të pavarur apolitikë, të cilët mund të përfaqësojnë unitetin e popullit.

Edhe pse partitë do të kishin kandidatët e tyre dhe do të ishin në pozitë më të favorshme për t’u zgjedhur, zgjedhja e drejtpërdrejtë nga votuesit nxit partitë që të nominojnë kandidatë që kanë pëlqimin e të gjithë qytetarëve.

Është shumë më demokratike që për President të vendosin votuesit, sesa 120 politikanë.

Sipas opinionit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2012, zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit “është përmirësim i demokracisë”.

Shumë njerëz kanë ngritur shqetësime nëse zgjedhja direkt e Presidentit do të thotë lëvizje drejt një sistemi Presidencial të qeverisjes siç është praktika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Francë.

Por duhet të bëhet dallimi në mes mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe kompetencave të Presidentit.

Përmes reformës planifikohet të ndryshohet vetëm mënyra e zgjedhjes, por kompetencat mbesin të njëjta. Ka shumë praktika ku Presidenti me kompetenca simbolike/ceremoniale zgjidhet drejtpërdrejt: në Serbi, Maqedoni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Slloveni.

Reforma për zgjedhje të drejtpërdrejtë ka filluar në vitin 2011. Përkundër punës së madhe në reformë zgjedhore dhe investimeve në punëtori e vizita studimore, partitë asnjëherë nuk kanë shprehur gatishmëri për të kaluar këtë reformë.

Është shumë e nevojshme që kjo reformë të kalojë sa më shpejt, para se të bëhet vonë dhe zgjedhja e ardhshme e Presidentit të na sjellë edhe ndonjë krizë institucionale.

Autori është ekspert i zgjedhjeve. Ky artikull është shkruar në kuadër të “Java e Kushtetutës”, aktivitet i organizuar nga TLP Alumni Association (www.citizenscorps.org) për të promovuar Kushtetutën. Pyetjet apo komentet mund të adresohen në [email protected].