Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti 'e harron' Luginën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka tash e disa muaj që është duke përsëritur  idenë e ‘korrigjimit të kufirit’ me Serbinë  brenda dialogut me këtë shtet, e që sipas tij do të përfshinte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën

Mirëpo ditëve të fundit, deklarata e tij ka rrëshqitur në idenë  e ‘korrigjimit të lehtë të kufirit’ duke mos përmendur më bashkimin e komunave jugore me shumicë shqiptare në Serbi.

Teksa po qëndronte në SHBA, të martën ai ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Washington DC, ku foli për korrigjimin e kufirit në të cilën nuk përmendi fare Luginën e Preshevës.

Ishte pikërisht presidenti Thaçi ai e cili e kishe hedhur në opinion idenë  për ‘korrigjim’ të kufirit e cila sipas tij nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Përmes një takimi të përbashkët me përfaqësuesit e tri komunave të Luginës së Preshevës, në zyrën presidenciale, me 26 korrik të këtij vitit të kaluar , Thaçi kërkoi të respektohet vullneti i qytetarëve të Luginës së Preshevës të bërë përmes referendumit të 1992 për bashkim të këtyre 3 komunave me shumicë shqiptare me Kosovën.

“Do të analizojmë me seriozitetin më të madh të përgjegjësisë politike, kombëtare e profesionale që në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë- Serbi dhe në kuadër të korrigjimit të kufirit apo demarkacionit në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të prezantoj edhe kërkesën e institucionalizuar tani më të liderëve dhe qytetarëve të Preshevës për institucionet e Kosovës”, ka thënë presidenti.

E me idennë e njejtë presidenti vazhdoi edhe në muajin gusht, ku përmes një postimi në facebook falënderoi qytetarët e Luginës për mbështetjen ndaj idesë së tij.

“Edhe njëherë i falënderoj liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës që po përkrahin arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta për bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e drejtë duhet të na bashkojë pa dallime partiake, ideologjike dhe bindjesh tjera, qoftë nga pozita institucionale, e shoqërisë civile apo e opozitës”, shkroi ai.

E pikërisht në kohën kur kryeministri Haradinaj thoshte se ideja e presidentit ka vdekur, presidenti u përkujdes që edhe një herë të tregoj që kjo ide është gjallë. Në konferencën e dhjetorit presidenti deklaroi e mbështet edhe më shumë se në të kaluarën idenë për bashkim.

“Unë mbështesë në plotni të drejtën kombëtare te Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Madje sot më fuqishëm se sa gjatë e në muajt në vijim shpresoj se në realizimin e së drejtës së tyre për bashkëngjitje me Kosovën”, ka thënë ai.

Mirëpo të martën teksa po qëndronte në SHBA, ai ka zhvilloi një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku foli për korrigjimin e kufirit në të cilën nuk përmendi fare Luginën e Preshevës.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë. Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, ka thënë ai.

Madje presidenti javëve nuk ka zhvilluar as takime me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit, dhe Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ndonëse janë deklaruar se janë në pritje të ndonjë ftese zyrtare nga përfaqësuesit e Prishtinës për përfshirje në dialogun Kosovë-Serbi.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti ai nuk ka dhënë përgjigje.

Liderët e Luginës: Nuk kemi pasur takim me presidentin, por vetëm komunikim

Takimi i fundit të cilin presidenti e ka pasur me përfaqësuesit e Luginës ka qenë tetor , në të cilin liderët e Luginës së Preshevës i kanë dorëzuar një kërkesë që Kuvendi i Kosovës ta miratojë një rezolutë me të cilën do të kërkonte bashkimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën.

Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit, tha për KALLXO.com se javëve nuk kanë pasur takim me presidentin ose me dikë nga institucionet e Kosovës.

“Në javët e fundit nuk kemi pasur rast të takojmë presidentin e Kosovës apo dikë nga institucionet, por, sido që të jetë ne jemi të gatshëm që kur të vlerësojë Prishtina të shprehim mendimet dhe kërkesat tona”, tha ai.

Presidenti nuk është takuar as me Ragmi Mustafën, kryetarin i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por me të ka pasur vetëm komunikim.

“Kemi pasur komunikim me presidencën. Nga se si pjesë e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë, Lugina e Preshevës duhet doemos të jetë pjesë e zgjidhjes së saj”, tha ai.

Përqafuesit e Luginës, u shprehën ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga Prishtina për përfshirje ne dialog, ndonëse deklaruan se janë në pritje.

Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi një zhvillim të tillë e konsideroi normal, pasi që sipas tij Kosova nuk është e unifikuar për përfshirjen e Luginës në bisedime.

“Këtë duhet kuptuar si zhvillim normal, sepse nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar të Parlamentit që Kosova të ndjekë rrugën në të cilën Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut”, tha Kamberi.

Ndërsa Mustafa theksoi se është e një rëndësie të veçantë përfshirja e Luginës në dialogun në Bruksel.

“Deri më tash nuk kemi marrë ndonjë ftesë zyrtare për të qenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Atë që e konsiderojmë të një rëndësie vendimtare është trajtimi i çështjes së Luginës së Preshevës në Bruksel”, tha ai.

Sipas Mustafës shqetësues nuk është qëndrimi i Presidentit Thaçi por shqetësuese është heshtja e sidomos kundërshtimi që i bëjnë disa liderë politikë në Kosovë idesë që Lugina e Preshevës ti bashkohet Kosovës.

Fati i Preshevës në duart e përfaqësuesve nga Prishtina

Ideja e presidentit Thaçi për ‘korrigjim’ të kufirit nuk u mbështet as nga dy krerët e tjerë të shtetit , kryeministri Haradinaj tha se një ide e tillë do të thotë luftë, Kryeparlamentari Veseli tha se kjo ide është e Serbisë  .

Mirëpo përkundër debatit që po zhvillohet në Kosovës, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, thënë se zgjidhja e problemit, do të varet nga qëndrimi të cilin do të mbajë Prishtina.

“Të ndjekë rrugën e korrigjimit, me c’rast kërkesa jonë është për bashkim me Kosovën, apo vendosur reciprocitetin në të drejta me të drejtat e serbëve në Kosovë që paraqet minimumin që Prishtina duhet bërë për Luginën”, tha Shaip Kamberi kryetari i Komunës së Bujanocit.