Protestuesit e Zharrëzës në Tiranë. Foto kolazh, Ivana Dervishi, BIRN

Premtime dhe Harresë: Banorët Jetojnë Brenda Shtëpive të Rrezikshme

Barie Hajdini jeton fillikat mes mureve të çara dhe të spostuara nga themelet e shtëpisë së saj në fshatin Zharrës të Bashkisë së Patosit-ndonëse një komision vlerësimi e ka cilësuar strehën e saj si të pabanueshme dhe të rrezikshme.

Gruas së moshuar- e cila vuan edhe nga një koleksion sëmundjesh kronike, iu premtua zgjidhje e shpejtë, por pesë muaj më pas nuk është bërë ende asgjë dhe Hajdini ka filluar të shqetësohet se dimri do ta gjejë sërish në të njëjtën shtëpi.

“Hajde ngryse dimrin këtu,” thotë ajo, ndërsa tregon me gisht nga kanalet e suvasë së rënë që çajnë tejpërtej murin.     “Na thanë që do ta zgjdhnin këtë problem brenda një muaji. Erdhi kryetarja e Bashkisë së Patosit dhe drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave dhe na thanë nëse donim shtëpi apo para? Asnjë gjë nuk kanë bërë deri tani,” u ankua ajo për BIRN.

Pas bashkëjetesës shumëvjeçare me lëkundjet e vazhdueshme të tokës, shpresat për zgjidhje të Barie Hajdinit u rritën në fund të muajit shkurt, kur maratona e një greve urie dhe marshimi epik i banorëve të Zharrëzës u mbyll në Tiranë me premtimin qeveritar se dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre do të shpaguheshin.

Për të përmbushur premtimin publik, Këshilli i Ministrave miratoi më 1 mars vendimin nr. 155  “Për marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në njësitë administrative Zharrëz, Patos(fshati Dukas), Bashkia Patos dhe Kuman, Bashkia Roskovec”.

Pas vendimit të qeverisë, grupet ndërinstitucionale të punës nisën procesin e vlerësimit në Zharrëz dhe zonat përreth, ku konstatuan se dhjetra shtëpi ishin të pabanueshme dhe përbënin rrezik për jetën e banorëve të tyre.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ky rrezik injorohet prej muajsh nga institucionet përgjegjëse shtetërore, të cilat ia hedhin “topin” njëra- tjetrës për zgjidhjen e situatës dhe nuk japin asnjë përgjigje se kur do të dëmshpërblehen banorët e Zharrëzës.

Barie Hajdini brenda shtëpisë së saj në Zharrëz | Foto: Edmond Hoxhaj

Barie Hajdini nuk është e vetmja që jeton në kushte të rrezikshme për jetën në Zharrëz, ndërsa pret që qeveria të mbajë premtimin e dhënë publikisht.

Zyber Muskaj-një tjetër banor i tha BIRN se zyrtarë të Entit Kombëtar të Banesave e kishin paralajmëruar për rrezikun e jetesës në shtëpi, por ai vazhdon të banojë aty në mungesë të një zgjidhjeje tjetër.

“Na thanë se në muajin prill do të na sistemonin në shtëpi me qira, por deri tani nuk është bërë asgjë. Kemi hedhur firmën për dakortësinë që t’i merrnim dëmshpërblimet në para. Por deri tani nuk na ka kontaktuar më njeri,” tha Muskaj për BIRN.

Premtimi, ende në letër

Banorët e fshatit Zharrëz jetojnë prej vitit 2008 në kalvarin e pasigurisë për shkak të lëkundjeve thuajse të përnatshme të tokës, të cilat u shkaktuan dëme të rënda shtëpive të tyre të varfra. Ata akuzojnë kompaninë e naftës “Bankers Petroleum” dhe praktikën e ndjekur prej saj të injektimit në tokë të ujit teknologjik si shkaktar të tërmeteve dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre.

“Bankers Petroleum” nuk pranoi asnjëherë se ishte shkaktare e tërmeteve, ndërkohë që hetimet shumëvjeçare mbi këtë fenomen nuk arritën në asnjë konkluzion. Megjithatë, qeveria urdhëroi kompaninë më 20 dhjetor 2016 që të ndërpriste injektimin e ujit teknologjik në puset e lokalizuara rreth fshatit Zharrëz.

Në shkurt 2017, banorët e Zharrëzës iu kundërpërgjigjën injorimit shumëvjeçar me një grevë urie dhe një marshim prej 126 kilometrash nga Fieri në Tiranë, duke kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre të rrënuara.

E gjendur në mes të presionit publik, qeveria e Edi Ramës premtoi të dëmshpërblente 100 për qind dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre, ndërsa vendimi i 1 marsit përbante afate të qarta për përmbushjen e tij.

Vendimi i Këshillit të Ministrave përcaktonte datën 5 mars për ngritjen e grupeve ndërinstitucionale të punës(GNP), të cilat do të evidentojnë dhe vlerësojnë dëmet e shkaktuara si pasojë e lëkundjeve të tokës në territorin e Bashkisë Patos dhe Bashkisë Roskovec.

Në pikën 4 të këtij vendimi shkruhet se; “brenda 30 ditëve nga ngritja e tyre, GNP-të të përgatisin listën përfundimtare emërore të kryefamiljarëve me banesa të shkatërruara plotësisht apo me dëmtime të rënda”.

Por edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga miratimi i këtij vendimi, banorët e Zharrëzës nuk janë njohur ende me listat e vlerësimit të dëmeve, ndërkohë që për sigurimin e jetës së tyre nuk është marrë asnjë masë.

E lënë në terr informativ, Barie Hajdini i tha BIRN-it se ishte detyruar t’i drejtonte një ankesë Avokatit të Popullit për të marrë vesh nëse shtëpia e saj ishte përfshirë apo jo në listën e banesave që do të trajtohen sipas VKM nr.155, datë 01.03.2017.

Më datë 19 korrik 2017, Avokati i Popullit i ka kthyer përgjigje se sipas informacionit të marrë nga Bashkia e Patosit, shtëpia e zonjës Hajdini ishte në listën e atyre që komisioni i kishte shpallur si të pabanueshme.

“Bashkia disponon vetëm listat e banesave, të cilat nga komisioni janë shpallur të pabanueshme dhe referuar kësaj liste rezulton se banesa e znj. Hajdini është shpallur e pabanueshme,” thuhet në shkresën që Avokati i Popullit i ka përcjellë Hajdinit.

“Ndërkohë, për banesat e tjera që janë dëmtuar, tabelën përfundimtare për çdo banesë e zotëron Enti Kombëtar i Banesave,” shtohet më tej shkresa.

Kryetari i shoqatës “Zharrëza”, Qani Rredhi i tha BIRN se janë rreth 57 shtëpi që janë vlerësuar si të pabanueshme në këtë fshat, por institucionet shtetërore sipas tij ia hedhin “topin” njëri-tjetrit, pa dhënë asnjë zgjidhje.

“Na u tha që menjëherë këta banorë duhet të largohen nga këto shtëpi, që të mos ketë pasoja në jetë njerëzish. Dhe u hodh një ide që menjëherë pasi të bëhej vlerësimi i shtëpive të pabanueshme, këta banorë do të sistemoheshin në shtëpi me qira të trajtuara financiarisht nga bashkia, nga shteti. Asgjë nuk është bërë deri tani,” tha Rredhi-njëri prej protestuesve kryesorë të marshimit epik të shkurtit.

“Po presim akoma nga Enti Kombëtar i Banesave të na bëhen publike listat, gjë që s’po bëhet. Kemi marrë takime. E hedhin “topin” sa nga Emergjencat Civile tek Ministria e Energjetikës, gjë që nuk po jep zgjidhje. Po presim se çfarë do të bëhet,” shton ai.

Qani Rredhi, kryetar i shoqatës “Zharrëza” duke folur për BIRN | Foto: E.Hoxhaj

Kundërshtitë e institucioneve

Tre institucionet e përfshira në procesin e vlerësimit të banesave të dëmtuara në Zharrëz dhanë justifikime të ndryshme për BIRN, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk dha një përgjigje se kur mund të ketë një zgjidhje përfundimtare për banorët që jetojnë ende në shtëpitë e rrezikshme.

E kontaktuar nëpërmjet telefonit, kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balili i tha BIRN se ishte në dijeni të shqetësimit të qytetarëve, por bashkia që ajo drejton nuk ishte marrë drejtpërdrejt me këtë çështje.

“Shqetësimi i qytetarëve është edhe i yni. Ne përballemi çdo ditë me qytetarët dhe i dimë shqetësimet e tyre. Për këtë arsye jemi duke përgatitur një shkresë, që do t’ia drejtojmë Entit Kombëtar të Banesave dhe Emergjencave Civile, për të mësuar se çfarë është bërë me procesin e vlerësimit të banesave të dëmtuara dhe me shpërblimet e qytetarëve, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë,” tha Balili.

“Me këtë çështje është marrë Enti Kombëtar i Banesave dhe Emergjencat Civile. Bashkia e Patosit ka pasur thjesht një anëtar në grupin ndërinstitucional të punës. Për këto arsye jemi duke u kërkuar informacion se çfarë po bëhet,” shtoi ajo.

Ndërkohë, Enti Kombëtar i Banesave pretendon se i ka përfunduar listat me shtëpitë e pabanueshme dhe ato me dëmtime më të lehta dhe ia ka përcjellë ato Emergjencave Civile.

Rajmonda Stefa, zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Entit Kombëtar të Banesave i tha BIRN se ata e kanë përmbushur rolin e tyre të vlerësimit të dëmeve në terren dhe se listat e shoqëruara me dokumentacionin përkatës u janë dërguar Emergjencave Civile për ndjekjen e hapave të mëtejshëm.

“Enti Kombëtar i Banesave ishte vetëm në rolin vlerësues, nuk kemi pasur lidhje me politikëbërjen apo me shlyerjen e detyrimeve në këtë rast. Ne kemi kryer vlerësimet në terren, të cilat ia kemi dërguar Emergjencave Civile për hapat e mëtejshëm”, tha Stefa për BIRN.

Por drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile e quan të papërfunduar dhe me probleme  punën e kryer nga Enti Kombëtar i Banesave.

Në një përgjigje me shkrim për BIRN të datës 28 gusht, Shemsi Prençi tha se “institucioni që ai drejton do të aktivizohej për kontrollin e ligjshmërisë së dosjeve të vlerësimit vetëm pasi institucionet e lartpërmendura të kenë përfunduar të gjitha detyrimet”.

“Vetëm atëherë do të aktivizohemi për kontrollin e ligjshmërisë së dosjeve… dhe do të fillojë procedura e realokimit të fondeve dhe shpërndarja e tyre për çdo familje,” tha Prençi.

Pas përgjigjes me shkrim, Prençi u kontaktua sërish me telefon nga BIRN për t’u pyetur mbi pretendimin e Entit Kombëtar të Banesave se i ishin dorëzuar listat dhe dokumentet shoqëruese.

“Dokumentacioni i procesit të vlerësimit, të kryer nga Enti Kombëtar i Banesave që është dorëzuar më parë pranë Emergjencave Civile është konstatuar i parregullt dhe se për këtë arsye është rikthyer për rivlerësim,” tha Prençi.

“Ne kontrollojmë ligjshmërinë, kjo është detyrja jonë,” përfundoi ai.

Shkrimi është marrë nga reporter.al