Prapa Organizatave të Përçara Studentore të UP-së

Pesë vite më parë, Lirije Palushi la rehatinë e shtëpisë prindërore në një fshat të Suharekës për here të parë në jetën e vet për tu zhvendosur në kryeqytetin e Kosovës, nevrike por e gatshme për të nisur një jetë të re në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Gjatë atyre ditëve të para, Lirijen e kishte kapluar mungesa e përkrahjes – një ndjenjë që veç do të rritej gjatë katër viteve të studimeve baçelor, e do vazhdonte në studimet e masterit.

“Isha plotësisht e humbur në ditën e parë. Krejt informatat që i merrja ishin joformale, nga miq apo duke i pyetur njerëzit që nuk i njihja,” kujtoi ajo gjatë darkës menjëherë pas një ditë plot me ligjërata dhe punë.

Ajo filloi të fliste plot pasion (pa u ndalë të hante një kafshore të ushqimit të saj, përkundër që e pranoi se ishte duke vdekë urie), për jetën e saj studentore në institucionin më të madh të arsimit të lartë në Kosovë. Fusha e parë e ankesave të saj: mungesa e klubeve, aktiviteteve në kampus, dhe madje – një detaj i vogël- mungesa e xhemperëve me logo të Universitetit.

“Ne bukfalisht nuk kemi jetë studentore. Jeta studentore ndodhë veç jashtë kampusit,” tha ajo.

Palushi kishte dëgjuar për parlamentin studentor kur ishte brucoshe, por kolegët e saj i kishin thonë se udhëheqësit studentorë ishin “kryesisht të politizuar dhe punojnë për interesat e veta”. Si studente e shkencave politike, Palushi ishte e interesuar në organizimin studentor, por nuk e kishte parë vetën të përshtatej me asnjërën nga nëntë grupet e regjistruara në zgjedhjet e fundit studentore. Në fakt, ajo s’ka votuar në zgjedhje studentore asnjëherë.

Palushi s’është e vetmja. Një anketë e bërë nga BIRN para zgjedhjeve studentore të vitit 2016 kishin gjetur se studentëve u mungonte entuziazmi dhe besimi në përfaqësimin studentor. Në përgjithësi, studentët e Universitetit të Prishtinës shpesh ankohen se interesat dhe nevojat e tyre injorohen plotësisht.

Udhëheqësia studentore është e përçarë: ndonëse disa grupe kanë iniciativa dhe qëllime vetanake për të bërë jetën studentore më të mirë, studentët e zgjedhur për parlament gati kurrë nuk takohen si një grup.

Udhëheqësia studentore është po ashtu një temë përçarëse në vetvete: kritikët i akuzojnë organizatorët studentorë — të cilët kanë ulëse në organin më të lartë vendimmarrës të universitetit — që punojnë në interes të politikanëve, një problem që i brengosë edhe vet liderët studentorë.

Përfaqësimi studentor

Pa marrë parasysh a flet me studentë, profesorë, apo shoqëri civile, kushdo do të ju thotë se mënyra më e mirë për ta kuptuar përfaqësimin studentor në Universitetin e Prishtinës është ta paramendosh si politikë parlamentare.

Sipas Muhamer Hamzaj, anëtar i Unionit të Pavarur të Studentëve dhe ish-Presidenti i Parlamentit Studentor, ka rreth 30 organizata studentore në Universitetin e Prishtinës, por vetëm shtatë prej tyre janë momentalisht të përfaqësuara në Parlamentin Studentor.

Çdo dy vjet, organizatat studentore — të cilat duhet të regjistrohen në Ministrinë e Administratës Publike për të mundur të garojnë — shkojnë në zgjedhje gjatë semestrit pranveror. Së pari, ata mbajnë zgjedhje të brendshme të vendosin në përfaqësimin e tyre dhe strukturën udhëheqëse. Pastaj, organizatat hyjnë në zgjedhjet e trupit studentor, ku kolegët e tyre votojnë për përfaqësuesit studentorë nëpër këshilla të fakulteteve, të përshkruara si “qeveri lokale”, dhe përfaqësuesit në Parlamentin Studentor, i përshkruar si “qeveri qendrore”.

Këshillat e fakulteteve janë të përbëra nga dekanë dhe udhëheqësit tjerë të fakultetit, profesorë, asistentë, një staf jo-akademik, dhe dy përfaqësues studentorë të zgjedhur nga këshilli studentor i fakultetit.

Muhamer Hamzaj, ish kryetar i Parlamentit Studentor. Foto: Atdhe Mulla

Në anën tjetër, Parlamenti Studentor është i menduar të shërbejë si organi kryesor i përfaqësimit për problemet studentore. Statuti i universitetit e parasheh se Parlamenti duhet te ketë 17 anëtarë, studentë të nivelit baçelor apo master, të cilët shërbejnë mandate dy-vjeçare dhe s’mund të rizgjedhen.

Pasi që zgjedhet, Parlamenti Studentor i dërgon shtatë nga studentët më të votuar të përfaqësojnë në mandatë një-vjeçare, të gjithë trupin studentor në organin më të lartë akademik – Senatin e Universitetit.

Senati është përgjegjës për çështje akademike, nga ratifikimi i përmbajtjes dhe kualitetit të kurrikulës, deri tek aprovimi i propozimeve nga Këshillat e Fakulteteve në avancimet e stafit akademik.

Më së rëndësishmi, Senati ka një strukturë horizontale të udhëheqësisë: senatorët studentë kanë të njëjtat drejta votuese si senatorët tjerë, duke përfshi rektorin, dekanët dhe stafin akademik të Universitetit.

Për t’i rritur shanset për tu zgjedhur në Parlamentin Studentor, grupet studentore apo ‘partitë,’ siç i quajnë shpesh ato studentët, madje krijojnë koalicione dhe shkojnë në ‘opozitë’.

“është sikur qeveria e Kosovës në miniaturë,” tha me buzëqeshje Egzon Daku, presidenti i Unionit Studentor Pro-Europian.

Duke pirë nga një kafe në kafenenë e popullarizuar studentore afër Fakultetit të Mjekësisë, ku Daku studion, ai më foli për organizatën e tij, e cila sipas tij është “më aktivja dhe më e madhja nga të gjitha grupet studentore” me degë nëpër universitetet tjera publike në Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë.

Grupi i Dakut dikur ishte në koalicion me Unionin e Pavarur Studentor, Opinionin e Pavarur Studentor, dhe Fryma e Re Studentore, por ai tha se disa nga anëtarët ishin “shumë të politizuar” kështu që e lanë koalicionin. Tani ata janë në “opozitë” së bashku më Studim, Kritikë, Veprim, SKV, Reformën dhe Paqen Studentore (ndonëse opozita nuk është një bllok i unifikuar).

Një dallim i madh në mes të përfaqësimit studentor dhe politikbërjes parlamentare është se shtatë grupet e përfaqësuara në Parlament nuk takohen për së gjalli shpesh. Disa nga 17 përfaqësuesit studentorë as që e njohin njëri tjetrin.

Daku tha se kur ai ishte President i Parlamentit Studentor, Parlamenti takohej çdo muaj. Por, ai shtoi, se që nga marsi 2016, Parlamenti është thirrë në takim vetëm tre herë.

Hamzaj kishte shërbyer si Kryetar i Parlamentit deri në mes të nëntorit, kur ia kishte kaluar pozitën një anëtari tjetër të Unionit të Pavarur Studentor, Arieta Bajramit, si rezultat i një marrëveshje për presidencë me rotacion në mes të grupeve studentore.

Kur Hamzaj ishte në ditët e fundit të mandatit të tij, ne vizituam Parlamentin Studentor, një ndërtesë e mbyllur ngjitur me një oborr të vogël prapa Fakultetit Filozofik. Ngrohja qendrore e qytetit nuk ishte ndezur akoma, andaj ndejtëm aty me xhaketat tona për të luftuar ajrin e ftohtë. Por zyra e Hamzaj ishte mjaft atraktive, kishte një tavolinë të madhe të rrumbullakët dhe disa karrige për takime. Një portret i heroit kombëtar Adem Jashari — Hamzaj është nga Skenderaji — rri varur në mur.

Hamzaj e pranon se parlamenti i tij nuk ishte takuar aq shpesh, për shkak se shtate senatorët studentë takohen në takimet e përmuajshme të Senatit. Ai tha se përfaqësuesit studentorë i raportonin atij rregullisht mbi çështjet e adresuara në ato takime.

Hamzaj flet me lëvdata për përfaqësimin studentor në Senat; ai e sheh këtë si emblemë të demokracisë në universitet.

“Gjithkush mund të thotë çka dëshiron dhe ka të njëjtat të drejta si dekanët dhe profesorët,” tha ai.

Por Ed Cooper, konsulent i lartë për World Learning në Kosovë, organizatë që këshillon Universitetin e Prishtinës, nuk pajtohet.

“Në universitetet moderne në mbarë botën, studentët gjithnjë kanë pasë një farë lloj përfaqësimi. Ka një aspekt europian të sindikatave, sipas të cilës çdo grup ka të drejtë vote, por shumë pak prej kësaj trashëgimie ka mbetur gjallë në universitetet moderne,” tha ai. Ai shpjegoi se në vende të ndryshme ku ai ka punuar në Europë, në Amerikë, Azi, studentët zakonisht kanë përfaqësim, po jo drejtë votë.

“Universitetet duhen të jenë gjithëpërfshirëse dhe përfaqësimi studentor duhet të ketë fuqi, por ata nuk janë ekspertë, ata janë duke marrë mësim. Kështu që ka pika specifike, në nivelin e bordeve apo role të mbikëqyrësve, ku zakonisht u kërkohet atyre që të dali nga salla.”

Kolegu i Cooper, Carl Hammerdorfer, shefi i programit të World Learning, tha se vota studentore është veçanërisht problematike kur vjen puna te avancimet e stafit.

“Ne [World Learning] nuk besojmë se është e përshtatshme që studentët të votojnë në avancimet akademike në Senat. Studentët thjesht nuk kanë mjaft njohuri se çka përbën performancë të lartë në hulumtim, mësimdhënie, apo në ndonjë aspekt tjetër të punës së profesorit,” tha ai. “Në votimet e kaluara, studentët si duket kanë mbështetur kandidatë që nuk i arrijnë kriteret e avancimet. Nuk i dimë arsyet. Mund të jetë injoranca e studentëve. Mund të jenë arsye politike.”

Cooper madje shkon një hap më tutje, dhe thotë se duket se ka lidhje direkte mes grupeve politike dhe grupeve studentore.

“Ne duhet të punojnë në faktin se këta njerëz janë politikisht të lidhur, dhe blloqet që janë krijuar rreth studentëve janë shpesh në kundërshtim me të mirën e përgjithshme të institucionit dhe komunitetit,” tha ai.

Trupi (studentor) politik

Një artikull nga Edona Maloku dhe Venera Demukaj mbi perceptimin e korrupsionit në arsimin e lartë, botuar në vitin 2013, thekson se udhëheqësit studentorë nganjëherë kanë shërbyer si ndërmjetës në mes studentëve dhe profesorëve apo administratës në skandale të mitëmarrjes. Në të njëjtin vit, portali hulumtues Preportr kishte botuar një shkrim që thoshte se organizatat studentore punonin bashkë me partitë politike kur i konvenonte interesave të tyre dhe se udhëheqësit studentorë merrnin pozita politike pas diplomimit — por duket të jetë e vështirë për të dëshmuar lidhje të drejtpërdrejta.

Hammerdorfer theksoi se ndonëse nuk e dyshon se universiteti ballafaqohet me politizim, ai mendon se ky problem është i ekzagjeruar. Sipas tij, njerëzit nganjëherë thjesht nuk duan t’i thonë jo një kolegu të fuqishëm për shkak të frikës se do të paguajnë për shkeljen e një zakoni kulturor më vonë në karrierë.

Megjithatë ka pasur raste të profilit të lartë që kanë kontribuar në perceptimin negativ të korrupsionit dhe politizimit në universitet.

Esat Belaj, ish-senator student, ishte akuzuar për involvim në një skandal mitëdhënie në lidhje me shitblerjen e notave dhe regjistrim të studentëve. Në korrik ai u dënua me dy vite e tetë muaj burg dhe një dënim prej 10,000 eurove për keqpërdorim të pozitës, pranimit të mitos dhe ushtrim ndikimi; njëmbëdhjetë individë të tjerë po ashtu ishin dënuar për akuza të ndërlidhura me këtë rast. Sidoqoftë, në nëntor, Gjykata e Apelit i kishte liruar 12 të akuzuarit për arsye të ndryshme duke përfshirë këtu parashkrimin e disa prej akuzave (disa prej tyre ishin ngritur në vitin 2010), dhe për shkak se gjykata në instancën e parë nuk kishte dhënë dëshmi të mjaftueshme se Belaj po vepronte brenda një pozite zyrtare. Interesant, Gjykata e Apelit po ashtu kishte vërejtur se akuzat për ushtrim ndikimi ishin jo-substanciale pa ndonjë lidhje me një figurë me ndikim dhe fuqi vendimmarrëse.

Akuza tjera për afera korruptive në mes studentëve dhe stafit akademik kurrë s’arrijnë kaq larg në sistemin e drejtësisë.

Arben Hajrullahu, profesor i shkencave politike, e përshkruan veten “pak si dele e zezë” brenda Universitetit të Prishtinës, si një person që ngrit zërin kur sheh vepra të pandershmërisë akademike dhe korrupsionit.

Në vitin 2013, për shembull, Hajrullahu kishte raportuar një studente tek Prokuroria e Shtetit, duke e akuzuar atë për falsifikim të nënshkrimit të tij. Studentja,  Lirie Avdiu, e cila ka mohuar të gjitha akuzuar, kishte garuar më vonë zgjedhje lokale si kandidate e PDK-së.

“Ideja ime kishte qenë për të zbuluar rrjetet prapa kësaj pune, por duke qenë që zyra e prokurorit kishte neglizhuar rastin, asgjë s’ka ndodhur në këtë aspekt, qysh nuk ndodhë me shumë raste të ngjashme në Kosovë. Institucioni ku punoj unë është duke bërë shumë pak apo asgjë fare që t’i bëjë përgjegjës njerëzit për shkelje akademike. Në vend të kësaj, ata tentojnë të më sulmojnë mua, duke më pyet pse po bëj zhurmë,” tha ai duke shtuar se në disa raste të dëshmuara, organizatat studentore kanë qenë “shumë të involvuara” në manipulimin e provimeve dhe korrupsion, në bashkëpunim me anëtarë të stafit akademik.

Studentët me të cilët bisedova po ashtu pajtohen se politizimi vazhdon të jetë brengosës.

Nuk është befasi se ata që janë të interesuar në udhëheqësi e përfaqësim studentor do të ishin të interesuar të ndiqnin karriera politike në të ardhmen. Mirëpo, liderët studentorë përpiqen të disociojnë veten nga interesa partiake e politike me ngulm.

Hamzaj theksoi se ai nuk është i lidhur me asnjë parti politike, dhe se kur ishte bërë president, ai ia kishte thënë këtë edhe Rektorit. Ai shtoi se kur studentët punojnë për interesa partiake, zakonisht ka faktorë më të mëdhenj dhe sistematik që janë në pyetje.

“Ekonomia dhe problemet esenciale të Kosovës e shkaktojnë këtë. Nuk më pëlqen fakti që për të pasë një punë kur e përfundon fakultetin, ti duhesh me qenë pjesë e një grupi apo partie politike,” tha ai.

Arieta Bajrami, studentja e parë Presidente e Parlamentit Studentor, që kishte marrë këtë pozitë në mes të nëntorit, më tha se janë tri grupe studentore të cilat kanë shumë ndikim në Fakultetin e Edukimit, ku ajo studion, po që ajo kishte rezerva sa i përket motiveve të tyre.

“Unë ju bashkëngjita IKSU-së sepse kryetari i tyre ishte i vetmi që nuk ishte shumë agresiv në rekrutim…dhe IKSU menjëherë më ofroi përkrahje për problemet që i shihja në fakultet,” më tha ajo, duke shtuar se ishte involvuar në lidershipin studentor sepse dëshironte të zgjidhte një potpuri problemesh, duke përfshirë mungesën e organizimit në fakultet dhe mungesën e profesorëve nëpër ligjerata.

Arjeta Bajrami, kryetare e Parlamentit Studentor. Foto: Atdhe Mulla

Më pastaj Bajrami ishte bërë kryetare e këshillit të fakultetit. Ngase ishte fokusuar në probleme më të vogla organizative brenda fakultetit dhe për shkak se kishte relacione të mira me profesorë, ajo kishte arritur ta fitonte besimin e studentëve.

“Nuk jam duke u munduar të bëj mrekullira, gjithnjë kam tentuar të kem qëllime realiste…dhe mua s’më pëlqen politika,” tha ajo.

Por Elona Kurti, anëtare e Studim, Kritikë, Veprim, SKV, theksoi se të qenit politik si student nuk është domosdoshmërisht gjë negative. Shumë prej anëtarëve të SKV-së pajtohen; edhepse Kurti, studente e vitit të tretë në juridik, thotë se grupi nuk ka lidhje zyrtare me Vetëvendosjen, SKV është e hapur që shumë nga përkrahësit e grupit janë edhe aktivistë në Vetëvendosje ose së paku pajtohen politikisht me këtë parti.

Kurti kishte dëgjuar për SKV-në para se të regjistrohej në fakultet dhe i ishte bashkëngjitur organizatës më 2015 pasi që ishte regjistruar.

SKV është formuar në prill të 2010-tës kur rektori i atëhershëm kishte dashur të rriste pagesën semestrale prej 50 në 90 euro. Ndonëse Këshilli Drejtues kishte aprovuar rritjen e çmimit, universiteti kishte tërhequr vendimin një ditë para protestave të thirrura nga SKV-ja. Paratë që studentët veç më kishin paguar u ishin kthyer.

“Shumë studentë aktivistë ishin arrestuar në aksionet dhe madje ishin përjashtuar prej fakulteteve të veta,” tha Kurti duke treguar historinë protestuese të grupit. “Unë e shihja që SKV-ja e kishte vullnetin dhe potencialin për të bërë një ndryshim.”

SKV, e cila e pozicionon veten si një lëvizje politike studentore, në një mënyrë është duke u ngritur mbi historinë më të përgjithshme të vendit, i cili i sheh studentët si burim i aktivizmit dhe ndryshimit politik.

Një histori e zhytur në protesta dhe politikë

Si rezultat i një dekade demonstratash të shqiptarëve në Jugosllavi për barazi në arsim dhe institucionalizim të gjuhës shqipe, në vitin 1969 u themelua Universiteti i Prishtinës si institucioni i parë i arsimit të lartë në gjuhë shqipe.

Çka lindi si rezultat i organizimit politik vazhdoi të ishte një legen i lëvizjeve shoqërore në Kosovë, duke u bërë çerdhe e klasës intelektuale dhe aktivistëve politikë, akademikëve dhe liderëve partiakë që shkruanin për lirinë e shqiptarëve, nacionalizmin dhe drejtat e njeriut.

Në vitin 1981, çka kishte nisur si një demonstratë studentore kundër kushteve të këqija të banimit dhe kualitetit të ultë të ushqimit në konvikte u kthye një protesta me disa mijëra njerëz, të cilët u mblodhën të protestonin prej mungesës së fakulteteve teknike dhe shkencore tek universiteti e deri tek kërkesat për një status republike për Kosovën në vend të asaj të provincës autonome.

Në anën tjetër, protestat studentore në vitin 1997 — të udhëhequra nga Unioni i Pavarur Studentor — u bënë simbol i ringjalljes politike të Kosovës në fund të viteve 90ta. Me një tetor, liderët studentorë prinë profesorët, studentët tjerë, dhe mijëra shqiptarë të tjerë në rrugët e Prishtinës duke kërkuar të drejtën për barazi dhe të drejtën për arsim në gjuhën shqipe.

Nën sipërfaqe, udhëheqësit e unionit studentor ishin pjesë e një largimi  nga rezistenca pasive e  Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, e cila udhëhiqej nga i ndjeri Presidenti Ibrahim Rugova.

Afrim Hoti, profesor i të drejtës ndërkombëtare, organizatave dhe drejtave të njeriut në Universitetin e Prishtinës, ishte njëri nga udhëheqësit e Unionit të Pavarur Studentor në vitet e 1990ta.

“Në kohën time, kishte vetëm një organizatë studentore: Unioni i Pavarur Studentor,” më tha ai në një pauzë në mes të ligjëratave në zyrën e tij në Fakultetin Filozofik. “Para luftës, qëllimi ynë ishte çlirimi nga armiku. Studentët nuk ishin të brengosur me politika të vogla universitare, kemi pasë objektiva tjera — si të organizojmë protesta, dhe për disa, madje edhe dëshira për të organizuar luftën. Rrethanat nuk na kanë lejuar të flasim për pagesa,” tha ai. “Por pas luftës, situata ndryshoi drastikisht.”

Hoti, i cili kishte diplomuar në Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2001, dhe për momentin udhëton në mes Prishtinës dhe Bolonjës, ku jep një klasë në të drejta të njeriut dhe demokratizim në Europën Juglindore, tha se menjëherë pas Luftës së Kosovës, pasi që grupe të ndryshme politike filluan të luftonin për pushtet, grupet studentore dolën si kërpudha, e shpeshherë në linjë me fraksione politike.

Organizimi studentor pas luftës

Si çdo sektor tjetër i shoqërisë së pas luftës, universiteti po ashtu u bë fushëbetejë për kontroll dhe pushtet. Partitë dëshironin të kishin ndikim në rektorat, por edhe të mblidhnin përkrahjen votuese të studentëve, tha Hoti.

Nëse LDK – e cila shpesh asociohej me elitën urbane intelektuale gjatë të 90-tave — ishte munduar të mirëmbante ndikimin e vet në Universitetin e Prishtinës pas protestave të 97-tës, është çështje debati. Daku më tha se LDK nuk kishte asnjë grup studentor që e përkrahte partinë, dhe s’kishte interes në këtë punë ashtu kështu “sepse shumica e profesorëve veç më e mbështesin LDK-në” dhe “zakonisht studentët që përkrahin LDK-në bëhen anëtarë të forumit rinor të LDK-së”.

Hoti, i cili tregoi se ishte anëtar i PDK-së vet (zyrtarisht është bërë anëtar i partisë para pesë muajve), mohon fuqimisht këtë pohim.

“Pas luftës, kur UÇK-ja ishte transformuar në parti të ndryshme politike, shumica e profesorëve të rinj iu bashkuan PDK-së, sepse e shihnin LDK-në si partinë komuniste,” tha ai.

Një aktivist studentor, Durim Jashari më tha se që nga lufta e Kosovës, shumica e grupeve studentore kishin lidhje politike, por që këto radhitje shpesh ndryshojnë dhe më shumë janë të lidhura me një politikan specifik, siç është një deputet, se sa me partinë në përgjithësi.

Por përveç SKV-së, grupet studentore nuk janë transparente për afilimet e tyre, zyrtare apo jo zyrtare.

Elona Kurti, SKV. Foto: Atdhe Mulla

Hoti tha se nuk dinte për ndonjë organizatë që ishte e lidhur me PDK-në por mendon se “ato ekzistojnë”. Po sipas Hotit, nuk është ideologjia politike që është duke e ndikuar organizimin studentor: është lufta për pushtet dhe për të kontrolluar rektoratin dhe për të  mbledhur votat e studentëve.

Studentët janë involvuar në organizim dhe kanë marrë pjesë në protesta edhe pas viteve të 90ta: në 2003-tën një grup i studentëve nisën lëvizjen “Universiteti Tjetërqysh!”. Përmes uebsajtit të tyre, ku ata publikonon dëshmi për plagjiaturë, ata u munduan të luftonin korrupsionin dhe abuzimet në universitet; megjithatë lëvizja u shua në vitin 2005.

Në vitin 2014, disa qindra njerëz protestuan para universitetit duke kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi, pasi që ishte zbuluar se kishte botuar në një revistë të dyshimtë për t’u avancuar me tituj.

Atë dimër, një student i sociologjisë dhe letërsisë, Roland Sylejmani kishte krijuar një ‘event’ në Facebook duke i nxitur kolegët e tij të protestonin kundër mashtrimit akademik, sidomos në rastin e rektorit. Gjërat eskaluan në dhunë dy javë pas protestës së parë, kur policia përdori sprej djegës në turmën dhe arrestuan rreth 30 njerëz. Gashi eventualisht dha dorëheqje për shkak të presionit publik.

Gashi kishte akuzuar protestuesit se ishin të politizuar nga OJQ-të dhe partitë politike. Megjithatë, vet Gashi besohej se ishte emërim politik, rezultat i një pazari në mes të partisë qeverisëse PDK dhe partnerit të saj të vogël te koalicionit AKR-së.

Disa nga studentët akuzuan SKV-në për përvetësim të protestës. Lirije Palushi, studentja nga Suhareka, tha se ajo i kishte përkrahur iniciativën e protestës deri në momentin kur ishin involvuar Ylli Hoxha dhe Ilir Deda, i cili në atë kohë ishte ende deputet i Vetëvendosjes.

Njëzet vite pas protestave studentore historike të mbajtura në vitin 1997, grupet studentore të Universitetit të Prishtinës kanë problem me përçarje. Daku, organizata e së cilës Unioni Studentor Pro-Europian kishte ndërprerë relacionet me partnerët në koalicion për shkak të influencimit politik të përceptuar, tha se atij nuk i pëlqente fakti që SKV rreshtohet pas Vetëvendosjes.

“Janë djem të mirë, por nuk më pëlqen kur grupet studentore ndikohen prej partive,” tha ai.

Në ndërkohë, Kurti tha se SKV-së po ashtu i mungojnë partneritete adekuate me grupe tjera studentore.

“Në këtë moment, asnjëra nga organizatat nuk janë adekuate për të bashkëpunuar me ne…sepse ato e pranojnë gjendjen aktuale dhe i rehatojnë interesat personal të disa njerëzve të caktuar,” tha ajo.

Bajrami, kryetarja e Parlamentit Studentor, tha se disa grupe thjesht nuk bashkëpunojnë.

“Ka disa organizata këtu që nuk bashkëpunojnë me ne, ka disa që janë politike. Mundohen t’i bëjnë gjërat vetiu, pa krejt grupet,” tha ajo. Që kur Bajrami ka marrë presidencën, s’ka thirrur ende një takim mes grupeve parlamentare.

Kjo nuk është për të thënë se grupet studentore janë plotësisht jo aktive; ato i bëjnë disa projekte individuale. Sapo kishte marrë pozitën, Bajrami kishte filluar punën për të avokuar për studentët me aftësi të kufizuara që të kishin qasje më të mirë nëpër ndërtesat e universitetit; ajo tha se edhe rektori e përkrahte kauzën e saj. Ajo është duke punuar me Hamzaj në një iniciativë për të krijuar disa klube studentore, dhe organizata e saj është po ashtu e involvuar në themelimin dhe funksionalizimin e një unioni studentor nacional.

Daku theksoi se duke qenë qëkur  USPE ishte themeluar në vitin 2010, grupi ka organizuar seminare shkencore, protesta publike çdo vit për 9 maj për të kërkuar liberalizim të vizave për Kosovën, dhe madje kishte themeluar një partneritet me rrjetin mobil Vala për një pako për studentë.

Premton Hulaj, kryetar i Paqes Studentore, pranoi se organizata e tij nuk ishte për momentin aq aktive sa kishte qenë dikur, por thotë se një nga problemet më të mëdha ishte mungesa e fondeve. Ai nxori disa materiale nga viti 2010 -2012 nga një dosje që gjendet në fakultetin e arteve, pamflete që reklamonin thirrjen për dhurim të gjakut organizuar nga Paqja Studentore, një udhëzues xhepi për “të drejtat e studentëve” sipas statutit të Universitetit, dhe një libërth për ekuacione për studentët e matematikës.

“Pajtohem që grupet studentore s’janë aktive, që s’i kanë fuqitë që i kanë pasë më herët. Por për mua është e rëndësishme të mos lejojmë që të ndodhin gjëra të këqija,” tha ai. Ai e sheh rolin e tij si një lider studentor që të jetë sytë dhe veshët në grupe studentore, dhe të ngrisë zërin kur sheh keqbërje.

Premton Hulaj, Paqja Studentore. Foto: Atdhe Mulla

Hulaj tha se është shok me Dakun dhe Flamur Pirevën, kryetarin e SKV-së.

“Gjëja më e keqe është se nuk janë duke bërë asgjë, ne s’jemi duke bërë asgjë. Askush s’është duke bërë asgjë. Nuk e di se ç’po ndodhë. Jemi duke u munduar ta nxjerrim më të mirën prej kësaj situate.”

Përfaqësuesit e studentëve nëpër këshille të fakulteteve në anën tjetër, duke qenë që janë të koncentruar në një departament, mund të kenë mundësi më të mira për të qenë më të pranishëm në jetën studentore, por edhe ata ndihen si të pafuqishëm nganjëherë. Hamzaj, i cili kishte qenë president në këshillin e fakultetit të mjekësisë, tha se ka pasë probleme të adresonte edhe problemet më bazike.

“Dritat në bibliotekën e fakultetit ishin të thyera,” kujton ai një shembull për të ilustruar problemet bazike me të cilat përballen studentët në universitet. Ai i kishte thënë dekanit të fakultetit, shpjegoi ai, dhe pastaj kërkesa u ishte dërguar Ministrisë së Arsimit.

“Ministria i kishte ndërruar dritat pas gjashtë muajve. Kjo është burokracia.”

Mungesa e resurseve bazike ishte një temë që plot nga studentët përmendnin, prej librave të bibliotekës, qasje më e gjerë në banim të përballueshëm, deri tek ngrohja – Bajrami tha se kurdo që ta thirrë takimin e parë të Parlamentit në presidencën e re, as që e di se ku do ta mbajnë duke qenë që ndërtesa e presidencës nuk ka ngrohje.

Por në vend se të fokusohen në këto çështje, kritikët thonë, përfaqësuesit studentorë fokusohen vetëm në një problem të vetëm: të pyesin senatin për të zgjatur numrin e ditëve që studentët hyjnë në provime.

Palushi e sheh këtë si pjese e një “qarku vicioz” sistematik në Universitetin e Prishtinës.

Duke qenë që shumica e studentëve në Universitet ndihen që janë aty sa për të marrë “një copë letër”, tha ajo, organizatat studentore garojnë në platformën e vetme që t’i japin studentëve sa më shumë mundësi të hyjnë në provime nësë dështojnë herën e parë. Ndërkohë, qëndrimet e profesorëve ndaj arsimit në përgjithësi s’është që dallon shumë, tha ajo.

Hajrullahu i cili ka themeluar një OJQ në universitet të quajtur Qendra për Guxim Politik (ku Palushi punon si hulumtuese) — theksoi se korrupsioni dhe apatia nuk i definojnë krejt stafin dhe studentët.

“Ka korrupsion në universitet, nuk është legjendë. Por ne kemi njerëz të cilët po provojnë të punojnë me integritet, të hulumtojnë dhe japin mësim në rrethana shumë të vështira.”

Një kohë ‘tranzicioni’?

Në ditët e para në punën e saj të re, Bajrami ishte pjese e një deklarate të përbashkët të Parlamentit Studentor dhe të Këshillit Drejtues, me të cilën kërkonin që Universitet i Prishtinës të niste një rast të ri kundër Kishës Ortodokse të ndërtuar në tokë që dikur i kishte takuar kampusit universitar

Ajo tha se në fillim kishte menduar që çështja ishte shumë politike për të, por pasi që kishte folë me akterë të ndryshëm, kishte vendosur të bashkëngjtiej. është një çështje e përbashkët e udhëheqësve studentorë, por edhe involvimi në këtë çështje nuk kishte qenë një vendim i përbashkët në mes të grupeve parlamentare. SKV nuk kishte qenë e vetëdijshme që kishte një plan për të bërë një deklaratë, dhe kështu kishin shkruar një deklaratë të veten, duke kërcënuar me protesta nëse universiteti s’do të ngriste padi të re (universiteti e kishte bërë këtë gjë); Hulaj nga Paqja Studentore tha se as ai s’kishte marrë një ftesë për të diskutuar çështjen në parlament.

Bajrami është duke planifikuar edhe një aksion simbolik kundër ngritjes së fundme të një ore Coca Cola në mes të kampusit. Unioni i Pavarur Studentor e sheh këtë reklamë specifikisht si ofenduese, për shkak se komuna kishte refuzuar një kërkesë të mëhershme nga grupi studentor për të vënë një obelisk në të njëjtin vend për të përkujtuar studentët që kanë vdekur gjatë viteve të 90-ta.

Këto aluzione ndaj protestave mund të jenë të vogla në shkallë, por tregojnë se çështjet simbolike për hapësire dhe të kaluarën mund të kenë potencial për të mobilizuar studentët prapë.

Sipas Hotit, megjithatë, ndryshimi i vërtetë do të vijë në universitet vetëm kur politika në Kosovë të bëhet më e larmishme.

“Mendoj se jemi në një tranzicion…dhe mendoj se situata do të ndryshohet në paralel me shumimin e partive politike. Pas këtij tranzicioni, e paramendoj universitetin që do të jetë më ndryshe, do të konsolidohet pa ndikim politik. Pasi që të ndodhë kjo, studentët do të jenë mirë të orientuar kah jeta akademike. Por kur do të ndodhë? Kjo mbetet të shihet,” tha Hoti.

Artikulli fillimisht u botua në Prishtina Insight