Pozita nuk sheh lëvizje serioze nga opozita për rrëzimin e Qeverisë

Partitë opozitare në Kosovë kanë bërë të ditur se janë në fazën e mbledhjes së nënshkrimeve për ushtrimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Ramush Haradinajt.

Përderisa opozita po kërkon me ngulm rrëzimin e ekzekutivit, deputetë të partive në pushtet dhe njohës të çështjeve politike në vend shprehin skepticizëm për jetësimin e qëllimit opozitar.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila e ka të freskët momentin kur u hoq nga pushteti me votëbesim me vota të ish-partnerit qeveritar PDK-së, që nga formimi i Qeverisë aktuale të koalicionit PDK-AAK-NISMA, i njohur si PAN, ia ka vënë vetes qëllim t’ia kthejë me të njëjtën monedhë ish partnerit qeverisës.

Në një konferencë para gazetarëve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, javën e kaluar LDK-ja tha se posedojnë 58 vota të ligjvënësve opozitar për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Deputetja e këtij subjekti politik, Vjosa Osmani deklaroi se nuk do t’i kërkojnë numrat nga Lista Serbe, parti kjo e cila mundësoi formimin e Qeverisë si dhe më pas u tërhoq nga përkrahja për PAN-in.

“Ne i kemi mbledhur 58 nënshkrime deri tani dhe do t’i rikonfirmojmë ditëve në vijim, por këto janë vetëm vota të opozitës. Ne nuk do t’i kërkojmë votat e Listës Serbe, mirëpo ta keni të qartë kur hyjmë në Kuvend dhe vendoset mocioni në votim ne nuk mund ta kontrollojmë votën e deputetëve individual, pra nuk i përzihemi vullnetit të asnjë deputeti, pavarësisht etnisë”, u shpreh deputetja Osmani.

LDK kishte shtuar se në “target” i kanë kolegët e tyre nga partitë në pushtet.

Në anën tjetër, deputeti i Nismës Socialdemokrate Haxhi Shala, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk sheh lëvizje serioze nga ana e opozitës për ta rrëzuar qeverinë.

“Nuk shoh një lëvizje serioze nga ana e opozitës në këtë drejtim, por vetëm sa për të konsumuar, një deklarim para qytetarëve të Kosovës se opozita po mundohet që ta rrëzojë këtë qeveri sepse s’është e mirë, pra për të krijuar kauza të veta për fushatën zgjedhore që do të vjen”, tha deputeti.

Megjithëse, Shala shtoi se mocioni i mosbesimit është e drejtë e opozitës që nga dita e parë e themelimit të qeverisë, që mund ta shfrytëzojë në momentin që i ka votat e nevojshme.

“Çdo herë opozita duhet të luftojë për të ardhur në pushtet dhe ky është edhe qëllimi pse mbledh nënshkrime dhe dëshiron ta rrëzojë qeverinë sepse e sheh të arsyeshme që i ka ardhur koha që ata të vijnë në pushtet nëse munden, nëse vendos qytetari”, theksoi ai për Gazetën JnK deputeti Haxhi Shala.

Por një qëndrim të ndryshëm nga partia e tij ka dhënë së fundi, deputeti nga radhët e Nismës, Milaim Zeka, i cili ka ofruar votën pro, nëse rrëzimi i qeverisë do të varej nga vendimmarrja e tij.

“Ndoshta është mirë me iu bashku në mënyrë sa më të shpejt këtij mocioni. Që të jem i shkurtë, në qoftë se opozita vjen deri te momenti që do varet nga vota ime unë, tash publikisht po e deklaroj votën time për rrëzimin e qeverisë”, ka thënë Zeka ditë më parë për KTV-në.

Por për këtë qëndrim, kolegu i tij Shala thotë se deputeti Zeka çdo herë ka qenë i pavarur në qëndrime.

Kurse, politologu Ramush Tahiri nuk beson se opozita do të arrijë t’i sigurojë nënshkrimet për ta rrëzuar qeverinë.

“Opozita i ka nënshkrimet e mjaftueshme për ta proceduar në Kuvend dhe t’ia lë Kuvendit ose deputetëve që ta rrëzojnë qeverinë. Mirëpo, kjo opozitë nuk po do ta bëjë këtë, pasi po dëshiron me i mbledh nënshkrimet që paraprakisht me pas rrëzimin e qeverisë dhe akti me qenë vetëm formal në Kuvend, gjë që është e pamundshme dhe nuk ka ndodhë asnjëherë një gjë e tillë”, thotë Tahiri për Gazetën JnK.

Sipas Tahirit, pa përkrahjen e deputetëve të tjerë siç janë ata të PDK-së, nuk mund të bie ekzekutivi.

“Qeveria në asnjë rast nuk bie pa u proceduar në Kuvend. Aty me votim të fshehtë shihet se a po bëhen votat apo jo. Opozita votat i ka me ato të Listës Serbe, por nuk po e çon në Kuvend, ani se Lista Serbe nuk po nënshkruhet, por nëse shkon në Kuvend edhe mund të rrëzohet, por këta s’po e dërgojnë në Kuvend pa i pasur 61 nënshkrime, por ato nuk i bëjnë”, vlerëson analisti.

Ndërkohë lideri i LDK-së, Isa Mustafa ditëve të fundit ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e VV-së , Albin Kurti dhe atë të PSD-së, Shpend Ahmeti, për siç thonë bashkërendimet opozitare kundër Qeverisë së Kosovës.