Sebastian Kurz, ish-kancelar i Austrisë

Porosia e kancelarit Kurz për dialogun dhe ‘korrigjimin e kufijve’, sipas analistëve

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, gjatë vizitës së sotme në Kosovë deklaroi se vendi i tij e mbështet cilëndo marrëveshje eventuale që do të rezultonte nga dialogu Kosovë-Serbi, qoftë edhe nëse ajo përfshin idenë e korrigjimit të kufijve mes dy vendeve.

Ideja e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufirit” Kosovë-Serbi ka marrë mbështetje të lehtë edhe nga Bashkimi Europian dhe nga zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por jo edhe nga disa shtete europiane sikur Gjermania.

Megjithatë, për njohës të integrimeve europiane dhe atyre të çështjeve politike në Kosovë, mesazhi që përçoi kancelari austriak Sebastian Kurz sot në Prishtinë ishte në favor të dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje potenciale mes Kosovës e Serbisë.

Njohësi i integrimeve europiane, Emrush Ujkani thotë për KALLXO.com se reagimi i kancelarit Kurz duhet të shihet në disa këndvështrime, përderisa ai e sheh me skepticizëm idenë për korrigjimin e kufirit për shkak të pasojave që mund të ketë në rajon.

“Unë mendoj që kjo ide [për korrigjimin e kufirit] do të gjejë mbështetje edhe nga shumë vende, por a është mënyra më e mirë për të shkuar tutje, është pikëpyetje e madhe sepse vërtetë duhet t’i frikësohemi asaj çka është efekti domino që mund të krijojë në gjithë Ballkanin Perëndimor. Nga ky pikëvështrim, reagimi i kancelarit Kurz në njëfarë forme nuk ishte as që e kundërshton këtë ide, por në të njëjtën kohë tha se e mbështet çdo zgjidhje që mund të jetë e pranueshme, përfshirë edhe korrigjimin e kufirit”, tha ai.

Ndërkaq, analisti politik Imer Mushkolaj tha për KALLXO.com se porosia e kancelarit austriak Sebastian Kurz është që të përfundojë sa më shpejt mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.

“Natyrisht që askush, në këtë rast as Austria as Bashkimi Europian dhe as Shtetet e Bashkuara nuk mund të ndërhyjnë nëse të dy palët arrijnë marrëveshje për shkëmbim të territoreve, ose për korrigjim të kufijve. Unë besoj se kjo nuk është e mundur, duke pasur parasysh problemet e mëdha që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe çfarëdo marrëveshje që arrihet pa ndërmjetësim ndërkombëtar në implementim është shumë e rrezikshme”, vlerësoi Mushkolaj, duke shtuar se beson që këtë fakt e kanë parasysh edhe Kurz dhe të tjerë zyrtarë.

Kurse, njohësi i proceseve për integrim në BE, Emrush Ujkani theksoi se edhe më tutje ideja për korrigjim të kufijve nuk e gëzon mbështetjen e shumë vendeve perëndimore.

“Prandaj deklaratat e karakterit të tillë, do të thotë publike nganjëherë jo domosdoshmërisht mund të jenë edhe ato që shtetet ose politikat e shteteve të caktuara i ndjekin në aspektin shumë zyrtar. Unë mendoj që edhe më tutje perëndimi dhe pjesa më e madhe është kundër kësaj ideje sepse bart me vete rreziqe shumë të mëdha dhe përkundër asaj që ndoshta mund të ishte dhe është një mënyrë e mundshme për të ardhur deri te një dakordim mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Ujkani.

Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike Imer Mushkolaj  shton se Prishtinës i mbeten shumë pikëpyetje që i duhet t’i sqarojë lidhur me shkëmbimin e territoreve.

“Por mbetet Kosova në radhë të parë që të sqarojë se çka nënkupton me korrigjim të kufijve dhe a jemi ne si shtet të gatshëm të negociojmë me Serbinë për korrigjim të kufijve, a jemi të gatshëm ta bëjmë këtë para se Serbia ta njohë Kosovën, apo ta bëjmë korrigjimin dhe pastaj për shembull të na njohë Serbia”, thotë ai.

Sipas Mushkolajt, përkundër Austrisë, qëndrimin kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi nuk e ka ndërruar Gjermania.

“Gjermania ende nuk është që ka e ka ndërruar deklaratën. Austria ne e dimë që e ka një qasje pak më ndryshe karshi Serbisë, ndërkohë që Gjermania mbetet ajo ‘arra e fortë’ në këtë rast, e cila po insiston që  të mos ketë ndryshim të kufijve për arsyen e vetme që ka të bëjë me destabilizim të rajonit”, përfundoi ai.

I pari i Qeverisë së Austrisë, Sebastian Kurz, procesin e dialogut Kosovë-Serbi e ndërlidhi edhe liberalizimin e vizave për kosovarët.

Kancelari shtoi se shumë shtete në BE janë skeptike nëse Kosovës duhet t’i lejohet lëvizja e lirë.

“Ka pasur një vendim pozitiv nga Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian por natyrisht pritet të merret vendimi nga Këshilli Europian. Ka shumë shtete që janë skeptike dhe këtu duhet të jem i kujdesshëm. Duhet të arrihen edhe disa hapa tjerë, e prioriteti kryesor është dialogu mes Kosovës e Serbisë”, tha Kurz gjatë vizitës në Kosovë.