Foto: Atdhe Mulla

Politika e mangët e punësimit në Kosovë

Planifikimi i politikave të punësimit në nivel kombëtar është karakterizuar me mangësi të shumta duke filluar nga vonesat në miratimin e dokumenteve strategjike, mos definimi i qartë i përgjegjësive të ministrive për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, në veçanti në raport me kryerjen e aktiviteteve që ndërlidhen me çështjet e punësimit.

Poashtu, vlerësimet e bëra para se të përpilohen këto politika nuk janë të duhura në relacion me aspektin e punësimit, pasi që fushëveprimi i shumë ministrive që kanë përgjegjësi punësimin nuk gjen shtrirje në këto dokumente.

Këto janë gjetjet që janë evidentuar në Raportin e Auditimit të Performancës me titull “Efikasiteti dhe efektiviteti i politikave qeveritare të punësimit” që është realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2018.

Më pak vende të lira se kërkesa për punë

Në Raportin e Auditimit të Performancës thuhet se numri i vendeve të lira të punës gjatë viteve 2016-2018 ka qenë shumë i ulët në krahasim me kërkesën për punë. Gjatë këtyre viteve kanë qenë në dispozicion vende të lira të punës për vetëm mesatarisht 14% të të papunëve të regjistruar.

Në diagramin më poshtë është paraqitur numri i të papunëve aktiv që presin të ndërmjetësohen në Rregullorja për Masat Aktive të Tregut të Punës (MATP) dhe vendeve të lira të punës gjatë viteve 2016, 2017 dhe deri në tetor të vitit 2018.

Foto: ZKA

Buxheti nuk i përgjigjet numrit të lartë të të papunëve aktiv

Sipas gjetjeve të raportit, planifikimi i buxhetit i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për realizimin e Masave Aktive të Tregut të Punës (MATP) ka qenë i mangët për shkak se buxheti i planifikuar nuk i përgjigjet kërkesave të numrit të lartë të papunëve aktiv.

Poashtu thuhet se në kuadër të buxhetit që alokohet për punësim nuk planifikohet vetëm financimi i ndërmjetësimeve në punësim përmes MATP-ve mirëpo edhe financimi i kategorive të tjera siç janë pushimet e lehonave.

Një përqindje e konsiderueshme e buxhetit total që alokohet për punësim është e planifikuar për pushimet e lehonave. Mesatarisht gjatë periudhës 2016 – 2018 pjesa e buxhetit të planifikuar për pushimet e lehonave ka qenë 1.1 milion euro, respektivisht 34% të total buxhetit të punësimit.

Auditori, poashtu ka gjetur se për financimin e kësaj kategorie ka pasur raste kur planifikimi i buxhetit nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe për të mbuluar nevojat shtesë është dashur të merren mjete nga pjesa e buxhetit të MATP-së.

Gjatë vitit 2016 për këtë kategori nga pjesa e buxhetit të MATP-ve janë marrë rreth 155 mijë euro, ndërkohë për vitin 2018 deri në tetor për pushimet e lehonave janë shpenzuar rreth 80 mijë euro shtesë, të cilat po ashtu janë marrë nga pjesa e buxhetit të MATP-ve.

 

Foto: ZKA

Monitorimi i dobët i kriterit për krijimin e vendeve të reja të punës

Gjatë vitit 2016 dhe 2017, në Udhëzimin Administrativ është kërkuar që të gjithë përfituesit duhet të krijojnë vendet e reja të punës të deklaruara në planin e tyre të biznesit.

Poashtu është kërkuar që ato t’i dëshmojnë me pagesën e kontributit pensional dhe tatimit në paga për së paku muajin e fundit para kërkesës për pagesë.

“MBPZhR për autorizimin e pagesave mjaftohet vetëm nga dëshmitë e ATK-së për të paktën muajin e fundit dhe nuk e ka përcaktuar që të kërkohet edhe pasqyra e listës së punëtorëve sipas ATK-së”, potencohet në raport.

Gjatë vitit 2018, MBPZhR ka bërë ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për përfituesit e masës 101, duke hequr kërkesën për të dëshmuar krijimin e vendeve të reja të punës para autorizimit të pagesës.

Auditori ka gjetur se kjo gjë e ka vështirësuar akoma më shumë kontrollin e kriterit të punësimit për shkak se kërkesa për të dëshmuar vendet e krijuara të punës është hequr për masën që gjatë viteve 2016 dhe 2017 ka konsumuar mbi 70% të buxhetit dhe pritjet nga kjo masë për krijimin e vendeve të reja të punës janë më të lartat.

Më poshtë janë të paraqitura të dhënat që tregojnë për shpenzimin e buxhetit për secilën nga tri masat për vitin 2016 dhe 2017, si dhe pritjet e krijimit të vendeve të reja të punës nga secila prej masave gjatë viteve 2016 dhe 2017.

 

Foto: ZKA

“MBPZhR përmes Udhëzimeve Administrative për masat dhe kriteret e përkrahjes në bujqësi dhe zhvillim rural nuk ka përcaktuar në mënyrë të duhur monitorimin e kriterit të krijimit të vendeve të reja të punës pas përfundimit të investimit”, thuhet në gjetjet e Auditorit.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) gjatë vitit 2016 dhe 2017 ka përcaktuar që të gjithë përfituesit pas investimit të mbajnë vende e krijuara të punës për 5 vite, aq sa zgjatë periudha monitoruese. MBPZhR gjatë vitit 2018 për masën 101 poashtu ka bërë ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, duke hequr kërkesën për monitorimin e mbajtjes së vendeve të krijuara të punës pas investimit. Ndërkohë që për masën 103 dhe 302 periudha monitoruese për mbajtjen e vendeve të krijuara të punës pas investimit është reduktuar në 3 vjet.

Buxheti i planifikuar nuk financon krijimin e vendeve të reja të punës

Në raport thuhet se buxheti i planifikuar për implementimin e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZhR) ka paraparë burime të mjaftueshme të financimit për zbatimin e masave të këtij dokumenti. Lidhur me këtë, gjatë viteve 2016-2018 janë alokuar mesatarisht 20 milionë euro për vit për financimin e këtyre masave.

 

Foto: ZKA

Edhe pse në PBZhR si objektiv kryesor përmendet krijimi i vendeve të reja të punës, Auditori ka gjetur se në kuadër të burimeve të financimit nuk financohet krijimi i vendeve të reja të punës, mirëpo vetëm investimet që ndërlidhen me investimet materiale, renovimet e investimeve ekzistuese, përgatitja e planit të biznesit, shërbimet e ndërtimit, instalimit dhe konsulencës, shpenzimet e marketingut, demolimi i objekteve ekzistuese, punimet në lokacion dhe instalimet.

Aty thuhet se përfituesve ju pranohen për rimbursim vetëm faturat e investimeve dhe shpenzimeve të lartpërmendura, ndërsa përfituesit financojnë pagat e punëtorëve nga fondet e tyre vetanake.

“Financimi i krijimit të vendeve të reja të punës nga fondet vetanake është vështirë i realizueshëm në veçanti për bizneset që sapo kanë filluar veprimtarinë e tyre pasi që këto biznese përveç që duhen financuar vendet e reja të punës nga fondet vetanake, ato duhet të sigurojnë fonde për kryerjen e investimeve deri në momentin e rimbursimit”, theksohet në raport.

Mangësitë në profilizimin e të papunëve

Profilizimi i të papunëve në bazë të rrezikut është procedurë e identifikimit dhe caktimit të të papunëve në kategori të ndryshme (rrezik i lartë, i mesëm dhe i ulët) në mënyrë që të dallohen ata që mund të gjejnë punë me lehtësi nga ata të cilët kanë më shumë vështirësi. Kjo që t’u ofrohet prioriteti i nevojshëm në momentin e përfshirjes së tyre në MATP.

Për të vlerësuar profilizimin e të papunëve në bazë të rrezikut, është marrë për bazë lista e të gjithë të të papunëve në tri komuna, Mitrovicë, Prishtinë dhe Gjakovë. Në Mitrovicë janë evidentuar 2121 të papunë të profilizuar dhe 237 të paprofilizuar, në Prishinë janë konstatuar 3508 të papunë të profilizuar dhe 344 të paprofilizuar. Në komunën e Gjakovës numri i të papunëve të profilizuar është 2614 kurse i atyre të paprofilizuar është 370.

Foto: ZKA

Është gjetur se aktualisht në sistemin e të papunëve janë të profilizuar një numër i konsiderueshëm i të papunëve aktiv, megjithatë ekziston një numër i lartë i të papunëve që nuk janë të profilizuar në bazë të rrezikut.

Sipas Auditorit, ndër shkaktarët që kanë ndikuar në mosprofilizimin e disa të papunëve është edhe përfshirja e vonshme e modulit të profilizimit në sistemin e Agjencinë e Punësimit së Republikës së Kosovës (APRK), i cili është iniciuar si proces dhe është integruar si modul në sistem nga qershori i vitit 2017. Poashtu, me të dhënat që aktualisht figurojnë në sistem për këta të papunë është e pamundur që të kryhet profilizimi pasi që nuk janë të dhëna të plota dhe duhet pritur deri në paraqitjen e të papunëve në ZP për të përditësuar statusin dhe të dhënat e tyre.

“Mungesa e profilizimit të të papunëve e pamundëson identifikimin e tyre për përfshirje në MATP”, thuhet në raport.

Mangësitë në planifikimin e politikës së punësimit

Sipas Raportit të Auditimit të Performancës, për të qenë sa më efikase dhe efektive në zbutjen e shkallës së papunësisë, politikat në nivel qeveritar dhe sektorial duhet të shërbejnë si përgjigje ndaj gjendjes së krijuar të papunësisë në vend.

“Në vlerësimin e gjendjes së papunësisë, politikat qeveritare duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi të rregullt të gjendjes dhe të ndikimit të politikës para se ajo të miratohet me qëllim të evitimit të arritjes së rezultateve të kundërta prej atyre që janë synuar”, thuhet në raport.

Poashtu, në raport thuhet se vlerësimi i mirëfilltë i politikës së punësimit duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, që nënkupton se merr parasysh të dhënat që mblidhen nga tereni dhe konsultohet me palët relevante të sektorit publik dhe atij privat.

“Politikat qeveritare të punësimit duhet t’i nënshtrohen një planifikimi adekuat, të kenë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe financiare për implementim, si dhe të kenë delegim të qartë të përgjegjësive për institucionet që janë përgjegjëse për arritjen e objektives së rritjes së punësimit”, thuhet aty.

Planifikim i mangët i politikave të punësimit në nivel qeveritar

Gjatë periudhës 2011-2014, për të përcaktuar prioritetet qeveritare dhe përpiluar Planin vjetor të punës, Qeveria ka pasur të miratuar dokumentin “Plani i Veprimit i Vizionit Ekonomik të Kosovës (PVVEK)”.

Dokumenti i është nënshtruar një procesi të vlerësimit dhe konsultimit me komunitetin e biznesit, shoqërisë civile dhe donatorëve. Në kuadër të këtij dokumenti kanë qenë të parapara pesë shtylla të cilat njëherit kanë shërbyer edhe si përcaktues të prioriteteve të qeverisë. Shtylla e katërt dhe e pestë e këtij dokumenti kanë adresuar çështjet e punësimit.

Shtylla e katërt, përveç qëllimeve të përmirësimit të infrastrukturës së disa sektorëve siç janë energjia, infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, teknologjia e biznesit, etj., ka pasur për qëllim edhe rivitalizimin e sektorit të bujqësisë dhe në kuadër të këtij qëllimi kishte të përcaktuar indikatorët për numrin e krijimit të vendeve të reja të punës përmes zbatimit të masave që ishin të parapara për MBPZhR.

Shtylla e pestë kishte të bënte me kapitalin njerëzor dhe po ashtu i referohej çështjeve të punësimit, respektivisht objektives që kishte për qëllim rritjen e shkallës së punësimit dhe forcimin e trajnimeve profesionale sipas kërkesës së tregut të punës. Për realizimin e kësaj objektive përgjegjëse ishin MPMS dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT). Për dallim nga shtylla e katërt, në ketë shtyllë nuk ishin të specifikuara indikatorët dhe caqet e performancës.

“Plani i Veprimit i Vizionit Ekonomik të Kosovës pavarësisht që i është nënshtruar procesit të vlerësimit dhe konsultimit publik, ka pasur mangësi në planifikimin e arritjes së prioriteteve dhe objektivave të punësimit pasi që nuk ka përcaktuar të gjithë indikatorët dhe caqet e performancës”, theksohet në raport.

Në raport theksohet se tërë viti 2015 është karakterizuar me mungesë të një dokumenti strategjik që përcakton prioritetet qeveritare dhe politikat e qeverisë në aspektin e punësimit.

Në janar të vitit 2016, Qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim (SKZh) 2016-2021, i cili aktualisht është dokumenti kryesor strategjik që i referohet zbutjes së papunësisë.

Aspekti i punësimit në kuadër të shtyllës së parë të SKZh-së parasheh vetëm ndërlidhjen e sistemit arsimor dhe tregut të punës si dhe luftimin e informalitetit.

“Shtrirja e veprimtarisë së institucioneve sikurse MPMS që janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të punësimit apo realizimit të masave aktive që nxisin dhe promovojnë punësimin nuk janë të përcaktuara në asnjë pjesë të kësaj shtylle (me përjashtim të masës aktive Aftësim Profesional)”, përmendet në Raportin e Auditimit të Performancës.

Mos definimi i qartë i përgjegjësive për ministritë e linjës

Zyra e Kryeministrit, respektivisht Zyra për Planifikim Strategjik (ZPS) në kuadër të ZKM-së, është përgjegjëse për të siguruar që ministritë e linjës i kanë të qarta përgjegjësitë që ndërlidhen me arritjen e objektivave të parapara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim (SKZh) si dhe ato veprojnë në pajtim të atyre objektivave dhe prioriteteve strategjike. Në këtë aspekt, ZPS ka hartuar udhërrëfyesin për zbatimin e SKZh-së.

Ministritë e linjës siç janë MAShT, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), MPMS, MBPZhR realizojnë masa të njëjta si grantet e vetëpunësimit, subvencionet në pagë, trajnimet në punë dhe praktika në punë. Por sipas raportit kjo tregon që ZPS nuk ka definuar në mënyrë të qartë përgjegjësitë që secila prej ministrive të linjës ka në raport me zbatimin e SKZ-së, dhe në veçanti në raport me kryerjen e aktiviteteve që ndërlidhen me çështjet e punësimit.

“Definimi jo i qartë i përgjegjësive për objektivat që ndërlidhen me çështjet e punësimit dhe mungesa e koordinimit të aktiviteteve në mes të ministrive për të evituar paqartësitë në kryerjen e aktiviteteve që ndërlidhen me punësim është po ashtu rezultat i planifikimit të mangët të këtyre çështjeve në SKZh dhe paqartësive në udhërrëfyesin e zbatimit të SKZh lidhur me aktivitet që ndërlidhen me punësim”, thekson raporti.  

Në vitin 2016 më së shumti ndërmjetësime në punësim janë realizuar për masën trajnim në punë, gjithsej 951. Gjatë vitit 2017, ndërmjetësimet më të mëdha janë fokusuar në masën punë publikë, numri i tyre ka qenë 873. Ndërkaq deri në tetor të vitit 2018 masa në kuadër të së cilës janë realizuar më shumë ndërmjetësime në punësim është ajo e praktikës në punë, gjithsej 830.

Sa i përket subvencionimit në pagë, ku janë kryer më shumë ndërmjetësime në punësim në vitin 2017, ndërsa në vitin 2018 ka pasur një rënie të madhe. Vetëpunësimi nga ana tjetër ka numrin më të vogël të ndërmjetësimeve në punësim.

 

Foto: ZKA