Policia me procedurë speciale për blerjen e radarëve

Policia e Kosovës ka bërë përpjekje për më shumë se një vjet për të lidhur kontratë për furnizim me radarë, por kjo nuk është realizuar për shkak të ankesave të operatorëve ekonomik dhe vendimeve të Gjykatës së Tenderëve për ta anuluar atë dy herë me radhë.

Pas anulumit për të dytën herë të tenderit për furnizim me radarë, Policia e Kosovës ka vendosur që mos ta rishpallë përsëri tenderin por të blejë pajisjet e nevojshme duke u bazuar në Rregulloren për prokurime të veçanta.

“Pas ankesave të njëpasnjëshme dhe pas vendimit të OSHP-së për anulimin e këtij projekti, projekti në fjalë nuk do të përsëritët me procedurë të hapur. Me rastin e aprovimit të Rregullores për prokurime të veçanta ne do të bëjmë lidhjen e kontratës në përputhje me këtë rregullore dhe në harmoni me mundësitë buxhetore”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Gazeten JnK.

Organi Shqyrtues i Prokurimit për dy tenderët e anuluar kishte konstatuar se kishte shkelje ligjore duke kërkuar nga Policia e Kosovës që të rivlerojnë ofertat apo të ritenderojnë.

Për herë të parë ky tender ishte hapur në prill të vitit 2018. Tre muaj më vonë, OShP kishte vendosur që ta anulojë atë për shkak të shkeljeve ligjore. Në fund të shtatorit, Policia e Kosovës përsëri kishte rishpallur këtë tender. Pas rreth 8 muajve, ankesa, sqarime e vendime të OShP-së, më 14 maj 2019, OShP ka konstatuar se tenderi duhet të anulohet nga Policia e Kosovës si Autoritet Kontraktuese.

Ky tender është anuluar pas pretendimeve të operatorit ekonomik ankues “Botek” se Policia e Kosovës përmes përgjigjeve të dhëna në pyetjet shtesë, të datës 11 mars 2019, ka përjashtuar mundësitë e pjesëmarrjes së prodhuesve tjerë në tender përveç prodhuesit LTI me radarët e tij.

OShP e ka vlerësuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Botek” lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me laser/radar dore – Ritender”, të iniciuar nga Policia e Kosovës”.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se në dosjen e tenderit, përkatësisht Aneksi 1 – Specifikimet teknike të detyrueshme, tek kërkesa nr.11 është kërkuar që pesha e pajisjes (së bashku me bateri dhe ndriçues IR) të jetë maksimumi deri në 3 kg.

“Gjatë operimit IR duhet përfshirë dhe të jetë funksionale me peshën maksimale 3 kg, pra pesha maksimale e pajisjes përfshinë radarin laserik me kamerë dhe bateri si dhe ndriçuesin IR me bateri. Bateritë e pajisjeve mund të mbushen paraprakisht nga ndonjë burim i jashtëm i energjisë, por gjatë kohës së operimit ato duhet të jenë të pavarura e jo të lidhen me kabllo për ndonjë burim të jashtëm energjie (adaptera ose ndonjë gjë tjetër”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës në pyetjet shtesë të datës 11 mars 2019.

Anulimi i tenderit të parë për radar

Tenderi i parë për “Furnizim me laser/radar dore” ishte hapur 20 prill të vitit 2018. Vlera e parashikuar për këtë kontratë ishte 902.400 mijë euro. Me kontratë kërkohen 48 laser/radar dore për matjen e shpejtësisë dhe dëshmisë së kundërvajtjes.

Kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.

Më 11 maj, “Botek”, duke iu referuar aneksit 1 – Specifikimet teknike të detyrueshme, kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që të avancojnë specifikacionin teknik pasi sipas tyre këtë kriter e plotëson vetëm një prodhues i caktuar i radarëve.

Sipas “Botek”, produkti i vetëm që e plotëson 100 për qind kërkesën e Policisë është “TruCAM” nga prodhuesi “LaserTechnology”.

“Gjë që është në kundërshtim me nenin 7 të LPP-së, nenin 28 dhe po ashtu në këtë specifikacion mund të dëmtohet buxheti i Kosovës”, thuhet në pretendimet e OE Botek.

Në përgjigjen e Policisë së Kosovës thuhet se është kërkuar kamerë me rezolucion min 3MP për shkak se fotografitë dhe videoxhirimet do të përdoren si dëshmi nëse kërkohen nga Gjykatë.

Në arsyetimin e Policisë thuhet se nëse rezolucioni i tyre është më i vogël ato nuk mund të pranohen si dëshmi.

“Rezulucioni minimal i kërkuar për kamera senzor është përcaktuar të jetë min. 3MP, por për ofertim janë të pranueshme edhe ofertat që i tejkalojnë kërkesat minimale. Fotografitë dhe Videoxhirimet janë e vetmja evidencë që Policia e Kosovës mund të sjellë si dëshmi në rast kontestues në Gjykata, dhe një fotografi (videoxhirim) me rezulucion të vogël mund të mos shfaq imazhet e qarta dhe nuk pranohet si evidencë, andaj rezulucioni minimal prej 3 MP mbetet kërkesë thelbesore”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Më 15 maj, operatori ekonomik “Botek” është ankuar te Policia e Kosovës në lidhje me këtë tender. Të nesërmen, më 16 maj, Policia e Kosovës ka vendosur që ta pezullojë këtë aktivitet të prokurimit deri në shqyrtimin e kësaj ankese.

Më 28 maj, operatori ekonomik “Botek” ka deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit duke thënë se Policia e Kosovës e ka shtrembëruar pikat e ankesës së tyre në kërkesën për rishqyrtim.

Eksperti shqyrtues ka dalë me një mendim, ku i ka propozuar panelit shqyrtues të OShP-së që ankesa e operatorit ekonomik “Botek” të pranohet si e bazuar dhe propozohet që të ndryshohet pozicioni i disa specifikacioneve teknike.

“Duke u bazuar në sqarimet e cekura në ekspertizë, eksperti shqyrtues/teknik i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, po ashtu propozojmë që të ndryshohet pozicioni nr 6 i specifikacioneve teknike dhe të zgjatet afati për ofertim sipas nenit 53.7 të LPP-së”, vazhdon mendimi i ekspertit më 3 korrik 2018.

Pas 13 ditëve, Gjykata e tenderëve ka dalë me vendim. Më 19 korrik 2018, OShP e ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorit “Botek”. Po ashtu kanë sjellë vendim për anulim të njoftimit për kontratë nga ana e Policisë së Kosovës.

Në po të njëjtën ditë, Policia e Kosovës e ka anuluar këtë tender duke iu referuar vendimit të OShP-së.

Shkeljet në tenderin e dytë 

Dy muaj pasi Policia e Kosovës e kishte anuluar tenderin për “Furnizim me laser/radar dore”, më 20 shtator 2018 ka shpallur ritender për të njëjtën pajisje.

Më 10 tetor 2018, operatori ekonomik ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës në lidhje me specifikacionet teknike.

Njëjtë si në tenderin e parë, edhe për ritender ata kanë pretenduar se specifikacionet teknike i janë përshtatur një prodhuesi.

Por në përgjigjen e Policisë së Kosovës thuhet se operatori ekonomik nuk mund të marrë përgjigje për shkak se ka dërguar pyetjet rreth 3 orë pas përfundimit të afatit të përcaktuar për pyetje e sqarime.

Policia e Kosovës, më 17 tetor, ka marrë vendim për pezullim të këtij aktiviteti të prokurimit deri në shqyrtimin e ankesës së operatorit ekonomik “Botek”. Gjashtë ditë më vonë, Policia e Kosovës ka dalë me një vendim në lidhje me ankesën e “Botek”. Ata kanë vendosur që ta refuzojnë ankesën e “Botek” në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit.

Kundër vendimit të Policisë së Kosovës, më 29 tetor 2018, është ankuar operatori ekonomik “Botek” në OSHP.

Eksperti shqyrtues, më 8 nëntor, në mendimin e tij i kishte propozuar panelit shqyrtues që ankesa e “Botek” të aprovohet si e bazuar. Gjithashtu të kërkohet të ndryshohet aneksi i dosjes së tenderit.

Duke u bazuar në sqarimet e cekura në ekspertizë, eksperti teknik i propozon panelit shqyrtues qe ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, po ashtu propozojmë që të ndryshohet aneksi i dosjes se tenderit dhe te zgjatet afati për ofertim sipas nenit 53.7 të LPP-së”, thuhet në mendimin e ekspertit.

Gjykata e tenderëve e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e “Botek” dhe e ka obliguar Policinë e Kosovës që të bëjë ndryshimet në dosjen e tenderit.

Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe kompania “Sodex Group” ka dorëzuar kërkesë për rishqyrtim në Policinë e Kosovës. Pas ankesës së tyre të deponuar më 31 dhjetor 2018, Policia e Kosovës më 3 janar 2019 e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit deri në shqyrtimin e ankesës së tyre.

Policia e Kosovës ka vendosur që të refuzojë kërkesën për rishqyrtim të “Sodex Group”. Ky operator ekonomik është ankuar në OShP më 16 janar.

Eksperti teknik i ka rekomanduar panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar dhe ky aktivitet i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

Më 21 shkurt, OShP ka vendosur që të aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e operatorit ekonomik “Sodex Group”.

“Obligohet autoriteti kontraktues Policia e Kosovës t’i bëj ndryshimet në dosje të tenderit”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Pas kësaj, operatorët ekonomik përsëri kanë kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës, pyetjet e tyre dhe përgjigjet e marra janë publikuar në platformën e E-prokurimit.

Është kërkuar sqarim në lidhje me distancën maksimale të matjes së shpejtësisë, rezolucioni i kamerës, distancën e ofrimit të imazheve. Përsëri në fund është potencuar se specifikacioni për rezolucionin minimal i është përshtatur prodhuesit “Telix Doo”.

“Nuk mendojmë se kjo specifikë  i është përshtatur vetëm një prodhuesi siç po pretendoni pasi që çdo produkt që e ka kamerën me rezolucion më të madh se 720 x 576 është i pranueshëm. Po të caktohet rezolucioni minimal më i madh se kaq, do të kishim kufizim konkurence dhe diskriminim të OE”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Pas kësaj, kanë pasur kërkesat për rishqyrtim nga dy operatorët ekonomik, “Sodex Group” dhe “Botek” te Policia e Kosovës. Pas ankesave, Policia e Kosovës e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit deri në shqyrtim të ankesave. Një ditë më pas, më 18 mars 2019, Policia e Kosovës i ka refuzuar kërkesat për rishqyrtim të dy operatorëve ekonomik ankues.

Më 18 mars, “Botek” përsëri ka deponuar ankesë në OShP. Në ankesën e tyre ata pretendojnë që Policia e Kosovës gjatë procesit të zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit – Hartimit të Dosjes së Tenderit —Aneksit Nr. 1- Specifikat Teknike të Detyrueshme, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik te Republikës së Kosovës, Ligji Nr. 041L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr.04/L-237, ligjin Ni-. 05/L-068 dhe ligjinNr.05//L-092. Neni7 1LPP— Barazia në Trajtim/ Neni 28 i LPP- Specifikimet teknike.

Eksperti shqyrtues i kishte propozuar panelit që ankesa e “Botek” të aprovohet si pjesërisht e bazuar. Më tej i ka propozuar Policisë së Kosovës që të anulojë njoftimin për kontratë dhe të anulohet në tërësi ky aktivitet i prokurimit.

Paneli i OShP-së ka vendosur që të aprovojë si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Botek” lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me laser/radar dore – Ritender”, i inucuar nga Autoriteti Kontraktues – “Policia e Kosovës”.

Po ashtu ka kërkuar që të anulojë njoftimi për kontratë i AK – Policia e Kosovës , lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me laser/radar dore – Ritender”, AK të njëjtin aktivitet të prokurimit mund ta ritenderoj nëse edhe më tutje ka interes për këtë aktivitet të prokurimit komfor dispozitave të LPP-së.

Më 14 maj 2019, Policia e Kosovës ka publikuar njoftimin për anulimin e tenderit për “Furnizim me laser/radar dore – Ritender” në platformën E-prokurimi.