Polici Gjykohet për Vrasjen e Doganierit

Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të premten u mbajt shqyrtimi kryesor ndaj policit të Kosovës, Afrim Basha, i cili akuzohet për vrasjen e doganierit Nasi Gavazaj.

Vrasja ishte bërë me revolen zyrtare, pas një mosmarrëveshje mes palëve.

Afrim Basha, 37-vjeçar, nga Prizreni, me profesion polic, akuzohet se më 11 korrik 2012, rreth orës 20:30, në fshatin Vërmicë të komunës së Prizrenit, te vendi i quajtur “Gurra”, e ka privuar nga jeta, doganierin Nasi Gavazaj.

Pas një mosmarrëveshjeje paraprake me Hasan Gavazajn (djali i viktimës), dhe të ndjerin Nasi Gavazajn, polici Basha e shtyn Hasanin.

Në atë moment, Nasi Gavazaj vrapon në drejtim të tij, me ç’rast Basha nxjerr pistoletën zyrtare dhe shtie dy herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetë.

Si pasojë e lëndimeve trupore, pas 12 ditësh Nasi Gavazaj vdes në Spitalin Amerikan në Tiranë.

prokuroria e ngarkon të akuzuarin për kryerjen e veprës penale “të vrasjes”. 

Ai ngarkohet, po ashtu, se e ka përdorur pa autorizim pistoletën zyrtare me të cilën kishte shkrepur në drejtim të viktimës. Si rezultat i kësaj akuzohet edhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Pas leximit të aktakuzës, prokurorja e rastit bëri ricilësimin e veprës penale të armëmbajtes pa leje.

Aktakuza ishte ngritur para hyrjes në fuqi të kodit të ri penal dhe ishte cilësuar sipas kodit të vjetër, me të cilin parashihej dënimi deri në tetë vjet burg.

“I ndjeri ka qenë kryefamiljar, na ka mbajtë të gjithëve. Tani jemi në gjendje shumë të rëndë

Duke marrë parasyshë faktin e zbatimit të ligit më të favorshëm për palën, armëmbajtja pa leje do të gjykohet sipas Kodit të ri Penal, të hyrë në fuqi nga një janari i këti viti, i cili për këtë vepër penale parasheh dënimin deri në pesë vjet burgim.

Përveç të dëmtuarës, bashkëshortes së të ndjerit, për këtë seancë ishin ftuar edhe tetë dëshmitarë të tjerë, gjashtë prej të cilëve nuk u erdhi radha fare.

Në dëshminë e saj, Fahrije Gavazaj, bashkëshortja e të ndjerit, tha se burri i saj asnjëherë më parë nuk ka qenë i sëmurë nga ndonjë sëmundje, dhe se asnjëherë më parë nuk është ankuar.

“Unë e di se ai ka vdekur vetëm nga plumbi, madje edhe mjeku më ka thënë se është goditur nga afërsia dhe i është helmuar gjaku”, tha ajo.

Po ashtu e dëmtuara, u ankua se tani gjendja ekonomike familjare ka ndryshuar për të keq.

“I ndjeri ka qenë kryefamiljar, na ka mbajtë të gjithëve. Tani jemi në gjendje shumë të rëndë. Jemi tetë anëtarë, dhe vetëm djali kur po mundet po punon ngapak. Edhe vajzën në studime e kam”, tha bashkëshortja e të ndjerit.

Kërkesa e fundit e të dëmtuarës ishte që i akuzuari Basha të burgoset sa më shpejt që është e mundur.

Dëshmia e kolegëve

Para trupit gjykues, dëshminë e dhanë edhe dëshmitarët Afrim Duraj dhe Samet Elmazi, që të dy kolegë të të akuzuarit nga Polica e Kosovës.

Duraj tha se atë ditë kishin shkuar për të mbushur ujë te “Gurra”, meqë në vendin e punës nuk kishin ujë.

Ai tha se i pari e ka mbushur shishen Afrimi (i akuzuari) dhe se aty ai është provokuar nga i ndjeri dhe të tjerët, të cilët po pinin alkool.

“I thanë që të merrte ujë në bazenin e peshqve, madje i ndjeri Gavazaj, ju drejtua Afrimit, ‘mos ja mbyll kapakun se më qet punë me ta hapë e me ta derdhë shishen’, pastaj ai filloi ta shajë Afrimin edhe me nanë”, tha dëshmitari Duraj, i cili ishte udhëheqës i patrullës policore në ditën kritike.

Dëshmitari, tha se e kishte njohur të ndjerin dhe kishte hyrë për të ndërmjetësuar, mirëpo i ndjeri e kishte shtyrë atë dhe ky kishte rënë nga një lartësi mbi një meter, në tokë.

Nga aty ku kishte rënë Duraj thotë se nuk kishte mundur ta shohë situatën por se e kishte dëgjuar kolegun e tij të akuzuar, duke dhënë urdhër verbal “ndal largohu, ndal largohu”.

“3- 4 herë e ka përsëritë dhe pastaj kam ndëgjuar krismën, sepse unë kam mbetë i shtrirë, kam menduar që ka shkrepur vetëm një herë, mirëpo kur ja mora revolen e pashë që i mungonin dy plumba”, tha dëshmitari Duraj.

Po ashtu dëshmitari tha se aty kishin qenë më shumë se tetë persona dhe në fund të dëshmisë së tij, ai tha se nuk mund t’ i japë tjetër shpjegim kësaj ngjarje, veç faktit të ndikimit të tepruar të alkoolit.

“Pastaj ai filloi ta shajë Afrimin edhe me nanë

Dëshminë e tij e dha edhe kolegu tjetër i të akuzuarit, polici Samet Elmazi, i cili shtoi faktin se asnjëhere më parë nuk kishin pasur probleme me të ndjerin dhe personat tjerë, por ceku se edhe patrulla e ndërrimit të parë kishte pasur probleme ditën e njëjtë me ata persona, kur kishin shkuar për të mbushur ujë.

Në një rast prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me dëshminë e tij të dhënë në polici, në të cilën thuhej se djali i të ndjerit Nasi, e kishte futur dorën mbrapa shpine për të nxjerrë diçka, ndërsa në dëshminë e sotme nuk e kishte përmendur fare.

 “Ka kaluar një kohë e gjatë, dhe ka gjasë që kam harruar, por ashtu siç kam thënë qëndron”, ishte përgjigja e dëshmitarit Elmazi.

Meqë trupi gjykues kishte angazhime tjera vendosi që ta ndërpresë seancën, dhe e njëjta do të vazhdojë me 18 prill.

Me këtë rast pati ankesa nga disa dëshmitarë që kishin marrë mundin të vinin për të dëshmuar dhe një gjë e tillë nuk ndodhi.

Madje njëri prej dëshmitarëve, me shumë nervozizëm i tha kryetarit të trupit gjykues që për seancën e ardhshme nuk do të paraqitet fare në gjykim.