Plis i Harmonisë

Kapelet, plisat, qeleshet… ekzistojnë, rrojnë dhe kanë një rezistencë për t’i prekur, por shfaqje të lirë për t’i ndjerë këto ndryshime.

Sot, kur ekspertët e fushave të ndryshme shënojnë vitin e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë, edhe kreatorja e modës, Njomëza Luci vjen me një dedikim.

Ajo sjell harmoni konceptesh, duke nxjerrë në pah harmoninë dhe disharmoninë e kapeleve, të cilat i bashkon përjetësisht në stil.

Ky koleksion është një dedikim i veçantë për 100-vjetorin e pavarësisë se shtetit shqiptar.

Koleksioni i kapeleve u shpalos në Albania Fashion Week 2012 dhe materialet e përdorura në këtë linjë janë: kristalet, gurët, metalet dhe plisat.

Linja ekskluzive e kapeleve është prezantimi i saj i veçantë i realizuar në periudhë prej 3 vitesh dhe i finalizuar në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar me linjën: “Harmonia dhe Disharmonia e Kapelave”.

Luci inspirimin për këtë koleksion e ka marrë nga hulumtimi në katër biblioteka të rajonit, ku disejnatorja ka njohur format dhe konceptet e kapeleve të përdorura nga shqiptarët.

Ajo në krijimin e saj i vendos kapelet në një kompleks dhe i shfaq ato në harmoni dhe disharmoni.

“Këto 100 vite për kombin tonë ishin të mbushura me harmoni dhe disharmoni e të frymuarit në jetë, e ekzistencës tonë si komb dhe rrugëtimit tonë ndër vite në paraqitje dhe stil”, thotë Luci.

“Gjatë hulumtimit krijues të bërë në shumë enciklopedi dhe libra autorial, vërehet intensiteti i shtuar i artit dhe pastërtisë në formë dhe krijim i shqiptarëve në dukjen e tyre”, shprehet Njomëza.