Logo e kompanisë "Z-Mobile" - Foto: facebook

Plani i Z Mobile për konkurrencë ndaj ‘Vala-s’ dhe ‘IPKO-s’

Z Mobile që  ka funksionuar si operator virtual i Telekomit të Kosovës, përkatësisht telefonisë ‘Vala’, po planifikon të vazhdojë funksionimin në treg si operator i pavarur.

Në këtë kohë kompania Dardafone.net (Z Mobile), me pronar Blerim Devollin, është në negociata për ndërprerjen e kontratës 10 vjeçare me ndërmarrjen publike e cila i ka borxh mbi 25 milionë euro.

Ende pa pasur vendim të shkruar publik mbi mos vazhdimin e kësaj  kontrate, kompania ka filluar strategjinë e konkurrimit në treg si e pavarur.

Më 21 qershor të këtij viti, Z Mobile i ka dërguar kërkesë Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike duke kërkuar brez frekuencor (valë), asete këto shtetërore dhe të kufizuara që ARKEP i ndan për operatorë telefonikë.

Në shkresën e Z Mobile që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, kjo kompani kërkesën e saj e bazon në ‘pjekurinë’ e arritur në treg.

“Si shumë operatorë virtual në botë, që kur arrijnë shkallën e pjekurisë së tregut kanë sunim të zhvillohen në operatorë të rrjetit edhe ne besojmë që tashmë janë pjekur kushtet që një synim i tillë i yni të realizohet. Ne synojmë që të vazhdojmë të qëndrojmë në treg duke u rritur vazhdimisht dhe duke kërkuar mundësinë për të pasur në dispozicion brez frekuencor”, thuhet në kërkesë.

Në kërkesë, kompania insiston se nuk ka për qëllim dëmtimin e Telekomit.

“Kompania jonë në asnjë formë nuk është për të penguar operatorët tjerë për rilicencim e aq më pak Telekomin e Kosovës, përkundrazi jemi të gatshëm të shqyrtojmë afatin kohorë të mundësisë së pajisjes sonë me brez frekuencor, por kjo nuk nënkupton privim nga e drejta jonë për pjesëmarrje në tregun e telekomunikimeve në Kosovë. Prandaj ne si kompani presim që kjo kërkesë legjitime të shqyrtohet nga ana e ARKEP”, thuhet në kërkesë.

Në korrik të këtij viti, ARKEP ka filluar procedurat e rilicensimit të operatorëve ekzistues telefonikë, ‘Vala’ dhe ‘IPKO’ për brezat frekuencorë që këta kanë në shfrytëzim.

Kompanitë e lartpërmendura kanë pasur licensë 15 vjeçare të cilat do të skadojnë në fund të korrikut. Kështu, ARKEP në procesin e rilicensimit të tyre ka marrë edhe kërkesën e Z Mobile që e konsideron këtë procedurë edhe hapje të brezave për operatorë të tjerë të interesuar.

Ndryshe ka menduar ARKEP që në përgjigjen e tyre ndaj Z Mobile thotë se hapja e brezave do të bëhet në pjesën e dytë të këtij viti.

“Sa i përket kërkeses për alokimin e kapaciteteve në brezet 900 dhe 1800 MHz, ARKEP konsideron se ky është proces i ndarë nga ripërtrirja e autorizimeve dhe caktimi i kapaciteteve për operatorin e ri (MNO), respektivisht hapja e brezeve është paraparë për fazën e dytë”, thuhet në përgjigjen e ARKEP.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Telekomit është zotuar se nuk do të ketëv  vazhdim të kontratës me Z Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Çfarë ndodh me numrat e ‘Z-Mobile’ pas shkëputjes së kontratës nga Telekomi?