Planet për hidrocentral në Lumbardh nxisin reagime

Qeverisja lokale dhe aktivistët mjedisorë po qëndrojnë së bashku kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh të Pejës.

Këtë javë pati një shpërthim reagimesh ndaj planeve për të ndërtuar një seri hidrocentralesh, në lumin Lumbardh në Pejë.

Kështu u tha më 19 shkurt në Komitetin Ndërministror për Investimet Strategjike ku u tha se propozimet e paraqitura nga Kelkos Energy plotësuan kriteret teknike për t’u konsideruar si projekte strategjike të investimeve.

Të nesërmen, të mërkurën më 20 shkurt, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ka shkruar Endrit Shalës, Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, MTI-së, duke shprehur shqetësimet e tij rreth takimit.

Në letër, Muhaxheri tregoi se Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar Planin Zhvillimor Komunal, i cili ndalon çdo investim në hidrocentrale sepse shkaktojnë dëme të mëdha në mjedis sikurse në komunën fqinje të Deçanit. Kelkos Energy ka tre hidrocentrale funkcionale në Deçan, përkatësisht hidrocentralet Lumbardhi, Belaja dhe Deçani, megjithëse vetëm hidrocentrali i Lumbardhit është i pajisur me licencë të operimit sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë.

Në letër, më tej thuhet se Komuna e Pejës ishte njoftuar vetëm pak minuta para fillimit të saj dhe gjithashtu ka kërkuar njoftim paraprak pesë ditor për çdo projekt që do të zbatohej në komunë.

Shala i tha Prishtina Insight se kryetari i Pejës dhe qytetarët e saj nuk duhet të shqetësohen. ” Kryetari i Komunës së Pejës ka të drejtë të thotë se “plani i ndërtimit nuk është adekuat se dëmton shtratin e lumit dhe nuk mund të lejohet një investim i tillë për shkak se prishë planin regullativ” dhe të kuptohemi që ky investim nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Komunës së Pejës “, tha ministri.

Në anën tjetër, neni 22 i Ligjit për Investimet Strategjike, neni që mbulon “Transferimin e të drejtës për shfrytëzimin e pronave të paluajtshme publike dhe shoqërore nga investitori i interesuar”, tregon se Qeveria e Kosovës, me shumicë të thjeshtë votash në parlament, mund të transferojë të drejtën për të përdorur një pronë të paluajtshme në pronësi shoqërore për investime strategjike, qoftë me vetë votimin, ose duke votuar për zbatimin e Ligjit për Shpronësim, duke anashkaluar autoritetet komunale.

Adriatik Gacaferi, banor i Deçanit, i cili protestoi kundër ndërtimit të termocentraleve në Kosovën perëndimore, i bën jehonë pikëpamjes së komunës së Pejës dhe i konsideron hidrocentralin jashtëzakonisht të dëmshëm për ekosistemet lokale.

“Një investim i tillë do të varroste turizmin në qytet dhe pasojat mjedisore do të ishin shkatërruese, lumi do të thahej, Peja do të humbiste freskinë që lumi sjellë në qytet, kafshët e egra do të mbeteshin pa ujë dhe peshqit mund të zhduken me lehtësi “, tha Gacaferi për Prishtina Insight.

Për Gacaferrin, rasti i Deçanit duhet të mobilizojë qytetarët për të protestuar kundër HEC-eve që parashihen të ndërtohen në lumin Lumbardhi. “Që nga fillimi i ndërtimit të hidrocentraleve, shumë fshatra si dhe qyteti filluan të kishin reduktime të furnizimit me ujë, sidomos gjatë verës. Kjo mund të ndodhë edhe në Pejë”, paralajmëroi Gacaferi.

Rajan Arapi, Shefi i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Pejës ka të njëjtat shqetësime sikur Gacaferi.

“Ndërtimi i hidrocentraleve në Lumbardh do të ishte me pasoja fatale për mjedisin , zhvillimin e turizmit, po ashtu do të ndikonte në degradim të peizazhit i cili është i mbrojtur nga viti 1968, si dhe do ta shkatërronte florën dhe faunën. Më e keqja e gjithë mbetet rreziku për qytetarët që në këtë do ju kanosej nga pasojat eventuale të përmbytjeve”, tha Arapi për Prishtina Insight.

Kelkos Energy është pjesë e grupit austriak të energjisë Kelag, i cili është i angazhuar në projekte të ngjashme në shtetet ish-Jugosllave. Angazhimi i kompanisë në projektet e hidrocentraleve është shoqëruar me kritika të larta dhe rezistencë të fortë të komunitetit në rajon.

Ndërtimi i hidrocentralit gjithashtu ka vënë në dukje konfliktin në mes të institucioneve të ndryshme.

Për shembull, Vlerësimi Strategjik Mjedisor për Planifikimin Hapësinor të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna, të publikuar nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, AMMK, një institucion në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, MMPH, thotë: ” Zhvillimi i projekteve të reja të hidro-centraleve duhet të dekurajohet, pasi që ato krijojnë ndikime kumulative në sistemet e lumenjve, në drejtim të prishjes së karaktereve të peizazheve dhe bukurisë së tyre, si dhe ndikojnë në funksionin e habitateve të tyre.”

Një pjesë e parkut kombëtar gjendet në Komunën e Pejës.

Çështjet për ndërtimin e hidrocentraleve gjithashtu janë rritur më parë në pjesë të tjera të Kosovës, veçanërisht në Parkun Kombëtar Sharri. Problemet më të fundit kanë ndodhur në Komunën e Shtërpcës, ku qytetarët protestuan kundër ndërtimit të një hidrocentrali në janar.

Në qytetin e Pejës është thirrur një protestë të hënën, më 25 shkurt nën sloganin: ‘Mos e prek Lumbardhin’.