Ilustrimi: Kallxo.com

‘Pikat e ndjeshme’ të ndotjes së ajrit në Kosovë dhe shkaktarët e ndotjes

Niveli i ndotjes së ajrit gjatë dy viteve të fundit në Kosovë e posaçërisht në Prishtinë ka qenë alarmues për shëndetin e qytetarëve.

Matjet zyrtare të cilësisë së ajrit bëhen nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, të cilat publikohen në faqen e internetit Kosovo-airquality.com, i cili përfshin matjet në tetë pika në territorin e Kosovës.

Megjithatë, matjet për nivelin e ndotjes së ajrit që nxitën reagimet e qytetarëve dhe të institucioneve, fillimisht u bënë nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Në ndërkohë, u instaluan edhe dy matës tjerë të ajrit në Prishtinë, vlerat e të cilëve janë publikuar rishtazi në web-faqen AirVisual, platformën më të madhe të pikave monitoruese të cilësisë së ajrit në botë. Njëri nga këta matës është e vendosur në lagjen Aktash, që matet nga kompania 3CIS ndërsa tjetri nga organizata ‘BONEVET’, i vendosur afër Stacionit të Trenave. Vlerat e publikuara të këtyre matësve kanë njoftuar qytetarët e Prishtinës në kohë reale rreth cilësisë së ajrit për këto pjesë të qytetit.

Ngjashëm me vitet e kaluara, edhe këtë vit, gjatë muajve të dimrit, sipas këtyre tre matësve në Prishtinë, normat e ndotjes janë tejkaluar disa herë duke paraqitur rrezik për shëndetin e njerëzve.

Meqenëse matjet në Prishtinë tashmë janë të publikuara ne webfaqen AirVisual, e cila ushqehet nga të dhënat nga tri stacionet e lartpërmendura në lagje të ndryshme të Prishtinës, ekipi i KALLXO.com ka marrë iniciativë të bëjë matje me pajisjen e AirVisual edhe në qytete tjera në Kosovë.

Nga matjet që janë bërë në Mitrovicë, VushtrriFushë Kosovë, Gjilan, Ferizaj, Shtërpcë, Gjakovë e Pejë dhe Drenas ka rezultuar se përveç kryeqytetit, nivel të lartë të ndotjes ka edhe në lokacione tjera të Kosovës.

Në Mitrovicë, matja që është bërë gjatë muajit janar ka treguar se ndotja është në nivel të pashëndetshëm, përkatësisht 191 shkallë. Ndërkaq në Obiliq, ndotja ka qenë edhe më e lartë apo, sipas Indeksit të Cilësisë së Ajrit e ‘rrezikshme’, me 267 shkallë. Po ashtu, në Pejë, Gjakovë, dhe Shtërpcë dhe Gjilan, niveli i ndotjes ka arritur nivele të pashëndetshme.

Rasti i vetëm ku ajri ka shënuar nivel ‘të shëndetshëm’ ka qenë Prizreni dhe Prevalla.

Këto matje janë bërë herë pas herë dhe përgjatë një periudhe të shkurtër kohore. Pra këto vlera nuk janë përfaqësuese për gjendjen afatgjatë dhe nuk mund të krahasohen me njëra- tjetrën. Megjithatë, ato paraqesin një pasqyrë të cilësisë së ajrit në ato momente kur janë bërë matjet nga ekipi i KALLXO.com. Zakonisht këto matje janë bërë në hapësirat më të frekuentuara të këtyre pikave, ku qarkullimi dhe përqendrimi i njerëzve është më i lartë, pra ku më shumë njerëz janë të ekspozuar.

Kushtet meteorologjike si temperatura, lagështia e ajrit, shtypja atmosferike, era, e shumë faktorë të tjerë kanë ndikim të madh në cilësinë e ajrit dhe mund ta përmirësojnë apo keqësojnë atë.

Kushtet meteorologjike, përkatësisht inverzioni i temperaturave dhe presioni i ajrit, shkakton ndotjen më të lartë gjatë dimrit. Gjithashtu, në raste të erërave të forta, ndotësit shpërhapen, apo në rastin e kundërt erërat mund të sjellin ndotës.

Po ashtu, periudhat e ndryshme ditore janë faktorë tjerë që ndikojnë në cilësi të ajrit, duke marrë parasysh që disa periudha kohore kanë prirje të kenë trafik më të ngarkuar, apo aktivitete të shtuara që lirojnë ndotës, si ndezja e stufave për ngrohje, përdorimi më i madh i elektricitetit dhe si pasojë lirimi më i lartë i gazrave nga termocentralet.

Pra, këto vlera nuk duhet të shihen si parashikim i cilësisë së ajrit për tërë ditën ose për një kohë më të gjatë. Cilësia e ajrit mund të ndryshojë brenda një kohe të shkurtër dhe ndikimi i këtyre gazrave në shëndetin e qytetarëve përcaktohet nga ekspozimi i gjatë kohor. Analizat afatgjate si ditore, mujore, dhe vjetore ofrojnë një pasqyrë më të mirë për gjendjen e cilësisë së ajrit dhe ndikimin të saj në shëndetin e qytetarëve.

Figura paraqet pikat ku janë bërë matjet dhe vlerat përkatëse të cilësisë së ajrit nga këto matje. Këto vlera janë të njohura si Indeksi i Kualitetit të Ajrit (Air Quality Index). Ky indeks kalkulon vlerat mikrogram për metër kub të 5 ndotësve të ajrit, përkatësisht Monoksidit të Karbonit, Ozonit, Dioksidi i Sulfurit, Dioksidi i Azotit dhe Grimcat PM.

Ilustrimi: Kallxo.com

Indeksi i Kualitetit të Ajrit mat përqendrimin e këtyre ndotësve dhe i përkthen në nivele të cilësisë së ajrit si ‘i shëndetshëm’, ‘mesatar’, ‘i pashëndetshëm për grupe të ndjeshme’, ‘i pashëndetshëm’, ‘shumë i pashëndetshëm ‘ dhe ‘ i rrezikshëm’.

Ndërsa, infografika më poshtë jep shpjegim për ndotësit dhe burimet kryesore të tyre. Gjithashtu, infografika përmban informata rreth efekteve që këta ndotës sjellin në shëndetin e njeriut, vlerat e Indeksit të Cilësisë së Ajrit dhe kuptimin e tyre, si dhe masat që duhet të ndërmerren në mënyrë qe të ulet shkalla e ndotjes së ajrit.

Ilustrimi: Kallxo.com