Pesë Gjërat që Vetëvendosja Duhet T’i Marrë nga Vizita në Washington

Memo për AlbinKurtin dhe Shpend Ahmetin (6 qershor 2013)

Jam i bindur se të dy keni nxjerrë shumë nga vizita juaj. Më erdhi mirë që u takuam në organizimin në SAS; e vërejta punën tuaj të zellshme në mbajtje të shënimeve dhe më erdhi mirë që e konsideruat këtë organizim publik si një këmbim të vërtetë informatash – si dhe mundësi për ju që t’i shprehni pikëpamjet tuaja, përfshirë edhe para një pjesëtari të ambasadës serbe, por dhe t’i dëgjoni të tjerët. Më lejoni t’i ndaj me ju pesë pika të cilat shpresoj se do t’i merrni parasysh në të ardhmen:

1. Fjala mund të jetë e lirë por pozicionet kanë kosto:

Gjersa jeni të lirë t’i shprehni mendimet tuaja për gati çdo gjë – për shembull dështimin e Serbisë për të ndryshuar, bashkimin me Shqipërinë – ju duhet ta dini se fjala e lirë ka kostot e saj. Diskutimet e vazhdueshme për dështimet e brendshme të Serbisë hapin edhe më tej rrugën që të tjerët të diskutojnë vazhdimisht për trafikimin me organe ose me drogë në Kosovë. Ju mund të mos shihni barasvlerës në këtë, dhe mund të mos ketë të tillë, por sa më shumë që futeni në komentime për shtetet fqinje, aq më shumë do të duket se justifikohen akuzat e pakëndshme për Kosovën. Është e drejta juaj që të ankoheni për trajtimin e padrejtë të Serbisë ndaj Kosovës, por nuk është mençur që me ngulm të theksoni se Serbia duhet të ndryshojë. Leni të tjerët ta gjykojnë gjendjen e Serbisë. Përqendrohuni në komentet për gjendjen e Kosovës.

2. Sado të bindur që jeni për vlerën e bashkimit me Shqipërinë, po e çoni veten drejt një turpërimi eventual politik:

Washingtoni është qytet që i adhuron dallimet dhe debatet. Fakti që ka pothuajse unanimitet të plotë për këmbënguljen tuaj të fortë për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë është befasues. Kjo sugjeron se shumë njerëz që kujdesen për Kosovën në Washington mendojnë se kjo është ide e marrë. Përsëri, fjala e lirë ju lejon që ta avanconi këtë pozicion. Por një gjë e tillë do ta bënte tejet të vështirë që të paraqiteni si subjekti përgjegjës me të cilin SHBA dëshiron të bashkëpunojë.

Dhe kjo çështje, përfundimisht, do të bëhet e qartë për votuesit shqiptarë të Kosovës të cilët do ta shohin mendimin mospërfillës të “bashkimit me Shqipërinë” si gjithnjë e më pak tërheqës kur të kenë kuptuar se kjo do të mund të nënkuptonte dëmtim të madh të marrëdhënieve më të rëndësishme që Kosova i ka: ato me SHBA-në. Edhe nëse ju do t’i fitoni zgjedhjet, ju do të humbni kredibilitet kur propozimi juaj i bashkimit nuk shkon askund.

3. Ndalni më ankesat për “pavarësi të kufizuar” të Kosovës:

Ju pretendoni se Kosova nuk po lejohet që ta realizojë pavarësinë e saj të plotë sepse nuk po lejohet ta ndjekë bashkimin me Shqipërinë (të cilin shumica e shqiptarëve edhe në Kosovë edhe Shqipëri e dëshirojnë.) Në fakt, e vërteta është se as Kosova as ndonjë shtet tjetër nuk mund të bëjë çfarëdo që shumica e qytetarëve të saj mund të dëshirojnë. Ka kufizime formale dhe joformale që veprojnë në të gjitha shtetet, duke përfshirë madje edhe SHBA-në. Në këtë rast, nuk keni bazë për t’u ankuar. Kosova ka arritur pavarësinë e saj gati krejtësisht falë SHBA-së, që udhëhoqi NATO-n në fushatën ajrore që i dha fund kontrollit serb mbi Kosovën; dhe Washingtoni e ka avancuar pavarësinë me aleatët kryesorë europianë përballë kundërshtimit rus dhe serb. Për më tepër, deri më sot, e tërë siguria e Kosovës ekziston falë trupave të NATO-s. E tërë kjo krijon një bazë mjaft të kuptueshme për Washingtonin dhe të tjerët që të kufizojnë ambiciet nacionaliste të Kosovës. Ju duhet ta pranoni këtë thjesht si fakt i jetës.

4. SHB i kushton kujdes – të madh – gjendjes së komunitetit serb në Kosovë. Edhe ju duhet të veproni njëlloj:

SHBA-ja është përfshirë në ish-Jugosllavi me ngurrim, meqë Washingtoni ka interesa të kufizuara në këtë rajon. Interesi kryesor i tij është stabiliteti. Kërcënimi kryesor për stabilitetin vije nga tensionet që të kanë të bëjnë me pozitën e pakicave. Qasja kryesore në trajtimin e këtyre tensioneve është zhvillimi i institucioneve demokratike, duke përfshirë policinë, sundimin e ligjit dhe përmirësimin e zhvillimit ekonomik – të gjitha prej të cilave mëtojnë të rrisin respektimin e të drejtave të njeriut dhe përmirësojnë marrëdhëniet përbrenda dhe ndërmjet shteteve. Shtytësi kryesor për zhvillimin e këtyre institucioneve dhe reformave është perspektiva e anëtarësimit në BE dhe NATO.

Thënë shkurt, ne besojmë se “integrimi social” fillon me “zhvillimin institucional”. Ne besojmë se, në fakt, dëshmitë nga e tërë bota e mbështesin këtë renditje. Së pari, mbroni të drejtat e mishëruara në ligje me institucione të fuqishme, pastaj shikoni teksa integrimi social realizohet gradualisht. Është naive të mendohet se me një shekull derdhjeje gjaku ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë (duke përfshirë shembuj ku të dyja palët kanë bërë krime të neveritshme të dhunës ndaj tjetrës dhe vite të mosbesimit gjatë dy dekadave të fundit), do të mund të bëhej ndryshe.

Mes tjerash, e tërë kjo do të thotë se ne i kushtojmë shumë vëmendje asaj se si trajtohen serbët në Kosovë (dhe si serbët në veri i trajtojnë shqiptarët), dhe si maqedonasit i trajtojnë shqiptarët (dhe si shqiptarët i trajtojnë maqedonasit në Tetovë) dhe si serbët i trajtojnë boshnjakët në Republikën Serbe, e të tjera, e të gjitha. Ne na intereson nëse serbët në Kosovë mund të kthehen në shtëpitë e tyre, apo nëse shqiptarët si Shpendi mund ta bëjnë atë. Nëse organizatat tona të të drejtave të njeriut janë duke e bërë punën e tyre, ata jo vetëm që do të monitorojnë gjendjen e serbëve në Kosovë, por madje do të bëjnë diçka për të avancuar respektimin e të drejtave të tyre.

Është vërtet mirë që dëgjojmë se partia juaj e ka dënuar përdhosjen e varrezave serbe ortodokse. Ky është veprimi i drejtë dhe veprimi që duhet bërë nëse dëshironi të vazhdoni të bashkëpunoni me SHBA-të dhe BE-në. Vazhdoni me këtë. Mos u ankoni për dominimin e kësaj çështjeje skenën publike.

5. Ndalni goditjet në Marrëveshjen e 19 prillit; filloni të kërkoni për mënyra për të siguruar se ajo zbatohet si duhet: 

Mund të mos iu pëlqejë ‘Marrëveshja e parimeve’ e 19 prillit e nënshkruar ndërmjet Kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Është e drejta juaj. Mund të vazhdoni të ankoheni për marrëveshjen nëse dëshironi. Mund të ngulni këmbë se Serbia në asnjë formë nuk e ka pranuar Kosovën. Mund të vazhdoni të kërkoni bashkim me Shqipërinë.

Por nëse vazhdoni t’i bëni të gjitha këto gjëra, po i ndihmoni ata që thonë se Kosova nuk duhet të njihet. Dhe duke e bërë këtë, nuk do t’i çoni përpara synimet që i keni për zhvillimin e Kosovës. Në të kundërtën, do të ndihmoni në margjinalizimin e Kosovës.

Në vend të kësaj duhet ta ndryshoni qasjen tuaj. Nuk duhet që t’u pëlqejë marrëveshja e 19 prillit ose ta mbështetni atë publikisht, por fokusi juaj duhet të vihet në zbatimin e saj ashtu që të mbrohen interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Marrëveshja është komplekse dhe ka hapësirë për gabime. Mund të bëni një kontribut të madh duke shtruar propozime konstruktive – të cilat marrin parasysh edhe shqetësimet legjitime të serbëve të Kosovës.

Ju falemnderit që i morët parasysh këto çështje! Ju dëshiroj, juve dhe bashkëqytetarëve tuaj, shumë fat.

(Botuar në peacefare.net).