Shyqri Nimani. Foto: Atdhe Mulla

Përtej Kaligrafisë: Mbi Shumë Talentet e Shyqri Nimanit

Për dhjetë vite me radhë Shyqri Nimani ka treguar për kaligrafinë e dokumentit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për çdo vit, kur afrohet data e përvjetorit të pavarësisë, ai pushtohet nga tufa gazetarësh që e shashtisin me kërkesa për intervista. Dhe këtë vit posaçërisht, për dhjetëvjetorin e pavarësisë, ata duket të jenë edhe më këmbëngulës. Sidoqoftë, Nimani tha se i ka refuzuar shumicën prej tyre.

“S’ka ma çka me u thanë për atë punë,” tha Nimani, i cili nuk ngurroi të tregojë se është lodhur e mërzitur nga tregimi i historisë së njëjtë për gjithë ato vite.

Ai tanimë e ka treguar pafund herë të njëjtën storie. Se si në prag të pavarësisë së Kosovës, kishte një sens gjysmë fshehtësie dhe ngutje të pashmangshme. Se si vetëm sikur të kishte më shumë kohë, ai do dëshironte t’i dekoronte margjinat e dokumentit me forma të arta florale. Se si dokumenti i printuar që ia kishin dhënë për ta kopjuar tekstin, kishte gabime drejtshkrimore dhe se si atij iu desh t’i përmirësonte aty për aty. Se si sapo që i kishte shpalosur mjetet dhe kishte filluar punën në njërën nga zyrat në ndërtesën e qeverisë, atë e zhvendosën në një dhomë tjetër, më të madhe, për ta “rehatuar”.

Nimani i ka stër-treguar ngjarjet se sa herë kryeministri apo zyrtarët tjerë kishin hyrë në dhomë për ta kontrolluar progresin e shkrimit të dokumentit që do ta binte në jetë shtetin më të ri në Evropë. Dhe gjithashtu e ri-treguar shumë herë se si ishte të punosh për gjashtëmbëdhjetë orë rresht deri në përfundim të punës, duke refuzuar ushqimin dhe pijet që i ofroheshin.

“Krejt këto mund të lexoni në librin tim”, tha Nimani.

Dhe kështu, në vend se të flisnim për kaligrafi, ne biseduam për jetën e Nimanit.

Jetë udhëtimesh

Titulli i librit artistiko-autobiografik të Nimanit — “Nëpër Gjemba Drejt Yjeve” nga latinishtja “Ad Astra Per Aspera” — jo vetëm që e kapë esencën e udhëtimit të tij jetësor si individ dhe artist, por gjithashtu e pasqyron atë të Kosovës.

Në fëmijëri, Nimani ka lëvizur shumë me familjen e tij. Edhepse ata fillimisht ishin nga Gjakova, ai kishte lindur në Shkodër. Kjo ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur nuk kishte kufij në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë fëmijërisë së tij ai lëvizi nëpër vende si Kukësi, Prizreni, Prishtina, dhe Peja, gjersa kur shkoi për studime në Beograd.

Në njëfarë mënyre, zhvendosjet dhe bredhjet e fëmijërisë së tij mund të kishin qenë lajmëtarë të jetës së tij prej udhëtari. Siç thotë ai, krejt këto janë në libër.

Babai i vdiq kur ai ishte vetëm pesë vjeç. Pas kësaj ai ndejti me familjen e babait në Kosovë (asokohe pjesë e Jugosllavisë) ndërsa nëna e tij u ri-martua në Shqipëri. Por shpejt pas kësaj, kufijtë mes dy shteteve u mbyllën dhe ata nuk u panë për 24 vitet e ardhshme. Ky episod pasqyron traumën e gjerë të përjetuar nga shumë familje duke qenë të ndara dy anëve të kufirit, disa madje pa u parë me njeri tjetrin për 50 vitet e ardhshme.

“Deshti fati që unë prej vogjlisë të udhëtoj”, tha Nimani, “Dhe unë nuk kisha një stacion të përhershëm, deri kur kam ardhë në Prishtinë, në fillim të viteve të 70-ta.”

Por edhe pas 30 vjet zhvendosjesh, kjo nuk ishte fundi i udhëtimeve të tij, por veçse një fillim i ri. Nimani tani kishte një “bazë“ nga ku të lansojë ekspeditat e tija artistike, që shtriheshin nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Meksika, Anglia, Franca, Italia e shumë shtete tjera Evropiane, e deri tek Japonia dhe vendet tjera në Azi.

“Unë, duke qenë njeri shumë kureshtar”, tha Nimani “(gjithmonë) më ka interesu gjërat me i pa me sytë e mi.”

Ai tregon për udhëtime të panumërta për të marrë pjesë në ekspozita, takime, kongrese, dhe simpoziume. Në çdonjërin prej udhëtimeve ai mblidhte materiale dhe përvoja të cilat më vonë do t’i përfshinte në punimet dhe studimet e tij.
Tregimet për udhëtimet e Nimanit janë gjithnjë e më të rëndësishme për rininë e Kosovës së ditëve të sotme, të cilëve u mohohet ky luks. Edhe sikur të donin të udhëtoni nëpër gjemba dhe vështirësi që një ditë të mund të arrinin yjet, ata nuk e bëjnë dot një gjë të tillë për shkak të kufizimeve të shumta me të cilat ballafaqohen personat me pasaportë të Kosovës.

Por Nimani jetonte në tjetër kohë. Një nga udhëtimet e shquara ishte vizita e tij dy vjeçare në Japoni me bursë nga qeveria Japoneze gjatë 1976-78. Mësoi japonisht, udhëtoi përbrenda Japonisë dhe gjithashtu vizitoi vende jashtë saj, si Singapori, Hong Kongu, Kuala Lumpur-i, Pekini, e Tai Pei. Filloi të shkruajë poezi haiku, mbajti një ditarë pikturalë të përvojave të tij, dhe prodhoi një koleksion veprash të titulluara “Japonia e bukur dhe unë“ që i dha fryt ekspozitës së tij në Japoni.

Foto kortezi nga Shyqri Nimani

Veprat ishin të pikturuara me teknika të frymëzuara nga stili tradicional Japonez ukiyo-e. Ato paraqisnin tematika duke u nisur prej transliterimeve piktoriale të poezive haiku, e deri tek ato autobiografike ku autori paraqitej i veshur me kimono me prapavijë me shkronja kaxhi dhe diellit në lindje, ndërsa një vello mbi fytyrë të tij, me imazhe të flamurit jugosllav sikur në shpërbërje e sipër, me yjet e saja në rrëmujë.

Por një nga veprat e tij që rezonon më shumë me Kosovën e sotme — e cila në javët pak para përvjetorit të dhjetë të pavarësisë e gjeti Prishtinën si qytetin më të ndotur në botë — është seria e posterave ambientalistë që shfaqin oxhaqe fabrikash me tym që shndërrohet në kuçedrën tradicionale japoneze. Në njërin prej tyre — të titulluar “Quo vadis, Japan?” (Ku po shkon, Japoni?) — mali i famshëm Fuji mezi shihet nga përbindëshat e tymit.

Njeriu i dymbëdhjetë talenteve

Përderisa kaligrafia e deklaratës së pavarësisë për çdo artist është kurora e arritjeve jetësore, mbase ajo gjithashtu do të duhej të shihej si progresion natyror i veprimtarisë artistike të Nimanit.

Nimani konsiderohet si një nga nismëtarët e dizajnit grafik, si në ish-Jugosllavi ashtu edhe në Kosovë. Në 1967 ai diplomoi në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, ku ai gjithashtu mbaroi edhe magjistraturën në dizajn në vitin 1969.

“Unë jam dizajneri i parë që ka magjistru”, tha Nimani. “Prej meje ka fillu (programi i magjistraturave). Vetëm një student është pranu dhe unë (kam qenë ai).”

Më vonë ai u bë drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës gjatë to viteve ‘80, dhe pastaj dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës gjatë fillimit të viteve ‘90.

Por shumë kohë përpara krejt kësaj, madje edhe gjatë studimeve të tija, interesimi i tij veçse ishte i përfshirë në gjëra të ndryshme. Ai është njeri i shumë talenteve, nga dizajni grafik, piktura, historia e artit, poezia, letërsia, kritika e artit, përkthimi, e gjerë në muzikë.

Në fakt, Nimani kishte pas qenë në mëdyshje nëse të vazhdonte muzikën apo artin në universitet. Edhe pas vendimit për të studiuar artet aplikative, ai vazhdoi pasionin e tij për muzikë përgjatë viteve të tija studentore.

Pllaka e tij muzikore single, “Adriatiku”, ishte një prej incizimeve të para në pllakë në shqip prodhuar në Radio Televizionin e Beogradit. Në Kroaci kënga me titull të njëjtë hyri në listën e këngëve më të popullarizuara në Jugosllavi, dhe në vitin 1963 Nimani fitoi çmimin e publikut në edicionin e parë të festivalit “Akordet e Kosovës” me këngën e tij “Studenti”.

Pas kthimit të Nimanit nga Japonia, ai nxori këngën “Kupa e ndarjes”. Teksti i saj melankolik në shqip dhe melodia ishin frymëzuar dhe ndikuar nga muzika japoneze e kohës.

“(Por) unë që moti e kam lanë muzikën”, tha Nimani, “ka nja njëzet vjet.” Kupa e ndarjes ishte kënga e tij e fundit — një titull si gota e fundit pas mbylljes së mejhanes.

“(Me moshë) kanë fillu me u reduktu krejt,” tha Nimani. “Prej dymbëdhjetë fushave, tash po më mbeten dy: dizajni dhe librat e historisë së artit. Se jam i vetëdijshëm, s’mundem ma me u marrë me (krejt) ‘to.”

Libri si vepër arti

Në kohën kur vetë koncepti i asaj se ç’do të thotë libër po sfidohet nga teknologjia, mënyra gjithë-ndryshuese se si e konsumojmë informacionin, dhe konkurrenca prej industrisë së argëtimit, Nimani qëndron si një nga nismëtarët e dizajnit të librave në Kosovë.

Foto kortezi nga Shyqri Nimani

Edhepse në universitet Nimani e kreu magjistraturën me tezën “Poezia në pikturën e librit”, pas diplomimit ai gjeti punë në Teatrin Kombëtar në Beograd ku dizajnoi posterë për opera, balet, dhe teatër. Një ditë, ndërsa përgatiste posterët e teatrit, ai gjithashtu u mor me projektin e tij anësorë — përgatitjen e kopërtinave për disa libra të shkrimtarëve shqiptarë në Prishtinë. Një zotëri që kaloi andej i pa ato, i pëlqyen, dhe të nesërmen e ftoi për intervistë pune. Ishte një nga redaktorët e shtëpisë botuese “Rad” në Beograd.

Projekti me të cilin Nimani do të merrej në punën e tij të re — punë për të cilën ishte punësuar posaçërisht — ishte të ilustronte dhe të dizajnonte kompletin e plotë të librave të poezisë me veprën e poetit të famshëm rus Jesenin. Nimani përdori ngjyra akrilike, që asokohe sapo kishin dalë në treg, për të pikturuar rreth 150 imazhe që do t’i shoqëronin poezitë.

Por marrëdhënia e Nimanit me letërsinë nuk ishte vetëm pamore. Ai gjithashtu përktheu tregime dhe poezi nga autorët si Borhes, O. Henri, Llorka, Tagore, Maja Anxhelou.

Ai gjithashtu shkroi poezi, tregime, udhëpërshkrime dhe kritikë arti.
“Sa here kam dalë në udhëtime zyrtare,” tha Nimani, “në kongrese e konferenca të ndryshme, gjithmonë kam pritë që ka me pasë diçka për shqiptarët. Dhe gjithmonë kam shku dhe i kam nxjerrë dokumentet, kam fotografu, kam mbledhë (materiale). Kështuqë për këto 40-50 vite … e kam kriju një (lloj) arkivi.”

Madje edhe në një bibliotekë në Japoni — kjo ishte natyrisht para internetit, kur kërkimet e literaturës bëheshin fizikisht — ai gjeti një kopje të revistës “The Courier”, të botuar nga UNESCO, e cila e kishte të tërë numrin të kushtuar Onufrit, piktorit nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë. Kjo i hyri në punë më vonë Nimanit për të shkruar librin e tij mbi Onufrin.

Përpos librit të tij artistik e autobiografik, disa nga projektet më të fundit të Nimanit përfshijnë “Arnaud”, libër mbi artistët shqiptarë në Perandorinë Osmane, dhe monografinë për Mehmed Ali Pashën, udhëheqësin shqiptar të Egjiptit. Aktualisht Nimani është duke punuar në një libër të ri që planifikon ta titullojԹ “Albanese”, i cili do të jetë për kontributin e artistëve shqiptarë gjatë periudhës së Renesansës në Itali dhe vendet tjera europiane.

Ad Astra

Dokumenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk është gjëja e vetme që mban stilin e Nimanit. Gjurmët e tij artistike janë gjithandej Republikës së Kosovës, nga logot e institucioneve qeveritare si Policia, e deri te bizneset, korporatat dhe institucionet tjera, si Grand Hotel Prishtina, Teatri Kombëtar, dhe Galeria Kombëtare e Arteve. Dizajnet e tij janë në pulla postare, medalje të çmimeve presidenciale dhe posterëve ikonike të teatrit dhe filmit.

Nimani është shpresëplotë për Kosovën 10 vjeçare. Sipas tij, për të parë se sa shumë ka përparuar Kosova, veç duhet të kujtojmë se si ka pas qenë përpara.

Foto: Atdhe Mulla

“(Sot) shkojnë për shembull në Facebook”, tha Nimani, “dhe secili shkruan dhe e nënçmon Kosovën. Dhe i dëgjon (tek thonë): ‘ja si u katandis Kosova’. Por, ne ma mirë se tash (kurrë s’kemi qenë). A e di sa zhvillimin e ka (pa) Kosova?”

Kur Nimani ishte pas kthyer në Prishinë, Kosova kishte rreth 600 mijë banorë. Tani ka afër dy milionë. Në fillim të viteve ‘70, Universiteti i Prishtinës sapo ishte hapur, dhe Nimani ishte pjesë e gjeneratës së parë të ligjëruesve që punuan aty.

“Universiteti e ka shpëtu Kosovën”, tha Nimai.

Njëlloj se si një ngjarje e vetme nuk e përcakton dot personin, e njëjta mund të thuhet për shtetin: Kosova nuk u shfaq befasishëm para dhjetë vitesh. U desh kohë, përpjekje, dhe sakrificë që Kosova të evoluonte në një formë ku pavarësia do të mund të shpallej.

Për Nimanin si kaligraf që bukurshkroi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, padyshim që kjo ishte një moment historik, por jeta e tij — njëlloj si dhe historia e Kosovës — është më shumë se shuma e pjesëve të saja.