Përshkallëzohen marrëdhëniet ShBA-Turqi

Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë janë përkeqësuar me vendimin e kësaj të fundit për blerjen e një sistemit të ri raketor.

Turqia ka filluar pranimin e një sistemi të sofistikuar raketor të ri të mbrojtjes ajrore, të quajtur S-400, nga Rusia, sistem ky të cilin Uashingtoni e konsideron si një kërcënim për sigurinë.

Vendimi i Turqisë për të blerë këtë sistem anti-raketor nga Rusia potencialisht e ekspozon Ankaranë ndaj sanksioneve të ShBA dhe teston pozicionin e saj në NATO.

Për shkak të cenimit të sigurisë së saj dhe pasi që hapësira ajrore është ekspozuar në vazhdimësi nga kërcënimet e jashtme, e sidomos nga lufta në Siri, dhe pasi nuk mori mbështetjen nga ana e aleatëve të saj në NATO, Turqia, shtet anëtar i NATO-s, e pa të nevojshme të ketë një sistem të vetin mbrojtës raketor.

Fillimisht, në vitin 2013, ajo iu drejtua ShBA-ve me kërkesën e saj për t’i blerë sistemin raketor mbrojtës “Patriot” mirëpo pas një pritjeje 17 muajshe dhe përgjigjes negative nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend ky aleat në NATO.

Ky refuzim dhe çmimi i lartë i sistemit mbrojtës anti-raketor nga ShBA kishte bërë që Ankaraja të fillojë interesimin e saj për blerjen e sistemeve nga shtete të tjera.

Pasi mësoi për interesimin e Turqisë, Rusia ofroi ofertën e saj për Turqinë dhe kjo ofertë përmbushi pritjet e Turqisë sa i përket sistemit anti-raketor mbrojtës dhe bëri që Ankaraja zyrtare ti qaset pozitivisht procesit për blerje të këtij sistemi nga Moska.

Pak kohë më vonë, Turqia u pajtua me kërkesën nga Rusia dhe vendosi ta blejë sistemin e mbrojtës anti-raketor rus, S-400.

Me blerjen e këtij sistemi, Turqia synon ruajtjen e sigurisë kombëtare nga kërcënimet e mundshme ndaj hapësirës së saj ajrore.

Sistemi S-400, i cili aktualisht cilësohet si një nga sistemet më të mira të mbrojtjes ajrore në botë, është projektuar për të shkatërruar avionë luftarakë, avionë kontrollues me radarë, avionë zbulimi, avionë strategjikë dhe taktikë, raketa balistike taktike, raketa balistike operative-taktike, raketa balistike me rreze të mesme, objektiva hipersonikë dhe avionë të tjerë të avancuar.

S-400 mund të arrijë distancë deri në 400 kilometra dhe të godasë 80 objektiva njëkohësisht.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në shtator të vitit 2017 në mes të Rusisë dhe Turqisë, Turqia do të blejë dy njësi S-400 me një total prej katër baterive nga Rusia në vlerë prej 2,5 miliardë dollarëve.

Dy vjet më pas, në shkurt të vitit 2019, mes kritikave të shumta dhe presionit nga SHBA në lidhje me marrëveshjen për blerjen e sistemit mbrojtës anti-raketor S-400 nga Rusia, Erdogan kishte deklaruar se Turqia “ka arritur një marrëveshje me Rusinë për sistemin S-400 dhe ne nuk do të tërhiqemi (nga marrëveshja)”.

Ndërkohë, pak ditë më parë Turqia ka filluar pranimin e sistemit S-400 nga Rusia. Transferimi i pjesëve të para të sistemeve të mbrojtjes ajrore ruse S-400 në Turqi ka filluar, pasi qeveria turke njoftoi zyrtarisht dërgesën më 12 korrik.

Administrata amerikane, nuk e ka pritur ngrohtë blerjen e S-400, dhe ka propozuar që Turqisë si alternativë ndaj sistemit rus t’i shesë sistemet e saj Patriot me gjithë faktin se në vitin 2013 vetë SHBA kishte refuzuar t’ia shesë Turqisë sistemin mbrojtës antiraketor Patriot.

Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar se mund të zbatohen sanksione të ndryshme ndaj Turqisë nëse ajo blen sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, pasi që këto raketa kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes të NATO-s, veçanërisht avionin më të fundit luftarak të Shteteve të Bashkuara, F-35.

Ata i kanë kërkuar Ankarasë që të anulojë marrëveshjen me Rusinë duke thënë se sistemet ruse nuk janë në përputhshmëri me sistemet e NATO-s dhe janë konsideruar rrezik për aeroplanët amerikanë të llojit, F-35.

Uashingtoni po ashtu ka thënë se do të ndalojë dërgimin e këtij lloji të aeroplanëve në Ankara, pas vendimit të Turqisë për të vazhduar me blerjen e sistemeve ajrore ruse.

Madje, ushtruesi i detyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, në letrën  drejtuar ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, shprehej për sanksione duke kërcënuar një vend si Turqia, aleate e Amerikës në NATO. Sipas ministrit turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, gjuha e përdorur në letrën e dërguar nga Uashingtoni në Ankara lidhur me largimin e Turqisë nga programi i fluturimit F-35, nuk i përshtatet aspak frymës së aleancës dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona.

Marrëdhëniet e shkëlqyeshme të mëhershme ndërmjet ish Presidentit Obama dhe atij turk,  Erdogan, ishin tendosur pasi ShBA kishte marrë një vendim për të armatosur dhe trajnuar luftëtarët kurdë sirianë në betejën kundër Shtetit Islamik, por të cilët Turqia i sheh si terroristë. E njëjta çështje vazhdon të jetë tendosëse edhe për marrëdhëniet aktuale ndërmjet Trump dhe Erdogan.

Marrëdhëniet ShBA-Turqi gjithashtu ishin ftohur edhe pas një kërkese të Turqisë për të ekstraduar në Turqi klerikun Fetulah Gulen, të cilin Presidenti turk Erdogan e akuzon për nxitjen e një grushtshteti të dështuar në vitin 2016. Deri më tani, ShBA nuk e ka ekstraduar korrikun turk për në Turqi.

Sikur kjo të mos mjaftonte, verën e kaluar Uashingtoni imponoi sanksione ndaj Turqisë kur Ankaraja dështoi të lirojë një pastor amerikan, Andrew Brunson, i cili ishte mbajtur në paraburgim si pjesë e grushtshtetit kundër Erdogan. Pas shumë presioneve, Turqia e liroi pastorin dhe Shtetet e Bashkuara i hoqën sanksionet pjesërisht ndaj Turqisë mirëpo kjo çështje la disa shenja të përkeqësimit në marrëdhëniet e tyre edhe aktualisht.

Ngjarjet në javët e ardhshme mund të përcaktojnë të ardhmen e marrëdhënieve ShBA-Turqi dhe të ngrenë pyetje rreth rolit të gjatë të Turqisë në NATO, ndërsa Rusia përpiqet të forcojë ndikimin e vet në një orvatje për të dobësuar NATO-n.

SHBA-ja i ka dhënë afat Turqisë që deri më 31 korrik të tërhiqet nga blerja e këtij sistemi ose në të kundërtën nuk do të ketë më kontratë me Uashingtonin për prodhimin e avionëve F-35.

Në të njëjtën kohë, ShBA ka nisur procedurat e heqjes së Turqisë nga programi për prodhimin e avionëve F-35 dhe po ashtu ua ka ndaluar trajnimin pilotëve turq në ShBA.