Presidenti Hashim Thaçi cakton Ramush Haradinajn mandatar për formimin e Qeverisë - Foto: Facebook

Përplasjet e përqafimet e Thaçit dhe Haradinajt më 2018

Duke vepruar përkrah njëri- tjetrit para luftës dhe përballë pas viteve të 90-ta, Hashim Thaçi e Haradinaj shpesh ‘ia prenë rrugën’ njëri-tjetrit në qëndrime politike, megjithëse iu desh të shtrëngojnë duart vazhdimisht.

Para më shumë se 20 vite, filluan të bëhen të njohur për kosovarët përmes uniformës ushtarake, ndërsa tash 19 vite njihen përmes kravatës.

Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, dy ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me pozita të larta në ushtri, janë ndër figurat kryesore të politikbërjes kosovare 20 vjet pasluftës ndërsa  sot mbajnë postet njëri si President, e tjetri si Kryeministër.

2018 kishte nisur zakonshëm për dyshen Thaçi- Haradinaj. Po i respektonin në maksimum pozicionin politik të njëri-tjetrit.

Madje në sytë e shumë kujt këta dy u panë si dyshja që kishte bashkërenduar idenë e shfuqizimit të Gjykatës Speciale në fund të vitit të kaluar. Kjo ide, e përkrahur në parim nga të dy, nuk arriti të jetësohet. Kjo për shkak se mori kundërshtim të fuqishëm nga ndërkombëtarët, si dhe llogaritjet e tyre nuk ia siguronin 2/3 e votave të nevojshme për të shfuqizuar këtë ligj.

Raportet e mira të bashkëluftëtarëve u panë edhe kur për herë të parë, një President shkoi në qeveri për të raportuar para kabinetit të ministrave mbi takimet e Brukselit. Asnjëherë në historinë e skenës politike kosovare, një President nuk kishte shkuar për të raportuar në Qeveri.

Presidentët, zakonisht në fund të vitit iu drejtohen deputetëve me një fjalim nga foltorja e Kuvendit.

Haradinaj, i’a mundësoi Thaçit që të rikthehet në ulësen e Kryeministrit pas 4 vjetëve.

Raportet e tyre ndryshuan pak pas raportimit të Thaçit në Qeveri.

Marrëveshja me Serbinë, shtetin të cilin 20 vjet më parë dytë e luftuan, u bë mollë sherri për ta, duke i kthyer raportet e tyre në origjinë, aspak të mira.

Idetë e tyre për mënyrën e negociatave me Serbinë si dhe ideja e korrigjimit të kufijve, i kishte përplasur disa herë.

Haradinaj deklaronte se korrigjimi i kufijve do të shkaktojë “veshjen e serishme të çizmeve”, e që nënkuptonte luftëra të reja në Ballkan. Madje, ai e kishte përsëritur disa herë këtë deklaratë.

E për “djalin e Burojes”, qysh preferonte ta quante në të kaluarën Haradinaj- Thaçin, këto deklarata e bënin Kryeministrin joserioz e të papërgjegjshëm. Sipas tij, koha e luftërave ka përfunduar.

Kjo dyshe që çuditërisht ishte shumë e afërt për një kohë, tani më nuk komunikojnë pothuajse fare.

Ndryshe e nisën vitin 2018 dhe ndryshe e përfunduan

Ish kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës për gati 17 vjet, thuhet se ka qenë iniciuesi kryesor i koalicionit të madh ndërmjet PDK-së, AAK-së dhe Nismës dhe faktori kyç që e ka bindur Kadri Veselin për t’ia dhënë mandatin e Kryeministrit Ramush Haradinajt.

Dora e Thaçit mbi zyrtarët e PDK-së ende është e lëvizshme, ani pse ai pretendon se si president i sheh të gjitha partitë politike të barabarta.

Kjo u pa edhe para disa netësh kur darkoi me ish- shokët e partisë në një nga restorantet e Kosovës.

Duke e parë fuqinë e tij mbi disa deputetë të PDK-së, Thaçi nuk kishte hezituar që ta kërcënojë publikisht Haradinajn se mund ta rrëzohet nga detyra nëse nuk i korrigjon deklaratat.

“Kjo tregon se ose është në humor të mirë ose ndihet komod në karrigen e vet. Një kryeministër serioz nuk flet çdo ditë për luftëra dhe tragjedi”, kishte deklaruar Thaçi në tetor të këtij viti.

E Haradinaj, nuk e shihte serioze deklaratën e Thacit. Sipas tij, ai që dëshiron ta rrëzojë qeverinë, e bënë e nuk flet.

Ndërsa idenë e korrigjimit të kufirit e kishte vlerësuar si të vdekur dhe që s’ka mundësi të ringjallet.

“Ai që ka vdekë nuk ngjallet më, veç njëherë ka ndodhë, me Krishtin”, kishte thënë me ironi Haradinaj, pak ditë pas kërcënimit të Thaçit.

Shokët e luftës ishin kapur edhe për numrin e shokëve tjerë të luftës.

Pas skandalit të dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj që po hetonte numrin e veteranëve, Haradinaj vazhdonte të deklaronte se numri i veteranëve është mbi 40 mijë. E pikërisht, këtu edhe mori një goditje tjetër nga Thaçi.

“Në listat zyrtare të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë qenë më tepër se 12 mijë deri në 15 mijë”, kishte thënë Thaçi duke shtuar se nuk duhet kërcënuar njerëzit e gjyqësorit, pasi që Haradinaj kishte quajtur hajn dhe me fjalë tjera prokurorin Blakaj.

Për Haradinajn, Hashim Thaçi i ka numëruar veteranët e “Hotel Rognerit” të Tiranës.

“Tash s’po di a i ka përfshi Presidenti edhe ata të Rognerit a vetëm ata të Kosovës”, tha Haradinaj.

Hotel “Rogner”, është një hotel ky në Shqipëri, ku thuhet se pjesëtarë e udhëheqës të UÇK-së e kishin frekuentuar shumë gjatë kohës së luftës së fundit.

Kur jemi të Shqipëria, në “konfliktin” Haradinaj – Thaçi, këtij të fundit i doli në ndihmë edhe miku i ti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive nuk hezitoi t’i cilësojë si gomar, ata që e quajnë Thaçin tradhtar.

Nga shumë kush, kjo deklaratë e Ramës u pa si një “kungj” për Haradinajn, që qëndronte në anën e majtë të Edi Ramës në atë konferencë për media.

Kjo dyshe as në të kaluarën nuk i kanë pasur raportet e mira.

Mandatin e kaluar, kur Thaçi ishte pjesë e Qeverisë dhe pastaj në Presidencë, e Haradinaj në opozitë, janë përplasur disa herë sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Në fund, Haradinaj dhe partia e tij e votuan marrëveshjen që e kishin kundërshtuar me vite, duke u pajtuar që do korrigjohen pikat diskutabile. Kanë kaluar gati 9 muaj dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap për këtë çështje.

Nuk mund të thuhet se në kohën kur këta dy janë në këto dy poste nuk janë bërë kompromise.

Megjithëse Haradinaj nuk pajtohet me qëndrimin e Thaçit në dialogun Kosovë-Serbi, nën qeverisjen e tij u formua një ekip negociator që u zotua të bashkëpunojë me Thaçin në këtë proces.

Ekipi negociator, mes kritikave dhe lëvdatave për unitet në dialog

.