‘Përplasjet’ e miqve pas ndarjes

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate po shpërfaqin në vazhdimësi mospajtimet ndërmjet tyre që nga ndarja në dysh e LVV-së.

Në seancën e jashtëzakonshme të së mërkurës në Kuvend, sikur edhe në seancat paraprake të muajve të pas-ndarjes së partisë, deputetë të këtyre subjekteve u përfshinë në polemika më të ashpra sa i përket temave për rrëzimin e qeverisë dhe kuorumin e Kuvendit.

Në mbrëmje, mospajtimet rezultuan edhe me përleshje fizike ndërmjet dy deputetëve që deri para një viti kanë qenë së bashku në frontin opozitar kundër partive në pushtet.

https://kallxo.com/perleshen-fizikisht-deputeti-i-vv-se-dhe-i-psd-se/

Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar Partinë Socialdemokrate se po i ndihmon Qeverisë të shpëtojë nga zgjedhjet, ndërsa PSD-ja ka deklaruar se LVV-ja është e etur për pushtet.

Kurse, analistët politikë në Kosovës kanë vlerësime të ndryshme sa i përket konfrontimeve mes eksponentëve të këtyre dy subjekteve politike.

Arton Demhasaj, drejtori i organizatës “Çohu”, thotë për KALLXO.com se ekzistojnë përplasje shumë të ashpra ndërmjet LVV-së dhe PSD-së.

“Përplasjet politike mes këtyre dy subjekteve politike po vërehen tashmë. Secili debat publik që organizohet ku janë pjesëtarë të këtyre dy subjekteve ekziston një përplasje shumë e ashpër mes tyre. Njëkohësisht është shfaqur edhe në Kuvend të Kosovës se përplasja ekziston. Kjo ndoshta vjen për shkak të inateve të ndërsjella që e trajtojnë njëra-tjetrën për shkak të ndarjes së partisë Vetëvendosje”, tha Demhasaj.

Analisti vlerëson se partitë politike më shumë po merren me njëra-tjetrën sesa me subjektet e tjera që janë në pushtet apo në opozitë.

Por ndryshe mendon, politologu Ramush Tahiri. Ai ka deklaruar për KALLXO.com se përplasjet mes PSD-së dhe LVV-së janë konceptuale.

“Nuk po shoh diçka të veçantë, sepse dallimet kanë qenë edhe sa kanë qenë në Vetëvendosje dhe këto janë përplasje konceptuale që ka edhe emocione mes tyre, por megjithatë është jetë parlamentare dhe këto përplasje nuk janë diçka më të theksuara sesa mes partive të tjera”, tha Tahiri.

Sipas njohësit të zhvillimeve politike, përplasjet në Kuvend kanë të bëjnë më shumë me stilin e deputetëve për polemika.

“Kundërshtimet e tyre (LVV-PSD) nuk janë më të theksuara në  krahasim me atë që ndodhë mes Nismës dhe PDK-së, ani që janë në koalicion partneri ose mes partive të tjera. Ajo ka të bëjë pak a shumë me stilin e deputetit”, vlerëson Tahiri.

Mbrëmë është raportuar se deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi dhe ai i VV-së, Xhelal Sveçla janë përleshur fizikisht, por deri më tani asnjëri nga deputetët nuk janë deklaruar për incidentin.

Partia Socialdemokrate është kritikuar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për ndërrim të pozicionit kundrejt Qeverisë.

Ndërsa, përkundër vendimit të  LVV-së dhe LDK-së për bojkot të seancave të Kuvendit, PSD-ja ka marrë pjesë në mbledhjet e legjislativit dhe ka kundërshtuar bojkotin e partive të tjera opozitare.

Lëvizja Vetëvendosje është përçarë në muajin mars të këtij viti, kur 12 deputetë të saj krijuan grup të veçantë parlamentar dhe formuan PSD-në në krye me Shpend Ahmetin.