Grafika: Kallxo.com

‘Perlat’ e Haradinajt në vitin e parë si Kryeministër

Paga e rritur për t’i blerë vetës kravata, numri i madh i zëvendësministrave apo thëniet si ‘veç mu ka tekë’, ‘te na e qesin plehin dhëndurët’ apo ‘nuk bohet kiameti me gjujtë me armë’ janë vetëm disa nga ‘perlat’ e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të cilat e kanë karakterizuar  vitin e parë të mandatit të tij.

Secili prej kryeministrave të pasluftës mbahet mend për ndonjë vendim, deklaratë apo veprim, por Haradinaj ka një listë të gjatë për çka do të mbahet mend kur ai të mos të jetë më ulur në karrigen e të parit të ekzekutivit.

Për herë të parë, Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës më 3 dhjetor të vitit 2004, për ta mbyllur mandatin e tij më 8 mars 2005, pas një aktakuze për krime lufte të ngritur nga Gjykata e Hagës. Vite më pas ai u shpall i pafajshëm nga akuzat të cilat e rëndonin.

Me 9 shtator të vitit 2017, Haradinaj u ul në postin e kryeministrit të Kosovës për të dytën herë pas 13 vitesh. Ai u zgjodh kryeministër me 61 vota, numri më i vogël i votave që një kryeministër ka marrë në Kuvendin e Kosovës, përkundër asaj se koalicioni qeverisës përbëhej prej 22 partive.

KALLXO.com ka mbledhur disa nga deklaratat e aferat të cilat e përcollën Haradinajn në vitin e parë të qeverisjes. Lista është e gjatë:

‘Ushtria’ e gjeneralit  

Qeveria Haradinaj do të mbahet mend për numrin më të madh të zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave. Kryeministri ka pas vetes 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe mbi 70 zëvendësministra.

Numri i madh i zëvendësministrave vazhdimisht është kritikuar nga përfaqësues të shoqërisë civile me konstatimin se përveç që dëmton buxhetin e Kosovës e bën jo funksionale edhe punën e qeverisë.

Në opinion, shpesh është ngritur edhe dilema se çka mund të punojnë të gjithë këta zëvendësministra, marrë parasysh që edhe vendet me popullatë shumë më të madhe sesa Kosova nuk kanë numër kaq të madh të të punësuarve në postet nënministrore.

“Një numër kaq i madh i zëvendësministrave dhe pozitave politike, nuk është caktuar për të kryer punë të domosdoshme në qeveri, por për të përmbushur egot e partive politike për pozita të larta qeveritare”, ka thënë Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.

“Përpos ngarkesës buxhetore që i bëhet, është një lloj papërgjegjësie, mosdije se kush është përgjegjës për ngecje në një fushë të caktuar. Nuk dihet se a është përgjegjës ministri apo cilido zëvendësministër. Përgjegjësia është shpërndarë dhe nuk dihet se kush është përgjegjësi kryesor”, ka deklaruar Demhasaj.

Përveç faktit që Haradinaj ishte kritik ndaj kryeministrit Mustafa për numrin e madh të zëvendësministrave, duke e cilësuar si ‘abuzim arrogant me pushtetin’, Haradinaj kishte premtuar krejt diçka tjetër në kohën kur po garonte për kryeministër.

Gjatë kohës së fushatës, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve, në intervistën e dhënë për emisionin “Jeta në Kosovë”, Ramush Haradinaj kishte përsëritur disa herë se për çdo ministri duhet vetëm një zëvendësministër. Kishte bërë përjashtim vetëm për rastet kur nëpër ministri duhet të emërohet edhe ndonjë zëvendësministër nga radhët e komuniteteve.

“Jo, jo. Jo 2 zëvendësministra. Vetëm 1 besoj. Mund të ndodhë vetëm ku janë komunitetet, të ketë një zëvendësministër të dytë, sepse është praktikë. Vetëm 1 zëvendësministër, vetëm një duhet. Jo, me nga dy zëvendësministra s’munden me qenë ma”, ishte përgjigjur Haradinaj në intervistë [KËTU, min 1:02:50].

KALLXO.com ka publikuar edhe ‘Dosjen e zëvendësministrave’, ku janë artikujt për raportet e punës për 100 ditët e para të punës për të gjithë zëvendësministrat e qeverisë Haradinaj.

‘Veç mu ka tekë’ 

Ilustrim: Trembelat

Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn rreth 1 muaj pas ardhjes së saj në pushtet kishte marrë vendim që t’i falë borxhet për ambalazhuesit e ujit.

Vendim i Qeverisë me 3 tetor të vitit të kaluar për faljen e borxhit për ambalazhuesit e ujit kishte marrë jehonë të madhe në opinionin publik.

Kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për Emisionin “Jeta në Kosovë”, kur ishte pyetur për arsyen e faljes së këtij borxhi kishte deklaruar se këtë vendim e kishte marrë “veç pse iu ka tek”.

“Veç mu ka tekë me ja nisë prej qatyne, me bo ni shembull të mirë, janë prodhues të vendit, uji i Kosovës, punëtorët e Kosovës, për popull të Kosovës”, kishte thënë Haradinaj gjatë kësaj interviste [KËTU, min 21:10].

Mirëpo rreth 5 muaj më vonë, Qeveria e Kosovës ka ndryshuar dhe plotësuar ketë vendim, duke e anuluar faljen e borxhit. Nga vendimi ishte hequr togfjalëshi “aprovohet falja e borxheve”, duke u zëvendësuar me “aprovohen lehtësira” për ambalazhuesit e ujit.

Qeveria vendimin për plotësim/ndryshimin e vendimit për faljen e borxheve e kishte marrë në mbledhje e qeverisë të datës 28 shkurt, në ditën kur gjithë vëmendja ishte në Kuvendin e Kosovës, ku po mbahej seanca e jashtëzakonshme për kalimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

53 milionë euro për kompaninë ‘Bechtel & Enka’ 

Foto: ZKM

Në mbledhjen e 5 qershorit të këtij viti, qeveria Haradinaj mori vendim që t’i ndajë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte thënë se “për shkak të dështimit të qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkaq kishte deklaruar se po ia ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte siguruar një dokument që Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë më 20 prill të këtij viti. Dokumentin, Lekaj e ka quajtur “Memorandum shpjegues për kërkesën e kontraktorit ‘Bechtel & Enka’ për kompensim të shpenzimeve indirekte për shkak të zgjatjes së afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit”.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se në fakt aneks-kontrata është nënshkruar vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Haradinaj. Aneks kontrata që sipas këtij dokumente ishte kërkuar fillimisht nga ish ministri Zharku në shtator të 2016, është nënshkruar nga ministri aktual Pal Lekaj më 27 shtator 2017, vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj.

Pas vendimit të qeverisë, kompania ‘Bechtel & Enka’ është shprehur e gëzuar për marrëveshjen 53 milionë euro me Qeverinë e Kosovës dhe që çështja e kostove shtesë të pësuara nga kjo kompani është zgjidhur.

“Ndërsa vendimi i qeverisë nuk pasqyron kostot e plota të BEGP-së që lidhen me zgjatjen e punëve, ai është rezultat i bashkëpunimit afatgjatë me Qeverinë e Kosovës”, thuhej në njoftimin e Bechtel & Enka-s.

Pak ditë pasi ishte marrë vendimi, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar për KALLXO.com se janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për Konsorciumin “Bechtel & Enka” nga Qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim për KALLXO, Prokuroria e Shtetit kishte thënë se së bashku me Policinë janë duke mbledhur të dhëna për të parë nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale e cila mund të ndiqet sipas detyrë zyrtare.

‘Te na dhëndurët e qesin plehun’

Kryeministri Ramush Haradinaj, në emisionin “Jeta në Kosovë”, në muajin dhjetor të vitit 2017, foli edhe për dhëndrin e tij, Liridon Dervishajn, që erdhi në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Kur u pyet pse u desht që dhëndri i tij të emërohet në këtë pozitë të lartë, Haradinaj e pranoi se “hiç s’është deshtë…”

“Hiç s’është deshtë, hiç s’është deshtë, ka mujt me bo naj punë tjetër, po ka ndodhë qashtu”, tha ai.

Ndërsa thënien se “mbreti edhe dhëndrit ju ka çu n’kamë”, Haradinaj iu përgjigj “te na është ma ndryshe”.

“Haradinë jem na, ndryshe është pak. Te na e qesin plehin dhëndurët, qishtu thojnë kah na”, u përgjigj kryeministri në intervistë.

Haradinaj – gazetarëve: Shumica prej juve as nuk dini të lexoni anglisht 

Teksa vizitoi kolegun e tij partiak Pal Lekaj që kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës, kryeministri Ramush Haradinaj duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarë i quajti ata të pashkolluar.

Haradinaj reagoi kështu kur u pyet rreth shkrimeve në medie se ambasada amerikane nuk do të përkrahë version tjetër të marrëveshjes së demarkacionit.

“Kam respekt për media shumë, por shumica prej juve as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë. Ju po raportoni pa ditë se si po raportoni, besoni, shkoni më shumë në shkollë”, tha Haradinaj.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte reaguar dhe ishte shprehur i dëshpëruar me deklaratat e kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj i cili ironizoi me përgatitjen profesionale të gazetarëve kur u pyet rreth qëndrimit amerikan për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Përmes një deklarate, AGK tha se e konsideron të papranueshëm veprimin e kryeministrit ndërkohë që deklaratat e bëra nga ai paraqesin “ofendim ndaj gazetarëve në vend”.

Haradinaj: E kom shkarku unë a? S’po m’kujtohet hiç

Ramush Haradinaj në emisionin “Jeta në Kosovë” që është transmetuar në muajin dhjetor të vitit 2017, kishte deklaruar se nuk i kujtohej që e shkarkoi Bordin e KOSTT-it.

Në Emisionin “Jeta në Kosovë” ai u pyet rreth shkarkimeve të disa bordeve të kërkuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Kryeministrit nuk iu kujtua që e kishte shkarkuar Bordin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut.

“E kom shkarku unë a? S’po m’kujtohet hiç”, ka thënë ai në intervisët [KËTU, min 32:32]. 

‘Germat prej bore’ të Haradinajt për demarkacionin 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dikur ishte në krye të protestave të opozitës kundër demarkacionit dhe Asociacionit, kur erdhi në karrigen e e të parit të qebverisë ndryshoi qëndrim nga ajo që mendonte dhe thoshte dikur për arrestimin e deputetëve të ‘lotsjellësit’.

“Ose do t’i lirojmë ata ose do ta arrestojmë kryeministrin Mustafa në emër të popullit”, kishte deklaruar Haradinaj në ditët kur si opozitë bashkë me Vetëvendosjen protestonte në rrugë e sallë të Kuvendit kundër dy marrëveshjeve kontradiktore të qeverisë Mustafa.

“… nuk është anarki, është vendosje e rendit dhe ligjit në vend. Dikush po i jep vetës të drejtë që disiplinimin e opozitës me e bo edhe me polic edhe me prokuror. Çka i ka mbet tjetër këtij populli? Pos edhe ky me masa të njejta me jau kthy atynne njerëzve”, kishte deklaruar në një intervistë për KTV-në me 16 tetor 2015 (deklaratën mund ta ndiqni në videon e bashkangjitur, nga minuta 19:05).

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, brenda 24 orësh ka ndërruar qëndrim.

Të premten e 23 shkurtit të vitit 2018, në seancën e jashtëzakonshme për Demarkacionin, ai kishte folur me nervozizëm para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionint të vitit 2015.

“Marre ju koftë, marre ju koftë. Kurgjo në rregull s’keni, s’po ju vjen marre, jeni kundër raportit që munet me u gjetë e vërteta e territorit t’juj. Qiky raport o ka ju pengon, ku po ju dhem? Qëto e keni problemin, po doni me qujtë dokument orientues – Jo sa t’jam unë, jo”, ka thënë Haradinaj, duke iu drejtuar deputetëve të LDK-së.

Në kohën kur Haradinaj po u drejtohej deputetëve në sallë kishte ndërhyrje të deputetëve, të cilat nuk dëgjoheshin. Dëgjohej vetëm përgjigjja e Haradinajt.

“… Epo s’ka ligj tjetër”, vazhdoi Haradinaj fjalimin e tij. “As një germë s’i heket këtij ligji që e keni para jush. Bllokoni qytetarët, leni pa liberalizim, leni pa krejt!”, thoshte ai.

Të nesërmen dolën shumë lajme për arritjen e një akordi në mes të partive në pushtet dhe LDK-së. Në fillim nuk dihej kush ka lëshuar pe.

Por, kjo u kuptua pas paraqitjes publike në Haradinajt në një konferencë të jashtëzakonshme për media në ora 20:00.

Ai kishte ndërruar qëndrim.

“Për të votu Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, ligj i cili po ashtu përmban, pra dokument që përmban pos Marrëveshjes edhe raportin e komisionit shtetëror si ‘orientim’ dhe deklaratën e dy presidentëve”, kishte thënë Haradinaj.

Haradinaj: Kqyre ti që po bërtet aty, mshele pak, a ndëgjove?

Kryeministri Ramush Haradinaj, me 3 nëntor të vitit 2017 befasoi shumë njerëz kur zbriti shkallët e ndërtesës së qeverisë për t’i takuar familjarët e të dënuarve në Grupin e Kumanovës.

Por kur doli aty, ai u përball me disa persona të pakënaqur me punën e institucioneve me të cilët hyri në polemika.

Përderisa njëri nga protestuesit në brendi të turmës po fliste derisa Haradinaj bisedonte me protestuesit, ky i fundit iu drejtua atij: “Kqyre ti që po bërtet aty, mshele pak, a ndëgjove? Kushdo që po bërtet atje, le ta mbyll. Mos më kallxoni çka me bo”.

E kur iu bë pyetja ‘a janë këto sportet e rënda?’, kryeministri Haradinaj u përgjigj: “Qysh the?. A bon me ta pa fyrën me kqyr çfarë je për më ta kthy përgjigjen. Sa vjet i ki. 50 i kam unë, e sa vjet i ki ti? Nëse je i sporteve të rënda puna e mbarë se kërkush se ka ndal kërkon”, tha Haradinaj.

Shpenzimi i rezervave shtetërore

Rezidenca e Ibrahim Rugovës në Velani. Foto: Kallxo.com

Në dy vendime të ndara Qeveria Haradinaj ka ndarë mbi 626 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta për pushimet verore dhe rehabilitim.

Në mars të këtij viti Qeveria ndau një milion euro për humbjet e energjisë elektrike në veri të vendit për shkak të mos gatishmërisë së qytetarëve nga komuniteti serb për të paguar rrymën e shpenzuar.

Deri në marrjen e këtij vendimi humbjet e energjisë elektrike në veri, së bashku me humbjet tjera teknike e komerciale, i faturoheshin konsumatorëve të rregullt.

Por, pas raportit të Avokatit të Popullit se kjo është në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të cilët kërkuan pezullimin e kësaj praktike, Qeveria filloi të financoj humbjet përmes buxhetit të shtetit, kësisoj indirekt duke financuar sërish energjinë e humbur me paratë e taksapaguesve.

Qeveria e Kosovës, në njërën nga mbledhjet e mbajtura në muajin nëntor të vitit 2017 ndau 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të familjarëve të të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjet e 9 dhe 10 majit 2015 në Kumanovë.

“290 mijë euro janë ndarë për mbulimin e shpenzimeve të familjeve të të dënuarve dhe te vrarëve në Rastin Kumanova”, tha Haradinaj.

Ai tregoi më tutje se çdo familjeje të të dënuarve dhe të vrarëve do t’u takojnë nga 10 mijë euro.

“Për çdo familje do të ndahen nga 10 mijë euro nga nënkategoria e rezervave. Obligohet Ministria e Financave t’i bëjë këto ndarje”, kishte thënë Haradinaj.

Qeveria Haradinaj gjatë vitit të parë të mandatit të saj ka ndarë në total 60 mijë euro për shërimin e Bujar Bukoshit.

Në muajin dhjetor të vitit 2017, kabineti qeveritar kishte miratuar kërkesën e kryeministrit Haradinaj që t’i ndahen 30 mijë euro për shërim, ish-kryeministrit dhe ish-zëvendëskryeministrit, Bujar Bukoshi.

Në muajin qershor të vitit 2018, Qeveria Haradinaj ka vendosur që t’ia ndajë përsëri edhe 30 mijë euro të tjera nga rezervat shtetërore për shërimin e Bujar Bukoshit.

Qeveria e Kosovës, kishte shpenzuar gati gjysmën e rezervave shtetërore vetëm për tre muajit e parë të këtij viti. Për shpenzimin e këtyre mjeteve shqetësim kishte ngritur edhe ministri i Financave, Bedri Hamza duke thënë se “rezervat janë duke shkuar kah fundi”.

Ministri Hamza kishte deklaruar se për tre muaj ishin shpenzuar mbi 2 milionë euro nga rezervat shtetërore.

“Nëse për tre muaj janë shpenzu më shumë se 2 milionë, nuk pres që edhe këtë vit të arrijë shuma më e lartë sesa e viteve të kaluara”, tha Hamza.

Në dy raste, qeveria e Haradinajt ka ndarë nga rezervat shtetërore mbi 55 mijë euro për shpenzimet e rezidencës së ish- Presidentit Ibrahim Rugova në lagjen “Velania”.

Takimi me të ‘fortin e veriut’ 

Milan Radojçiq dhe Ramush Haradinaj në zyren e tij

Në muajin korrik të këtij vitit, kryeministri Ramush Haradinaj u takua me Milan Radojçiq, një figurë të diskutueshme dhe ndërmjetësues e pushtetit në komunat veriore të drejtuara nga serbët.

Kreu i partisë serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Srbska, Goran Rakiq ​​dhe Milan Radojçiq, i cili kohëve të fundit u zgjodh nënkryetar, u takuan me Haradinajn në zyrën e tij.

Në një deklaratë u zbuluan vetëm disa detaje, duke përmendur vetëm se “ata diskutuan gjendjen e përgjithshme në Kosovë me një theks të veçantë në aspektet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe social”.

Edhe pse Radojçiq është nënkryetar i Listës Srpska ai mori fokusin kryesor të takimit.

Analisti politik, Imer Mushkolaj po ashtu dënoi këtë akt pasi u publikua fotografia që tregonte Haradinajn së bashku me Radojçiq.

“Bossi i veriut të vendit dhe i punëve të pista, Milan Radojçiq, mirëpritet në zyrën e kryeministrit”, shkroi Mushkolaj në Facebook.

Shpikja e pozitës së Koordinatorit Nacional

Djali i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, Mendimi, dhe nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, kanë marrë pozita të larta në qeverinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, në muajin maj, u ka dhënë atyre dy poste koordinatorësh.

Mendim Rugova është emëruar Koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit ndërsa Rexhep Hoti është emëruar koordinator për Kulturë, Rini e Sport.

Haradinaj po ashtu më herët e kishte emëruar Besnik Tahirin si Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.

Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi ka reaguar pas zgjedhjes së Mendim Rugovës si Koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit dhe Rexhep Hotit si Koordinator për Kulturë, Rini e Sport.

“Pasi u tejngop administrata shtetërore me ministra, zëvendësministra, agjenci…tash Qeveria Haradinaj e ka nisë një rend të ri të pozitave të larta shtetërore: atë të KOORDINATORËVE”, kishte shkruar Demi në Facebook.

Kryeministri kotet në Kuvend 

Ramush Haradinaj i kotur në Kuvend – Foto: Atdhe Mulla

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka shfrytëzuar seancën e Kuvendit të Kosovës në muajin mars për votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, për ta bërë një sy gjumë.

Kryeministri Haradinaj është kotur për disa minuta në ulësen e tij në Kuvendin e Kosovës.

Kjo ishte hera e katërt që Demarkacioni ishte sjellë për votim, por në tri herët e kaluara marrëveshja nuk ishte nxjerrë për votim për shkak se pozita nuk i kishte 80 votat e nevojshme.

Largimi me forcë i një zonje nga foltorja në Prizren    

Ramush Haradinaj duke larguar një zonjë nga foltorja, Foto: Facebook/MimozaKusari

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka ndalur një zonje fjalimin në ceremoninë e përvjetorit të 140-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Teksa po u drejtohej të pranishmëve, zonja që tha se është pasardhëse e gjeneralit Mehmet Deralla, të cilit, sipas saj, iu besua posti i ministrit të Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit, i vetmi nga trojet që kanë mbetur jashtë Shqipërisë londineze, i është afruar kryeministri Haradinaj.

Teksa ajo po vazhdonte fjalimin, ka ndërhyrë Haradinaj duke e kapur për dore dhe e tërhequr për ta larguar.

Më pas ka shpërthyer një fjalosje mes zonjës dhe kryeministrit të Kosovës, i cili e shtynte atë për t’u larguar nga foltorja.

Më pas kanë ndërhyrë persona të tjerë dhe e kanë larguar me forcë zonjën.

Pas kësaj ngjarje në Prizren, në një konferencë për media, kryeministri Ramush Haradinaj, u pyet edhe për largimin e zonjës nga foltorja, në manifestimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Ai ka thënë se është e papranueshme që në një ngjarje protokollare të shfaqet një i paftuar në mikrofon.

“A ke zonjë, a burrë, a fëmi, a djalë i ri a çka, nuk mundet kush me i nëpërkëmbë në prezencën time organizimet e këtij shteti”, tha kryeministri.

Ai ka thënë se mund të duket e pahijshme, por se u është deshur të reagojë meqë, sipas tij, ata që e kishin për detyrë nuk e bënë.

“M’vjen keq që krejt ata që është desht me reagu, nuk kanë qenë në nivel të detyrës së vet”, tha ai.

Kryeministri që vendos kanunin para ligjit 

Ilustrim

Në një deklaratë në fund të muajit dhjetor të vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj, pranoi publikisht se ai gjuan me armë dhe se “nuk bohet kiameti me gjujtë”, mund të prodhojë konsekuenca ligjore për faktin se gjuajtja me armë mund të dënohet deri në 5 vjet burg me Kodin Penal të Kosovës.

Oda e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj ishte vendi ku kishte gjuajtur me armë ministri i Diasporës, Dardan Gashi. E videoja ishte bërë publike në media.

Si pasojë, Policia e Kosovës ka ushtruar kallëzim penal në Prokurori pas hetimeve për të shtënat me armë zjarri në ambient të mbyllur, ku përfshihet edhe ministri Gashi.

I pyetur se çfarë mendon për këtë rast, kryeministri ka thënë se “nuk është kiamet kjo punë”, ngase edhe ai gjuan në oda, duke u thirrur në Kanun. Por, gjuajtja me armë është vepër e sanksionueshme deri në 5 vjet burg me Kodin Penal të Kosovës. E krahasimi që kryeministri bën mes gjuajtjes me armë dhe tejkalimit të shpejtësisë me veturë është i gabueshëm, ngase e para është vëpër penale e dënueshme me burg, ndërsa e dyta vepër kundërvajtëse që sanksionohet me gjobë.

“Nuk e di qëllimin e asaj ndeje, por të jem i sinqertë, edhe unë qes n’oda vet. Më ka ndodhë në Dukagjin ‘kanunçe’… Ta sjell i zoti i shtëpisë armën që të gjuash, dhe gjuan”, ka deklaruar kryeministri në emisionin “Interaktiv”.

Kodi Penal në nenin 365 të tij flet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ku në pikën 1 thuhet: “Kushdo që me anë të armëve shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet”.

Kryeministri i painformuar për deportimin e ‘gulenistëve’   

FOTO: 6 Shtetasit turq te deportuar nga Kosova per ne Turqi

Në mëngjesin e 29 marsit të këtij viti, gjashtë punëtorë të institucioneve arsimore ‘Gulistan’ u arrestuan në Prishtinë e Gjakovë dhe u deportuan në mënyrë misterioze për në Turqi pasi kërkoheshin nga regjimi i Ankarasë si të dyshuar për bashkëpunim me klerikun turk në ekzil, Fetullah Gulen, i cili dyshohet për puçin e dështuar ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në korrik të vitit 2016.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me anë të profilit të tij zyrtar në ‘Facebook’, kishte thënë se nuk ka qenë i informuar në lidhje me arrestimin e gjashtë turqve në mëngjesin e 29 marsit.

Trashja e monopolit në homologim 

Qeveria Haradinaj ka vazhduar të trashë monopolin në fushën e kontrollit dhe homologimit të automjeteve. Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e Homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministri ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab, duka ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktikë mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut për këtë Homologim. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.

Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që është përgjegjës për mbrojtjen e konkurrencës, kishte konstatuar se udhëzimi Administrativ i Ministrisë së udhëhequr nga Pal Lekaj është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje të Konkurrencës.

Rritja e pagës për blerjen e kravatave  

Kravatat për kryeministrin Haradinaj, Foto: KALLXO.com

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në 100 ditët e para të qeverisjes së tij ka marrë vendim që t’ia rrisë qind për qind pagën edhe vetes.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat kabinetit qeveritar. Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.

Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro.

Vendimi për rritjen e pagave ka marrë tashmë edhe një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e cila pavarësisht pretendimeve të opozitës nuk e kishte cilësuar atë si jokushtetues.

Kryeministri Haradinaj në media e kishte arsyetuar dyfishimin e rrogës së tij me nevojën për të blerë kravata dhe për paraqitje të përshtatshme.

“1300 euro mos t’i kisha t’hyrat tjera qi i kom, ta zamë qiranë… Se une obligohna ni kravatë, unë s’muj tash gjithqysh me dalë, obligohna ni kmishë – obligohna me qenë n’nivel t’përgjegjësisë”, kishte thënë ai në RTK.

Por, menjëherë pas kësaj deklarate, shoqëria civile, me iniciativën e Kushtrim Mehmetit u organizuan që të mbledhin kravata për kryeministrin.

Dje, po ky grup në aksion simbolik i lanë në rrethojat e qeverisë rreth 300 kravata.

E nëse Kryeministri nëse do të vendoste t’i përdorte të gjitha kravatat donacion, i bie që në vitin 2018 nuk do të kishte nevojë të shpenzonte asnjë cent për blerje kravatash.

“I kemi vendosur kravatat në këto rrethoja për shkak se kryeministri ka nevojë t’i shohë ato. Ndoshta edhe nuk i pëlqejnë, ato që nuk i pëlqejnë mund të na i kthejë mbrapshtë. Ne do t’ia zëvendësojmë”, tha Mehmeti.

KALLXO.com duke u bazuar në faqen zyrtare të kryeministrit ka përgatitur një kolazh me kravatat që mbajti Haradinaj në secilën nga 90 ditët e para të punës.

Vrapimi i Haradinajt

Në janar të këtij viti, kryeministri Haradinaj filloi të vraponte drejt zyrave të Qeverisë pasi bëri një fotografi me disa nxënës para bustit të shtatores së heroit Gjergj Kastrioti –Skënderbeu.

Kjo ka shtyrë edhe përcjellësit e tij të vrapojnë pas tij.

Zëdhënësja e kabinetit kryeministrit Haradinaj, Donjeta Gashi i ka thënë KTV-së se kryeministri ka vrapuar sepse ka pasur një takim të aranzhuar, duke mos potencuar natyrën e këtij takimi.

Skandali me ish-prokurorin Elez Blakaj

Foto: Atdhe Mulla

Prokurori special i dorëhequr, Elez Blakaj, u largua nga pozita e tij duke shkruar një letër të gjatë publike ku tregonte se ishte nën presion të gjithanshëm.

“Si mesazh, kjo vlen për kolegët, se me asnjë çmim nuk guxojmë t’i shesim parimet dhe dinjitetin tonë, para ngritjes në karrierë, apo për hater të shefave tonë, pagave që nuk i meritojmë, kërcënimeve të ndryshme, favoreve tjera me motive të ulta, etj., sepse me qasjen tonë prej servili jemi duke kontribuar në shkatërrimin e shtetit tonë dhe shpresës për të ndërtuar një shtet ligjor, përpjekje dhe sakrificë e shumë gjeneratave, me përkrahje edhe të miqve tonë (mos na lasht Zoti pa ta!), të cilët jemi duke i humbur çdo ditë e më shumë”, kishte shkruar ai në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media tregoi që ia kishte ofruar të gjithë zyrën e tij ish-prokurorit Elez Blakaj për nevoja të hetimit për listat e veteranëve.

Madje këtë Haradinaj e kishte bërë edhe përmes një letre zyrtare të nënshkruar nga vet ai, ku i ofronte pa asnjë pengesë qasje në të gjithë arkivin e zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Këtë letër, Haradinaj ia kishte dërguar në atë kohë prokurorit Elez Blakaj më 26 shtator të viti 2017, vetëm pak javë pasi që Haradinaj ishte ardhur në krye të Qeverisë.

Haradinaj i kishte kufizuar afatin e hetimeve Blakajt. Hetimet ishin planifikuar të zgjasin 30 ditë, ndërsa pas përfundimit, kryeministri kishte kërkuar që prokurori t’ia dorëzojë atij raportin e hetimeve dhe konstatimet e tij.

Skandali me ish-prokurotin Blakaj nuk ka përfunduar këtu, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj, i cili kishte hetuar listën e fryrë të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Në një intervistë për KTV-në, Haradinaj e ka quajtur hajn dhe pishpirik prokurorin Elez Blakaj.

Në konferencën e tij pas mbledhjes së qeverisë në muajin gusht, Ramush Haradinaj ka folur për qëndrimin e tij rreth listave të veteranëve dhe dorëheqjes së prokurorit Blakaj. Haradinaj e kishte ripërsëritur se ‘prokurori Blakaj është hajn’.

“Unë jam kundër qe dikush që nuk është veteran të jetë në lista, por nuk jam që dikush që është hajn e di pse është hajn sepse atij krejt kushtet ia kemi ofruar, krejt lëndët ia kam dhanë, e nëse ky është kërcënim, mohim i drejtësisë, kjo nuk qëndron, është rrenë ajo çka ka thanë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur për qëndrimin e prokurorit në zyrën e tij duke thënë se këtë ja kishte mundësuar ai. “Në fund e ka gjuajt fajin, ky është hajn bre, ky so profesionist. Krejt po donë me u bo si Tomë Gashi përmes mediave, zhurmave me u bo e madhe” ka thënë Haradinaj.

Haradinaj i quan ambasadorët ‘qyqana dhe qyqane’ 

Kryeministri Haradinaj në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, më 6 shtator deklaroi që ambasadorët që presin instruksione nga Prishtina janë ‘qyqana dhe qyqane’.

“Përpos që ankoheni se ne nuk po iu dërgojmë instruksione, e që mendoj se nuk keni të drejtë. Mendoj se është i pazoti ai ambasador ose ai diplomat që thotë se nuk po na dërgon Prishtina instruksione. Unë mendoj se ai është një qyqan ose qyqane. E pse po e them për këtë, sepse mediat e sotme, teknologjia e ka mundësuar që ju mund ta shihni takimin e Qeverisë direkt, ju mund t’i përcillni 20 tema të takimit të Qeverisë. Është marre me thënë se nuk po dërgon Prishtina instruksion, si nuk ju vjen marre, e keni takimin e Qeverisë direkt”, kishte deklaruar Haradinaj.

Për deklaratën e kryeministrit Hadinaj ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari.

“Ambasadorët e Republikës së Kosovës nuk janë “qyqana dhe qyqane”, por njerëz me dinjitet, që i përfaqësojnë dhe mbrojnë me shumë përkushtim interesat e Republikës së Kosovës”, e ka përfunduar letrën e tij publike, ambasadori Sabri Kiçmari.