Përkundër paralajmërimeve të NATO-s, Kosova e vendosur ta formojë ushtrinë

Në prag të votimit në Kuvend të tri Projektligjeve, të cilat ia zgjerojnë mandatin Forcës së Sigurisë së Kosovës, një reagim jo i këndshëm për qeverinë e Kosovës erdhi nga Aleanca Veri-Atlantike (NATO).

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg një ditë më parë ka paralajmëruar Prishtinën zyrtare se do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Megjithatë, pala kosovare deklarohet se i vlerëson qëndrimet e NATO-s, por sipas tyre ushtria është çështje e brendshme e Kosovës.

Rexhep Selimi (LVV), nënkryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, thotë për KALLXO.com se është shumë e rëndësishme çfarë thotë NATO-ja, por sipas tij,  po aq është e rëndësishme është edhe që të kalojnë këto ligje.

“Ndoshta dikush mundet të ketë shqetësime por nuk ka nevojë të ketë shqetësime. FSK-ja nuk është e rrezikshme për askënd aq më tepër për fqinjët ose partnerët. Përkundrazi edhe për rajonin e dhe për partnerët Forca e Sigurisë së Kosovës, qoftë me kompetencat e vjetra, qoftë me këto të rejat është një forcë e cila do t’i shërbejë paqes”, tha Selimi.

Sipas Selimit, FSK-ja është kategori kushtetuese së cilës po i shtohen disa kompetenca të nevojshme për punën, për ambientin dhe funksionimin e saj.

Rexhep Selimi, VV

“FSK-ja nuk po bëhet Forcë e Armatosur sepse ashtu duhet me ndryshime kushtetuese. FSK-ja po bëhet FSK. Nëse partnerët janë të shqetësuar, ne i qetësojmë ata dhe asgjë e keqe nuk bëhet, ndërsa nëse Serbia është e shqetësuar, punë e madhe. Ajo kurrë nuk është e qetë me Kosovën”, thotë deputeti i LVV-së.

Në të njëjtën frymë, sot në Kuvendin e Kosovës është shprehur edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai tha se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është proces i brendshëm, vendim sovran i vendit dhe se është në përputhje me kushtetutën e vendit.

“Aleanca e NATO-s ka peshë të madhe në vendimet e veta për Kosovën, mirëpo Kosova është e sigurt që asnjëherë nuk do të rrezikojë marrëdhëniet me NATO-n. Kemi plotësuar kushtet bazike për të ecur para me ushtrinë tonë”, tha Haradinaj në përgjigjen ndaj qëndrimeve të NATO-s.

Kurse Plator Avdiu, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për KALLXO.com se deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në lidhje me planet e institucioneve të Kosovës për ndryshimin e misionit dhe mandatit të FSK-së, duhet shikuar në atë se jo të gjitha vendet e NATO-s kanë njohur Kosovën.

“Në këtë kontekst, kundërshtimi më i madh duket se vjen nga Spanja e cila vazhdimisht ka ngritur zërin kundër kur bëhet fjalë për kontekstin e marrëdhënieve Kosovë-NATO. Sigurisht që nuk mund të pritet që NATO të përkrah transicionin e FSK-së për shkak të mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga katër vende anëtare të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja)”, tha ai.

Sipas Avdiut, nuk duhet të harrohet që shtete të fuqishme të NATO-s që njohin Kosovën, veçanërisht SHBA-të dhe shtete anëtare të tjera të kësaj aleance kanë mbështetur dhe janë duke i dhënë mbështetje të fuqishme procesit të transicionit të FSK-së me mision dhe mandat të një ushtrie me kapacitete mbrojtëse.

Plator Avdiu, QKSS. Foto: RTV21/Video

“Ndërkohë, procesi i transicionit të FSK-së nuk do të ndikojë aspak në rolin e misionit të KFOR-it në Kosovë dhe as të Ekipit Këshillëdhënës e Ndërlidhës të NATO-s i cili vepron në Kosovë”, vlerëson ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë thekson se Kuvendi duhet ta votojë pakon e projektligjeve për t’i dhënë mandat dhe mision të ri FSK-së.

“Nuk ndaj mendimin që nëse vazhdohet me pritje të mëtutjeshme të marrim pëlqim nga NATO – për më tepër që nga ky mekanizëm ndërkombëtar vazhdimisht është konstatuar se krijimi i ushtrisë së Kosovës është çështje e brendshme e institucioneve dhe se NATO nuk jep pëlqime ose miratime kur një vend krijon ushtri”, tha ai.

Avdiu shton se institucionet e Kosovës duhet të thellojnë bashkëpunimin bilateral me shtete anëtare dhe partnere të NATO-s për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së gjatë transicionit të saj në një ushtri moderne me synim anëtarësimin në NATO.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, këtë javë  ka marrë vendim që seanca për votimin e Projektligjeve të FSK-së (Projektligji për FSK-në, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Projektligji për shërbim në FSK), të mbahet me 14 dhjetor 2018.