Ilustrimi: Flickr

Përdorimi i gjuhëve në sistemin gjyqësor

Të gjithë personat kanë të drejta të barabarta në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare në institucionet e Kosovës

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është hartuar dhe miratuar për t’u siguruar komuniteteve qasje të barabartë në institucione publike dhe organe qeveritare në gjuhën që ata e zgjedhin

Në të gjitha institucionet ashtu edhe në gjykata sipas ligjit është obligim që të përdoren të dy gjuhët zyrtare.

Edhe në sistemin gjyqësor është obligim ligjor që të sigurohet barabarësia ndërmjet palëve lidhur me respektimin e përdorimit të gjuhës.

Përdorimi i gjuhëve në procedurat gjyqësore siguron mbarëvajtjen e një procesi gjyqësor pa cenuar të drejtat e palëve në procedurë.

Gjykatat dhe organet për ndjekje penale duke përfshirë edhe autoritetet e tjera në procedurë penale dhe në procedurat e tjera gjyqësore, sigurojnë që çdo person që merr pjesë në procedurat penale si dhe në procedura të tjera gjyqësore mund të përdorë gjuhën zyrtare të cilën ai/ajo e zgjedh.

Pasi që gjykatat i zhvillojnë procedurat në gjuhën zyrtare me kërkesën e palëve në procedurë ato mund të zgjedhin përdorimin e gjuhës të cilën e kuptojnë.

Bazuar në ligjin për zbatimin e gjuhëve në Republikën e Kosovës çdo person që është i arrestuar apo i akuzuar për vepër penale dhe që nuk flet ose nuk kupton gjuhën(t) e procedurave ka të drejtën të njoftohet me kohë rreth arsyeve të arrestimit dhe për çdo akuzë kundër tij apo saj në gjuhën të cilën e kupton personi.

Po ashtu e njëjta vlen edhe për personat që i takojnë komunitetit, gjuha amtare e të cilit nuk është gjuhë zyrtare. Ata/ato kanë të drejtën të informohet me kohë rreth arsyeve për arrestimin e tyre dhe për çdo akuzë kundër tyre në gjuhën amtare të tyre.

Gjykata dhe organet për ndjekje penale si dhe autoritetet e tjera të përfshira në procedurë penale, duhet të ofrojnë ndihmën me përkthyes pa pagesë për personat e lartëcekur.

Të gjitha dëshmitë, faktet e rastit si dhe në përgjithësi shkresat e lëndës e gjithçka tjetër lidhur me rastin duhet të përkthehet në gjuhet të cilën e kuptojnë palët në procedure.

Lidhur me këtë në gjykatat e Kosovës kemi raste konkrete të cilat mund të përmenden si raste në të cilat është zbatuar ligji për përdorimin e gjuhëve.

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka raste pothuajse të përditshme në të cilat është e nevojshme të sigurohet përkthimi gjatë zhvillimit të seancës.

KALLXO ka përcjellë shumë raste, ku palët në procedurë kanë qenë të nacionalitetit serb, çka e tregon më së miri mënyrën e funksionimit të përkthimit dhe sigurimit të përdorimit te gjuhës lidhur me palët.

Përveç përdorimit të gjuhëve zyrtare siç e thamë edhe me lartë, nëse është e nevojshme duhet të sigurohet përkthimi edhe në gjuhet tjetër, munde te themi ne gjuhen e tretë brenda gjykimit.

Raste të tilla ka edhe në gjykimet ku trupi gjykues përbëhet nga anëtarë të nacionaliteteve ndërkombëtare siç e kemi rastin të gjykimet e EULEX –it , në të cilat fliten tri gjuhë.

Lidhur me këtë do të veçojmë rastet kur të akuzuarit kanë qenë personat kryesisht për krime lufte gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Institucionet penale dhe të burgjeve duhet të sigurojnë që personeli i tyre të flasë gjuhën(t) e numrit më të madh të të burgosurve, apo gjuhën(t) të cilën e kuptojnë ata.

Ndërsa përkthimi në gjuhën që është e kuptueshme nga një person i burgosur duhet të ofrohet atëherë kur ka nevojë.

Bazuar në monitorimin e përditshëm të seancave gjyqësore ku ka qenë e nevojshme të bëhet përkthimi nga një gjuhë në tjetrën për shkak të pjesëmarrjes së palëve të cilat kanë pasur nevojë për ketë, nuk ka pasur ndonjë rast ku seanca është shtyre për shkak të mungesës së përkthimit.

Ka disa probleme të cilat paraqiten gjatë përdorimit të dygjuhësisë por me shumë kanë të bëjnë me terminologjinë juridike dhe me përshtatshmërinë e termeve.

Si shembull ilustrues është funksionimi i dygjuhësisë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, e cila pas fillimit të punës në objektin e gjykatës në veri të vendit ka pasur disa probleme lidhur me sigurimin e përkthyesve të mjaftueshëm për seancat gjyqësore.

Por ky problem nuk qëndron tani dhe nuk ka qenë arsye për shtyrjen e asnjë seance, sepse me gjithë vështirësitë është siguruar përkthimi i nevojshëm për palët gjatë seancave.