Për Vuçiqin, Kosova Është Vegël e Fushatës Zgjedhore

Skenat e fundit dramatike nga Serbia për Kosovën nuk duhet t’ju mashtrojnë; për Vuçiqin, ‘provinca e jugut’ është vetëm një vegël për fushatën e pandërprerë elektorale.

Marko Gjuriq, përfaqësuesi i Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja me Prishtinën dhe Shefi i Qeverisë të Serbisë për Kosovën dhe Metohinë është dukur shumë i shqetësuar në javët e fundit.

Vetullat e tij ngrihen derisa mundohet të shpjegojë padrejtësinë me të cilën ai beson se po përballet delegacioni serb në negociatat për implementimin e të ashtuquajturës Marrëveshje e Brukselit.

Ai është një nga liderët e rinj të partisë në pushtet, Partia Progresive e Serbisë, një nga njerëzit që do duhej të formonin ambientin politik si të Serbisë ashtu edhe atë rajonal për dekadën e ardhshme.

Kjo është arsyeja pse ai u largua nga pozita e rehatshme e këshilltarit të Presidentit në vitin 2014 dhe u bë shef i ekipit negociator me Kosovën në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel.

Sikur paraardhësit e tij në këtë pozitë, Kosova është bërë një ‘Lum Jordan’ për të, një vend për t’u pagëzuar dhe ngritur në sferën më të lartë të jetës politike serbe.

Pasi mori mësim shpejt, ai filloi të punojë me ndjenjat e popullarizuara te njerëzit nga Serbia  në Kosovë si dhe popullatës serbe në Kosovë duke pozuar si mbrojtës i interesave kombëtare që do të vdiste para se ta njihte pavarësinë e Kosovës.

Retorika e tij u bë aq agresive në javët e fundit kur filloi të ankohej se Serbia po përballej me ultimatume të reja nga Brukseli: Nëse Serbia dëshiron t’i vazhdojë bisedimet për integrim në BE, duhet të përfundonte me njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur dhe të ndërpresë të gjitha aktivitetet që momentalisht shteti i Serbisë i ushtron në atë territor.

Tabloidet serbe mblodhën të gjitha këto dhe lansuan një fushatë që prezantonte situatën në mënyrë dramatike, duke folur edhe për luftë potenciale sepse Serbia nuk do të pranonte kurrë një ultimatum, e të tjera…

Kjo e gjitha ndodhi pas miratimit të një ligji të ri në Kosovë, i cili vendos kompleksin mineral Trepça që ndodhet në veriun e ndarë të Kosovës, nën kontrollin e autoriteteve të Prishtinës.

Natyrisht, në fushatë, Aleksandër Vuçiq, Kryeministri i Serbisë aktroi si ‘polic i mirë’.

Përderisa thotë se i kupton shumë mirë deklaratat e Gjuriqit ai gjithashtu thotë se nuk ka ultimatum dhe Serbia nuk do ta lejojë kurrë veten që t’i nënshtrohet presionit për të bërë ndonjë gjë ndërsa ai, Vuçiqi, është aty për t’i mbrojtur interesat e Serbisë.

Kjo u përcoll me një konferencë për media të mbajtur për qëllime të brendshme për të siguruar rolin e Vuçiqit si mbrojtës i kombit, ku kryeministri deklaroi se Serbia do të anulojë çdo vendim të marrë nga Prishtina rreth pronësisë të kompanisë shoqërore në Kosovë, Trepçës.

Këtë javë, kemi pasur një situatë të ngjashme. Gjuriqj lajmëroi përmes mediave se Kosova ka sjellë kërkesa të reja në tavolinë dhe po shantazhon delegacionin serb, duke thënë se nuk do të ketë vazhdim të bisedimeve nëse Serbia nuk i përmbush të gjitha kërkesat e Kosovës.

Më 26 tetor, ai pretendoi se Kosova kishte nxitur BE-në që ta kushtëzonte anëtarësimin e Serbisë në BE me njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe kërkoi një takim të veçantë qeveritar  për të diskutuar, që u mbajt më 27 tetor.

Rezultati i menjëhershëm ishte një bisedë telefonike në mes të Vuçiqit dhe Përfaqësueses për Politikë të Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini pas të cilës ata të dy deklaruan se Serbia do të bënte gjithçka të nevojshme për ta shpejtuar implementimin e Marrëveshjes së Brukselit sepse Beogradi e kupton se pa këtë nuk mund të hapen kapituj të ri të negociatave për BE.

Pra, cili është qëllimi i kësaj gozhde të mprehtë në tensione publike, vetëm që zyra e Kryeministrit serb të konfirmojë se Beogradi kupton obligimet e veta dhe do të implementojë çfarë ka premtuar të bëjë tre vjet e gjysmë më herët, kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit?

Si një mjeshtër i marketingut politik, Vuçiqi  di si ta përdorë Kosovën si një vegël për t’i fituar më shumë votuesit e tij më nacionalistë dhe të luajë me ndjenjat e anëtarëve të partisë së tij duke përsëritur deklaratat se Serbia është në rrugën e saj drejt BE-së dhe asgjë nuk do ta ndalojë.

Në anën tjetër, ai e përdor Gjurigjin dhe anëtarë të tjerë të ekipit të tij për t’i ‘dërguar një mesazh’  BE-së dhe lojtarëve të tjerë të komunitetit ndërkombëtar se Serbia mund të ndërrojë shumë shpejt politikat e saj nëse dëshiron.

Kjo ia mundëson atij ta prezantojë veten si njeriu i vetëm i arsyeshëm në vend, i vetmi që mund të menaxhojë ‘ndjenjat për Kosovën’, ndër popullsinë serbe.

Ai vazhdon të bëjë fushatë për çështjen e Kosovës duke dërguar disa mesazhe të përziera. Në këtë kontekst ai gjithashtu përdorë Presidentin, Tomislav Nikoliq, dhe Ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq, duke i lënë të flasin në publik kundër nevojës për anëtarësim në BE që dëshiron të vjedhë  ‘zemrën e Serbisë’, Kosovën.

Ata dy, të cilët kanë lajmëruar se do të kandidojnë për presidencën e Serbisë në vitin 2017, si dhe Gjuriq përfaqësojnë linjën e vjetër të kuptimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë mënyrë, Vuçiq mbetet si i vetmi që mund t’i garantojë Bashkimit Evropian se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 do të implementohet. Për këtë arsye ai ndihet i gatshëm për të kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të tregohet më e durueshme ndaj pozicionit të Serbisë.

BE-ja në të vërtetë duket se i kupton nevojat e Vuçiqit në kontekstin e politikës së brendshme, që është arsyeja që nuk komenton shumë kur mediat serbe afrohen duke kërkuar shpjegim në informacionet e ndërlikuara mbi bisedimet në Bruksel, qëndrimin e BE-së për to dhe obligimet e Beogradit dhe Prishtinës.

Me heshtjen e BE-së, Vuçiq mund të vazhdojë ta prezantojë veten si mbrojtësin e vërtetë të interesave serbe si dhe një njeri të respektuar edhe në Uashington dhe në Moskë.

BE-ja ka agjendën e vet politike dhe qartazi është duke u munduar të arrijë disa rezultate në ndërmjetësimin e bisedimeve, përderisa Vuçiqi ka synimet e veta në fushatë.

Gjithsesi, dallimi në mes të politikave aktuale dhe synimet e fushatës shtrihet në pyetjen e përgjegjësisë.

Në një fushatë, mund të flisni dhe të premtoni çfarë të doni pa marrë përgjegjësi. Por nëse doni të implementoni një politikë aktuale, publiku pashmangshëm ndonjëherë do të kërkojë marrje të përgjegjësisë për ato politika.

Duke luajtur shah në dy fusha njëkohësisht, një brenda dhe një jashtë, Vuçiqi po mundohet të sigurojë vlerësime të mira në shtëpi dhe të sigurojë një raport më të mirë të progresit nga BE-ja.

Në kontekstin më të gjerë, çështja e Kosovës është vetëm një vegël për të fituar një lojë të luajtur në shtëpi dhe jashtë. Në fund, gjithsesi, të gjithë e dinë çfarë do të ndodhë; Serbia do të bëjë gjithçka për të cilën është e obliguar. Por, jeni të durueshëm, njeriut i duhen edhe dy mandate për t’i arritur të gjitha këto.

Sllobodan Georgiev, është redaktor i BIRN Serbisë, gazetar dhe koordinator i programit.

Mendimet e shprehura në sektorin e komenteve janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish qëndrimet e BIRN-it.

29 Tetor 2016 - 17:29

Slobodan Georgiev, BIRN 29/10/2016 - 17:29
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend