Për Vrasje Dënohet 16 Vjet

Një panel gjyqësor i Gjykatës Themelore të Ferizajt dënoi të premten M. I. me 16 vjet burg për vrasje, pikërisht në ditën kur u bënë dy vjet që tashmë i dënuari, kreu me tre plumba vrasjen e B. V.

Aktakuza ishte ngritur më 24 janar të vitit që shkoi, por riorganizimi i gjykatave ferizajase, vonoi shpalljen e aktgjykimit. Lënda për këtë vrasje kaloi nga ish-Gjykata e Qarkut në Gjykatën Themelore.

Vendimi u mor pas pesë seancave, ndërsa seaca e parë u mbajt më 18 shkurt.

Me vendimin nuk u ndanë të kënaqur as pala e dëmtuar e as e akuzuara.

Avokati i familjes së dëmtuar Adem Ademi deklaroi se, kjo vrasje është bërë me bashkëkryerje, ndërsa vetëm njëri është dënuar.

Kurse avokati i të dënuarit, Besnik Berisha tha se sanksioni penal 16 vjet burgim për një vrasje të rëndomtë është shumë i lartë.

Gjatë gjykimit ra pretendimi i palës akuzuese se vrasja është bërë për shkak të hakmarrjes.

Ky është dënimi i dytë më i madh në historinë e  Gjykatës Themelore në Ferizaj pas atij të shqiptuar në janar të këtij viti me 19 vjet burgim.