Për 10 Vitet Që Po Vijnë

Në dhjetë vjetorin e shtetit të Kosovës, vendi po vazhdon të ballafaqohet me shumë çështje të hapura, përfshi vetë identitetin shtetëror e kombëtar.

Partia më e madhe parlamentare dhe një pjesë e shoqërisë haptazi kontestojnë flamurin e Kosovës, pohojnë se ai nuk i përfaqëson, kurse të njëjtin trajtim e kanë edhe për himnin e republikës.

Mirëpo, nëse ka individë dhe grup shoqëror që këtë flamur dhe këtë rend simbolik të shtetit e ka pranuar dhe ka tentuar që ta nderojë, atëherë ata padyshim janë sportistët.

Falë Majlinda Kelmendit, flamuri i Kosovës është parë në ceremoninë e medaljeve olimpike dhe ceremoni të ndryshme të kampionateve evropiane e botërore. Si flamuri i fitueses ai  tashmë është  bërë një simbol i njohur për të gjithë.

¨Tregimi për sportin në dhjetë vjet shtet është më shumë tregim i një lufte për simbole, nëse pajtohemi që para pavarësisë sporti ka qenë në luftë për mbijetesë.

Kjo bëhet e qartë kur dihet se pas luftës nuk është ndërtuar asnjë stadium, asnjë sallë e sporteve me norma ndërkombëtare, ata që kanë dhënë para për financim të klubeve, autoritetet nuk ua ka njohur dhënien e mjeteve si sponsorizim, por si donacion ose financim të një OJQ-je, për shkak të mungesës së ligjit. Me klube (shumica absolute të regjistruara si OJQ) dhe objekte sportive (prona komunale, publike ose prona të kombinateve që menaxhohen nga AKP) që nuk kanë pasur asnjëherë pronar të definuar, ka qenë e pamundshme të bëhen investime strategjike.

Medalja olimpike si bekim

Majlinda Kelmendi është xhudistja më e mirë në botë dhe duhet ta shohësh duke luftuar për të pasur idenë e fuqisë trupore dhe qëndrueshmërisë mentale e fizike.

Por, shpesh mendoj se sado të qëndrueshme janë shpatullat e Majlindës, ato mund të mos e durojnë peshën e shpresave të një populli të tërë që i rëndon ato shpatulla në çdo garë që Majlinda merr pjesë.

Pikërisht presioni publik, politik, medial, sportiv, psikologjik dhe mungesa e përvojës në menaxhim të situatave në gara të mëdha ka bërë që Majlinda të dështojë në Lojërat Olimpike të Londrës, më 2012, kur përfaqësonte Shqipërinë.

Këtë detaj duhet përmendur, sepse sporti pas pavarësisë realisht duhet shikuar vetëm që nga 2014-a e tutje, kur Kosova u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në federatat përkatëse ndërkombëtare sportive.

Para asaj kohe, kishim ose raste si Majlinda, të sportistëve që paraqiteshin për Shqipërinë, ose raste të kosovarëve që luanin për shtete të ndryshme në Evropë, pa të drejtë të luajnë për Kosovën.

Në fakt kur Majlinda u bë kampione e botës dhe kur ndodhën ndryshimet në kreun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (zgjedhja e Thomas Bach për Kryetar të KON), më 2013, Kosovës iu hapën dyert drejt arenës ndërkombëtare, sepse ishte e padrejtë, e pandershme dhe e pakuptimtë që një kampione e botës dhe sportistë tjerë të niveleve të ndryshme, të mos mund të garojnë për vendin e tyre.

Puna e të gjitha federatave dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, në lobim për pranim ka qenë e madhe dhe u  por pas pranimit ishte radha që vëmendjen ta marrin sportistët, jo zyrtarët e shtetit dhe kryetarët e federatave.

Lojërat Olimpike të Rios ishin dëshmia më e mirë për këtë punë. Majlinda ishte pjekur shumë si sportiste dhe si njeri, ishte plotësisht e vetëdijshme për sfidën që e priste, me një vetëbesim të kampiones së madhe e priti premtimin e Thomas Bachut, që pikërisht Bach do t’ia dhurojë medaljen nëse ajo fiton, dhe në fund e “detyroi” Kryetarin e KON, avokatin gjerman dhe kampionin e skermës, të mbajë fjalën.

Pranimi i medaljes së artë olimpike nga kreu i KON-it, e tërë ceremonia, është nderimi më i madh që i është bërë Kosovës kohëve të fundit dhe ky nderim nuk do të ndodhte sikur Majlinda të mos fitonte të gjitha luftërat në Rio.

Kosova përmendej në tone pozitive dhe u kthye në qendër të vëmendjes së botës, njerëzit prapë i shihnin kosovarët si viktima të padrejtësisë që i dëshmuan botës se janë kampionë, gazetarët shtyheshin për një intervistë me një sportiste kosovare që fitoi në Lojëra Olimpike dhe u shndërrua në sensacion botëror.

Medalja e artë e Majlindës ishte bekimi më i madh që ka mundur ti ndodhë sportit të Kosovës.

Medalja olimpike si “mallkim”

Për një moment të gjithë u përfshimë nga euforia e suksesit. Duket se edhe njerëzit e sportit në Kosovë harruan se sportistët tjerë të Kosovës, jo që nuk janë kampionë, por, me pak përjashtime, as në nivel të përafërt me Majlindën.

Duket se të gjithë harruan se shteti sportin e ka neglizhuar, nënçmuar dhe në esencë nuk e ka marrë vesh, për gjithë këto vite dhe Kosova, jo që nuk mund të prodhojë kampionë, por, nuk ka as ku të zhvillojë ndeshjet e veta si vendës.

Përnjëherë, nga medaljet olimpike tema në sportin e Kosovës u bënë stadiumet me fusha të përlloçura dhe pa kushte elementare për lojë, sallat me temperatura polare, klubet me borxhe deri në fyt, sportistë që nuk paguhen me rregull ose nuk paguhen fare, donatorë, bamirës, e entuziastë deri në marrëzi, të cilët shoqëria i njihte si “sponsorë”.

Këto tema i kemi ditur të gjithë, por nuk ishin bërë pjesë e diskutimit publik derisa nuk fituam medalje të artë olimpike dhe nuk filluam të kërkojmë suksese kulmore nga sportistë e federata që kanë probleme elementare.

Sidoqoftë, prej diku duhej të fillohej. Në futboll, para se të mendohej për gara, duhej bërë “veprime taktike” për të themeluar ekipin përfaqësues duke qenë në konkurrencë me Shqipërinë, Zvicrën e shtetet tjera që varen nga kosovarët në përbërjet e tyre.

Kujtojmë që Kosova u pranua në UEFA në maj 2016. Super yjet e Shqipërisë dhe Zvicrës për arsye dhe interesa të ndryshme, por edhe për shkak të presioneve që iu bënë atyre nga federatat përkatëse, agjentët, klubet dhe në rastin e lojtarëve të Shqipërisë, edhe opinioni publik e mediat, nuk e zgjodhën Kosovën. Ata që e zgjodhën meritojnë të nderohen nga të gjithë.

Po ashtu dihet se Shqipëria, për shkak të legjislacionit më të favorshëm, me të madhe është duke pajisur me pasaporta shqiptare lojtarëve me prejardhje kosovare dhe duke përdorë metoda të ndryshme ti joshë që të luajnë për kombëtaren e këtij shteti.

Kjo formë e “luftës speciale” di të vazhdojë edhe për një kohë dhe FFK do të jetë në disavantazh derisa të konsolidohet dhe të krijojë një rrjet të njerëzve profeisonistë me hulumtim të talenteve dhe punë me ekipe kombëtare.

Kosova e themeloi kombëtaren e vet me ata lojtarë që pranuan të luajnë për shtetin e tyre të origjinës dhe lamentimi i lojtarëve që kanë zgjedhur shtetet tjera është i pakuptimtë, po aq sa edhe linçimi i tyre publik.

Rezultatet e futbollit nuk janë të mira, në fakt janë të dobëta. Por, Kosova tash e di kush është i gatshëm të luajë për Kosovën e kush do të luajë për shtete tjera, e di ku e ka vendin e vet në Evropë, e di çka e pret në gara që nga ky vit e tutje dhe të gjitha këto gjëra janë pikënisje për suksese në të ardhmen.

Në basketboll sukseset dhe rezultatet dhe sukseset luhaten shumë, por e sigurt është që kombëtarja e Kosovës funksionon, pesëshja e parë luajnë në liga të Evropës dhe në dymbëdhjetëshe është vetëm lojtar mbi 30 vjeç.

Hendbolli është vazhdimisht duke nxjerrë maksimumin nga buxheti dhe mundësitë e lojtarëve dhe është i vetmi sport ekipor që investon sistematikisht në të dyja gjinitë, për çka meritojnë respektin e të gjithëve.

Ky konstatim kuptohet që vlen për federatën, që ka një financim solid, por jo të mjaftueshëm nga shteti dhe sponsorët. Situata në klube vazhdon të jetë e paqëndrueshme dhe fakti që KH Kastrioti u shpëtua nga përjashtimi nga garat dhe shuarja e tërësishme vetëm pas shumë përpjekjeve të federatës dhe klubit, tregon se kriza nuk ka kursyer as klubet e trofeshme.

Dhjetë vjet të shtetit të Kosovës, duken si një shekull nëse i numëron ngjarjet politike, kurse në sfera si arsimi e shëndetësia duket se koha është ndalur dhe numrat në kalendar janë ndërruar kot.

Shteti, më në fund, duket se e ka kuptuar rëndësisë e sportit. Fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës për modele mund të marrin sportistët kulmorë të lindur dhe rritur këtu. Fundja, ata po ia dëshmojmë Evropës dhe botës talentin e tyre dhe po ndërtojnë imazh të ndritur për Kosovën gjithandej.

Investimet që po bëhen në stadiume dhe investimet e premtuara në stadiume e salla të reja, hyrja në fuqi dhe zbatimi i ligjit për sponsorizime dhe numri i madh i të rinjve paraqesin potencial të madh për zhvillim të hovshëm të sportit.

Komunitetit të sportit i duhet të ketë vizion të qartë për zhvillim, mundësisht këtë vizion ta konkretizojë në ndonjë plan ose strategji dhe të fillojë të funksionojë si duhet.

Sfida ka shumë, por ka edhe shumë potencial. Dhjetë vjet të shtetit të Kosovës në sport, nëse asgjë tjetër, kanë trasuar shtegun për suksese për 10 vitet që po vijnë.