PDK-ja Mbetet në Bordin e Ujësjellësit, Ndërron Vetëm Emri i Anëtarit

Pas dorëheqjes së Ardian Sylës nga Bordi i Ndërmarrjes Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Qeveria ka plotësuar këtë vend me një tjetër njeri të PDK-së.

Florin Dvorani është emëruar anëtar bordi, ndërsa ishte asamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Drenasit. I afërt me PDK-në është edhe Ardian Syla, por ai është “deleguar” në Bordin e Trepçës.

Kryeministri Haradinaj vazhdon të marrë vendime në kundërshtim me veprimet që i kishte bërë në fillim të mandatit kur kishte shkarkuar disa anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike duke u thirrur në një vendim/opinion të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

E AKK-ja në vendimin e saj kishte konstatuar se Qeveria Mustafa kishte emëruar nëpër borde persona me të kaluar politike, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Neni që ishte shkelur kërkonte që anëtarët e bordit të ndërmarrjeve të publike të mos kenë pozita nëpër parti në 36 muajt e fundit.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Dvorani insistonte se ishte i zënë dhe nuk kishte kohë të fliste. Ai konfirmoi që është zgjedhur anëtar i këtij bordi, por në pyetjen se a ka dhënë dorëheqje nga PDK, tha shkurt:

“Jom nxan, hej. S’jam unë kërkun n’aktivitete. S’jam unë n’këto formue. Tung”.

Por, aktiviteti i tij në facebook është e kundërta. Ai vitin e kaluar ka shpërndarë aktivitete të kreut të partisë, Kadri Veseli dhe kreut të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe në disa raste shihet në shoqëri me ta.

Florin Dvorani, i dyti nga e djathta.

 

Sipas Kryeministrit, Ramush Haradinaj, Dvorani ka qenë në listën e pritjes së kandidatëve të zgjedhur paraprakisht në konkursin e vitit 2015.

“Një anëtar bordi ka kaluar në përgjegjësi tjetër dhe pozita ka mbetë vakum. Plotësimi me kandidatin që është në pritje në listën e përzgjedhur paraprakisht ka rezultuar që është Florin Dvorani”, tha kryeministri në mbledhjen e Qeverisë.

Dvorani ka qenë asamblist i PDK-së para dy mandateve në komunën e Drenasit.

Kadri Veseli, Florin Dvorani dhe Hajredin Kuçi

Anëtarët e bordit të KUP Prishtina ishin emëruar më 30.10.2015, në kohën kur në bashkëqeverisje ishin PDK dhe LDK.

Ndryshe, për emërimet e kundërligjshme dhe politike të bordit të Trepçës Gazeta JNK ka shkruar javën e kaluar. Ndër anëtar i zgjedhur në këtë bord është edhe i dorëhequri nga KUP Prishtina, Ardian Syla.

Qeveria Emëron Kundërligjshëm Anëtarë të Bordit të ‘Trepçës’

 

13 Prill 2018 - 15:13

Erjonë Popova 13/04/2018 - 15:13
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend