PDK, AAK e NISMA e ndajnë bordin e Ujësjellësit

Qeveria e koalicionit PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate (PAN), e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka emëruar njerëz politikë në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se bordi i kësaj ndërmarrjeje është ndarë në mënyrë të barabartë në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate.

Dy anëtarë të bordit kanë të kaluar të lidhur me partinë e kryeministrit Haradinaj, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe një anëtar i bordit është i partisë së Fatmir Limajt.

Tre nga gjashtë anëtarët e bordit kanë të kaluar të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli. Ky i fundit në një tryezë të Ambasadës Britanike të Kosovës për rekrutim, kishte bërë thirrje për depolitizim të bordeve duke premtuar se PDK-ja do t’i japë përparësi meritokracisë.

Në kohën kur Veseli e kishte mbajtur fjalimin, procedurat e rekrutimit për bordin e Ujësjellësit ishin në zhvillim e sipër.

BIRN kishte bërë kërkesë për monitorimin e konkursit për përzgjedhjen e bordeve të 14 ndërmarrjeve publike duke përfshirë bordin e KRU Prishtinës, por Zyra e Kryeministrin e kishte refuzuar kërkesën e BIRN-it përkundër zotimeve të kryeministrit dhe kabintetit të tij për transparencës. Haradinaj me tu bërë kryeministër i kishte shkarkuar disa anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike (kryesisht të LDK-së) duke u thirr në një opinion të lëshuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se disa nga anëtarët e bordit KRU Prishtinës janë emëruar kundërligjshëm nga qeveria e Kosovës, pasi ata nuk konsiderohen të pavarur në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe interpretimit që i ka bërë Agjencia Kundër Korrupsionit këtij ligjit.

Nipi i deputetes 

Gazeta ka gjetur se bordi i ndërmarrjes publike KRU “Prishtina” do të kryesohet nga Betim Berisha, nipi i deputetes së PDK-së, Sala Berisha Shala.

Betim Berisha, në vitin 2016, ka qenë zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas. Ai për KALLXO.com tha se ka dhënë dorëheqje nga strukturat e PDK-së para 3 vitesh.

“Jo, kam qenë më herët në PDK por kam dhënë dorëheqje para 3 vitesh, në Drenas kam qenë drejtor në komunë, por kam dhënë dorëheqje prej të gjithave. Këtë vit kam konkurruar në shumë borde dhe këtu jam zgjedhur në Prishtinë”, tha ai.

Por, disa orë më vonë, pasi KALLXO.com ka siguruar informacione shtesë nga Komuna e Drenasit, Berisha e ka pranuar se në fakë dorëheqjen e ka dhënë në prill të vitit 2017.

KALLXO.com ka marrë përgjigje nga Komuna e Drenasit si dhe dokumentin për lirim nga detyra për ish-drejtorin e Urbanizmit, Betim Berisha. Në vendim thuhet se Berisha është liruar nga detyra me datën 11 prill 2017. Pra, kanë kaluar 26 muaj që kur Berisha mbante një postë politikë.

Ish-zëdhënësi i PDK-së dhe ish-drejtor i Urbanizmit në këtë komunë shton e ka pranuar se ka dhënë dorëheqje nga PDK kur ka lëshuar postin si drejtor në komunën e Drenasit, më saktësisht më 11 prill të vitit 2017.

“Qatherë kam dhënë dorëheqje prej drejtorit, prej partisë”, thotë ai duke e demantuar veten dhe përgjigjen që ka dhënë gjatë ditës.

Ai e ka pranuar edhe lidhjet me deputeten e PDK-së, Sala Berisha Shala e cila është bashkëshortja e Ferat Shalës.

“Deputeten (Sala Berisha Shala) e kam hallë”, tha shkurt ai për KALLXO.com.

KALLXO.com nuk ka arritur të kontaktojnë me deputetet Sala Berisha Shala.

Qeveria Haradinaj është zgjedhur nga votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, duke përfshirë Sala Berisha Shalën.

Në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” është emëruar edhe Sejdë Tolaj, ish anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Raradinaj.

E kaluara e tij politike është e lidhur me disa parti politike. Por, së fundmi ka qenë pjesë e partisë së kryeministrit. Ai ka qenë kryetar në forumin rinor të LDK-së, sekretar i përgjithshëm në LDD, e më pas në partinë e kryeministrit AAK, si anëtar i kryesisë së partisë së kryeministrit Haradinaj.

KALLXO.com ka gjetur se ai është aktivë ne përkrahjen e AAK-së në rrjetet sociale.

Këtë e ka konfirmuar edhe Tolaj për KALLXO.com.

“Unë jam mbështetës i AAK-së edhe i vizionit politik të kryeministrit Haradinaj dhe do ta mbështes edhe në të ardhmen, mirëpo viteve të fundit nuk kam ndonjë pozitë në organet qendrore të partisë”, tha Tolaj për KALLXO.com.

Por, ai ka thënë se nga viti 2018 është dorëhequr nga pozitat që kishte në partinë e kryeministrit.

“Në 2018 më patën pranu në studime të doktoratës edhe për shkak të angazhimeve në jetën personale, kam kërkuar nga AAK që ta kenë mirëkuptim që mos me qenë aktivist por unë e përkrahi dhe e mbështes në të gjitha format”, tha Tolaj.

Në bordin e kësaj ndërmarrje është emëruar edhe Bajram Jashari, dhëndëri i deputetit tjetër të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka pranuar se ka lidhje familjare me Jasharin, por mohoi të ketë ndikuar në zgjedhjen e Jasharit anëtar të bordit.

“Bash burri i motrës time është. Me duar të mia e kam rritë Bajramin edhe pse unë kam lind pas tij me duar të mija e kam rritë. Unë se kam dit kur ka konkuru lidhje s’kam pas, se me pas ditë që ka konkuru ish kon mirë”, tha Haxhiu kur është pyetur për lidhje familjare që ka me Bajram Jasharin. Deputeti Haxhiu njihet në publik si Kamishi, nofkën të cilën e kishte gjatë luftës së UCK-së.

Por, Jashari ka paralajmëruar padi nëse publikojmë lajmin për lidhjet e tij me deputetin Haxhiu.

“Kjo është diçka krejt private dhe si pyetje kom pas edhe të kaluarën dhe jam jurist me profesion, dhëndri i kujt jam, grua kë e kam, ku i kam të martuara motrat, kjo është diçka familjare. Në momentin që secili gazetar merret me këtë çështje private me mu takohet në Gjykatë këtë ta them”, tha ai për KALLXO.com.

Organizata “Cohu” kishte publikuar një hulumtim në të cilin tregonte për lidhjet dhe postet që Jashari kishte me Partinë Demokratike të Kosovës.

Jashari e ka pranuar për KALLXO.com që ka qenë pjesë e PDK-së, por se tash e një kohë i kanë ndarë rrugët me politikën.

“Jo, kam dhënë dorëheqje (nga PDK) në kohën kur ka qenë Agim Ceku kryetar për kandidat komunë, në vitin 2010-2011”, tha ai.

Jashari po ashtu është edhe sekretar i ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, për të cilën tha se nuk e konsideron si konflikt interesi.

“Nuk e konsideroj si konflikt interesi sepse Agjencia kundër Korrupsion është marrë me këtë, e kam vendimin dhe është trajtuar para disa vitesh”, tha ai.

Bashkudhëtari i kryeministrit

Anëtari i katër i bordit të KRU Prishina është Albatron Sahiti. Ai ka qenë asamblist i AAK-së dhe ish-anëtar i Këshillit Drejtues të partisë së kryeministrit.

Sahiti ka qenë asamblistë në mandatin e kaluar, që i bie deri në fund të vitit 2017, pra më pak se dy vjet që prej se nuk është më në atë pozitë.

E ligji për Ndërmarrjet publike thotë se anëtarët e bordit të ndërmarrjeve publike nuk duhet të kenë poste politike në 36 muajt e fundit, për të plotësuar kushtin e pavarësisë.

KALLXO.com ka kontaktuar Sahitin për të pyetur nëse ka ende ndonjë funksion në këtë parti, ku ai tha se tani më është vetëm aktivist.

“Kam qenë asamblist i AAK-së në Ferizaj por aktualisht jam vetëm aktivistë, anëtar nuk jam në struktura të AAK-së. Nuk jam rizgjedhur në zgjedhjet”, tha ai.

Ai e ka shoqëruar kryeministrin më shumë se një herë në ecjet e tij nëpër malet e Kosovës, bazuar në fotot e publikuara në Facebook.

Edhe partia Nisma Socialdemokrate e ka marrë një vend në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Ilir Rexhepi, pasi kishte aderuar në Nismen Socialdemokrate është rizgjedhur në bordin e KRU Prishtina.

Rexhepi ka mohuar që është pjesë e Nismës Socialdemokrate, por KALLXO.com ka gjetur se ai kishte aderuar në Nisma me 27 shkurt të vitit 2018.

Edhe anëtari i gjashtë i bordit të Ujësjellësit “Prishtina”, ka të kaluar politike të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës. Amir Gashi që ka qenë kryesues i bordit në mandatin e kaluar, tash është zgjedhur vetëm anëtar bordi. E kaluar e tij është e lidhur me PDK-në.

KALLXO.com në vitin 2016 ka raportuar se Gashi ishte parë në atëkohë në një foto me kryetarin e degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj po ashtu edhe në faqen zyrtare shkruante që Amir Gashi ushtronte funksionin e sekretarit organizativ të degës së PDK-së në Prishtinë.

Gashi në atë kohë kishte thënë se fotot datonin nga viti 2012. PDK-ja asnjëherë ka dhënë përgjigje se kur është dorëhequr Gashi. Ai vazhdon të insistoi se nga PDK-ja ishte larguar në vitin 2012.

“Unë ka vite që nuk jam pjesë e strukturave të PDK-së që nga viti 2012, sepse kur janë mbajtur atë kohë zgjedhjet e Këshillit Drejtues nuk jam zgjedhur. Tani nuk jam as aktivistë”, tha Gashi për KALLXO.com.

Ndërsa, Neni 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

Politizimi i bordeve që alarmoi diplomatët e huaj në Kosovë

Një nga vendimet e para që Kryeministri Ramush Haradinaj kishte bërë me të marrë mandatin ishte  shkarkimi i anëtarëve të bordeve. Shkarkimi, sipas vendimit të qeverisë, ishte bërë  bazuar në një opinion të Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkak të lidhjeve politike të anëtarëve të bordeve.

Shkarkime Selektive të Anëtarëve të Bordeve

.

25 Qershor 2019 - 20:54

Arbisa Shefkiu 25/06/2019 - 20:54
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend