Foto: Kallxo.com

Pastrimi i Dyshimtë i Borës në Pejë

Bora që kishte rënë në tërë Kosovën në fillim të muajit janar e ka zënë në befasi të plotë Komunën e Pejës. Kjo komunë që nga muaji dhjetor nuk kishte kompani të kontraktuar për pastrimin e borës. Tenderi i hapur në muajin dhjetor ishte pezulluar për shkak të pretendimeve të operatorëve se Komuna e Pejës ka bërë shkelje ligjore.

Zvarritja e tenderit për pastrimin e borës ka bërë që Komuna e Pejës të mbetet e bllokuar nga bora për një kohë, pas reshjeve të muajit janar. Mos pastrimi i rrugëve dhe trotuareve nga bora bëri që të ketë shumë ankesa nga qytetarët  e këtij qyteti.

Ankesa të adresuar pati edhe në KALLXO.com gjatë kohës kur kishte reshje të borës. Për këto ankesa u raportua në fillim të janarit, mirëpo zyrtarët komunalë thanë së rrugët janë të kalueshme por bizneset duhet vetë ta heqin borën para lokaleve të tyre.

Dy orë pas raportimit të KALLXO.com për bllokimin e rrugëve u pa një ekskavator në sheshin kryesore dhe rrugët e  Pejës duke larguar borën.

Pastrimi i rrugëve nga një kompani me të cilën Komuna nuk kishte kontratë del të jetë e dyshimtë dhe pa bazë ligjore. Përveç kësaj, Gazeta JnK ka gjetur mos-përputhje në mes të deklaratave të Komunës së Pejës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë që i kishte pastruar rrugët në qytetin e Pejës. Kryetari i Komunës së Pejës është Gazmend Muhaxheri i LDK-së, ndërsa Ministria e Infrastrukturës udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Lutfi Zharku.

Xhemë Berisha, menaxher i zyrës së prokurimit në komunën e Pejës, thotë se rrugët janë pastruar nga kompania që kishte kontratë me Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo e fundit kishte kontratë për pastrimin e rrugëve me kompaninë Lika Trade për pastrimin e rrugëve regjionale.

“Rrugët e qytetit po pastrohen operatori i kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës “LIKA”, pasi komuna e Pejës dhe Ministria e Infrastrukturës kanë bërë marrëveshje që rrugët të pastrohen për t’u dalë në ndihmë për mirëmbajtje të rrugëve nga bora,” tha Berisha për Gazetën JnK.

Një gjë e tillë përgënjeshtrohet nga Ministria e Infrastrukturës. Saranda Jusufi, zyrtare e informimit në Ministrinë e Infrastrukturës e ka mohuar të ketë marrëveshje me komunën e Pejës për pastrimin e rrugëve.

“Sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve brenda qytetit të Pejës, Komuna është autoritet për mirëmbajtjen e tyre. Me asnjë komunë brenda territorit të Kosovës nuk kemi marrëveshje për mirëmbajtje të rrugëve brenda qytetit duke përfshirë edhe Pejën”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Infrastrukturës Jusufi, për Gazetën JnK.

Gazeta JnK ka kontaktuar edhe më zyrtarët e kompanisë Lika, e cila kishte bërë pastrimin e rrugëve të Pejës. Thonë se urdhrin për pastrimin e rrugëve të Pejës e kanë marrë nga menaxheri i kontratës që ata kanë me Ministrinë e Infrastrukturës.

“Kompania “Lika Trade” Sh.p.k në bazë të shkresës në ditarin e Punës të datës 04.01.2017 nga Menaxheri i kontratës i Ministrisë së Infrastrukturës për Mirëmbajtjen e Rrugëve në Regjionin Peja 1, është urdhëruar që të bëhet pastrimi i borës të një pjese të rrugëve të Qendrës së Qytetit të Pejës. E tërë kjo në bazë të marrëveshjes së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Pejës,” thuhet në përgjigjen e kompanisë “Lika Trade” për gazetën Jeta në Kosovë.

Në këtë komunë është bërë pastrimi i rrugëve kryesore, ndërsa rrugët dytësore dhe trotuaret nuk janë pastruar fare, duke krijuar vështirësi në qarkullim nga akulli e bora.

Tenderi i vonuar për pastrimin e borës

gjendja e sheshit ne Peje
Foto: Kallxo.com

Komuna e Pejës në dimër ka hapur procedurat e tenderimit për gjetjen e operatorit për mirëmbajtjen e rrugëve nga bora. Bora e madhe gati është shkrirë krejtësisht, kurse komuna e Pejës ende nuk ka nënshkruar kontratë me ndonjë kompani  për pastrimin e rrugëve të qytetit për shkak të pretendimeve të kompanive për shkelje ligjore nga Komuna e Pejës.

Hapja e procedurave të tenderit për angazhimin e kompanive për pastrimin e rrugëve nga Komuna e Pejës ishin bërë me 6 dhjetor të vitit të kaluar.

Tenderi kishe qenë i hapur nga 6 deri me 15 dhjetor me procedura të përshpejtuara, është thënë për Gazetën Jeta në Kosovë nga zyrtarët e prokurimit në komunën e Pejës.

Tenderi  për mirëmbajtjen e rrugëve në komunë të Pejës ishte ndarë në tri pjesë (llote). Në llotin e parë ishte paraparë pastrimi i rrugëve të qytetit, në llotin e dytë ishin përfshirë rrugët e fshatrave të Pejës, ndërsa në llotin e tretë ishte paraparë pastrimi i rrugëve të fshatrave të Rugovës.

“Njoftimi për dhënie të tenderit është bërë me 21 dhjetor, kurse nënshkrimi me fituesit është bërë me 4 janar (2016)”, tha për  Gazetën Jeta në Kosovë, Xhemë Berisha, menaxher i zyrës së prokurimit në komunën e Pejës.

Komuna e Pejës kishte arritur që më 4 janar ta nënshkruajë vetëm njërën nga tri kontratat për pastrimin e rrugëve. Për pastrimin e rrugëve nëpër fshatra të Pejës fitues i tenderit kishte dalë kompania Ke-Luani. Xhemë Berisha, menaxher komunal i prokurimit, thotë se kontrata në vlerë prej 89,100 euro për tri vjet, ose 29,700 euro për një vit është nënshkruar me 4 janar. Në këtë llot kanë ofertuar edhe tre operatorë të tjerë, por të cilët kishin qenë me çmime më të shtrenjta. Konsorciumi i kompanive “Dorarti & Graniti & Lindi” kishte ofertuar 94 mijë e 50 euro për tri vjet, apo 31 mijë e 350 për vit. Kompania Elbau nga Gjilani kishte ofertuar 108 mijë e 900 euro, ndërsa kompania Lika kishte ofertuar 113 mijë euro për tri vjet kontratë.

Kurse, tenderët për pastrimin e rrugëve të qytetit, si dhe pastrimin e rrugëve të fshatrave të Rugovës ishin pezulluar për shkak të ankesave të dorëzuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Më 28 janar, rruga drejt Rugovës kishte qëndruar e bllokuar për disa orë për shkak të një orteku të bores që kishte rrëshqitur nga malet.

Berisha tha se për rrugët e qytetit fitues nga komuna e Pejës ishte shpallur konsorciumi “Dorart & Graniti & Lindi”. Ky llot është pezulluar, pasi konzorciumi i kompanive “ER-LIS & VERMONT” ka dorëzuar ankesë në OSHP.

Ndërsa, për lloti i tretë është anuluar pasi komuna e Pejës pretendon se nuk e ka pranuar asnjë ofertë të përgjegjshme.

“Loti 3 (Rrugët e fshatrave të Rugovës) është pezulluar sepse operatori ER-LIS & VERMONT ka bërë gabime aritmetikore në vlerë më të madhe se që e lejon ligji. Ligji i ri i Prokurimit Publik e ka kufizuar gabimin artimetikor në vetëm 2% (plus/ minus). Kurse operatori tjetër KE-Luani ka ofertuar me 38 mijë euro, kurse vlera e paraparë e tenderit ka qenë 30 mijë”, tha Berisha.

Menaxheri i zyrës së prokurimit në komunë të Pejës tha se ende nuk është marrë vendim se a do përsëritët tenderi (LOTI 3) për mirëmbajtjen e rrugëve të fshatrave të Rugovës.

OSHP.KallxoGjykata e tenderëve

Shkaku i zvarritjes së nënshkrimit të kontratës është një ankesë që konsorciumi “Er-Lis &Ve-Mor” kishin dorëzuar në OShP. Në këtë ankesë, konsorciumi në fjalë pretendonte që Komuna e Pejës ka bërë shkelje të disa neneve të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Komuna e Pejës nuk ka respektuar Ligjin e Prokurimit Publik ka vepruar njëanshëm edhe pse Konsorciumi “Er- Lis & Ve- Mor” i ka përmbushur të gjitha kërkesat e kërkuara në dosjen e tenderit dhe në FDT. Kurse operatorët e propozuar për shpërblim me Kontratë kanë dështuar të përmbushin Kërkesat e Dosjes së Tenderit dhe sqarimet- informatat e AK të datës 13 dhe 14.13.2016 lidhur me këtë Aktivitet të Prokurimit”, thuhet në ankesën e operatorit ekonomik.

Pas pranimit të ankesës, sipas ligjit, OShP-ja e ka bërë pezullimin e procesit të prokurimit dhe e ka angazhuar një ekspert shqyrtues për të analizuar pretendimet e operatorit ankues (“Er-Lis & Ve-Mor”).

Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka lejuar qasje Gazetës JnK në ekspertizën e bërë për tenderin në fjalë. Ekspertja shqyrtuese, Sabrije Bullatovci, ka hedhur poshtë disa nga pretendimet e operatorit ekonomik. Por, Bullatovci i ka dhënë të drejtë operatorit i cili ka pretenduar se operatorit i rekomanduar për kontratë ka qenë i papërgjegjshëm.

“Bazuar në këtë, shihet qartë se mungon deklarata e anëtarëve të grupit për të autorizuar partnerin udhëheqës të veprojë në emër të grupit, ashtu siç kërkohet në nenin 27.1 pika c. Të rregullat dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimit Publik – A01, dt. 01. Nëntor 2016”, thuhet në raportin e ekspertizës.

Një shkelje tjetër që është gjetur nga ekspertja është mos-dorëzimi i dokumenteve origjinale.

“Ekspertja shqyrtuese bazuar në shkresat e lëndës sqaron se operatori ekonomik i rekomanduar për dhënie të kontratës si dëshmi ka ofruar listën e punëve të kryera, të bashkangjitur me kontrata dhe referenca, të vulosura dhe nënshkruara në kopje, e jo origjinal ashtu siç është kërkuar në nenin 9.2 të FDT-së, mirëpo ekspertja sqaron se Komuna e Pejës me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike është dashtë të veprojë konform nenit 72 të LPP-së”, thuhet në raportin e ekspertes Bullatovci.

Ekspertja në fund ka rekomanduar që të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim.