Fëmijë në klasë (Ilustrim). Foto: REL

Pasojat e dhunës emocionale – faktor me shumë ndikim në zhvillimin e plotë të fëmijës

Siguria është njëri nga faktorët që ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenie të fëmijës. Shumë  individ e përceptojnë sigurinë e fëmijës vetëm në kontekstin fizik, si lëndime fizike që i marrin në shtëpi, rrugë, shkollë, nga persona të ndryshëm, apo edhe në komunikacion. Mirëpo siguria e fëmijës nënkupton edhe mbrojtjen nga abuzimi emocional, fizik, seksual dhe neglizhenca. Siguria është me rëndësi për mirëqenien e fëmijës dhe zhvillimin në aspektin fizik e emocional, sikurse është me rëndësi shëndeti, edukimi, përkujdesja, plotësimi i nevojave themelore, pjesëmarrja apo përfshirja në jetën  sociale.

Qasja në informacion, botëkuptimet apo pikëpamjet e të rriturve për rritjen e fëmijës,  ndikojnë në qasjen e tyre ndaj fëmijëve dhe rrjedhimisht në zhvillimin e fëmijës.

Nga pikëpamja profesionale, do të sjellim disa përkufizime dhe shpjegime që mund të shërbejnë për të informuar prindërit/kujdestarët dhe lexuesit mbi konceptin e abuzimit, format, pasojat dhe ndikimin e tij në jetën dhe zhvillimin e fëmijës.

Çfarë nënkupotjmë me abuzimin emocional?

Abuzimet mund të ndodhin nga të rriturit, por ekzistojnë edhe abuzime nga bashkëmoshatarët, dhe të gjithë personat e tjerë që mund të kenë kontakte me fëmijën.

Studimet e fundit kanë nxjerrë konkluzionin se “abuzimi emocional apo psikologjik është po aq i dëmshëm sa të gjitha llojet e tjera të abuzimit”[1]. Një studim tjeter  thotë se ”…studimet e kohëve të fundit pohojnë se abuzimi psikologjik mund të jetë po aq i dëmshëm sa format e tjera të keqtrajtimit të fëmijëve, duke përfshirë abuzimin fizik dhe seksual”[2].  Fyerjet apo ofendimet  e përsëritura, përqmimet, talljet, përuljet,  kërcënimet, përjashtimi i fëmijëve, të  gjitha bashkë kategorizohen si abuzim emocional.

Disa studiues shprehen se shumë prindër/kujdestarë  nuk e kuptojnë se çfarë shkaktojnë tek fëmijët e tyre kur disa herë në ditë i quajnë “budallenj”, “të paaftë” ose “të pavlerë”,  ose kur nuk i vlerësojnë fare veprimet e fëmijëve të tyre[3].

Rezultatet të hulumtimeve të ndryshme tregojnë se “abuzimet emocionale ose psikologjike mund të shkaktojnë  sëmundje mendore, agresion si dhe paaftësi për të treguar rezultate në mësime”[4]: sipas David Vachon, një studiues i Universitetit McGill konkludon ”Të gjithë fëmijët që kishin një histori abuzimi shfaqën probleme të ngjashme të shëndetit mendor dhe të sjelljes, të tilla si ankthi, depresioni, rregulli dhe agresioni”[5]. Një tjetër mendim i cili shpërfaq dëmet që shkakton kjo formë e dhunës, “abuzimi emocional përfshin dështimin e një kujdestari për të siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe mbështetës, dhe përfshin veprimet që kanë efekt negativ në shëndetin emocional dhe zhvillimin e një fëmije. Veprime të tilla përfshijnë kufizimin e lëvizjeve të fëmijës, denigrimin, tallje, kërcënime, diskriminim, refuzim dhe forma të tjera jofizike të trajtimit armiqësor”.[6]

Për dhunën psikologjike-emocionale ndaj fëmijës duhet që prindërit dhe kujdestarët të informohen mbi rreziqet dhe pasojat që dhuna emocionale ka te fëmijët. Që qasja dhe sjelljet të jenë në përputhje me nevojën që fëmija ka, për lidhje emocionale, mbrojtje dhe përkujdes, nga prindi apo kujdestari.

Prindërit dhe kujdestarët e fëmijës mund të mos jenë fare të vetëdijshëm për këto veprime apo që veprimet e tyre janë duke shkaktuar abuzim emocional te fëmijët e që mund të jenë tepër domethënëse për zhvillimin psikologjik.

Disa tipe të shprehura  të abuzimit emocional

Disa nga specifikat e sjelljes të cilat abuzuesi[7] përdor në raport me viktimën, e që në gjuhën profesionale mund të kategorizohen edhe si lloje të abuzimit emocional.

Refuzimi – Prindërit  apo kujdestarët mund të refuzojnë të flasin me fëmijën, dhe fëmija mund të quhet fajtor për të gjitha problemet që ka familja. Prindërit apo kujdestarët që nuk kanë aftësinë që të lidhen me fëmijën shfaqin sjellje refuzuese ndaj tij. Ata mund t’i thonë fëmijës në mënyra të ndryshme se janë fëmijë të padëshiruar. Ata mund t’i kërkojnë fëmijës që të largohet, mund t’i vendosin emra fyes “budalla”, “i paaftë”, “gomar”,”dembel”, ose emra të tjerë të cilët e bëjnë fëmiun të ndihet i pavlerë apo i lënduar emocionalisht.

Injorimi –  Prindërit apo kujdestarët mund të mos tregojnë lidhje emocionale  me fëmijën e tyre, duke mos treguar ndaj tyre kujdes emocional. Prindërit/kujdestarët mund të mos tregojnë asnjë interes ndaj fëmijës, ose të njohin prezencën e fëmijës. Në shumë raste prania fizike është aty, por emocionalisht mungon.

Frikësimi dhe poshtërimi – Prindërit apo kujdestarët mund ta vendosin fëmijën përpara kritikës ose dënimit. Ata mund ta përqeshin atë kur fëmija shfaq emocione normale për një fenomen të caktuar, ose presin nga ai diçka që është jashtë mundësive normale të fëmijës. Në të tilla raste fëmija ndodh të kërcënohet me pasoja të rënda fizike e emocionale nga i rrituri.

Izolimi –Prindërit ose kujdestarët priren të mos e lejojnë fëmijën që të përfshihet në aktivitete të moshës me fëmijët e tjerë, duke e mbyllë fëmijën në dhomë, për të mos e stimuluar ekspozimin në ambientin social apo në shoqëri, apo duke pamundësuar pjesëmarrjen në aktivitetete jashtë-shkollore, socializuese apo rekreative me bashkëmoshatarët. Duke i vendosur kufizime në qasje në shtëpi dhe nga ushqyerja apo mirë-ushqyerja.

Pasojat e abuzimit  emocional

Abuzimi emocional godet psikikën e fëmijës dhe konceptin e fëmijës për vetveten, ku fëmija e sheh veten si të pavlerë për dashuri nga familja. Fëmijët të cilët në mënyrë të vazhdueshme ndjehen të turpëruar, të poshtëruar, të frikësuar/poshtëruar ose të papranuar nga familja, vuajnë po aq, ose edhe më tepër, sesa që mund të vuanin nga abuzimi fizik.

Abuzimi emocional i fëmijëve që në moshë të vogël mund krijojë pasoja në fazat momentale, por edhe në rritjen dhe mirëqenien e tij jetësore. Fëmija kur arrin një moshë të caktuar madhore, mund të vuajë disa nga pasojat siq mund të jenë:  ankthi, pasiguria, vështirësia në zhvillim, rezultate të dobëta në mësime, vetvlersim të ulët, mungesë dëshire për të komunikuar me të tjerët, vetë-izolim, kërkesa apo pritje të vogla për ato që mund të ketë apo arrijë në jetë, mungesë e  besimit për të krijuar  raporte miqësore dhe të qëndrueshme me të tjerët, agresion apo edhe te shfaq dhune ndaj vetes dhe ndaj te tjereve.

Disa nga mënyrat për një komunikim dhe sjellje të kujdesshme me fëmijët

Në përditshmëri mund të jemi të ngarkuar nga angazhimet ditore në punë, në shtëpi, dhe në studime – mund të jemi nën presionin e dinamikës së jetës.  Duke u fokusuar në këto ne harrojmë të ndërtojmë komunikim, sjellje dhe lidhje të qëndrueshme e të shëndoshë me fëmijën. Me poshtë janë  disa sygjerime që mund të jenë të dobishme për të komunikuar dhe për të ndërtuar sjellje pozitive me fëmijën.

  • Mos e quani asnjëherë fëmijën me emra ose etiketa si “budalla”, “dembel”, “i paaftë”, “i padijshëm”, “i ngathët”, ose emra të tjerë fyes.
  • Mos reagoni me agresivitet dhe sjellje të ashpër, në asnjë shkallë dhe formë,ndaj fëmijës nëse fëmija ka bërë ndonjë veprim jo të përshtatshëm për ju ose në sy të tjerëve.
  • Nëse jeni i zemëruar, i hidhëruar dhe mund të ju ketë humbur durimi, ju nuk duhet të fyeni fëmiun, të silleni keq apo ta trajtoni keq. Nëse ju veq e keni berë këtë mos ngurroni të kërkoni falje ndaj tij/saj për sjelljet e juaja. Të kërkuarit ndjesë ndaj tyre jep një shembull të mirë që ata mund ta ndjekin në raport me ju dhe të tjerët.
  • Sigurohuni të diskutoni me fëmijën sjelljen e tyre dhe nevojën qe sjellja e gabuar të përmirësohet..
  • Komunikimi me fëmijën duhet te  përdoret si menyrë që sjelljet e gabuara të përmirësohen, e jo ndëshkimi të përdoret si mjet disiplinimi.
  • Fëmija mund t’ju sfidojë dhe ju duhet të keni durimin të degjoni dhe të flisni me të për gjërat të cilat për atë janë me rëndësi.
  • Krijoni një praktikë të përhershme të bashkëbisedimit me fëmijët – ata duhet të ndjenjë vëmendjen tuaj të pakushtëzuar

Sjellja dhe qasja e juaj ndaj fëmijës ka shumë rëndësi dhe ndikim në zhvillimin  dhe edukimin e shëndoshë të fëmijës, andaj krijoni qasje pozitive, ofroni kujdesin dhe vëmendjen e duhur.

 

Fusnotat

[1] Children’s Human Rights Centre of Albania – CRCA – Abuzimi i fëmijëve në familje, publikuar më 2010 Tiranë

[2] Marrë: https://chronicleofsocialchange.org/featured/emotional-abuse-harmful-physical-sexual-abuse

[3] Understanding child abuse and neglect, Cynthia Crosson –  by crossar Tower edicioni i nëntë, publikuar nga Pearson, më 2013

[4] Children’s Human Rights Centre of Albania – CRCA – Abuzimi i fëmijëve në familje,  publikuar më 2010 Tiranë

[5] Marrë: https://chronicleofsocialchange.org/featured/emotional-abuse-harmful-physical-sexual-abuse

[6] Marrë:  http://www.who.int/violence_injury_prevention/violence/global_campaign/en/chap3.pdf

[7] Shpjegim për abuzimin:Abuzues mund të jenë prindërit dhe/ose kujdestarët, por edhe të rriturit tjerë të cilët mund të kenë kontakte me apo fëmijët.