Lara, një refugjate transgjinore nga Siria, u godit me thikë në kurriz nga vendasit pranë një kampi në ishullin grek të Lerosit. Foto: Alexia Tsagkari

Parajsë e Pasigurt: Jetë dhe Vdekje për Refugjatët LGBT

Të injoruar, të abuzuar, të vrarë. Për shumë azilkërkues LGBT në Turqi dhe Greqi, çdo ditë është një luftë për mbijetesë.

Sandi e kuptoi menjëherë se klienti ishte i rrezikshëm. Shumica e burrave që bredhin në Sheshin Taksim të Stambollit në kërkim të seksit kanë tendencën të shohin përreth të tensionuar ose hiqen si moskokëçarës. Por ky burrë e kishte kërcënimin në sy.

“Nga veshja, mund të të them se ai nuk kishte para,” rikujton ajo. “Ne e paralajmëruam atë të mos shkonte me të. Ai dukej i dyshimtë. Por ajo nuk dëgjoi. Kishte nevojë për para.”

Sandi po qëndronte në të njëjtin vend në sheshin Taksim ku ajo pati parë mikeshën e saj, Uardën, kur ajo humbi nëpër turmë me një burrë turk një mbrëmje të shtune gjashtë muaj më parë, në 17 dhjetor 2016. Kjo ishte hera e fundit kur ajo e pa Uardën gjallë.

Njësoj si Sandi, Uarda ishte një refugjate transgjinore nga Siria. Që të dyja u arratisën nga lufta dhe persekutimi në kërkim të një vendi të sigurtë në Europë. Ato shkuan në Stamboll ku, të injoruar nga vendasit njësoj si refugjatët e tjerë, u detyruan të shesin seks për të mbijetuar.

“Tri orë më pas ne i telefonuam, por celulari i saj ishte i mbyllur,” tha Sandi në mes të lotëve, ndërsa rimeli i rridhte në faqe. “Ne u kthyem në shtëpi dhe e gjetëm atë të mbytur në gjak. Me zorr arrita ta njoh.”

Sandi tregoi një foto të skenës së vrasjes nga celulari i saj. Uarda qe shtrirë në dysheme me dy plagë të mëdha në anë dhe në brinjë. Vrasësi e kishte sakatuar atë, i kishte prerë fytin dhe gjenitalet.

“Në fund policia erdhi dhe mori trupin e saj,” thotë Sandi. “Ne deshëm ta varrosnim siç duhej, por ata nuk na lejuan. Ajo u varros si një qen.”

Uarda ishte 30 vjeç, po aq sa edhe Sandi. Varri i saj gjendet në një varrezë në rrethinat lindore të Stambollit ku lulet e egra janë ngritur mbi varrin pa emër.

Kur Sandi kontaktoi të afërmit e Uardës në Siri pas vdekjes së saj, ata thanë se ajo i kishte turpëruar si familje. Ata nuk lejuan varrezën të vendoste një gur varri për të.

Uarda, parë në celularin e shoqes së saj, u vra në Stamboll më 17 dhjetor 2016. Foto: Alexia Tsagkari

 

Policia nuk e kapi kurrë vrasësin dhe vrasja u harrua pa zhurmë në Turqi, ku aktivistët e të drejtave thonë se krimet e urrejtjes po bëhen gjithnjë e më të zakonshme kundër anëtarëve të bashkësisë së lezbikeve, gejve, biseksualëve dhe transgjinorëve, LGBT.

Për disa refugjatë LGBT në Stamboll, kjo vrasje vulosi vendimin e tyre që të përpiqeshin të mbërrinin në Europën Perëndimore me çdo kusht.

Përgjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2017, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, gjurmoi progresin e refugjatëve LGBT në synimin për të udhëtuar nga Turqia në Greqi dhe më pas në vende të tjera më në veri.

Me mbylljen e shtigjeve kryesore të refugjatëve pas marrëveshjes BE-Turqi për ndalimin e fluksit të njerëzve në Europë, ata u detyruan të paguajnë trafikantët për të kaluar.

Ajo që u ndodhi ishte një dramë frike dhe shpresash të thyera ndërsa ëndrra për një jetë më të mirë u shkri në një makth dhune dhe diskriminimi.

Historitë e tyre vënë në dukje traumat psikologjike dhe fizike me të cilat përballen shumë refugjatë LGBT për shkak se stigma dhe persekutimi i përndjek ata në përpjekjet për të gjetur azil.

Ata nënvijëzojnë gjithashtu dështimin e vendeve pritëse dhe sistemit humanitar për të mbrojtur disa nga më të dobëtit mes lëvizjes më të madhe të njerëzve nëpër Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të gjithë refugjatët LGBT të intervistuar për këtë histori kërkuan të identifikohen me emër të përzgjedhur prej tyre për shkak të frikës për sigurinë personale.

Sandi, një refugjate 30 vjeçare transgjinore nga Siria, thotë se mikesha e saj e vrarë ‘u varros si një qen’. Foto: Alexia Tsagkari

Krime të urrejtjes

Konventa mbi Refugjatët e OKB-së e vitit 1951, e cila detyron vendet të mbrojnë njerëzit që kanë ikur nga rreziku, e përkufizon një refugjat si një person me “frikë të mirëbazuar se po përndiqen për arsye të racës, religjionit, kombësisë, opinionit politik apo përkatësisë në një grup shoqëror të caktuar”.

Ndonëse konventa nuk i referohet specifikisht njerëzve LGBT, një Direktivë e BE-së e vitit 2011 shkruan se përndjekja për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor është bazë e shëndoshë për dhënien e azilit.

Askush nuk e di se sa shumë njerëz LGBT janë mes miliona njerëzve që janë arratisur nga konflikti, varfëria dhe persekutimi në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë e Jugut përgjatë viteve të fundit, shumë prej të cilëve shpresojnë të mbërrijnë në Europën veriore.

Që nga viti 2015, rreth 2.9 milionë njerëz kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së, sipas zyrës së statistikave të Komisionit Europian.

Vetëm Belgjika mbledh të dhëna mbi aplikimet për azil nga komuniteti LGBT, megjithëse shifrat e saj më të fundit të publikuara i përkasin viteve 2008-2012. Gjatë asaj periudhe, 4.4 për qind e rasteve bazoheshin në orientimin seksual apo identitetin gjinor.

Ndërkohë, rreth 3.4 milionë njerëz po trokasin në derën e Europës nga Turqia, vendi që ka popullsinë më të madhe të refugjatëve në botë sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, UNHCR.

Ramtin, një 27 vjeçar gej nga Irani, është njëri prej tyre.

Rreth mesditës së 25 qershorit 2017, ai po qëndronte në një cep të sheshit Taksim ndërsa aktivistët u mblodhën në cepin tjetër për të sfiduar ndalimin e paradës së përvitshme të krenarisë LGBT.

Ky ishte viti i tretë rradhazi që zyra e guvernatorit të qytetit ndaloi paradën, duke cituar shqetësime për sigurinë publike pas kërcënimeve nga grupet e ekstremistëve.

“Ata qeshën me mua dhe më thanë se mirë të më bëhet sepse jam pederast”.

Ramtin, një refugjat 27 vjeçar gej nga Irani

Pak më shumë se një vit pasi grushti i dështuar i shtetit nxiti qeverinë të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme – për të cilën kritikët thonë se është përdorur për të fuqizuar sundimin autoritar dhe për të shtypur disidencën – policia nuk ishte në humor për lojëra.

Ramtin vëzhgoi i terrorizuar se më shumë se 30 autobuzë me policë si dhe automjete me ujë me presion e tankse bllokuan të gjitha rrugët që të shpinin te bulevardi Istikal, një rrugë këmbësorësh që nis nga sheshi Taksim dhe që zakonisht është e mbushur me vendas dhe turistë.

Instikti i tij i thoshte të bashkohej me protestuesit – por rreziku qe i madh.

Arrestimi mund të sillte ekstradim në Iran, ku një gjykatë vendase e ka dënuar atë me vdekje në vitin 2015 për kryerjen e “marrëdhënieve jonatyrore”. Ishte falë një të afërmi, i cili i dha ryshfet rojeve të burgut në fshatin e tij, që ai ia doli të arratisej për në Turqi, shpjegon ai.

Amnesty International vlerëson se 5 mijë gej dhe lezbike janë ekzekutuar në Iran që nga revolucioni i vitit 1979 në këtë vend.

Ndërsa policia speciale filloi të hedhë gaz lotsjellës dhe të qëllojë me plumba gome, duke i detyruar protestuesit të vraponin nëpër shesh, Ramtin e ndau mendjen dhe vrapoi për t’u fshehur në një kafe aty pranë.

Ramtin, një refugjat gej nga Irani, valëvit një flamur LGBT në një park në Stamboll. Foto: Alexia Tsagkari

Që kur mbërriti në Turqi, Ramtin thotë se ai është vjedhur, përdhunuar dhe kërcënuar me vdekje nga vendasit dhe refugjatë të tjerë iranianë. Kur ai raportoi krimet, policët u tallën me të.

“Ata qeshën me mua dhe më thanë se mirë të më bëhet sepse jam pederast,” tha ai.

Në letër, Turqia ka një histori të gjatë tolerance ndaj homoseksualitetit, i cili ka qenë i ligjshëm që kur republika u themelua më 1923.

Por homofobia në rritje dhe një klimë gjithnjë e më reaksionare dhe anti-laike e ka bërë vendin në aspak të sigurtë për azilkërkuesit LGBT, thonë grupimet e të drejtave të njeriut.

Në nëntor, presidenti i Turqisë Recep Tayyip u shpreh se fuqizimi i njerëzve LGBT ishte “kundër vlerave të kombit tonë”. Një javë më vonë, zyra e guvernatorit të Ankarasë ndaloi të gjitha ngjarjet kulturore LGBT në qytet.

Yildiz Tar, një zëdhënës për shoqatën e Kërkimeve Kulturore dhe Solidaritetit Gej dhe Lezbike, Kaos, një grupim i të drejtave me bazë në Ankara, tha se kjo deklaratë ndihmoi ndezjen e homofobisë dhe transfobisë.

“Ka shumë krime të urrejtjes që vijojnë, por ne nuk kemi shifra të sakta për shkak se qeveria nuk mbledh kurrfarë statistikash,” tha ai, i ulur në disa shkallë në një rrugicë të vogël në qendër të Stambollit.

Tar citoi rastin e Mujammed Wisam Sankarit, një refugjati gej nga Siria i cili u gjet me kokë të prerë dhe aq brutalisht i sakatuar në Stamboll në vitin 2016 sa shokët e tij thanë se mundën ta identifikonin vetëm nga rrobat.

Sankari kishte informuar policinë se ai ishte në rrezik pasi ishte rrëmbyer pesë muaj më herët dhe ishte çuar në një pyll ku ishte përdhunuar dhe torturuar nga sulmues të panjohur.

Askush nuk është sjellë para drejtësisë për asnjërin prej sulmeve, tha Tar.

Nuk ishte e mundur të dërgoheshin pyetje te policia në Stamboll. Ambasada e Turqisë në Athinë refuzoi të komentojë mbi rastin Sankari dhe çështje të tjera, përfshirë pyetjet mbi të drejtat LGBT në këtë vend me 80 milionë njerëz.

“Ka shumë krime urrejtjeje që po kryen”.

Yildiz Tar, zëdhënës për Shoqatën për Kërkime Kulturore dhe Solidaritet Gej dhe Lezbike

Tar tha se azilantët LGBT nga disa vende, veçanërisht Irani, mund të mbështeten në rrjete të gjera të njohurish për të plotësuar nevojat e veta dhe për të lundruar në proceset e gjata të kërkimit të azilit.

“Ata deklarojnë identitetin e tyre gjinor dhe kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare,” tha ai. “Ky proces mund të marrë shumë vite dhe për shkak se ata kanë probleme në aksesimin e shërbimeve, shumica e tyre kanë vuajtur dhunë fizike apo verbale.”

Ndërkohë, refugjatët LGBT nga Siria shpesh mbeten krejt vetëm, tha Tar.

Sirianët përbëjnë 90 për qind të popullsisë refugjate në Turqi – rreth 3.1 milionë njerëz sipas shifrave të fundit të UNHCR-së.

Ligji në Siri e ka vepër penale “marrëdhënien jonatyrore seksuale” dhe e dënon me deri tri vite burg, ndërsa një numër i lartë njerëzish LGBT janë torturuar dhe vrarë në zonat e kontrolluara nga luftëtarët e Shtetit Islamik, thonë grupimet e të drejtave të njeriut.

Që nga viti 2011, Shoqata Ndërkombëtare Lezbike, Gej, Biseksualë, Trans dhe Interseks, një aleancë grupimesh të të drejtave, e ka shpallur Sirinë vendin më të rrezikshëm në botë për personat LGBT.

“Me refugjatët sirianë, problemi i tyre është që të vetëshpallen, të thonë se cilët janë,” thotë Tar. “Për rrjedhojë, ata nuk regjistrohen si refugjatë LGBT dhe nevojat e tyre të veçanta injorohen.”

Sipas një raporti të UNHRC-së të publikuar në vitin 2015, refugjatët LGBT të cilët janë të njohur si të tillë rrezikojnë “përjashtim të rëndë shoqëror dhe dhunë në vendet e ekzilit, si nga bashkësia vendase ashtu edhe nga bashkësia më e gjerë e azilkërkuesve dhe refugjatëve”.

Maher, një refugjate transgjinore 23 vjeçare nga Iraku, iku në Stamboll pasi u akuzua për kryerjen e ‘akteve jonatyrore’. Foto: Alexia Tsagkari

‘Nuk është parajsë’

Për Maher, një grua transgjinore 23 vjeçare nga Iraku, vrasja e Uardës ishte goditja finale.

Pas në shtëpi, në Irak, Maher kishte një jetë të dyfishtë. Në stacionin policor ku ajo punonte si administratore, kolegët mendonin për të si një nga djemtë. Por e gjitha kjo ndryshoi kur një ditë harroi celularin në zyrë. Aty gjendeshin foto të saj duke veshur një parruke dhe rroba grash.

Kolegët që panë fotot e saj e arrestuan. Ajo u akuzua për kryerjen e “akteve jonatyrore”, u torturua dhe u burgos, tha ajo. Pas tri muajsh e gjysmë, ajo u dënua me kushtin që vëllai i saj të vepronte si garantues ndërkohë që ajo priste të dilte në gjyq.

Kur ajo u arratis nga vendi disa  muaj më vonë, vëllai i saj u arrestua dhe u dënua me burg përjetë – një fakt që ajo thotë se rëndon mbi të çdo ditë.

Një muaj para se të vritej Uarda në Stamboll, Maher pa një tjetër punëtore seksi transgjinore të vritej në sheshin Taksim.

“Hasani deshte të vinte dhe të mbronte transët,” tha ajo. “Ajo nuk ishte mikesha jonë, por ne e kishim njohur në shes. Unë kisha shumë frikë se këta njerëz do të na sulmonin kështu që e shtyva Hasanin mënjanë. Pas një copë here, ata ia prenë fytin me thikë.”

Mes viteve 2008 dhe 2016, 43 transgjinorë janë vrarë në Turqi sipas një raporti të vitit 2016 nga grupi i të drejtave Transgender Europë, megjithëse raporti thotë se ky numër është vetëm “maja e ajsbergut”.

 

Maher tregon shenjat që ajo thotë se provojnë se ajo u torturua nga policia në Irak. Foto: Alexia Tsagkari

Të tronditur nga dhuna përreth tyre, Maher dhe tri refugjatë të tjerë, përfshirë Hasanin, vendosën të përpiqeshin për të ikur në Hollandë, vend për të cilin thonë se është diçka si tokë e premtuar.

Hasani, i cili kishte qenë berber në Alepo, në Siri dhe pëlqente flokë të lyera të verdha, ëndërronte të hapte sallonin e vet të bukurisë në Amsterdam.

Sandi, refugjatja 30 vjeçare transgjinore nga Siria e cila gjeti trupin e Uardës, vendosi të mos niset me ta. Ajo e njihte Amsterdamin mirë, pasi kishte jetuar atje për shtatë muaj pasi kishte paguar një trafikant për të fluturuar atje me dokumente false më 2013.

Ajo u deportua pas në Turqi pasi u kap si imigrante ilegale.

“Unë kam një të dashur këtu dhe një jetë të rindërtuar përgjatë katër viteve e gjysmë,” tha Sandi, e cila së fundmi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për ripërcaktimin e seksit te një mjek rruge në Stamboll. “Amsterdami gjithashtu nuk është parajsë për ne.”

“Burrat i prenë fytin me thikë”

Maher, e cila thotë se ajo pa një punëtore seksi të vritej në sheshin Taksim

Rreth 2 mijë kilometra më larg, në kryeqytetin e Hollandës, disa azilkërkues LGBT ndajnë zhgënjimin me Sandin në një vend që dikur lavdërohej si fanar i tolerancës.

Në vitin 2017, një organizatë bamirëse me bazë në Amsterdam e quajtur Mbështetja e Azilantëve LGBT ndihmoi rreth 100 refugjatë LGBT me aplikimet e tyre për azil. Organizata thotë se disa dhjetëra aplikime u refuzuan, për shkak se autoritetet janë gjithnjë e më ngurruese që t’u japin përfitimin azilantëve të dyshimtë.

“Njerëzit thonë se kanë ardhur në një vend të sigurtë, por në vend të kësaj, jetojnë në një mankth,” tha për BIRN në një intervistë përmes Skype Sandro Kortekaas, kryetari i organizatës. “Sistemi madje dyshon nëse ata janë gej. Si mundet që një refugjat të mund të kthehet në [zonë] lufte apo në një vend ku do të përballet me vdekjen?”

Johannes Lukas Gartner, drejtor programi i grupimit të të drejtave të njeriut Humanizmi në Veprim me bazë në Berlin, i përmblodhi vuajtjet e shumë refugjatëve LGBT në një ese të kohëve të fundit.

“Që të marrë azil, refugjatët LGBT kanë nevojë që të provojnë para autoriteteve të imigrimit dhe drejtësisë që ata janë LGBT, që ata kanë frikë nga përndjekja për shkak të seksualitetit të tyre dhe se kjo frikë është e mirëbazuar,” shkroi ai.

“Edhe më shumë se sa në rastet e përndjekjes politike, fetare apo etnike, gjithsesi, rezultati i aplikimeve të tyre varet gjerësisht nga ekzistenca e provave zakonisht jo të prekshme.”

 

Hasan, gej nga Siria, ëndërron të hapë sallon bukurie në Amsterdam. Foto: Alexia Tsagkari

Të vendosur, Maher dhe Hasan u nisën për në Greqi në janar 2017, krahas shokut iraken të Hassanit, Mahdi si dhe Larës, një gruaje transgjinore nga Siria.

Ata i paguan trafikantit 800 euro secili për t’i marrë në një gomone nga porti lindor i Bodrumit për në ishullin grek të Lerosit, 80 kilometra larg tokës turke.

Udhëtimi i tyre ishte në shkelje të një marrëveshjeje të vitit 2016 mes BE-së dhe Ankarasë, e cila i ka kërkuar Turqisë të ndalojë kalimet e paligjshme në Greqi në shkëmbim të ndihmave financiare dhe bisedimeve të përshpejtuara me BE-në për anëtarësim.

Marrëveshja e mbylli tërësisht rrugën përmes detit Egje. Më 2015, mesatarisht 6,828 njerëz në ditë kaluan në Greqi nga Turqia. Nga dhjetori 2016, ky numër ra në 54 në ditë, sipas UNHCR-së.

Ndërsa vendet e Ballkanit në veri mbyllën gjithashtu kufijtë e tyre, shumë refugjatë dhe migrantë e gjetën veten të bllokuar në kampe dhe qendra urbane nëpër Greqi.

Deri në fund të nëntorit, pothuajse 15,500 njerëz ishin të bllokuar në ishujt e Egjeut lindor duke shpresuar se do të transferohen në pjesën jo-ishullore të Greqisë. Ata të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil do të deportohen – në Turqi nëse janë regjistruar atje para udhëtimit në Greqi, nëse jo do të çohen në vendet e tyre të origjinës.

Sapo mbërritën në Leros, Maheri, Hassani, Mahdi dhe Lara u regjistruan në një kamp në Gjirin Laki të përbërë nga disa dhjetëra kontenierë anijesh të përshtatur në oborrin e një spitali psikiatrik.

Ata thanë se kërcënimi për dhunë ishte konstant, si nga banorët në kamp ashtu edhe nga vendasit në ishullin me 8 mijë banorë. Në maj, një grup burrash goditën me thikë Larën ndërsa ajo po sorollatej në rrugën kryesore të qytetit.

“Dëgjova dikë që bërtiste pas meje në greqisht,” tha gruaja 28 vjeçare transgjinore nga Homs në Siri. “Para se unë të ktheja kokën, ndjeva dhimbje të fortë në kurriz dhe u rrëzova përmbys. Mendoj se kjo më shpëtoi jetën.”

Pyetur mbi sulmet e dyshuara ndaj refugjatëve LGBT, disa banorë grekë thanë se ato qenë të pritshme.

“Ata duan t’i bëjnë djemtë tanë motra dhe pederastë,” tha Yiannis Koumoulis, pronari i një dyqani makinash me qira.

Bassim, një refugjat gej nga Iraku, tregon shenjat që i kanë mbetur kur vetë vëllai i tij u përpoq ta digjte të gjallë. Foto: Alexia Tsagkari

Pika e thyerjes

Përtej Egjeut, refugjatët LGBT e gjejnë veten në mjedis njësoj të rrezikshëm.

“Refugjatët LGBT kanë nevojë për mbrojtje shtesë, për shkak se janë pre e formave të ndryshme të dhunës dhe mungesës së aksesit në shërbimet bazë,” tha Margarita Kontomichali, koordinatore e një programi mbështetës për azilkërkuesit LGBT të drejtuar nga organizata bamirëse Athinase e quajtur Solidarity Now.

Në ishullin e vockël të Kos, dy orë me traget nga Lerosi, azilkërkuesit gej të strehuar në një hotel të braktisur thonë se ata janë të përndjekur nga frika e deportimit.

“U përpoqa dy herë të vras veten në kamp,” tha Bassimi, një 31 vjeçar që u arratis nga Iraku pasi vëllai i tij ekstremist u përpoq ta vriste. “U tregova tepër burracak dhe nuk i dhashë fund jetës.”

Ai shpërtheu në lot ndërsa tregoi shenjat në kofshën e majtë nga një natë në vitin 2016, kur vëllai i tij hyri në dhomë, derdhi vaj mbi të dhe i vuri flakën në këmbë.

“Vëllai im po kërkon ende për mua. Por këtu në Greqi, unë nuk ndjehem gjithashtu i sigurtë.”

Porta hyrëse greke për në Europë

Më 2015, Greqia e falimentuar filloi të njihej si rruga kryesore për në Europë për shkak se më shumë se një milionë refugjatë dhe migrantë udhëtuan këtu nga Turqia, para se të niseshin për destinacione të tjera në Europën Perëndimore.

Në përgjigje të fluksit më të lartë të njerëzve të shpërngulur që nga Lufta e Dytë Botërore, Bashkimi Europian firmosi një marrëveshje me Turqinë në mars 2016 për të ndaluar kalimin e njerëzve në Greqi në shkëmbim të ndihmës financiare dhe bisedimeve të përshpejtuara për anëtarësim.

Sipas marrëveshjes, Brukseli dhe Ankaraja ranë dakord që të gjithë “migrantët e parregulltë dhe azilkërkuesit” e rinj që kishin kaluar te ishujt grekë deri më 20 mars do të ktheheshin në Turqi.

Ndërkohë, për çdo sirian të kthyer në Turqi nga ishujt grekë, një tjetër sirian do të zhvendosej në Bashkimin Europian.

Në fund, Turqia duhej të merrte të gjitha hapat e nevojshëm për të bllokuar hapjen e shtigjeve të reja në det apo në tokë për në BE.

Në mars 2016, Maqedonia, Kroacia dhe Sllovenia mbyllën kufijtë e tyre, duke lënë dhjetëramijëra refugjatë dhe migrantë të bllokuar në Greqi.

Refugjatët LGBT thonë se punonjësit vendas të ndihmave nuk kanë trajnimin dhe ndërgjegjësimin për të trajtuar rastet sensitive ndërsa të tjerët janë haptazi homofobë.

Një 18 vjeçar gej nga Siria, i cili refuzoi të identifikohej, përshkroi lodhjen e tij me procedurën e azilit. Ai tha se ishte tepër i shushatur gjatë intervistët me zyrtarët për të qenë i ndershëm mbi rreziqet me të cilat ai përballej si gej në Siri.

“Përkthyesi ishte një djalë i cili nuk përkthente ekzaktësisht çfarë unë i thoja atij. Unë mund të kuptoj anglishte bazë dhe jam i sigurt për të. Dhe askush nuk më tha se ishte e sigurtë që unë të zbuloja orientimin tim seksual.”

Kur aplikimi për azil u refuzua disa muaj më vonë, ai kërkoi një intervistë të dytë dhe kësaj here “doli hapur” para zyrtarëve. Çdo ditë që ai pret për vendimin është agoni.

Gjatë verës, i riu gjeti punë në një klub plazhi, ku ai tha se u detyrua të punonte 12 orë në ditë për një muaj pa pagesë ndërsa vuante ngacmime seksuale nga pronari.

“Nuk mund t’i them askujt sepse më vjen shumë turp,” tha ai.

Në qershor, Maher, Hassan, Lara dhe Mahdi morën leje për të lënë ishullin e Lerosit dhe për të udhëtuar në Athinë, ku ata aplikuan zyrtarisht për azil në Hollandë.

Paga mujore prej 90 eurosh në muaj për secilin nga UNHCR nuk është e mjaftueshme për të jetuar, thonë ata.

“Kur ne mbërritëm në Athinë, Hassan dhe unë shkuam në supermarket,” tha Hamdi, një 32 vjeçar gej nga Iraku i cili u detyrua të linte shtëpinë e tij në Kuvajt pasi vëllai i tij homofobik u përpoq ta vriste.

“Gjatë rrugës, migrantë nga Gjeorgjia, mendoj, po bërtisnin, ‘Ikni prej këtu motra!’ Ne na u desh të ktheheshim në apartament, por ata ishin ende jashtë, duke hedhur gurë në dritare.”

Të dy jetojnë në një strehë në lagjen Kopseli në qendër të Athinës, strehë e siguruar nga Shoqata për Mbështetjen Shoqërore të të Rinjve, një organizatë jo-fitimprurëse që ndihmon të rinjtë e margjinalizuar.

Pavarësisht mbështetjes, të katërt thanë se ishin në pikën e thyerjes.

“Nga momenti i parë, gjithçka që kam dëgjuar janë premtime,” tha Mahdi. “Unë nuk mund t’i besoj askujt këtu, as edhe organizatave [bamirëse]. Nuk e di çfarë të pres dhe si të veproj.”

Maher dhe Hassan shikojnë nga aparati fotografik. Foto: Alexia Tsagkari

Dokumente të falsifikuara

Në qershor, Maher, Hassan, Mahdi dhe Lara vendosën se ata nuk mund të prisnin më që procesi i azilit të ndiqte rrugën e vet. Ishte koha për të paguar një trafikant për të ikur në Amsterdam.

Pranë kishës së Shën Nikollës në rrugën Akarnon, ata takuan një burrë të shkurtër që fliste arabisht dhe që u paraqiti alternativat.

Një pasaportë bazë e falsifikuar europiane dhe një biletë avioni mund t’i kushtonte atyre 800 euro secilës. Për 3 mijë euro, ato mund të merrnin një pasaportë të vjedhur të cilësisë së lartë dhe një vend në një anije kroçerë që do t’i çonte përreth Mesdheut. Paketa deluks përfshinte edhe ryshfet për zyrtarët e rojës bregdetare, tha ai.

Një burrë i tregoi atyre foto mbi dokumente false. Në fund, ata zgjodhën ofertën 1,500 euroshe e cila do t’i jepte atyre pasaporta të falsifikuara shumë mirë – me shumë gjasa bullgare ose rumune – si dhe një fluturim.

Ata dhanë paratë në kartëmonedha 50 euroshe, para të fituara nga puna e seksit dhe të dhëna nga miqtë e tyre që jetojnë në Kuvajt.

Nga fundi i shtatorit, pak para se të vinte koha e udhëtimit, goditi tragjedia.

Një natë, Maheri nuk ishte më vetja. Ajo humbi kujtesën, ishte konfuze dhe kishte vështirësi në frymëmarje. Pas kësaj, ajo filloi të nxirrte gjak nga goja.

Maher e ulur në një krevat në spital në Athinë. Foto: Alexia Tsagkari

Hassan thirri një ambulancë. Ambulancës iu desh një pafundësi për të mbërritur, kështu që ato u mblodhën në një taksi dhe nxituan për në spital.

Fillimisht, mjekët nuk i thanë Hassan dhe Mahdi se çfarë nuk shkonte me Maher për shkak se nuk kishin të afërm. Por pas dy javësh, ata zbuluan se ajo kishte pasur tumor në tru dhe kishte përjetuar dy ishemi.

Kushtet e saj e bëjnë të paoperueshme dhe ajo nuk pritet të mbijetojë, thanë ata.

Tumori mundet të jetë ose jo i lidhur me dhunën që ajo vuajti ndërsa gjendej në burg në Irak, thanë mjekët. Në kohën e këtij publikimi, Maher flet me vështirësi të mëdha dhe nuk i njeh vizitorët.

Të shkatërruara, Hassan, Mahdi dhe Lara nuk ia kanë idenë se çfarë do të bëjnë.

Një mbrëmje në fund të nëntorit, Hassan dhe Mahdi po vizitonin Maher, kushtet e së cilës dukej se po përkeqësoheshin. Mahdi vijonte të thoshte nën zë: “Po tani? Po tani?”

Hassan u ul në cep të krevatit dhe vendosi krahun rreth Maher.

“Mjaft pyete, Mahdi,” tha me zë të ulët, të qetë, të sheshtë. “E rëndësishmja është se ne jemi bashkë, të treja ne.”

Ajo ngriti celularin dhe bëri një selfi. Që të treja bashkë.

Alexia Tsagkari është një reportere e dhe gazetare video me bazë në Athinë. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.

 

23 Janar 2018 - 09:30

Alexia Tsagkari | Stamboll, Leros, Kos dhe Athinë 23/01/2018 - 09:30
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend