Para, Vetura dhe Kompjuterë për Zyrtarin Polak

Në botën e mbyllur të zyrtarëve qeveritarë që mbikëqyrin kontratat kompjuterike, polaku Andrzej Machnacz ishte figurë e dalluar. Ai thithte cigare të shtrenjta dhe sillej nëpër Varshavë me motoçikletë. Shitës të shumtë e vizitonin në zyrë, në të cilën një ekran i madh televiziv zakonisht shfaqte pamje të pistave të modës.

“Andrzejit i pëlqente soditja e vajzave të bukura”, rikujton një vizitor i shpeshtë i tij. “Në zyrën e tij gjithmonë kishte cigare të shtrenjta dhe alkool ekskluziv, kryesisht uiski të vjetër e cilësor”.

Zyrtarët ekzekutivë të ndërmarrjeve lokale që merreshin me shitje të kompjuterëve, si dhe gjigandët globalë si IBM dhe Hewlet-Packard, kishin arsye të mirë që të kujdesen për Machnaczin. 

Si zyrtar i lartë për teknologji i policisë kombëtare polake dhe më vonë i ministrisë së punëve të brendshme, ai përcaktonte kushtet e kontratave me vlera prej qindra milionë dollarësh dhe vendoste se cilat prej tyre duhej lidhur pa kaluar fare nëpër proces konkurrues.

Tani, prokurorët polakë kanë vënë në pah një këndvështrim negativ të partneritetit mes figurës së Machnaczit dhe shitësve të gatshëm për të bashkëpunuar me të, i cili do të mund të ketë pasoja ligjore për kompanitë amerikane si IBM, Hewlett-Packard dhe për kompaninë prodhuese të softuerit nga Redwood City i Kalifornisë – Oracle.

“Në zyrën e tij gjithmonë kishte cigare të shtrenjta dhe alkool ekskluziv, kryesisht uiski të vjetër e cilësor”.

Prokurorët thonë se Machnacz ka marrë mbi një milion euro para të gatshme dhe dhurata të shtrenjta të cilat i jepeshin si shpërblim për t’i orientuar kontraktorët qeveritarë drejt tri kompanive amerikane të lartpërmendura si dhe drejt kompanisë polake Netline.

Sipas prokurorëve, mes shpërblimeve ishin edhe një motoçikletë BMW, një xhip Nissan, pajisje shtëpiake nga Harmon Kardon, një televizion 50-polësh i markës Sony, 12 laptopë, disa iPad dhe një frigorifer.

Dhënia e mitos për zyrtarë jashtë vendit ndalohet me Ligjin për Praktika Korruptive Jashtë Vendit të SHBA-ve, e siç ka raportuar edhe më parë ProPublica, kohët e fundit Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni për Letra me Vlerë dhe Bursa ka marrë përsipër zbatimin e këtij ligji.

Mbetet e paqartë nëse hetuesit federalë të SHBA-ve kanë filluar t’i hetojnë rrethanat e kontratave teknologjike në Poloni.

IBM dhe Hewlett-Packard thanë në deklaratat e tyre se janë duke bashkëpunuar me autoritetet polake. Hewlett-Packard theksoi se “në këtë rast nuk ka si të dyshuar asnjë punonjës aktual të HP-së”, ndërsa IBM theksoi se “shkrimet e mediave” mbi këtë rast i referoheshin një “ish-punonjësi të IBM-së”.

Kjo kompani ka deklaruar se “beson që punonjësit e saj u përmbahen standardeve më të larta etike dhe se ajo mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të etikës afariste dhe pajtueshmërisë me ligjin”.

Oracle, përfshirja e mundshme në hetime e së cilës nuk është bërë publike para publikimit të artikullit, nuk deshi të komentojë.

Raportet e para mbi këto hetime nga mediat polake janë bërë para më shumë se një viti, dhe ato përmendnin kompanitë IBM dhe HP por nuk çuan shumë pluhur.

Një raport i javës së kaluar nga Robert Socha i rrjetit televiziv TVN vuri në spikamë disa detaje të reja mbi këtë hetim. (këtë emision mund ta shikoni me titra në gjuhën angleze duke klikuar këtu.)

Raporti i TVN përfshinte imazhe të një biznesmeni të shquar polak teksa përshkruante hapat që Machnacz ndërmerrte shpesh për t’i kryer punët në fshehtësi të plotë. Ky zyrtar, fytyra e së cilit nuk u paraqit në kamerë, nuk u identifikua me emër por u theksua se ai ishte më herët punonjës i kompanisë polake të përfshirë në këtë rast – Netline. 

Unë i mësova të gjitha stacionet e metrosë sepse shpesh takoheshim në stacione të ndryshme”.

“Unë e përcillja me veturën time”, the biznesmeni për Machnaczin. “Ndonjëherë ai bënte veprime të shumta për të dëshmuar se sa gjenial dhe i mahnitshëm ishte, dhe për të treguar se si mund të manipulonte agjencitë shtetërore”.

“Ne takoheshim, unë e përcillja me veturën ndërsa ai e ngiste motoçikletën e vet, pasi që sigurohej se nuk po përcilleshim. Unë i mësova të gjitha stacionet e metrosë sepse shpesh takoheshim në stacione të ndryshme”.

Ky ish-zyrtar i kompanisë polake tha se me Machnaczin së pari u takua në një konferencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilën ai ishte ftuar nga një zyrtar i IBM-së në Poloni.

Zëdhënësi i Burosë Polake Kundër Korrupsionit, e cila po heton rastin, ka thënë për TVN dhe ProPublica se agjencia e tij nuk mund të deklarojë se ka pasur bashkëpunim të mirë me tri kompanitë amerikane.

Në një email për ProPublica, Jacek Dobrzynski tha se kompanitë u janë përgjigjur kërkesave për të parashtruar dokumentet e nevojshme. Por, kur u pyet për qëndrimet e shprehura nga HP, IBM dhe Oracle, ai tha se tek to nuk ka parë “kurrfarë iniciative apo vullneti për të zgjidhur rastin.”

“Unë mendoj se këto palë duhet të jenë më të interesuarat për zgjidhjen e rastit”, tha Dobrzynski.
 
Avokati i Machnaczit nuk iu përgjigj kërkesës sonë për ta komentuar rastin. Prokurorët kanë thënë se Machnaczi është liruar nga burgu dhe se është pajtuar që të bashkëpunojë dhe dëshmojë kundër të tjerëve që janë përfshirë në këtë skemë.

Prokurorët nuk kanë specifikuar se cilat kontrata janë ndikuar nga mitoja e pretenduar. Zyrtarët polakë thonë se deri në 140 kontrata për furnizime me kompjuterë, me vlerë prej mbi 500 milionë euro, mund të jenë të përfshira në hetim. Polonia nuk i publikon detajet e kontratave qeveritare.

Ish-zyrtari i lartë i Netline tha se sistemet teknologjike të blera nga Machnacz ishin tepër të shtrenjta dhe të tejet të sofistikuara për nevojat që vendi kishte. “Për shkak të avancimit të shpejtë të teknologjisë, ajo që blihej nga Machnaczi duhej të azhurnohet pas vetëm disa vitesh”. 

Kjo ishte sikur po të ndërtonim një autostradë fringo të re, e në të t’i shfrytëzonim karrocat me kuaj”.

“Kjo ishte sikur po të ndërtonim një autostradë fringo të re, e në të t’i shfrytëzonim karrocat me kuaj”, tha ish-zyrtari i lartë i Netline. “Thjeshtë shpenzonim para kot”.

Në të kaluarën, IBM kishte trumbetuar bashkëpunimin e suksesshëm me Machnaczin në një projekt polak, duke vënë informatat mbi këtë bashkëpunim në një broshurë të vitit 2009 në të cilën paraqiteshin 16 projektet më inovative teknologjike në botë.

Në këtë broshurë paraqitej se si IBM kishte punuar me Machnaczin në krijimin e një rrjeti të kompjuterëve portabilë, që i jepnin policisë së Polonisë qasje momentale në një gamë të gjerë të të dhënave. Me shtypjen e disa tasteve, policët mund të kuptonin nëse kanë të bëjnë me ndonjë veturë të vjedhur apo me ndonjë person që është në kërkim, thuhej në broshurën në fjalë.

Kompjuterët portabilë “praktikisht eliminojnë gabimet dhe informatat e pasakta”, citohej të ketë thënë Machncacz për këtë broshurë. Marcin Figiel, zyrtar i lartë i shitjes së IBM në Poloni, me të cilin kishte bashkëpunuar Machnaczi, vlerësonte me krenari se asnjë shtet tjetër në Europë nuk posedonte rrjet të tillë të avancuar.

Prokurorët thonë se Figiel i ka dhënë Machnaczit produkte konsumuese luksoze në vlerë prej rreth 60.000 dollarësh. Figiel nuk punon më për IBM. Avokati i tij nuk iu përgjigj kërkesës sonë për ta komentuar rastin.

Dyshohet se Tomasz Ziolkowski, zyrtar i shitjes për HP, i kishte dhënë Machnaczit mbi 600.000 dollarë në para të gatshme si shpërblim “për t’i ndihmuar Hewlett Packard Poland dhe Oracle në fitimin e kontratave publike me policinë dhe Ministrinë e Brendshme.”

Sipas profilit të tij në LinkedIn, Ziokowski është larguar nga HP nga shkurti i vitit 2010 dhe është punësuar në Oracle Poloni si “drejtor këshillëdhënës për shitje”. Në profilin e tij thuhet se ai është larguar nga Oracle në korrik të vitit 2011. As avokati i tij nuk iu përgjigj kërkesës sonë për ta komentuar rastin.

Sipas Mike Koehler-it, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Illinoisit të Jugut, legjislacioni i SHBA-ve kundër korrupsionit i konsideron si juridikisht përgjegjëse kompanitë që japin mito apo u bëjnë pagesa punonjësve të huajë, madje edhe në rastet kur ato veprojnë pa autorizim nga punëdhënësit e tyre në SHBA. Profesor Koehler është edhe autor i blogut FCPA professor.

IBM, Oracle dhe Hewlett-Packard nuk i kanë bërë publike parashtresat e tyre për Komisionin për Letra me Vlerë dhe Bursa. Ekspertët thonë se ky vendim ndërlidhet me vlerësimin se hetimet në Poloni nuk do të kenë ndikim në performansën e përgjithshme të kompanive apo në perceptimin e investitorëve për to.

Hewlett-Packard dhe IBM janë hetuar për korrupsion në raste të kontratave qeveritare edhe në vende tjera.

Në prill të vitit 2010, Hewlett-Packard informoi se Departamenti i Drejtësisë, KLVB dhe prokurorët gjermanë ishin duke hetuar pagesa të dyshimta në vlerë prej 10 milionë euro, në lidhje me një kontratë për blerjen e një sistemi kompjuterik nga kryeprokurori publik i Rusisë (në vlerë prej 45 milionë euro). Autoritetet amerikane gjithashtu po shqyrtojnë transaksione të ndryshme në Serbi, Austri, Gjermani dhe Holandë, deklaroi kompania atëbotë.

Një vit më pas KLVB paditi IBM pranë një gjykate federale në Uashington D.C., duke pretenduar se kjo e fundit kishte dhënë qese përplot para, dhurata dhe kishte mbuluar shpenzimet e udhëtimit për zyrtarë të Koresë së Jugut dhe Kinës, me qëllim të sigurimit të kontratave për furnizim të kompjuterëve. KLVB kishte thënë se “përkundër faktit se ka veprimtari të gjerë ndërkombëtare, IBM nuk kishte vendosur mekanizma adekuatë të kontrollit të brendshëm me të cilët do të parandalonte apo zbulonte rastet e shkeljes së ligjit kundër korrupsionit”.

Në këtë dokument thuhej se “gjatë periudhës 1998 – 2009, IBM kishte politika korporative që parandalonin dhënien e mitos dhe procedura adekuate për të siguruar pajtueshmëri me ligjin në fjalë; megjithatë, kontrollet e pamjaftueshme të brendshme i dhanë mundësi punonjësve të kompanive vartëse të IBM-së që të shfrytëzojnë partnerët lokalë afaristë apo agjencitë e udhëtimit si pika lidhëse për mito apo pagesa tjera të parregullta për zyrtarë të qeverive të Koresë së Jugut dhe Kinës për një periudhë të gjatë kohore”.

Kjo padi e akuzonte kompaninë se i ka shkelur dispozitat e ligjit kundër korrupsionit jashtë vendit, i cili kërkon nga kompanitë amerikane që të mbajnë regjistra të saktë dhe që të kenë “kontrolle të brendshme” për të parandaluar dhënien e mitos.

KLVB dhe IBM kishin arritur marrëveshje për të përmbyllur rastin me shumën prej 10 milionë euro, por Richard Leon, që ishte gjyqtari federal që mbikëqyrte veprimin e KLVB refuzoi miratimin e kësaj marrëveshjeje. Rasti ende nuk është zgjidhur.
 
Robert Socha është raportues i rrjetit polak TVN.

Kliko këtu pë shkrimin në origjinal