Para Punëtorëve Ndëshkohet për Cilësi

Qeveria e Kosovës ia ka ndërprerë kontratën kompanisë “Amadeus” që e kishte përzgjedhur për t’i shërbyer të punësuarve në objektin e qeverisë me shërbime hoteliere prej gushtit 2009. Në gusht 2011 ajo kishte fituar tenderin edhe për 36 muaj të tjerë, pasi kishte ofruar çmimin më të lirë. 

Por kjo kompani, për të cilën Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar më parë se kishte punëtorë të padeklaruar disa prej të cilëve mund të mos u ketë mbuluar po ashtu disa rroga, i ka humbur rreth 1 vit e gjysmë punë me qeverinë për shkak se, siç thuhet, nuk i është përmbajtur kontratës.

“Kompanisë ‘Amadeus’ iu ka ndërprerë kontrata për faktin se kjo është kërkuar edhe nga institucionet që janë të vendosura në objektin e qeverisë (ish- Bankkos) ngase nuk iu ka përmbajtur kontratës së nënshkruar”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Administratës Publike, Birsen Shufta, për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kompanisë ‘Amadeus’ iu ka ndërprerë kontrata ngase nuk iu ka përmbajtur kontratës së nënshkruar” Birsen Shufta

Ndërkohë është shpallur tenderi dhe është përzgjedhur fituesi në fund të majit.

Javën e kaluar, qeverinë ka filluar ta shërbejë “Ben af” dhe, sipas kontratës, do ta bëjë këtë për 38 muajt e ardhshëm.

“Në tender kanë marrë pjesë 4 kompani. Pas punës së bërë nga komisioni përkatës, kontrata është lidhur, me kohëzgjatje prej 36 muaj me kompaninë ‘Ben af’”, ka thënë Shufta.

Megjithëse një muaj më herët Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se disa nga punëtorët e kësaj kompanie bëjnë pjesë në tregun e zi gjë që është e ndalueshme me ligj meqë nuk janë të deklaruar në Administratën Tatimore, zyrtarët e MAP-it nuk e përmendin këtë si arsye për ndërprerje të kontratës.

Janë vetëm çmimet dhe cilësia që e kanë bërë qeverinë të reagojë.

Zëdhënësja e MAP-it thotë se “Amadeus” nuk ka ofruar shërbime konform kontratës, më saktësisht ka pasur cilësi të dobët të ushqimit dhe mosvendosje të çmimoreve nëpër tavolina ashtu siç është paraparë në dosje të tenderit.

“Pastaj ofrimi (dallimi) i çmimeve të ndryshme për zyrtarë qeveritarë në raport me kontratën dhe shumë vërejtje tjera që janë bërë në adresë të kompanisë së përmendur. MAP-i, duke u bazuar në vërejtjet e cekura e ka ndërprerë kontratën me këtë kompani”, shton zëdhënësja Shufta.

“E di se në kontratën e mëhershme ka qenë edhe mosdeklarimi i punëtorëve problem, por tash natyrisht se nuk do të jetë ky problem” Bekim Kuçi  

Ndërkaq, me mospagesat e punëtorëve dhe me mosdeklarimin e tyre nuk është marrë askush deri tash.

Kompania fituese “Ben af” që e ka fituar tash tenderin zotohet se e ka kriter respektimin e të drejtave të punëtorëve.

Megjithatë, disa nga punëtorët që kanë mbetur edhe më tej duke kryer shërbimet e njëjta ende nuk kanë kontrata. Sipas pronarit të “Ben af”-it ata do të pajisen me kontrata vetëm pas një muaji nëse menaxherët e kompanisë së re vendosin se puna e tyre është në përputhje me kriteret e tyre

“E di se në kontratën e mëhershme ka qenë edhe mosdeklarimi i punëtorëve problem, por tash natyrisht se nuk do të jetë ky problem se nuk është normale që punëtorët të mos deklarohen qoftë më një biznes të vogël e le më në institucione”, thotë njëri nga pronarët e Ben Af-it, Bekim Kuçi.

Sipas tij, do të jenë 22 punëtorë gjithsej. Gjysma prej kompanisë “Amadeus” e gjysma do të vijnë prej “Ben af” it.

“Ne këtë javë kemi filluar të punojmë. Punëtorët i kemi mbajtur të gjithë por ata e kanë një muaj testues të punës para se t’iu bëhen kontratat. Kjo i bie se të gjithë ata punëtorë që do ta fitojnë vendin e punës pas tri javësh do të pajisen me kontrata”.

“Amadeus” ankohet

Kompania e cila ka bërë që shumë punëtorë ta lëshojnë punën për shkak të mos pagesës me muaj të tërë, thotë se po përgatit padi për ndërprerje të kontratës ndaj Qeverisë.

“Unë me avokatin tim po përgatis padinë me të gjitha detajet. Kaq. Nuk mund të them më tepër njëherë”, thotë pronari i kompanisë “Amadeus”, Arsim Makolli.

Ai thotë se “ka fakte për atë se ky është një skandal” dhe se e di pse ka ndodhur.

Por Makolli nuk ka pranuar të flasë asgjë konkrtisht.

Ish-punëtorët nuk ndihmohen ngase kanë folur në media

Fatlum Pllana, njëri nga punëtorët që kishin lënë punën pasi nuk ishte paguar katër muaj nga “Amadeusi”, thotë se nuk po gjen mekanizëm t’i kthejë paratë që meriton.

“Unë kam pas folur edhe pa u larguar nga puna me zyrtarë të qeverisë por nuk më ka ndihmuar askush”, thotë Fatlumi.

Ai shpjegon se ka bërë ankesë në Ministri të Punës.

“Në fund të prillit kam bërë një ankesë në Ministri të Punës dhe më kanë premtuar se do ta marrin parasysh kërkesën”, shton Fatlumi. “Por kur kam shkuar pas një jave më kanë thënë se nuk mund të më ndihmojnë meqë unë kam folur në media”.

Ligji kosovar i punës obligon të gjitha organizatat punëdhënëse të kenë kontrata të shkruara me punëtorët.