Pal Lekaj

Pasionanti i “Mercedesëve”

Ai po udhëheq tash e gjashtë vjet qytetin e Gjakovës, të njohur për zhvillim industrial në kohën e komunizmit. Qyteti tash po ndien pasojat e zhvillimit të ngadalshëm. 

Por, kryetari Pal Lekaj thotë se ka punuar që gjashtë vjet për rimëkëmbjen e qytetit dhe po kërkon votën edhe për katër vjetët e ardhshëm në krye të Gjakovës. 

Ai për herë të parë mori besimin më 2007, kur pushteti lokal u ndërrua dhe qeverisja kaloi nga duart e Lidhjes Demokratike të Kosovës tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. 

Njeriu me profesionin e doktorit, vazhdoi mandatin më 2009, për të drejtuar edhe për katër vjet komunën e Gjakovës. 

I lindur më 29 qershor 1962 në Gjakovë, Pal Lekaj jeton në Novosellë të Gjakovës me familjen e tij, babanë, gruan dhe dy djem.

Në vitin 1977-1980 vijoi shkollën e mesme në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, për të vazhduar pastaj në vitet 1984/5 studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. 

Pas përfundimit të shkollës fillore dhe asaj të mesme, në vitin 1993 Pal Lekaj arriti të marrë titullin Doktor i Mjekësisë.

Doktori që udhëheq komunës e Gjakovës, shquhet për pasionin e tij ndaj veturave të markës Mercedes.

“Pali gjithë vozitë Mercedes… ka vozitë edhe student kur ka qenë”, thotë  bashkëshortja e tij. 

Pal Lekaj ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion që posedon dy automjete të tipit Mercedes. Njëri ka vlerën 15 mijë, e tjetri 22 mijë euro. 

Po ashtu, ai ka shënuar në deklarimin e pasurisë se posedon një veturë BMW në vlerë prej 22 mijë eurosh dhe katër vetura të markës Golf që kanë vlerë të përbashkët 72 mijë euro.

Lekaj i ka deklaruar veturat si pasuri të përbashkët familjare. 

Bashkëshortja e tij, Gita Lekaj, gjithashtu shton se Pali nuk merret shumë me punët e shtëpisë. 

Në debatin Zgjedhjet Lokale 2013 me kandidatët për kryetar të Gjakovës, Pal Lekaj pohoi se nuk ka kohë që të merret me punët e shtëpisë. 

Kryetari aktual Lekaj, deklaroi në debat se se do të punojë për sigurimin e ujit të pijshëm për zonat që kishin mungesë, mirëpo që rajoni i Rekës së Keqe, Dushkajës dhe Hasit, ende përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Nuk ndryshonte shumë situata edhe me kanalizimin, ndërsa infrastruktura rrugore qëndronte më mirë, u deklarua ndër të tjera në debatin e së mërkurës mbrëma.

Nëse do të fitojë edhe një mandat, kryetari Lekaj premtoi zhvillimin ekonomik lokal, përkrahjen e ekonomive familjare, zejtarisë, zanateve, blegtorisë, shpezëtarisë, minifermave dhe perimtarisë. 

Fushata e tij për kryetar komune filloi një ditë para afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor më 3 tetor. 

Posteri i Pal Lekajt që bënte thirrje të rrumbullakësohet numri i tij, ishte shfaqur në hyrje të Gjakovës, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore.

AAK-ja thoshte se kompania e kontraktuar ishte e njoftuar se posterët duhet të vendossshin pas mesnatës të së mërkurës së 2 tetorit.  

Njëri nga premtimet kryesore të Pal Lekajt, dhënë në fushatën zgjedhore të vitit 2009, ai i punësimit të 8 mijë të rinjve në komunën e Gjakovës, ka mbetur vetëm premtim.

Këtë Pal Lekaj e ka pranuar, duke kërkuar ndjesë prej qytetarëve të tij dhe duke shtuar se ky nuk është problem vetëm i qytetit të Gjakovës, por i tërë vendit.

“Shifra që e kam përmend vetë unë nuk është realizuar. Ndoshta më kanë shtyrë oponentët e mi politikë që kanë përmendur shifra marramendëse dhe unë kam shkuar me shifrën diku 7 mijë të punësuar”, deklaroi Lekaj në qershor të këtij viti. 

“Askund nuk kam dështuar, përpos kësaj shifre dhe kërkoj falje nga qytetarët”, thoshte Pal Lekaj.  

Ai e deklaroi edhe në debatin Zgjedhjet Lokale 2013 se nuk kishte mundur të realizonte këtë premtim.

Kundërkandidatja, Mimoza Kusari Lila nga Aleanca Kosova e Re, ia përmendi kryetarit Lekaj premtimin e parealizuar. 

Kusari-Lila deklaroi se kryetari Lekaj arriti të punësojë vetëm 250 veta, përkundër që kishte premtuat punësimin e 8 mijë personave. 

E nominuara e AKR-së, është konkurrentja më me peshë kundër Lekajt. 

Një garë e ashpër mes tyre ishte zhvilluar më 2009. Beteja ishte fituar nga Lekaj. 

Gjatë fushatës u bë e famshme në rrjetet sociale, një këngë e realizuar nga motrat Bushi që thurr lavde për kryetarin Lekaj. 

“Ne e kemi kryetarin do të vazhdojmë me doktor Palin”, thuhet në këngë.