Xhafer Gashi, kryetar i komunës së Obiliqit

Pak projekte për të rikthyerit nga luftërat e huaja në Obiliq

Komuna e Obiliqit është përballur vetëm me një qytetar të vetin i cili është rikthyer nga luftërat në Siri e Irak.

Një hulumtim i “Drejtësia në Kosovë” vë në pah se të rikthyerit nga Siria e Iraku e kanë të vështirë të gjejnë mbështetje institucionale për shkak se nuk ka projekte të veçanta e as vija buxhetore për t’u ndihmuar atyre dhe familjeve të tyre.

Në anën tjetër, shumë të rikthyer kanë problem edhe punësimin, kjo e fundit sipas tyre për shkak se  janë të stigmatizuar nga qytetarët tjerë.

Në komunën e Obliqit, komunë kjo e cila ka një popullsi prej rreth 22 mijë banorëve, është përballur me një rast të një personi i cili sipas zyrtarëve komunal është nga një vend tjetër por prej 18 viteve jeton në Obiliq.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë ka treguar se janë munduar që të rikthyerit nga luftërat e huaja t’i ndihmojnë me aq sa munden.

“Faktikisht e kemi një rast në komunën tonë, është banor rezident në komunën tonë. Pas kthimit dhe asaj periudhe është trajtuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. I është ofruar edhe ndihma psikologjike”, ka thënë kryetari Gashi për Gazetën JNK.

Gashi tregon se i rikthyeri nga Siria e Iraku gëzon të drejtën për ndihmë sociale.

Por sa ka mjaftueshëm projekte për të ndihmuar të rikthyerit nga luftërat e huaja.

Kosova ishte përballur me një fenomen të ri në mes viteve 2012 dhe 2013.

Burra, gra, fëmijë e të rinj ishin bërë me ose pa dëshirën e tyre pjesë e luftërave si në Siri e Irak.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” në i cili u transmetua në dy pjesë të veçanta shfaqi rrëfimet e të akuzuarve e të dënuarve për terrorizëm dhe jetën e tyre pas rikthimit në Kosovë.

Në Han të Elezit, nuk ka projekte të veçanta që trajtojnë të rikthyerit apo familjarët e tyre.

E në Obiliq, kryetari i kësaj komune tregon se projekte ka, por të cilat do të zhvillohen në të ardhmen.

“Janë disa projekte që pritet me u zhvillu në të ardhmen nga Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me policinë dhe komunën, që të rikthyerve me ju ofru mundësi edhe në bazë të organizatave joqeveritare, kjo me qëllim që të krijohet mundësi më e mirë për ato familje”, tha Gashi për Gazetën JNK.

Por cila është vija buxhetore për financim të familjarëve të rikthyerve nga luftërat e huaja.

“Faktikisht duhet me pa me Ministrinë e Financave në këtë rast sepse nuk kanë komunat ndonjë fond që merret eksluzivisht me këto raste. Por duhet me gjetë fonde për me ju ndihmu”, thotë kryetari i Obiliqit.

Komuna e Obiliqit më saktësisht Qendra për Punë Sociale në këtë komunë, numëron gjithsej dhjetë punëtorë.

QPS në Obiliq funksionon e ndarë në dy drejtime, atë për asistencë sociale dhe për shërbime familjare.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Obiliq, Ibish Mjekiqi, thotë se qendra e cila ai e drejton ka kapacitete por mungojnë psikologët.

“Kapaciteti jonë është i mjaftueshëm për këtë numër të banorëve edhe pse kemi mungesë të psikologëve por, këto bëhen përmes Organizatave Jo Qeveritare të cilat janë të licencuara për ofrimin e këtyre shërbimeve”, thotë Mjekiqi për JNK.

Ai tregon se për pesë vite radhazi, kryejnë shërbime prej organizatave të cilat ofrojnë psikolog.

“Ky është viti i pestë që ne veç i blejmë këto shërbime prej organizatës që ofron psikolog dhe të gjithë ata që kanë nevojë për psikolog trajtohen në qendrën tonë të QPS-së në Obiliq, por ka raste kur trajtimi bëhet edhe në shtëpi”, thotë tutje drejtori Mjekiqi për JNK.

Por sipas drejtorit Mjekiqi, punëtorët e Qendrës për Punë Sociale janë të trajnuar për të kryer shërbime familjare.

“Po punëtorët social që punojnë për shërbime familjare e bëjnë në bazë të ligjit për familje. Janë të trajnuar dhe të licencuar për kryerjen  e këtyre shërbimeve dhe janë mbi 50 shërbime që kryejnë këta punëtor”, tha Mjekiqi për Gazetën JNK.

Ai tregon tutje se në Komunën e Obliqit, rasti i vetëm i një personi që është rikthyer nga luftërat e huaja gëzon të drejtën për të pasur ndihmë sociale.

Hulumtimi i DNK-së, këtë muaj, tregon edhe se në Komunën e Kaçanikut, një familje nuk ka arritur të marr ndihmë sociale për shkak se gruaja nuk ka arritur të siguroj certifikatën e vdekjes së bashkëshortit të saj.