Paga Vjetore e Sekretarit Bëhet Mbi 15 Mijë €

Sekretari i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi do të marrë me rritje pagën e muajit shtator. Ai më 1 tetor do të paguhet 1 mijë e 300 euro. Deri tash paguhej 928 euro në muaj për punën  e tij, por kryeparlamentari Jakup Krasniqi vendosi që të rrisë pagat për sekretarin dhe 14 zyrtarë tjerë të lartë të administratës. 

Vendimi i kryetarit Krasniqi i marrë më 2012, u procedua më 9 shtator të këtij  në sistemin e pagave, nga Ministria e Adiministratës Publike. 

Paga e tij vjetore është rritur nga 11 mijë e 136 euro në 15 mijë e 600 euro. 

Krasniqi përveç pagës merr edhe kompensime e mëditje nga Kuvendi i Kosovës. 

Bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion më 2013, ai merrte  20 mijë e 142 euro nga Kuvendi i Kosovës, edhe para se paga e tij të rritej nga kryeparlamentari Krasniqi.

Shuma përfshinte pagën, mëditjet dhe kompensimet vjetore.

Sekretari i parlamentit nuk specifikonte në deklarimin e pasurisë se sa merr për secilën kategori të të ardhurave. 

Por, një vendim i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i marrë në dhjetor të vitit 2009, tregon për shumat e kompensimeve të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të administratës. 

Bazuar në këtë vendim, sekretari i kuvendit merr një kompensim prej 400 eurosh në muaj, ose 4 mijë e 800 eurosh në vit. Shuma e pagës vjetore që merrte më herët Krasniqi ishte në vlerë prej mbi 11 mijë eurosh. 

Ndërsa shuma prej mbi 5 mijë eurove është mëditje që merr nga Kuvendi i Kosovës. 

Përveç rritjes së pagës së Krasniqit, nga vendimi i kryeparlamentarit kanë përfituar edhe katërmbëdhjetë zyrtarë tjerë të lartë të administratës së Kuvendit të Kosovës. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar shkresën zyrtare ku kërkohet procedimi në sistem i pagave me rritje të administratës së Kuvendit të Kosovës. 

Tefik Mahmuti, drejtor i Shërbimit Civil në Ministrinë e Administratës Publike, kërkoi më 9 shtator të këtij viti  nga Shpresa Dushi, shefe e Divizionit të Pagave, që të zbatonte vendimin e  kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, të datës 28 dhjetor 2012. 

Kryetari Krasniqi i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, nuk deshi të komentonte për arsyeshmërinë e vendimit për rritje të pagave. 

“..vendimi ka qenë i kryesisë së kuvendit”, thotë Krasniqi. 

Gazeta Jeta në Kosovë pyeti disa anëtarë të kryesisë së kuvendit, nëse vendimi është marrë nga ky organ, e jo nga kryetari, por ata nuk dhanë përgjigje. 

Ndërkohë në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës te publikimet për agjendën e kryesisë, janë shënuar tri takime të mbajtura gjatë dhjetorit të vitit 2012.

Një takim i kryesisë është mbajtur më 3 dhjetor, një më 10 dhe një më 17 të këtij muaji. 

Asnjë takim nuk figuron se është mbajtur më 28 dhjetor, në ditën kur është marrë vendimi për rritje të pagave, për zyrtarët e lartë të administratës së Kuvendit të Kosovës.

Ismet Krasniqi, sekretar i kuvendit të Kosovës tha shkurt se “ky vendim është marrë duke respektuar legjislacionin në fuqi”.

Krasniqi mban këtë pozitë që nga muaji gusht i vitit 2006. Koeficienti i pagës së tij është rritur prej 20 në 28.  

Fitim Sadiku, sekretari i Ministrisë së Administratës Publike , konfirmoi se vlera e një koeficienti për pagat e shërbyesve civilë, ku përfshihen edhe punonjësit e administratës së kuvendit është e barabartë me 46.44 euro.

Sadiku konfirmoi se  MAP-i refuzoi fillimisht vendimin e kryetarit të kuvendit Jakup Krasniqi dhe nuk e procesoi në sistem të pagave. 

“Kërkesa në fjalë është refuzuar fillimisht ngase ka qenë e paplotësuar dhe kemi kërkuar që e njëjta të plotësohet me dokumentacionin e nevojshëm”, thotë Sadiku. 

Ndërkohë për zyrtarët tjerë të lartë koeficienti u rrit nga 9 që paguhet 399 euro në 12 që paguhet 533 euro në muaj, për 12 zyrtarë që mbajnë pozita të drejtorëve të drejtorive. 

Për dy zyrtarë që mbajnë pozita të drejtorëve të drejtorisë së përgjithshme, vlera në euro e koeficientit u rrit nga 577 euro në 711 euro në muaj. 

Kompensimet e kontestuara, orë dore e laptopë    

Gazeta Jeta në Kosovë në shkurt të këtij viti raportoi që duke përfshirë pagën bazë, kompensimet dhe mëditjet, një deputet i Kosovës paguhet mesatarisht rreth 25 mijë euro në vit. 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës kompensohet me 500 euro në muaj për drejtim të seancave, ndërkohë që në përgjithësi deputetët e vendit kanë paga më të larta se ata në Shqipëri ose Maqedoni. 

Në Britaninë e Madhe deputetët paguhen pak më shumë se dyfishi i pagës mesatare në shtet, në Kosovë të ardhurat e deputetëve janë tetë herë më të mëdha se paga mesatare në vend. 

Sipas të dhënave që ofron Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), Kuvendi i Kosovës ka  të punësuar 120 deputetë, 168 të punësuar në administratë dhe 30 të punësuar si  staf mbështetës politik. 

Vetëm për paga dhe mëditje në vitin 2012 janë shpenzuar mbi 5.3 milionë euro. 

Një vit më parë, në vitin 2011 Kuvendi i Kosovës kishte shpenzuar mbi 5.7 milionë euro, derisa në vitin 2010 për të njëjtën linjë shpenzoi 4.5 milionë euro.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin për vitin 2012 kritikoi Kuvendin e Kosovës për shpenzime të mëdha në paga dhe mëditje. 

ZAP-i konkludoi se Kuvendi shpenzoi për paga e mëditje edhe donacionet e pranuara në mbështetje të institucionit. 

“.. nga shuma e përgjithshme e donacioneve prej 18 mijë e 660 eurosh, një shumë prej 14 mijë 200 eurosh u shpenzuan vetëm për paga dhe mëditje”, thuhet në raportin e ZAP-it. 

Kuvendi nuk kishte komentuar këtë të gjetur të auditorit të përgjithshëm. ZAP publikon nëpër raporte edhe komentet e institucioneve që kontestojnë të gjeturat e auditimit. 

Një vit më vonë, më 2010, edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), një organizatë joqeveritare që monitoron punën e Kuvendit , dha kritika për sistemin e pagave të administratës dhe kompensimet në këtë institucion.

“Punëtorët e Administratës së Kuvendit të Kosovës ka disa vjet që gëzojnë beneficione në vlerën 50% të rrogës bazë. Mungesa e kornizës ligjore për ta mbështetur këtë veprim, e bën edhe më të vështirë për ta kuptuar një sjellje të tillë të personave vendimmarrës”, thuhet në raportin e kësaj OJQ-je për vitin 2010.

Përveç të ardhurave për deputetë e zyrtarë të lartë të administratës, Kuvendi i Kosovës ka blerë laptopë në maj të këtij viti për secilin deputet. 

Ndërkohë në dhjetor të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës bleu orë dore për zyrtarët e administratës, që i kushtuan rreth 4 mijë euro. 

Gazeta “Zëri” raportoi se në orë do të gdhendej emri për secilin përfitues të orës. Sekretari Krasniqi kishte deklaruar për  këtë gazetë, se vendimi është i ligjshëm.