Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Foto: KQZ

(Pa)Arsyeshmëria e Vendimit të PZAP-së për Prishtinën dhe Prizrenin

Përkundër asaj se procesi zgjedhor u cilësua nga të gjithë si ndër më të rregulltit që janë mbajtur ndonjëherë në Kosovë dhe gjithashtu numri i ankesave dhe raportimeve për parregullsi ishte dukshëm më i vogël se herëve të kaluara, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendosi sot që fletëvotimet në Komunën e Prizrenit dhe të Prishtinës të rinumërohen.

Por a ka bazë ligjore kjo dhe ku është mbështetur PZAP për këtë vendim?

Kësisoj duke marrë si shkas një ankesë të Partisë Demokratike të Kosovës – PDK dhe Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me Komunën e Prizrenit si dhe duke aprovuar tri ankesa të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me procesin e votimit në Komunën e Prishtinës, PZAP vendosi që vendvotimet e këtyre komunave të shkojnë në rinumërim dhe rivlerësim.

PZAP në të dyja rastet vendimet i arsyetoi me numrin e madh të fletëvotimeve të zbrazta dhe të pavlefshme si dhe veçanërisht rezultatin e ngushtë në mes dy kandidatëve, Shpend Ahmetit të VV-së dhe Arban Abrashit të LDK-së.

Mirëpo sa ka bazë ligjore ky vendim?

PZAP e mbështet vendimin e saj në nenin 106 paragrafi 2 e në të cilin parashihet se 106.2 Para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, KQZ-ja mund të urdhërojë rinumërimin e votave në cilindo vendvotim, qendër të numërimit ose edhe përsëritjen e votimit në një qendër votimi apo në një komunë.

Kjo dispozitë sipas përkufizimit të saj i jep autoritet KQZ-së që të urdhërojë rinumërimin në cilindo vendvotim. Gjithashtu në vendim citohet edhe neni 119 paragrafi 5 që i jep të drejtë PZAP-së: “KZAP-i mundet që sipas vendimit të tij të shqyrtojë çështje të cilat përndryshe janë nën jurisdiskionin e tij kur kjo është rreptësishtë e domosdoshme për të parandaluar padrejtësi serioze”.

Mirëpo megjithëse sipas këtij interpretimi të bërë nga PZAP mund të urdhërohet rinumërimi, të dyja vendimet e PZAP-së kanë edhe një pjesë interesante e cila mund të lë hapur pafundësisht diskutime.

Përpos rinumërimit, PZAP urdhëron KQZ-në që t’i rinumërojë dhe rivlerëson fletëvotimet e pavlefshme si dhe fletëvotimet e përdorura por të zbrazëta.

Gjithashtu në dispozitivin III të vendimit, përcaktohet edhe si do të bëhet rivlerësimi. Përderisa interpretimi i PZAP-së lidhur me rinumërimin mund të ketë një mbështetje ligjore, lidhur me rivlerësimin si proces nuk është dhënë asnjë nen apo paragraf i ndonjë ligji i cili do të mbështeste rivlerësimin.

Për më tepër vetëm udhëzohet në dispozitivn III PZAP thotë tani me termin e ri se “Rishikimi i votave të hedhura si të paplotësuara të bëhet konform Doracakut të Procedurave të Votimit dhe numërimit të KQZ-së”.

Doracaku i cituar nga PZAP askund nuk përmend në përmbajtjen e tij se si duhet të bëhet rivlerësimi.

Gjithashtu, gara e ngushtë e kandidatëve askund nuk përmendet në Legjislacionin që rregullon zgjedhjet si një arsye për përsëritje dhe ri-vlerësim të fletëvotimeve.

Më tej PZAP arsyeton vendimet me faktin e numrit të madh të votave të pavlefshme si dhe numrin e madh të votave të zbrazëta mirëpo shikuar trendin me zgjedhjet për kryetar të komunave në vitin 2013, është pothuajse i njëjtë, apo edhe më i madh.

Në raundin e parë në zgjedhjet e vitit 2017, sipas rezultateve të KQZ-së, ishin 1036 fletëvotime të pavlefshme, 444 ishin të zbrazëta ndërsa numri i fletëvotime të dëmtuara ishte 181.

Në zgjedhjet lokale vitit 2013, po në Prishtinë  836 fletëvotime të pavlefshme, 18 të zbrazëta dhe 32 të dëmtuara.

Nga këto të dhëna shihet se numri i fletëvotimeve të pavlefshme krahasuar mes viteve 2013 dhe 2017 është në trend të njëjtë me numrin e përgjithshëm të personave që kanë votuar. Rritje më e madhe vërehet tek fletëvotimeve e zbrazëta ku nga 18 sa ishin në vitin 2013, në vitin 2017 janë gjithsej 444 fletëvotime të zbrazëta.

Gjithashtu, rritje vërehet edhe te fletëvotimet e dëmtuara ku nga 32 fletëvotime të dëmtuara në vitin 2013, kjo shifër është rritur në 181 fletëvotime.

Pra teksa vërehet një rritje në të gjitha kategoritë në zgjedhjet e fundit, duhet parë gjithashtu se është rritur edhe numri i votuesve.

Përderisa në vitin 2013 në raundin e parë kishin votuar 72,022, në zgjedhjet e fundit ka pasur 87,442 votues, pra gjithsej 15.420 votues më shumë se në zgjedhjet e para katër viteve.

Mirëpo, çka janë fletëvotimet e zbrazëta dhe çka ato të dëmtuara dhe çka pretendohet në ankesat e LDK-së në Prishtinë lidhur me këto fletëvotime?

Fletëvotimet e zbrazëta janë fletëvotime që janë hedhur në kutinë e votimit por të cilat nuk janë plotësuar, ndërsa fletëvotimet e dëmtuara janë fletëvotimet të cilat janë ato të cilat mund të dëmtohen nga votuesit ose edhe komisionerët jo-qëllimshëm por të cilat nuk hedhen në kutinë e votimit por shënohen si të dëmtuara dhe futen në një zarf të veçantë.

Vota të pavlefshme janë kur preferenca e votuesit për subjektin politik është e paqartë; është votuar për më shumë se një subjekt politik; nëse nuk është vulosur me vulën zyrtare të fletëvotimit; nuk është votuar për subjektin politik, domethënë mungon shenja për subjektin politik, por janë votuar vetëm kandidatët.

Në tri ankesat e LDK-së të cituara në vendimet e PZAP-së thuhet se “rinumërimi i votave duhet të bëhet për shkak të presionit të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje pranë Qendrave të Votimit, SMS-ve të dërguara për të votuar Shpend Ahmetin si dhe se shumica e vëzhguesve të LDK-së kanë raportuar (e në disa raste kanë shënuar edhe në librin e votimeve) se komisionerët e VV-së, sidomos në vendvotimet ku kanë qenë kryesues të vendvotimit, duke e ditur rezultatin e ngushtë të kandidatëve kanë shpallur me qindra fletëvotime të pavlefshme dhe me qindra të tjera i kanë konsideruar të zbrazëta pavarësisht se në ato fletëvotime mund të vërehej qartë vullneti i votuesit”, citon vendimi i PZAP –së pretendimin e ankesave të LDK-së.

Neni 117 paragrafi 3 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë përcakton se “vendosja për apelet dhe ankesat nga KZAP-i mbështetet në dëshmi të qarta dhe bindëse”, ndërsa si prova LDK-në ankesat e saj sipas vendimit të PZAP-së ka paraqitur deklarata të katër votuesve, kopjet e formularëve të zgjedhjeve, kopjet e fletëvotimeve të paplotësuara dhe të pavlefshme, SMS si dhe fotografi të tjera, të cilat janë çështje e prokurorisë për t’u hetuar.

PZAP i ka konsideruar si të mjaftueshme këto pretendime pa dhënë ndonjë informacion për numrin e rasteve kur komisionerët e LDK-së kanë shënuar në librin e vendvotimit për parregullsitë por vetëm duke u mjaftuar me përshkrimin “në disa raste”.

Ngjashëm edhe në vendimin lidhur me Komunën e Prizrenit, PZAP citon pretendimin e ankesë që thotë se të rivlerësohen fletëvotimet e pavlefshme dhe të zbrazëta dhe të rinumërohen të gjitha fletëvotimet e rregullta ngase ka pas parregullsi të cilat kanë ndikuar në rezultatin e kandidatëve për kryetar.

Vendimet lidhur me të dyja rastet duket sikur janë kopje e njëra tjetrës, mirëpo elementi më i përbashkët i tyre dhe baza ku është vënë theksi nga PZAP është se këto vendime janë marrë me qëllim të “rritjes së transparencës dhe heqjes së çdo dyshimi”, por pa dhënë asnjë provë të vetme që e arsyeton rinumërimin dhe rivlerësimin e tërësishëm në këto dy komuna në vend të atij të pjesshëm vetëm ne qendrat ku janë ofruar dëshmi bindëse.

Për më tepër, PZAP nuk jep asnjë shpjegim logjik  dhe të mbështetur se përse duhet të bëhet rinumërimi i votave dhe rivlerësimi i tyre para se të bëhet fillimisht numërimi i fletëvotimeve me kusht.

Si përfundim, pretendimi i PZAP-së lidhur me heqjen çdo dyshimi, mori fund qysh pas publikimit të vendimit pasi që kjo u kontestua ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje si parti që po udhëheq në këto dy komuna por si do të jetë epilogu i rinumërimit do t’i mbetet kohës ta tregojë.