KEK

OShP obligon KEK-un të nënshkruaj kontratën përtej mundësive buxhetore

Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Bojku Hidraulik” për 93 mijë euro më të shtrenjtë se sa e kishte parashikuar. Kontrata është nënshkruar për “Furnizim me pjesë ndërrimi për mekanizmin Iveco”.

KEK-u i kishte ndarë 360 mijë euro për këtë aktivitet të prokurimit, por pas urdhëresës së Organit Shqyrtues së Prokurimit, ata janë obliguar të nënshkruajnë kontratë në vlerë prej 452,777 mijë euro. Përkundër që kontrata e nënshkruar i afrohet gjysmë milionëshit, KEK-u thotë se do të kujdesen që shpenzimet për këtë aktivitet të mos e kalojnë shumën e planifikuar prej 360 mijë euro. Kjo sipas tyre mund të arrihet bazuar në ligjin e Prokurimit që lejonë që për kontratat kornizë të ketë devijime plus/minus 30% e vlerës se kontratës.

KEK-u dy herë kishte vendosur për të anuluar tenderin, për shkak se kishte vlerësuar se nuk kishte kompani të përgjegjshme për kontratë. Kundrejt vendimit të KEK-ut po dy herë ishte ankuar edhe kompania “Bojku Hidraulik”.

Me 5 shkurt OShP ka dalë me vendimin që të aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e dytë e operatorit ekonomik “Bojku Hidraulik”. Gjykata e tenderëve ka obliguar KEK-un që të zbatojë vendimin e OShP-së të datës 21 nëntor 2018.

“Urdhërohet KEK që në afat prej pesë ditëve kalendarike të njoftoj OShP-në dhe OE “Bojku Hidraulik” lidhur me zbatimin e vendimit të OShP-së të datës 21 nëntor 2018”, thuhej në urdhëresën e OShP-së.

Sipas vendimit të OShP-së, të 21 nëntorit, KEK-u duhet ta anulonte njoftimin për anulimin e tenderit dhe lëndën ta kthente në rivlerësim. Po ashtu në konstatimet e panelit thuhej se pretendimi se “Bojku Hidraulik” ishte i papërgjegjshëm nuk qëndronte. Kjo për shkak se në raportin e vlerësimin të Komisionit nuk ishte dhënë asnjë arsye se ky operator nuk i plotësonte kërkesat e dosjes së tenderit.

Pas gati një vit që nga inicimi i këtij tenderi, më 15 shkurt KEK-u ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Bojku Hidraulik”. Kurse më 1 mars, KEK ka nënshkruar kontratën.

“Në këtë drejtim, Autoriteti Kontraktues KEK sh.a. pas pranimit të urdhëresës nga OShP-ja ka vlerësuar që sipas LPP-së kjo urdhëresë është e obligueshme për ta zbatuar. Prandaj, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, Autoriteti Kontraktues KEK sh.a. ka respektuar plotësisht këtë urdhëresë duke rekomanduar OE “Bojku Hidraulik” për dhënie të kontratës në harmoni me vendimin e panelit shqyrtues përkatësisht me urdhëresën e OShP-së”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut për Gazetën JnK.

Por KEK-u gjithashtu ka thënë se pas urdhëresës së OShP-së do të specifikojnë vlerën apo sasinë e kontratës si një prag apo tavan dhe do të lejojnë devijimin prej tij, duke deklaruar gjithashtu përqindjen e mospërputhjes së lejuar, në kuptim të asaj që në momentin e shpenzimit të vlerës së parashikuar kontrata duhet të ndërpritet.

“Si rrjedhim, Autoriteti Kontraktues do të përpiloj kontratën kornizë për tu realizuar deri në vlerën e parashikuar. Përfundimisht, Autoriteti Kontraktues KEK sh.a. duke respektuar në tërësi urdhëresën e OSHP-së do të përpiloj kontratën që gjatë realizimit të kontratës të merret parasysh devijimi +/-30% e vlerës së kontratës dhe të bëjë furnizime deri në vlerën e parashikuar të kontratës”, theksohet në përgjigjen e KEK-ut.

Anulimi i parë i tenderit

Më 24 prill 2018 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin “Furnizim me pjesë ndërrimi për mekanizmin Iveco”. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 360 mijë euro kurse kohëzgjatja e kontratës 36 muaj. Kriter për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët.

Më 26 shtator 2018, KEK-u kishte vendosur që të anulonte tenderin pasi sipas vlerësimit asnjëra nga ofertat e pranuara nuk ishin të përgjegjshme. Më 1 tetor, njëra nga kompanitë ofertuese, “Bojku Hidraulik” kishte bërë kërkesë për rishqyrtim te KEK-u. Por me 4 tetor, KEK-u ka refuzuar kërkesën e “Bojku Hidraulik” si të pa bazuar.

“Bojku Hidraulik” nuk e kishte lënë me kaq. Më 11 tetor kishte deponuar ankesë në OShP, që në bazë të Ligjit të Prokurimit konsiderohet si shkalla e dytë e ankesës. Kompania ankuese nuk ishte pajtuar me arsyetimin e dhënë nga KEK-ut për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim.

“Ne OE Bojku me datë 1 tetor 2018 kemi parashtruar kërkesë për rishqyrtim pranë AK-së ku kemi shprehur pakënaqësinë tonë për anulimin e këtij aktiviteti nga ana e AK-së. AK pas shqyrtimit të kërkesës tonë, më 4 tetor 2018 na e kthen përgjigjen duke marrë vendim për refuzim të kërkesës tonë si të pabazuar. Arsyetimi i dhënë mendojmë se nuk është i qëndrueshëm dhe në përputhje me LPP andaj ne i drejtohemi OShP-së me ankesë”, thuhej në ankesën e “Bojku Hidraulik”.

Disa ditë më vonë, më 26 tetor 2018 eksperti i angazhuar nga OShP kishte konstatuar se ankesa e “Bojku Hidraulik” duhet të refuzohet si e pabazuar dhe vendimi i KEK-ut të mbetet në fuqi.

“Duke u bazuar në sqarimet e cekura ne ekspertizë, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të refuzohet si e pa bazuar, ndërsa vendimi i AK-së njoftimi për anulim të aktivitetit të prokurimit të mbetet në fuqi”, thuhej në mendimin e ekspertit.

Por, Paneli Shqyrtues i OSHP-së kishte vendosur në kudërshtim me rekomandimin e ekspërtit shqyrtues. Më 21 nëntor 2018, Gjykata e Tenderëve kishte vendosur që të aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e kompanisë “Bojku Hidraulik”, si dhe kishte kërkuar që ky tender të mos anulohet, por të kthehej në rivlerësim.

“Paneli shqyrtues konstaton se nuk është i qëndrueshëm vlerësimi i KEK-ut se “Bojku Hidraulik” është i papërgjegjshëm, sepse i njëjti ka tejkaluar vlerën e parashikuar të AK-së, është i paqëndrueshëm ky pretendim për faktin se në letrën standarde për tenderuesin e eliminuar AK-ja nuk ka dhënë ndonjë arsye që OE ankues nuk ka plotësuar kërkesat e AK-së të vendosura në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë”, theksohej në vendimin e OShP-së.

Vendimi i OShP-së kishte detyruar KEK-un që të rivlerësonte përsëri ofertat e kompanive.

Rivlerësimi i tenderit

Më 14 dhjetor, Komisioni i përbërë nga tre anëtarë ka bërë rivlerësimin e aktivitetit të prokurimit pas vendimit të OShP-së të datës 21 nëntor 2018.

Por edhe pas procesit të rivlerësimit, ky Komision përsëri kishte vendosur njëjtë si herën e parë. Ata kanë rekomanduar që të anulohet tenderi për shkak se ofertat e katër operatorëve ekonomik, “Ortu”, “Solar”, “Union” dhe “Kombinimi” janë shpallur si të papërgjegjshme.

Kurse oferta e “Bojku Hidraulik” sipas tyre e ka tejkaluar buxhetin e parashikuar për këtë tender.

“Komisioni i ri-vlerësimit pas ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve për aktivitetin e prokurimit, konsideron asnjë nga ofertat e pranuara nuk i plotësojnë të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit dhe si të tilla janë oferta e të papërgjegjshme. Ndërsa oferta e OE Bojku Hidraulik substancialisht e tejkalon buxhetin e përcaktuar për këtë aktivitet të prokurimit. Komisioni i rivlerësimit rekomandon që tenderi të anulohet dhe i njëjti të ritenderohet, nëse ka ende interesim nga njësia kërkuese”, thuhet në raportin e vlerësimit.

Operatorët ekonomik “Ortu”, “Solar” dhe “Union” nuk e kanë vazhduar validitetin e ofertës së tyre dhe sigurimin e tenderit sipas kërkesës së KEK-ut të bërë më 23 nëntor 2018 dhe për këtë arsye janë shpallur të papërgjegjshme.

Kurse sa i përket operatorit të katër, “Kombinimi” janë radhitur disa arsye për shpalljen e tij si të papërgjegjshëm. Së pari që nuk ka ofruar katalogë me përshkrime teknike detale për artikujt që oferton.

“Përkatësisht nuk është në përputhshmëri me Fletën e të dhënave të Tenderit në dosje të tenderit ku është kërkuar dokumentacioni autentik i prodhuesit si: katalogë/pjesë të katalogut nga prodhuesi dhe/apo vizatim të vërtetuar nga prodhuesi me përshkrim teknik detal për artikujt që oferton”, thuhet në raportin e rivlerësimit.

Po ashtu se nuk ka ofruar kontratë ose autorizim të dilerit Fiat-Turqi dhe prodhuesit, përkatësisht se edhe kjo nuk është në përputhshmëri me dosjen e tenderit.

“Nuk ka ofruar një deklaratë për specifikacionet teknike për mallrat e ofruara të cilat përputhen me ato të përmendura në dosjen e tenderit”, theksohet në arsyen tjetër për shpalljen si të papërgjegjshëm të OE “Kombinimi”.

Më 14 shtator 2018, në një email drejtuar prodhuesit IVECO – zyra përfaqësuese për Ballkan, KEK-u ka kërkuar që të konfirmohet autenticiteti dhe validiteti i autorizimit të dilerit të prezentuar nga ana e tij. Me datën 20 shtator 2018, KEK-u ka pranuar përgjigjen nga përfaqësuesi zyrtar i IVECO-s se OE “Kombinimi” nuk është e autorizuar nga IVECO për produktet e IVECO-s për këtë tender.

“Dhe për këtë arsye oferta e tij është e papërgjegjshme”, thuhet në raportin e vlerësimit.

Gazeta JnK ka pyetur KEK-un nëse IVECO ka distributor në Kosovë. KEK-u ka deklaruar për Gazetën JnK se në bazë të verifikimit të autorizimeve të bëra duke iu drejtuar prodhuesit IVECO është kuptuar se në Kosovë nuk ka distributor të IVECO-s.

“Në këtë drejtim ju njoftojmë gjithashtu se në Dosjen e Tenderit nuk ka qenë e përcaktuar apo e kufizuar distributori, vendi (shteti). Në këtë drejtim, të gjithë Operatoret Ekonomik kanë ofruar autorizime të prodhuesit përmes distributorëve nga vendet e ndryshme”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Autorizimet e prezantuara nga opertatorët ekonomik ofertues përmes distributorëve sipas KEK-ut ishin “ORTU“ – dileri “DEBA BEDRIJFSËAGENS B.V” në Holandë, “Solar“ – dileri “ËEST TRUCK d.o.o” në Serbi, “Bojku Hidraulik”- dileri “Kargomaks d.o.o” në Maqedoni, “Kombinimi” – dileri “Istanbul Fiat” në Turqi (nuk ka ofruar marrëveshje apo autorizim në mes prodhuesit dhe dilerit) dhe “Union”- dileri “Bulavto” në Bullgari.

”Për më tepër, çdo Operator Ekonomik mund të ofertoj nga i njëjti distributor, pra kjo nuk ka qenë apo nuk është kufizuar në Dosjen e Tenderit. Siç e theksuam edhe me lartë gjatë verifikimit të autorizimeve, AK i është drejtuar prodhuesit IVECO dhe është kuptuar se nuk ka distributor të IVECO-s në Kosovë”, vazhdon përgjigje e KEK-ut.

Ankesa ndaj vendimit të dytë të KEK-ut

Kundër vendimit të KEK-ut përsëri është ankuar kompania Bojku Hidraulik më 24 dhjetor 2018. Rreth një muaj më vonë përsëri eksperti i angazhuar nga OShP ka dalur me një mendim. Për dallim nga hera e parë, ai ka rekomanduar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Bojku Hidraulik.

“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si e bazuar, ndërsa vendimi i AK-së për anulim të aktivitetit të prokurimit të anulohet dhe lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhej në mendimin e ekspertit.

Me 5 shkurt OShP ka dalë me vendimin që të aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e operatorit ekonomik “Bojku Hidraulik”. Dhe ka obliguar KEK-un që të zbatojë vendimin e OShP-së të datës 21 nëntor 2018.

“Urdhërohet KEK që në afat prej pesë ditëve kalendarike të njoftoj OShP-në dhe OE “Bojku Hidraulik” lidhur me zbatimin e vendimit të OShP-së të datës 21 nëntor 2018”, thuhej në urdhëresën e OShP-së.

Pas gati një vit që nga inicimi i këtij tenderi, më 15 shkurt KEK-u ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Bojku Hidraulik”. Kurse më 1 mars, KEK ka nënshkruar kontratën në vlerë prej 452.777 mijë euro me kompaninë “Bojku Hidraulik”.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.