OSHP Lejon Tenderin e KQZ-së me Shkelje Ligjore

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i ka mbyllur sytë para shkeljeve të ligjit të Prokurimit të bërë nga Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (SKQZ) në tenderin për “Informimi Publik për Zgjedhjet Lokale 2017, Lot 1”.

Sekretariati i KQZ-së e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “2B Studio”, e cila kishte ofertuar 189 mijë euro, në kohën kur asnjë prej ofertave të operatorëve ekonomikë të cilët kishin ofertuar në këtë aktivitet të prokurimit nuk kishte validitet. Mos-vazhdimi i validitetit është bërë për faj të Sekretariatit të KQZ-së, pasi e njëjta është e obliguar që të kërkojë nga operatorët ekonomikë vazhdimin e validitetit të ofertave, por kjo kërkesë duhet të bëhet para se të skadojë validiteti.

Validiteti i ofertave për këtë tender ka skaduar me 9 gusht 2017. E vazhdimi i ofertave është bërë vetëm me datën 21 shtator, në kohën kur lënda ishte në shqyrtim në OSHP. E gjatë kohës sa ofertat nuk kishin validitet, Sekretariati i KQZ-së e kishte bërë rivlerësimin e ofertave dhe shpalljen e fituesit

Gjykata e Tenderëve ka konstatuar se mos-vazhdimi i validitetit përbën shkelje ligjore, mirëpo ka lejuar që të procedohet me nënshkrim të kontratës.

“Lidhur me pretendimin e operatorit ekonomik ankues se validiteti i ofertave të tenderit ka skaduar me datën 09.08.2017 dhe se të gjitha veprimet procedurale të kryera nga AK-SKQZ me rastin e ri-vlerësimit të ofertave, përfshirë dërgimin e Letrës Standarde për Tenderuesin e suksesshëm dhe pasuksesshëm është bërë me datën 25.08.2017, pra jashtë afatit të vlefshmërisë së ofertave, paneli shqyrtues vlerëson se ky pretendim është i qëndrueshëm”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Por, paneli shqyrtues i OSHP-së thotë se tenderi duhet të vazhdojë tutje përkundër devijimeve.

“Kur kemi parasysh natyrën e këtij aktiviteti të prokurimit që ka të bëjë me informimin publik për zgjedhjet lokale 2017, ndërsa tashmë kemi hyrë në fazën e fushatës zyrtare, vjen në përfundim se ky aktivitet i prokurimi duhet të vazhdojë më tutje, megjithë devijimet dhe lëshimet e vogla që ka bërë autoriteti kontraktues”, thuhet në arsyetimin e OSHP-së për vendimin e panelit.

Vendimi i OSHP-së për të lejuar vazhdimin e këtij aktiviteti të prokurimit është bazuar edhe në çmimin e ofertueseve. OSHP thotë oferta e rekomanduar për kontratë (2B Studio- 189 mijë euro) është për 10 mijë euro më e lirë se sa oferta e operatorit ankues (MDA- 199 mijë euro).

Paneli e ka lënë në fuqi njoftimin për dhënie të kontratës të Sekretariatit të KQZ-së për kompaninë “2B Studio”, dhe në të njëjtën kohë e ka miratuar pjesërisht ankesën e kompanisë MDA-së.

Ardian Jashari nga MDA thotë se brenda afatit prej 30 ditësh, pas konsultimeve edhe me avokatë, parasheh të bëjë kallëzim penal ndaj OSHP-së për vendimin e kundër-ligjor.

Kjo kompani pretendon se është dëmtuar përreth 200 mijë euro nga ana a Sekretariatit të KQZ-së.

“Përmes kësaj shkeljeje, kompanisë sonë i është shkaktuar dem material në vlerën prej 199,952.04 euro”, thuhet ndër të tjera në ankesën e operatorit ekonomik ankues.

Vendimi i OSHP-së për ta lejuar vazhdimin e aktivitetit të prokurimit është në kundërshtim me kërkesën e Sekretariatit të KQZ-së, i cili ka kërkuar që ky aktivitet i prokurimit të anulohet pasi gjysma e aktiviteteve të paraparë në këtë kontratë tashmë nuk mund të realizohen.

“Këtij aktiviteti i ka humbë mbi 50% të efektit për të cilin është bërë, andaj rekomandoj të anulohet aktiviteti i prokurimit”, ka thënë përfaqësuesi i Sekretariatit të KQZ-së në panelin e OSHP-së.

Ndërsa, eksperti shqyrtues në raportin e tij kishte kërkuar që të anulohet aktiviteti i prokurimit, mirëpo ne seancë ka ndërruar qëndrim.

“Nëse është interes i AK-së të zhvillojë aktivitetin e prokurimit, për shkak të çmimit dhe interesit material, dëmi do të ishte më i vogël po të qëndronte vendimi i AK-së për dhënie të kontratës”, thuhet në fjalën përfundimtare të ekspertit shqyrtues.

Tenderi për “Informimi Publik për Zgjedhjet Lokale 2017-të” është iniciuar shumë më herët dhe i njëjti ishte ndarë në dy llote. Në të dy llotet, më 29 qershor, ishte shpallur fituese, MDA-ja, e cila kishte ofertuar 199 mijë euro për llotin e parë dhe 219 mijë euro për llotin e dytë. Për llotin e dytë nuk kishte pasur ankesa, ndërsa në llotin e parë ishte ankuar kompani “2B Studio”. OSHP-ja kishte marrë vendim për anulimin e dhënies së kontratës për kompaninë MDA, ndërsa aktivitetin e kishte kthyer në rivlerësim. Në rivlerësim, OSHP-ja kishte kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së që të kërkohen dokumente shtesë operatorit 2B.

Siç shihet në dosjen e kësaj lënde, pas vendimit të OSHP për kthimin e tenderit për rivlerësim të AK, SKQZ ka kërkuar informata shtesë nga OE 2B Studio me datën 17.08.2017.

Përfaqësuesi i MDA-së në panelin e mbajtur në OSHP ka thënë se kërkesa për pranimin e dokumenteve shtesë paraqet shkelje esenciale të proceduarve dhe ligjit të prokurimit, pasi sipas tij nuk mund të pranohen dokumente plotësuese çfarë janë kërkuar në këtë rast nga Autoriteti Kontraktueses SKQZ.

“Autoriteti Kontraktues nuk mund të kërkojë plotësimin e dosjes së tenderit me dokumente të reja shtesë, por vetëm të kërkojë sqarimin e atyre që janë dorëzuar me dosjen e tenderit në momentin e aplikimit nga operatorit ekonomik përkatës. Vetë kërkesa për dorëzimin e këtyre dokumenteve vërteton se operatori ekonomik “2B Studio” nuk ka plotësuar kushtin dhe kërkesat ligjore sipas Nenit 69, pika 4.1 të LPP lidhur me kualifikimet shkollore dhe profesionale. Letra standarde për sqarim të tenderit ka të bëjë shprehimisht me sqarimin e dokumenteve që janë dorëzuar si pjesë e dosjes së tenderit dhe jo plotësimin e dosjes, respektivisht dokumentacionit të pakompletuar të dorëzuar nga OE “2B Studio” që është kusht ose shkas për eliminimin e të njëjtit si i papërgjegjshëm”, citohet përfaqësuesi i MDA në panelit në OSHP-së.

Por, Eksperti shqyrtues kishte konstatuar se kërkesat e Sekretariatit të KQZ-së ishin në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik. Edhe Paneli shqyrtues nuk ia ka miratuar këtë pretendim kompanisë MDA-së.

“Lidhur me këto dëshmi paneli shqyrtues konstaton se dëshmitë e ofruara nga OE 2B pas kërkesës së komisionit të ri-vlerësimit të AK- SKQZ janë në përputhje të plotë me nenin 72 të LPP-së dhe nuk është shkaktuar asnjë ndryshim material apo substancial i dosjes së tenderit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Bardhyl Bejtullahu, nga kompania “2B Studio”, e cila është rekomanduar për kontratë, thotë se çështjet e vlerësimit janë punë të Sekretariatit të KQZ-së dhe OSHP-së.

“Ne kemi aplikuar, jemi shpallë fitues dhe ne s`kemi çka me shtuar më shumë. Jemi në pritje të nënshkrimit të kontratës”, ka thënë Bejtullahu.

Tutje, ai thotë se për shkak të vonesave është e vështirë të realizohet e gjithë kontrata.

“Tani mbetet të shihet se çka do të kërkojë Sekretariati i KQZ-së të realizojmë nga ajo kontratë, sepse disa pikave vetëm iu ka kaluar afati. Këto vonesa që janë shkaktuar normalisht se na kanë sjellë dëme neve si kompani fituese. Ne nuk vlerësojmë se kush është i përgjegjshëm apo jo, për këto punë janë organet kompetente ku secili prej nesh duhet të drejtohet”, ka thënë Bejtullahu.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Sekretariati i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, mirëpo ende nuk pa marrë përgjigje.

Kjo nuk është hera e parë të KQZ-ja ka telashe me tenderin për informim publik për zgjedhjet lokale apo qendror. Në zgjedhjet e kaluara lokale kishte pasur telashe me të njëjtin tender, ndërsa në dy palë zgjedhjet e jashtëzakonshme, në vitin 2014 dhe 2017, i njëjti tender është proceduar me procedura të negociuara, pa tender publik.