Kompleksi Memorial në Reçak - Foto: Atdhe Mulla

OSBE hesht karshi mohimit të masakrës së Reçakut nga liderët serbë

Masakra në fshatin Reçak të Shtimes në të cilën nga forcat serbe u vranë 45 civilë shqiptarë, ditëve të fundit është bërë temë përplasjesh mes politikanëve të Serbisë, Kosovës dhe jo vetëm.

Zyrtarë serbë duke i mohuar krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit në vitet 1998/99, e kanë vënë në pikëpyetje vërtetësinë e masakrës së 15 janarit të vitit 1999 në Reçak.

Ish-ministri serb i Administratës së Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq e quajti masakrën e Reçakut “një trillim” dhe i njëjti pas kësaj deklarate u shkarkua nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka quajtur këtë ngjarje “shpikje e William Walker”.

Ngjarja në Reçak, në të cilën mori pjesë për së afërmi edhe ish-drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, nxiti reflektimin ndërkombëtar për ndërhyrje në Kosovë gjatë luftës dhe i parapriu edhe bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999.

Megjithkëtë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila i denoncoi krimet e kryera në Kosovë përfshirë edhe atë të Reçakut, nuk i ka komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë lidhur me masakrën në fshatin e Shtimes.

Zyrtarja për media e OSBE-së, Mersiha Çausheviq Pozhiq ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se OSBE ishte ndër aktorët kryesorë ndërkombëtarë të përfshirë në përpjekjen për të arritur një zgjidhje paqësore për Kosovën.

“Një pjesë e rëndësishme e mandatit dhe punës së organizatës në terren ishte dokumentimi dhe raportimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë krizës së Kosovës. Në këtë kuadër, Misioni Verifikues i OSBE-së raportoi gjerësisht për këto shkelje, duke përfshirë edhe Raçakun, për shembull përmes dokumenteve të disponueshme për publikun”, thuhet në përgjigjen e tyre përmes postës elektronike.

Kompleksi i varrezave të të vrarëve në Reçak. Foto: Kallxo.com

Zyrtarja ka shtuar se organizata vazhdimisht ka apeluar dhe mbështetur përpjekjet për të dokumentuar dhe ndjekur penalisht shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë.

“Me këtë dhe me përpjekjet tona pas konfliktit për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve, OSBE vazhdon të kontribuojë në paqe, pajtim dhe normalizim. Procesi i ndërtimit të besimit dhe pajtimit varet nga respektimi i ndërsjellë i vuajtjeve të viktimave dhe familjeve të tyre”, vijon përgjigja.

Gazeta Jeta në Kosovë ka ridërguar pyetje në këtë institucion duke kërkuar qëndrimin e tyre rreth deklaratave të zyrtarëve serb, të cilët e mohojnë masakrën e Reçakut.

Megjithëkëtë, zyrtarja Pozhiq është përgjigjur për Gazetën JnK se nuk ka asnjë koment të mëtejshëm nga ana e tyre për këtë çështje, përveç asaj që janë përgjigjur më lartë.

Në anën tjetër, pas shkarkimit të ministrit Todosijeviq, kryeministri Haradinaj ishte shprehur se është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes.

“Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet”, ishte shprehur kreu u ekzekutivit kosovar.

Haradinaj  pati shkarkuar edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pikërisht për shkak të qëndrimit të saj rreth bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Ndaj deklaratës së homologut të tij serb, ka reaguar së fundit edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti në Facebook ka shkruar se krerët e Serbisë po mundohen para botës të mohojnë krimet, spastrimin etnik dhe gjenocidin e kryer nga ushtria e Serbisë në Kosovë.

“Të mohosh gjenocidin e Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë është sikur të mohosh holokaustin e nazizmit të Hitlerit. Ka vetëm një dallim: holokausti është dënuar, kurse krimet e Serbisë po kalojnë po u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare! Një qasje e tillë e Serbisë nuk është aspak ndihmuese për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe pajtimin!”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Për masakrën e Reçakut u deklarua edhe Bashkimi Europian.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq ka thënë se nuk ka vend për të mohuar ngjarjet në Reçak.

“Nuk ka vend për mohimin apo relativizimin e ngjarjeve që ndodhën në Reçak të Kosovës në janar të vitit 1999. Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Europian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”, është shprehur Kocijançiq.

20 vjet pas nga masakra e Reçakut, Ambasadori William Walker, në janarin e këtij viti, kishte dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku kishte thënë se i mbetet besnik vlerësimit të tij për ngjarjen në Reçak.

“E kujtoj me aq përpikmëri ashtu siç e pashë vetëm disa orë pasi dëshmova rezultatin e masakrës. E sjell shpesh në mendje atë skenë dhe nuk kam ndryshuar asgjë në interpretimin e asaj që pashë apo çfarë e kishte shkaktuar atë”, ishte shprehur Walker për VOA-n.

Statuja e ambasadorit William Walker në Reçak. Foto: Kallxo.com

Ambasadori Walker kishte shtuar se ajo që ndodhi në Reçak dhe ngjarjet që pasuan çuan në formimin e Republikës së Kosovës.

“Ai incident, reagimi im ndaj tij, dhe më pas reagimi i qeverisë së Serbisë ndaj reagimit tim, prodhuan një cunam ndërkombëtar raportimesh për atë që po ndodhte në Kosovë, që çoi pastaj në takimin e ministrave të jashtëm, më pas takimet në Londër, në Rambuje që u pasuan me fushatën e bombardimeve gjë që eventualisht çliroi Kosovën nga kontrolli i Serbisë”, tha Walker, i cili nuk heziton ta vizitojë Kosovën për çdo përvjetor të rëndësishëm historik.

Dokumentimi i OSBE-së për Reçakun

Misioni i Verifikimit të OSBE-së në Kosovë u krijua në tetor të vitit 1998 si pjesë e reagimit ndërkombëtar ndaj ngjarjeve të luftës së fundit në Kosovë.

Misioni thuhet se kishte mandat për të monitoruar, hetuar dhe dokumentuar akuzat për shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera nga të gjitha palët në luftë.

Deri më 9 qershor të vitit 1999, aq sa misioni i kësaj organizate qëndroi në Kosovë, Divizioni për të Drejtat e Njeriut kishte grumbulluar qindra raporte brenda vendit dhe kishte marrë deklarata nga gati 2800 refugjatë.

Ndërkohë, një kapitull i veçantë nga ky mision gjatë periudhës kohore sa qëndroi në Kosovë tetor 1998-qershor 1999, i kushtohet masakrës së Reçakut, në analizën e titulluar “Kosova – Si u pa, si u tregua”.

“Në mes të janarit, 45 njerëz, disa prej tyre fëmijë – u gjetën të vrarë në Reçak, të cilët kryesisht ishin qëlluar nga afër në kokë. Ishte ky zhvillim i fundit, dhe pasojat e saj të menjëhershme, të cilat sollën  iniciativën e ardhshme nga Grupi i Kontaktit i gjashtë shteteve”, thuhet në këtë dokument.

Sipas tyre, kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së, Ambasadori William Walker, ishte urdhëruar nga autoritetet serbe që të largohej nga vendi, pasi i kishte akuzuar ata publikisht se ishin pergjegjës, duke e hedhur poshtë pretendimin e tyre se pjesëtarët e UÇK-së ishin vrarë në një betejë në Reçak dhe trupat e tyre më pas u rikonfiguruan nga shokët e tyre që të duken si viktima civile të një masakre.

“Ambasadori Walker refuzoi të largohej, ndërkohë NATO-ja kërcënoi veprime ushtarake kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, përveç nëse do të rivendosej armëpushimi.Në një përpjekje për të thyer bllokimin diplomatik, Grupi i Kontaktit më pas thirri një konferencë për të ardhmen e Kosovës, e cila do të mbahej në Rambuje në afërsi të Parisit më 6 shkurt”, thuhet në publikim.

Në dokumentin e OSBE-së, më tej thuhet se, në mesin e viktimave në Reçak ishin një grua 18 vjeçare dhe një fëmijë 12 vjeçar.

“Ngjarjet dhe faktet e verifikuara nga OSBE treguan prova të arrestimeve arbitrare, vrasjeve jashtëgjyqësore dhe gjymtimin e civilëve të paarmatosur nga forcat e sigurisë të Republikës Federale të Jugosllavisë”, thuhet në analizë.

Masakra e Reçakut provokoi një protestë ndërkombëtare dhe ndryshoi perspektivën e ndërkombëtarëve ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë dhe autoriteteve serbe në Beograd.

OSBE vlerëon se vrasjet u konsideruan si një pikë kthese në lidhje me përpjekjet paqësore për të zgjidhur konfliktin e Kosovës, që atëherë komuniteti ndërkombëtar pranoi se shkeljet e të drejtave të njeriut ishin në thelb të tij.

“Zyra e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) u thirr për të filluar një hetim të menjëhershëm për krimet e kryera në Raçak, por atyre iu mohua hyrja në Kosovë nga autoritetet jugosllave në Beograd”, vijon analiza.

Për Misionin Verifikues të OSBE-së, vrasjet dhe pasojat e tyre kishin një rëndësi të madhe ndikimi në mision, pasi që ngjarjet treguan shkeljet e të drejtave të njeriut në plan të parë.

Fshati Reçak gjendet gjysmë kilometër në jug të qytetit të Shtimes dhe para zhvendosjes së popullsisë në vitet 98/99 kishte rreth 2000 banorë.

“Pas goditjes serbe në fshatrat rreth zonës në korrik të vitit 1998, shtëpitë dhe dyqanet u plaçkitën dhe u dogjën, shumica e fshatarëve kishin lënë vendim për të jetuar me familjet e tyre, të vendosur kryesisht në Shtime  dhe Ferizaj. Në janar të vitit 1999, rreth 350 fshatarë mbetën në Reçak”, thuhet në dokumentin e publikuar nga OSBE-ja.

Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj me 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri më tani është njohur nga 116 shtete të botës.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia

.