Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Opozita pa datë për mocionin për rrëzimin e qeverisë

Që nga krijimi i Qeverisë Haradinaj, opozita e vendit ka paralajmëruar mocion për rrëzimin e kësaj qeverie, të cilën e kanë konsideruar të dëmshme për qytetarët.

Pavarësisht paralajmërimeve në Kuvendin e Kosovës ende nuk është dërguar në votim një mocion i tillë.

Në fund të muajit maj të këtij viti, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka mbajtur takime të ndara me liderët e opozitës, atë të Lëvizjes Vetëvendosje(LVV), Albin Kurti dhe atë të Partisë Socialdemokrate(PSD), Shpend Ahmeti.

Në të dy takimet Mustafa mori mbështetjen e tyre që të rrëzojnë Qeverinë e koaliconit PAN.

Por vonesën në këtë drejtim e kanë arsyetuar deputetët e opozitës të cilët kanë thënë se janë në konsultime për të siguruar 61 votat e nevojshme, ndërsa sipas analistëve kjo është një lojë politike pakuptimtë e opozitës.

Opozita shpreson në votat e pozitës

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ende nuk i kanë votat e nevojshme, por janë në kontakt të vazhdueshëm me disa nga deputetët që të arrijnë qëllimin e tyre.

“Jemi afër numrit 61 po akoma nuk kemi arritur t’i bëjmë. Jemi në fazën ku po konsultohemi po diskutojmë me shumë prej deputetëve. Në momentin që ne do t’i kemi 61 deputet atëherë mocioni do të procedohet menjëherë”, tha Selmanaj.

Tutje ai u shpreh optimist që disa nga votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë do t’i gjejnë brenda koalicionit PAN.

“Mendojmë se do të arrimë të sigurojmë vota edhe brenda deputetëve të pozitës, tash është çështje e diskutimeve me ta, është çështje e konsultave me ta, mendoj e bisedave individuale por normalisht që ne presim që kjo qeveri definitivisht të rrëzohet dhe më pas të organizohet edhe procesi zgjedhor”, tha Selmanaj për gJnK.

Deputeti i LDK-së nuk e ka përjashtuar si mundësi që votat t’i kërkojnë nga Lista Serbe, por shtoi se njëherë do të komunikojnë më partitë e tjera.

“Ne nuk jemi konsultuar me Listën Serbe akoma, njëherë kemi orientim tjetër, do të bisedojmë njëherë me partitë tjera politike, me deputet brenda Kuvendit të Kosovës do të shohim sesi të ecim tutje. Por njëherë ka një konsulte mes partive opozitare, keni pa tash takimet mes liderëve opozitarë, Kurti, Mustafa, Ahmeti  dhe do të vazhdojnë këto takime”, theksoi ai.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se janë ende në fazën e konsultimit dhe sipas saj është një disponim pozitiv për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Jemi duke diskutuar edhe me organet tona të brendshme por edhe bashkërisht me LDK-në, ende nuk e kemi definuar se kur do ta procedojmë. Jemi në përpjekje dhe është një disponim goxha pozitiv në këtë drejtim edhe nga deputet e vet koalicionit, disa prej tyre dhe besoj që jemi në rrugë të mbarë dhe do të arrijmë që ti kemi 61 deputetë”, tha Haxhiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo shtoi se është i pamundur suksesi i mocionit pa votat e deputetëve të pozitës.

“Nuk mundem me përmend emra të përveçëm por pa votuar ndonjë deputetë i koalicionit aktual nuk është e mundshme rrëzimi i Qeverisë dhe jemi diskutuar edhe me ata”, tha Haxhiu.

Ndërsa, deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu tha që opozita mund të llogarisë në votën e tij për rrëzimin e ekzekutivit aktual, mirëpo nuk pret që deputetët koalicionit qeverisës do të rrëzojnë vetën.

“Dyshoj shumë që do të gjejmë mbështetje tek partitë e koalicionit për të rrëzuar këtë qeveri, sepse qëllimi i secilit prej tyre nuk është e ardhmja e vendit dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve, por pasurimi personal përmes rrugëve të jashtëligjshme dhe mbrojtja e rrjetit kriminal mbi të cilin ata mbijetojnë edhe politikisht, por edhe në nivel personal”, tha Sejdiu për gJnK duke shpresuar do të kenë përkrahjen e plotë të të gjithë deputetëve të opozitës.

Mocioni: Loja jonormale e opozitës

Analisti politik Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën ka vlerësuar se mocionin i paralajmëruar nga opozita nuk do të jetë së shpejti në legjislativ.

“Unë nuk mendoj që do të vjen në Kuvend ndonjë mocion sepse qe një vit janë duke e bërë lojë pa e dërguar në Kuvend sepse po kërkojnë me i bo 61 nënshkrime. Asnjë mocion nuk i bënë 61 nënshkrime sepse ligjvënësi e ka paraparë që duhen 40 nënshkrime me shkuar në kuvend, edhe pastaj votat qysh është votimi i fshehët mblidhen aty për aty”, tha ai.

Tutje Tahiri ka shtuar se me vonesat e që opozita po ia bënë këtij mocioni është e paqarte se cilat janë interesat e partive opozitare.

“S’po i kuptoj interesat e LDK-së edhe të Vetëvendosjes sepse politikisht nëse ata i mbledhin 40 nënshkrime e qojnë në Kuvend, aty tani lobojnë për me i marrë votat edhe për me e rrzu qeverinë. Mirëpo këta po thojnë ne i marrim në letër 61 vota, edhe po ti kenë 71 vota në letër nuk do të thot që është garancë që rrëzohet qeveria në votim sepse vetëm votimi është valid”, shtoi ai.

Sipas tij opozita duhet ti ‘shfrytëzoj’ edhe mëdyshjet e disa deputetëve të koalicionit PAN për iniciativën e tyre.

“Unë mendoj që i kanë 61 vota, sepse Milaim Zeka ka thënë po, disa deputet të tjetër të NISMA-së kanë thënë po, kryeministri vet ka thënë nëse këta i bëjnë 55 vota e ju duhen votat e mia unë ja jap, mirëpo këta nuk po e dërgojnë” tha Tahiri.

Analisti Tahiri theksoi se Kjo nuk është lojë normale politike e opozitës, sepse secila qeveri është rrëzuar si janë mbledhur 40 vota dhe kanë shkuar në Kuvend, ashtu ka ndodhur edhe herën e kaluar ku votat janë mbledhur në Kuvend.

‘Bashkërenditja’ e stërzgjatur e opozitës për rrëzimin e Qeverisë