Opozita nuk i ofron përkrahje Veselit për krijimin e Tribunalit

Në seancën e 20 majit të Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit nuk u arrit që të votohej për formimin e komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Pjesa më e madhe e debatit u zhvillua pa pjesëmarrjen e dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV), të cilat në shenjë revolte lëshuan seancën plenare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si propozues i iniciativës për Tribunalin ndërkombëtar, kishte paralajmëruar se komisioni për krijimin e Tribunalit do të votohet, si dhe u bëri thirrje partive opozitare që të jenë pjesë e vendimmarrjes.

Por kryeparlamentari Veseli nuk pritet ta ketë mbështetjen e deputetëve të LDK-së dhe VV-së për këtë çështje.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se të njëjtit tashmë i kanë paraqitur qëndrimet e tyre.

“Kjo çfarë po bën  kryetari i Parlamentit z. Veseli, mënyra se si po adreson këtë, është krejtësisht e gabueshme, madje edhe e dëmshme për procesin. Nuk e kemi analizuar, por besoj që  nuk do të jemi pjesë e një komisioni të tillë i cili do të jetë në fakt vetëm një tentim për të vështirësuar edhe më shumë situatën dhe nuk do të ofronte drejtësi për të gjitha viktimat e luftës së fundit në Kosovë”, tha deputetja opozitare.

Nagavci idenë e Veselit e cilësoi si populiste.

“Se a do të vazhdojmë të qëndrojmë në situatë është vendim politik sepse e kemi të rëndësishëm të shtyjmë përpara procesin në atë mënyrë që të mundësohet që vërtetë të adresohet gjykimi i kriminelëve dhe jo vetëm të bëhen veprime të tilla për qëllime  krejtësisht populiste”, theksoi ligjvënësja për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, deputetja LDK-së Besa Gaxherri, thotë se ende nuk  kanë diskutuar në partinë e tyre për seancën e ardhshme lidhur me themelimin e komisionit për krijimin e Tribunalit.

“Dua të jem e sinqertë, veç dihet që duhet me shku në seancë. Por sigurt ne takohemi para seancës dhe marrim qëndrim. Ne i kemi diku edhe 7-8 seanca të pa përmbyllura, nuk është vetëm ajo seancë”, tha deputetja.

Sipas Gaxherrit, temat e ndjeshme po përdoren për qëllime të ulëta personale, politike e populiste.

“Ne nuk duhet ta bëjmë naivin as patetikun prej vetvetes, duke e ditë bazën ligjore forcën tonë por duhet me i pasë institucionet e drejtësisë në vend, në mënyrë që ato të fillojnë të merren me drejtësinë e gjenocidin dhe me drejtësinë e përditshme çka po ndodhë me qytetarët e vendit”, theksoi Gaxherri për Gazetën JnK.

Deputetja opozitare shtoi se Kosova nuk ka kapacitete për krijimin e një gjykate ndërkombëtare.

“Megjithatë, ne nuk ka pengon askush që të fillojmë edhe me i mbledh të gjitha dosjet, dëshmitë  dhe natyrisht drejtësia jonë me dal me dokumente se këtu është ushtruar gjenocid. Më pas me atë dosje ne mund të kërkojmë ndoshta pas disa viteve kur ne jemi në pozitë më të mirë politike si shtet. Ajo lëndë  nuk plaket asnjëherë dhe jo të bëhet shaka me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe kaq të rëndësishme”, u shpreh deputetja e LDK-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje edhe në Kuvendin e Kosovës, për t’i pyetur se kur pritet të thirret vazhdimi i seancës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Kundër idesë për themelimin e një Tribunali ndërkombëtar për t’i dënuar krimet serbe në Kosovë, i prerë ka qenë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.

O’Connell ka deklaruar se Kosova nuk mund të krijojë një Tribunal ndërkombëtar, duke shtuar se vendi ka gjykatat e saj të cilat duhet të kenë interes që t’i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës.

“Kosova ka sistem gjyqësor, i cili mund të gjykojë krimet që janë kryer në territorin e Kosovës, pse nuk po e përdorni atë? Kosova nuk mund të krijojë një tribunal ndërkombëtar. Kosova ka gjykatat e saj të cilat duhet të kenë interes t’i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës. Dhe ato janë plotësisht të fuqishme ta bëjnë atë”, ishte shprehur ambasadori britanik javën e kaluar.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, u pati bërë thirrje LDK-së dhe VV-së të kthehen në Kuvend dhe të marrin pjesë në votimin për formimi e komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

“Unë për fund kam këtë thirrje për vëllezërit tanë të opozitës nga LDK dhe VV. Është mirë me qenë në sallë kur votohet. Kjo ko mu votu, por është mirë që edhe ju të jeni në sallë dhe ta votojmë bashkërisht. Ju kam thirr dhe do të ju thërras çdo herë, kurdo që kërkoni. Nëse jeni hidhëru pse e kam fillu unë këtë iniciativë, jam i gatshëm t’ia bëjmë qysh doni, por kryesore është që duhet mu votu”, kishte thënë Veseli.

Megjithëkëtë, edhe analistë politik dhe njohës të së drejtës kushtetuese në vend patën theksuar për Gazetën Jeta në Kosovë se  themelimi i një tribunali për krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 vështirë se do të jetë i realizueshëm, për shkak të kompetencave të kufizuara të shtetit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe jo vetëm.