Opozita Maqedonase Akuzon për Vjedhje të Votave

Edhe pse shpërtheu një mosmarrëveshje mbi balotazhin presidencial të raundit të dytë dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare që qendrat e votimeve të mbylleshin në orën 19:00 sipas kohës lokale, autoritetet i vlerësuan zgjedhjet demokratike, ndërsa Partia opozitare Social-Demokrate (SDSM) u ankua për mashtrim zgjedhor, duke u dhënë hapësirë mosmarrëveshjeve politike në vend.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha që pas numërimit të gati të gjitha kutive, VMRO-DPMNE-ja fitoi me mbi 480 mijë vota dhe SDSM-ja 284 mijë- dallimi më i madh në dobi të kryeministrit Gruevski që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2006.

Te partitë e shqiptarëve të Maqdonisë Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit, gjithashtu në pushtet mori 153 mijë vota, duke mposhtur Partinë Demokratike Shqiptare të drejtuar nga Menduh Thaçi, e cila u ndal në vetëm pak mbi 66 mijë vota.

“Qytetarët maqedonas janë mashtruar dhe zgjedhjet janë vjedhur, Qeveria ka guxuar për të zhvilluar zgjedhje të padrejta, jodemokratike dhe të pacivilizuara”, tha lideri i Partisë Sociale Demokratike, Zoran Zaev, në një konferencë për media menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimeve.

Ai akuzoi partinë e qendrës së djathtë në pushtet VMRO DPMNE-në, e cila mban pushtetin që nga viti 2006, “ për blerje masive dhe publike të votave dhe me ndihmë të policisë”,  dhe bëri thirrje që të ngrihet një administrim i  përkohshëm për të mbajtur zgjedhje të përsëritura.

“Ky është qëndrimi ynë definitiv, sepse pa marrë parasysh në qoftë se ne do të fitojmë apo të humbim , nuk është e mirë një fitore e zgjedhjeve kur baza e vërtetë e demokracisë është shkatërruar”, tha Zaev.

Por Antonio Milloshoski nga VMRO DPMNE deklaroi se votimi ishte i drejtë dhe akuzoi  SDSM-në, pasi që sipas tij ky subjekt po bën përpjekje për të mbuluar humbjen e saj.

“Kjo është një përpjekje për të maskuar humbjet e tyre me disa tregime rreth parregullsive”, tha ai.

Në balotazhin e garës presidenciale kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgje Ivanov që po e kërkon mandatin e dytë fitoi 534 mijë vota, derisa kundërkandidati nga SDSM-ja mori vetëm 398 mijë.

Në zgjedhjet më të rëndësishme të përgjithshme, sondazhet e opinionit  kanë parashikuar se partia VMRO DPMNE-ja e kryeministrit Nikola Gruevski mund të deklarojë fitore ndaj SDSM-së.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (SEC) dhe policia thanë se votimi ka kaluar në qetësi dhe në një atmosferë demokratike me pak parregullsi të raportuara.

“Ne nuk kemi pranuar ndonjë raport për ndonjë incident. Ishin disa raste në të cilat votuesit u ankuan që ata nuk ishin në listat zgjedhore, por kjo nuk është një gjë masive. Ne nuk kemi të dhëna për votime të mundshme familjare dhe propaganda politike në qendrat e votimit mund të ketë ndodhur në disa vende”, tha zëvendëspresidenti i SEC-i Subhi Jakupi.

Por vëzhguesit vendorë prej OJQ-ve lokale “MOST” dhe “CIVIL” thanë se janë regjistruar raste të votimeve familjare në qytetet dhe fshatrat në të gjithë vendin, si dhe propagandë politike në qendrat e votimit dhe është vënë re votimi i të miturve.

Kryeministri Gruevski vlerësoi mbajtjen e zgjedhjeve.

“Deri më tani zgjedhjet janë në vazhdim e sipër në një atmosferë të qetë dhe demokratike dhe unë shpresoj se do të jetë kështu deri në fund të ditës dhe se Maqedonia do të fitojë në këto zgjedhje,” u tha Gruevski gazetarëve pas hedhjes së votës së tij në Shkup.

Ndërsa lideri i SDSM-së Zaev, i cili votoi në qytetin e tij të Strumicës, theksoi se zgjedhjet janë  vendimtare për të ardhmen e vendit.

“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Maqedoninë. Unë dëshiroj që periudha e ardhshme të jetë një periudhë ku vendi ynë do të shohë zhvillim ekonomik dhe njerëzit do të jetojnë jetën  më të lumtur sesa sot”, tha ai.

Por, në mbrëmje sapo qendrat e votimit u mbyllën, SDSM-ja akuzoi partinë në pushtet si përgjegjëse për shkelje të zgjedhjeve.

Ne kemi foto dhe video që njerëzit janë paguar për të votuar për VMRO-DPMNE-në, u janë bërë presione votuesve,  për kryerjen e votimit familjar, është aplikuar  presion mbi administratën dhe janë përdorur benefite sociale”, tha Marinella Tuseva e SDSM-së në një konferencë për media.

Në mesin shqiptarëve të vendit, beteja kryesore është zhvilluar në mes të partisë në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim ( BDI) dhe opozitës- Partisë Demokratike Shqiptare.

Shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë dhe është bërë një rregull i pashkruar se fituesit në këtë bllok i ofrohet një vend në qeveri.

Në garën presidenciale, Ivanov hyri në raundin e dytë të votimit me një avantazh mbi kundërshtarin e tij, Pendarovski.

Në raundin e parë të 13 prillit, Ivanov fitoi 449 mijë vota, kurse Pendarovski doli i dyti me 326 mijë vota.

“Unë pres që njerëzit të votojnë dhe se kjo ditë të kalojë në një atmosferë demokratike dhe paqësore. Pas zgjedhjeve, unë pres që të gjithë ata që do të fitojnë besimin e popullit, do të kuptojnë që të realizojnë çdo gjë që ata kanë premtuar në fushatë, kështu që ne të kemi sukses dhe prosperitet”, tha Ivanov pas votimit të tij në Shkup.

por Pendarovski paralajmëroi parregullsitë e mundshme.

“Duke pasur parasysh se në ditët e kaluara gjatë fushatës nuk ka pasur një ditë të vetme pa shkelje dhe parregullsi, unë shpresoj që të paktën sot ne do të kemi ditë zgjedhore të qetë dhe demokratike,” tha ai.

Në mesin e pohimeve për shkelje të dyshuara të raportuara nga vëzhguesit vendorë, vëzhguesit nga “CIVIL” thanë se kanë ndodhur disa raste në të cilat njerëzit ishin sjellë në qendrat e votimit me furgonë dhe autobusë. U tha se një numër i votuesve nga Pusteci i Shqipërisë të cilët votuan më parë si diasporë në Shqipëri, votuan përsëri ditën e zgjedhjeve.

“CIVIL” gjithashtu tha se kishte parë anëtarë të partisë në pushtet dhe ish-deputetë  duke u bërë thirrje publike qytetarëve  romë që të votojnë për partinë VMRO DPMNE.

“CIVIL” shtoi se janë  regjistruar raste të problemeve me listën zgjedhore në të cilën njerëzit të cilët kishin ardhur për të votuar nuk ishin në listë.