‘OeSD’ e Shqetësuar nga Vendimi i Gjykatës së Apelit

Rasti i tenderit për prodhimin e pasaportave biometrike në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe kompanisë austriake “OeSD” duket se nuk do të mbarojë së shpejti.

Një vendim i Gjykatës së Apelit në Kosovë që vendosi lidhur me padinë për juridiksionin  e Gjykatës së Arbitrazhit në Paris (e cila MPB-në e obligoi të paguajë rreth 5 milionë euro dëmshpërblim), duket se e ka irrituar kompaninë austriake.

Nga kompania austriake thonë se janë të shqetësuar nga ky vendim dhe se për shqetësimet e tyre lidhur me këtë rast i kanë njoftuar autoritetet e Bashkimit Evropian por edhe ato të shtetit të Austrisë.

Rader Jasmin nga “OeSD” tha për KALLXO.com se për vendimin e Gjykatës së Apelit kanë kuptuar vetëm nga mediat dhe vlerëson se Gjykata e Apelit në Kosovë nuk vendosi në përputhje me ligjin.

http://kallxo.com/apeli-anulon-vendimin-e-themelores-per-arbitrazhin-oesd-ne/

Ndryshe nga kompania austriake, përfaqësuesit e MPB-së e vlerësojnë të drejtë vendimin e Apelit.

Në korrik të vitit që lamë pas u njoftua se Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës humbi kontestin përball kompanisë austriake “OeSD”, e cila kishte ngritur padi në Gjykatën e Arbitrazhit për shkak se MPB në mënyrë të njëanshme i kishte shkëputur kontratën për prodhimin e pasaportave të lidhur në qershor të vitit 2011 në vlerë prej 14 milionë e 127 mijë euro.

Gjykata e Arbitrazhit në Paris u dha të drejtë austriakëve të “OeSD”, duke e obliguar MPB-në të paguaj 5 milionë euro në emër të dëmit të shkaktuar nga shkëputja e njëanshme e kontratës.

Lëshimet që Mund t’i Kushtojnë Miliona Kosovës

Para këtij vendimi, në nisje të procesit të arbitrazhit, MPB kishte kundërshtuar juridiksionin e Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, duke iu drejtuar fillimisht kësaj Gjykate e pasi ishte refuzuar kundërshtimi, me padi i ishte drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës në nëntor të vitit 2014.

Padia e MPB-së lidhur me juridiksionin e Arbitrazhit të Parisit u shqyrtua nga Gjykata Themelore e Prishtinës vetëm pasi që Arbitrazhi vendosi në favor të austriakëve.

“Hedhet padia për shkak të mungesës së kompetencës së Gjykatës së vendit për shqyrtim dhe vendosje në padinë për anulimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris”, thuhet më tej në aktvendimin e Gjykatës të datës 6 tetor 2016.

http://kallxo.com/ekskluzive-gjykata-refuzon-padine-e-mpb-se-per-pasaportat/

Me këtë vendim, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës nuk i mbetej tjetër përpos se të bëhej gati t’i paguante 5 milionë euro kompanisë “OeSD”.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e MPB-së në këtë kontest, me në krye avokatin Gazmend Nushi, duke mos u pajtuar me vendimin, iu drejtuan Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar refuzimin nga Gjykata Themelore e cila tha se nuk kishte kompetencë për të vendosur për juridiksionin e Arbitrazhit.

Më 27 dhjetor të vitit 2016, Gjykata e Apelit njoftoi se kishte anuluar vendimin e Gjykatës Themelore dhe se e kishte kthyer në rivendosje çështjen e juridiksionit të padisë së MPB-së për juridiksionin e Gjykatës së Arbitrazhit.

“Gjykata e Apelit e Kosovës e ka prishur me 15.12.2016 aktvendimin  e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 16.10.2016, me anë të të cilit kjo e fundit e ka hedhur poshtë për shkak të jokompetencës padinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës kundër të paditurve: Gjykata Ndërkombëtare e  Arbitrazhit, me seli në Paris të Francës dhe Osterreichische Staatdruckerei GMBH, me seli në Vjenë të Austrisë”, thuhej në komunikatën e Apelit.

Në vendimin e Apelit thuhej se arsyeja e kthimit të çështjes në rivendosje është se kanë gjetur shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale.

Vendimi si i tillë nuk i ka pëlqyer aspak kompanisë “OeSD”. Jasmin Rader nga kjo kompani thotë se Gjykata e Apelit nuk kishte kompetencë për këtë çështje.

“Fakti që OeSD si palë në procedurë nuk është njoftuar për vendimin, si dhe fakti se Gjykata e Apelit në Kosovë pretendon se ka kompetencë që të anulojë vendimin  e një gjykate ndërkombëtare në Paris janë shumë irrituese sepse kjo sjellje nuk është e paraparë me ligj dhe përbën kapërcim të kufijve të juridiksionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Kosova ka pasur mundësinë të paraqesë një kërkesë për anulimin në gjykatat franceze, por nuk arriti ta bëjë këtë”, thuhet në përgjigjet e Rader për KALLXO.com.

Rader më tej tha se tashmë më 30 shtator 2014, Gjykata e Arbitrazhit në Paris kishte vendosur pjesërisht me një vendim me të cilin konfirmoi se kishte juridiksion për të dëgjuar çështjen dhe kishte hedhur poshtë kundërshtimet  e palës kosovare për juridiksionin.

Krejt ndryshe nga Rader, avokati që përfaqësoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, Gazmend Nushi, thotë se vendimi i Apelit është i drejtë.

“Çdo vendim i Arbitrazhit  mundet me u ataku në Gjykatën Ekonomike në Kosovë lidhur ne juridiksion dhe kjo nuk është vetëm zgjidhja e legjislacionit që jepet në Kosovë, por të gjitha legjislacionet nacionale në krejt Evropën e kanë këtë dispozitë”, tha Nushi për KALLXO.com.

Nushi më tej tha se i habitshëm për të në fakt ka qenë vendimi i Gjykatës Themelore për të refuzuar padinë sepse dispozitat e ligjit të arbitrazhit janë të qarta.

Lidhur me rrjedhën e këtij rasti, Nushi tha se Gjykata e Apelit e ka obliguar me vendimin e saj Gjykatën Themelore që ta mbajë një seancë lidhur me juridiksionin dhe se kjo seanca mund të ndodh pas dy apo tre muajsh.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, i cili ka thënë se MPB do të sillet në përputhshmëri me vendimin e gjykatës për këtë lëndë.

Krahas procesit civil, të cilin Kosova e humbi në Arbitrazh, lidhur me këtë rast është mbajtur edhe një proces gjyqësor i cili ka përfunduar në shkallë të parë në dhjetor të vitit 2014.

Si pjesë e këtij procesi, Natali Velija, përfaqësuesja e OeSD-së ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave dhe mashtrim, ndërsa më pas ky dënim nga Gjykata e Apelit i ishte ulur në 8 vjet burgim për dy vepra penale – mashtrim dhe pastrim i parave.

Shkrimet për këtë gjykim mund t’i lexoni këtu.