Nuk pritet rezultat nga rezoluta për 'dënimin e gjenocidit serb' gjatë luftës

Komisioni Parlamentar Ad-hoc për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, nuk pritet të mbërrijë ndonjë rezultat praktik dhe as të sjellë më shumë drejtësi për viktimat, vlerësojnë njohës të të drejtave të njeriut në vend.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv në Fondin për të Drejtën Humanitare (FDH), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se ky komision dhe rezoluta që pritet të draftohet, më shumë po bëhet që deputetët kosovarë ta arsyetojnë pa punën e tyre para viktimave të luftës.

“Nuk besoj që ka ndonjë ndikim në reparacione apo në implementim të shtyllave të tjera të drejtësisë tranzicionale. Pra ajo do të mbetet një rezolutë edhe aq, është bërë tepër e madhe dhe mendoj që ndoshta shumë nisma po ndodhin për shkak se deputetët po duan ta arsyetojë pa punën e vet, sidomos para komunitetit-viktimave tash në 20 vjetorin e ngjarjeve të luftës”, tha Blakaj.

Ndërkaq, hulumtuesja në fushën e të drejtave të jeriut nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) Donika Emini, thotë për Gazetën JnK se iniciativa e Kuvendit të Kosovës është e vonuar dhe mbi të gjitha ngre shumë pyetje se sa serioze mund të jetë.

“Në fazën e fundit të dialgut në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe në përvjetoret e masakrave, është bërë e modës që të diskutohen krimet e luftës në Kosovë. Gjithmonë kësaj çështje i jepet pompozitet në faza të caktuara, është përdorur pa hezitim për përfitime politike apo për mëditje, mirëpo rrallë herë këto iniciativa janë materializuar”, theksoi ajo.

Kuvendi i Kosovës me 15 prill të këtij viti ka miratuar formimin e Komisionit Parlamentar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, iniciativë kjo që mori votat pro të 66 ligjvënësve.

Përbërja aktuale e këtij komisioni është prej 7 deputetësh: Armend Zemaj, LDK, Mërgim Lushtaku PDK, Saranda Bogujevci LVV, Muharrem Nitaj AAK, Aida Dërguti PSD, Bilall Sherifi NISMA si dhe Danush Ademi 6+.

Ky komision takimin e parë do ta ketë të martën me 23 prill ku si pikë e rendit të ditës do të jetë vetëm një pikë: Draft-rezoluta për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit shtetëror serb.

Por, sipas Bekim Blakajt hartimi i rezolutës në fjalë, nuk do ta ketë asnjë efekt juridiko-praktik.

Ai shtoi se institucionet është dashur shumë më herët që në mënyrë sistematike ta trajtojnë çështjen e krimeve të luftës.

“Është dashur që të krijojnë mekanizma të cilat do t’i hetojnë dhe do t’i gjejnë faktet, do ta kishin ndërtuar atë narrativin i cili bazohet në fakte. Pastaj ish dashur që të ndërmarrin hapa më konkretë dhe më të vendosur që ta përkrahin prokurorinë speciale të Kosovës dhe Departamentin për Krime Lufte”, tha Blakaj duke shtuar se në temën e dialogut është dashur të futet çështja e personave të zhdukur, ku do të imponohej bashkëpunimi juridik me Serbinë për gjykimin e përgjegjësve.

Por të gjitha këto sipas Blakajt, ka kohë ende që të bëhen megjithëse me kalimin e kohës sipas tij mund të zhduken ose zbehen, provat.

“Megjithatë është koha e fundit që të merren masa të tilla, që të dokumentohen krimet dhe jo veç në mënyrë deklarative të dënohet gjenocidi apo krimet serbe”, theksoi Blakaj.

Kurse, Donika Emini thotë se puna e komisionit duhet që së pari të koordinohet me iniciativat tjera ekzistuese që kanë për qëllim dokumentimin e krimeve në Kosovë, çoftë këto në nivel shtetëror ose në nivel të shoqërisë civile.

“Kuvendi do të duhej edhe të mbështeste edhe qëllimët dhe objektivat që platforma për dialogun me Serbinë ka paraqitur si qëllim. Rezultati nuk duhet të jetë një platforë apo rezolutë ashtu siç e ka zakon Kuvendi të funksionojë, mirëpo për të dënuar gjenocidin, të ketë bazë të mirëfilltë e cila do të sillte drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë”, tha ajo për Gazetën JnK.

Sipas Eminit, gjithashtu duhet pasur parasysh fakti që janë shumë pak iniciativa për dokumentimin e dëmeve të luftës në Kosovë.

“Procesi i dokumentimit është shumë i gjatë dhe i lodhshëm, duhet mobilizim serioz për të dokumentuar gjithçka dhe kjo bëhet edhe më e vështirë më kalimin e kohës. Tashmë këto 20 vite që kanë kaluar e bëjnë këtë proces shumë të vështirë, e kjo mund të komplikohet edhe më tej nësë kalon më shumë kohë”, potencoi hulumtuesja për Gazetën JnK.

Ndërkohë, Bekim Blakaj foli edhe për mundësinë e bashkëpunimit të FDH-së në këtë komision parlamentar.

“Unë nuk e di se çfarë do të bëjë komisioni. Nëse është diçka që nuk sjell rezultat ne nuk kishim pas qejf me qenë pjesë e nismave të tilla. Nëse kërkohet diçka konkrete atëherë e vlerësojmë dhe e shohim çka mund të ndihmojmë”, përfundoi ai për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, grupet parlamentare të cilat edhe kanë propozuar anëtarë për këtë komision, e kanë përkrahur krijimin e tij.

Propozuesi i këtij komisioni Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, para deputetëve e ka arsyetuar nismën e tij.

“Lidhur me sanksionimin e gjenocidit në Kosovë nga Republika e Serbisë, nga shteti, policia ushtria dhe nga të gjitha segmentet e aparatit shtetëror represiv të Serbisë në Kosovë, tani është koha të krijojmë një Komision ad-hoc nga Kuvendi dhe të gjitha deklarimet publike të partive politike në vend, t’i shkrijmë në një rezolutë të përbashkët”, tha Sherifi.

Kurse, kryeparlamentari Kadri Veseli kërkoi që në kuadër të kësaj kërkese dhe komisionit përkatës, të krijohet një tribunal ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë.

“Është një propozim konkret i cili kështu-ashtu merr kohë. Mund ta bëjmë si mocion procedural, pasi këto ditë janë përvjetorët e masakrave dhe nuk është e ndershme që Kuvendit të mos e marrë asnjë hap në këtë drejtim”, shtoi Veseli.

Formimi i këtij komisoni dhe miratimi i një rezolute për krimet e luftës në Kosovë, mori mbështetjen shumicës së grupeve parlamentare.

Përveç legjislativit, iniciativë këtë pranverë për krimet e luftës nga forcat serbe në Kosovë, ka ndërmarrë edhe ekzekutivi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një konferencë për media shpalosën detajet e iniciativës ligjore nga ana e Qeverisë së Kosovës, kundër mohimit të krimeve të forcave serbe të kryera në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se mohimi i krimeve që shteti serb ka bërë në Kosovë, është një krim i dyfishtë.

“Sot me ministrin Tahiri biseduam rreth modaliteteve dhe i takon Ministrisë së Drejtësisë që të hartojë këtë ligj. Qëllimi mbetet, se mohimi i krimeve që shteti serb ka bërë në Kosovë, është një krim i dyfishtë. Është një ofendim ndaj familjeve, shtetit dhe ndaj shoqërisë së Kosovës”, u shpreh Hoxhaj.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, tha se hartimi i një baze të tillë ligjore është i domosdoshëm.

“Kjo nuk ka të bëjë me drejtim ndaj një komuniteti të caktuar. Si qeveri jemi të përkushtuar të kemi një shoqërie multietnike, pro në anën tjetër tash shënohet 20 vjetori i shumicës së masakrave që kanë ndodhë në Kosovë, dhe përgjatë këtyre viteve ne nuk kemi parë që drejtësia ka shkuar në vend ndaj krimeve që janë kryer”, tha ai.

Në ‘mobilizimin’ e politikanëve kosovarë për çështjet e luftës, së fundi ndikuan edhe deklarimet e zyrtarëve serb, të cilët mohuan masakrat e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.