Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Nuk po t’kuptoj, zotëri Kurz*

Konferenca për shtyp e së martës me kancelarin austriak Sebastian Kurz, ishte përplot paqartësi, duke shfaqur mungesën e unitetit rreth perspektivave europiane për dialogun Kosovë-Serbi, liberalizimin e vizave dhe korrigjimin e kufijve.

Pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, fjalët e kancelarit austriak gjatë një konference shtypi të mbajtur në Prishtinë të martën, lanë te qytetarët e Kosovës më shumë pyetje sesa përgjigje, ndërsa ai diskutoi rrugën e Kosovës drejt integrimit europian. Duke filluar konferencën me një përsëritje të shprehjes konvencionale të përvetësuar nga zyrtarët në të gjithë spektrin politik të BE-së, Kurz theksoi se “Ballkani Perëndimor ka një perspektivë europiane”.

Kurz, politikani 32-vjeçar, është kancelari më i ri në historinë e Austrisë dhe kryetari i Partisë Popullore Austriake, parti politike e qendrës së djathtë që mbështet procesin e integrimit europian, i cili mori detyrën në dhjetor të vitit 2017. Kurz, i cili të hënën bëri një vizitë në Beograd dhe u takua me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq, dje u takua edhe me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Në një konferencë të shkurtër për shtyp me Haradinajn, kancelari shprehu shkurtimisht mbështetjen për marrëdhëniet dypalëshe midis Austrisë dhe Kosovës, bashkëpunimin ekonomik, vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe perspektivën europiane të Kosovës.

Ndërkohë, gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin Thaçi, retorika e perspektivës evropiane u zhduk kur Kurz u pyet për procesin e liberalizimit të vizave, proces i cili mbetet pezull për kosovarët.

Kurz ktheu në fokus dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, proces i cili nuk është përmendur si kriter teknik për Kosovën për ta vazhduar procesin e liberalizimit të vizave.

“Pritjet e Bashkimit Europian janë në fushën e sundimit të ligjit. Prioriteti ynë kryesor është dialogu midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurz.

Nëse Kurz flet në emër të politikës së jashtme të BE-së, duhet të pyesim: kur e shtoi Bashkimi Europian dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në mesin e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave? Për fat të keq, ky ndryshim në fokus nuk ishte çështje e lapsus linguae. Shfaqja e sotme e kancelarit u shënua me një deklaratë tjetër të paqartë kur përmendet politika e BE-së.

Përkundër faktit se Austria ka qenë një përkrahëse e patundur e pavarësisë së Kosovës dhe iniciativat e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, Kurz ka deklaruar qartazi se kufijtë e Kosovës që u njohën në vitin 2008 janë të paqëndrueshëm dhe mund të ndryshojnë.

“Qeveria federale e Austrisë pajtohet me çdo marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, edhe nëse përfshin korrigjim kufijsh ose shkëmbime territoriale, dhe kjo mbështetet nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Këtu duhet të ngritet një çështje thelbësore. A e përfaqësoi ai politikën e jashtme të Bashkimit Europian, siç deklaroi, apo atë të Austrisë?

Që kur termi “korrigjim kufijsh” zuri vend, BE-ja ka mbajtur një qëndrim të paqartë mbi këtë çështje. Pavarësisht nga deklaratat e Kurz, ndoshta BE-ja duhet ta qartësojë qëndrimin e saj. Ndërsa Kurz konfirmoi se korrigjimi i kufijve do të ishte zgjidhje që BE-ja do ta mbështeste, vendi i tij fqinj dhe një nga forcat shtytëse të BE-së, Gjermania, vazhdimisht e ka hedhur poshtë propozimin.

Diskutimi i Kurz-it shpërfaq mungesën e unitetit në BE për politikën e jashtme që lidhet me Kosovën dhe Serbinë, ose mungesën e një qëndrimi të qartë të BE-së për këtë çështje. Kjo lë hapësirë ​​për udhëheqësit autoritarë në Ballkan të shpikin probleme të mëtejme, së bashku me zgjidhjet e tyre, për ta lehtësuar sundimin e tyre dhe për ta forcuar imazhin e tyre si udhëheqës të qëndrueshëm. Kancelari shkoi edhe më tej duke i udhëzuar qytetarët që të jenë më mbështetës ndaj udhëheqësve të tyre dhe ideve të tyre për ndryshim të kufijve.

“Dua t’ju falënderoj, zoti President, por edhe Presidentin Vuçiq për përpjekjet tuaja dhe i kërkoj të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i mbështesin këto përpjekje, sepse kjo është përpjekja e nevojshme për integrimin europian”, tha ai.

Nëse kancelari vërtetë është i interesuar për konsensusin, demokracinë e brendshme dhe mbështetjen e qytetarëve në këtë proces, është e çuditshme që ai nuk e ka marrë parasysh protestën masive të mbajtur në shtator, kur qytetarët e Kosovës marshuan kundër idesë së korrigjimit të kufirit.

Jo vetëm që partitë e opozitës i hodhën poshtë këto ide, por edhe vet partitë qeverisëse të koalicionit kanë rezerva për idenë e korrigjimit, së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili u angazhua në një luftë fjalësh me protagonistin e propozimit të ndryshimit të kufirit – presidentin Thaçi.

“Stabiliteti” nuk ishte term që i mungoi konferencës të së martës dhe vazhdon ta dominojë diskursin politik në Ballkanin Perëndimor. Proza politike e Kurzit dukej sikur po vinte nga gojët e vetë ‘stabilokratëve’, Thaçi dhe Vuçiq?

Për fat të keq, po ta hulumtosh sjelljen politike të Kurz në të kaluarën gjendet një rast analog, kur në vitin 2016, si Ministër i Jashtëm i Austrisë, Kurz ishte në mbështetje të ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevskit. Pushteti i sotëm politik i Maqedonisë e ka bërë qeverinë e Gruevskit damkë të zezë në historinë e tyre të vonë politike, për shkak të regjimit e tij keqdashës që u karakterizua me korrupsion, nepotizëm dhe kapje të shtetit.

Ndërsa Kurz kërkoi më shumë mbështetje dhe mirëkuptim për presidentët në përpjekjet e tyre për korrigjimin e kufirit, i përshëndeti si një fener për stabilitetin, në çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri solli një paralajmërim kundër veprimeve të njëanshme.

“Sa i përket ushtrisë së Kosovës, ne jemi shumë skeptikë dhe sigurisht presim dialog të rregullt me ​​partnerët ndërkombëtarë. Ne duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të sigurojmë që masat të mos destabilizojnë rajonin”, tha Kurz.

Pra, për kancelarin austriak, qytetarët e Kosovës duhet të mbështesin një propozim të shkëmbimeve të territorit, të cilat kanë gjetur kundërshtim të gjerë nga partitë politike në Kosovë, por duhet të kenë kujdes kur bëhet fjalë për çështjet e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Një ushtri e vogël në Kosovë, me sa duket sipas logjikës së kancelarit, do të zhvendoste baraspeshën botërore të fuqisë ushtarake.

Në fund, një “skepticizëm” i tillë nga Kancelari Kurz aludon në perspektivën hegjemonike që qëndron prapa politikës së tij ndaj shteteve më të vogla.

 

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdo pikëpamjet e BIRN-it.

*Artikulli origjinal është botuar në Prishtina Insight me titullin “Wir verstehen Sie nicht, Herr Kurz