Nuk ka Nota Verbale nga Uganda e Nigeria

Notat zyrtare të njohjes nga Uganda dhe Nigeria nuk kanë arritur asnjëherë në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës, megjithëse zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i ka prezantuar “njohjet” tash sa kohë para gazetarëve.

Zyrtarë të MPJ-së i thanë Gazetës Jeta në Kosovë se “janë në pritje të notave verbale” nga këto dy shtete afrikane. Ndërsa përfaqësues të opozitës e quajtën joserioze që MPJ i prezanton si njohje, përfshirë në faqen e saj të internetit, edhe ato që nuk janë konfirmuar.

Njohja nga Nigeria ishte shpallur nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli më 12 shtator 2011. Kurse njohja nga Uganda pikërisht në përvjetorin e katërt të pavarësisë, më 17 shkurt 2012. “Njohja” e dytë është bazuar në një letër që presidenti i këtij vendi i kishte dërguar Pacollit në dhjetor të vitit të kaluar.

Derisa në websajtin e MPJ-së figurojnë se 88 shtete e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës, vetë ministri Enver Hoxhaj, duke folur në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përmend shifrën 85. Gjithashtu sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, dhe sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague, kur iu janë referuar njohjeve të Kosovës, së fundi, nuk i kanë numëruar dy shtetet afrikane.

Artan Behrami, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, i tha gazetës se MPJ i ka notat verbale të të gjitha shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe se po presin një të tillë edhe nga Nigeria.

“Në të kaluarën ka ndodhur që shtetet na kanë pranuar publikisht dhe tek më vonë na kanë dërguar notat”, tha Behrami, përmes telefonit, nga Strasbourgu, ku ndodhet për një vizitë së bashku me ministrin Hoxhaj.
 
“Sa i përket Ugandës, zëvendëskryeministri Pacolli e ka prezantuar njohjen e saj”, shtoi ai.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Parë të Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë se ai që thotë se në MPJ nuk kanë mbërritur nota verbale, “ndoshta ka mungesë informacioni në këtë drejtim”.

“Ajo që mund të ju them unë është se ne si zyrë (e zv.kryeministrit të Parë, Pacolli), praktikojmë një bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ne, në vazhdimësi i përcjellim të gjitha korrespodencat me shtete të ndryshme të botës, me të cilat punojmë për njohjen e Republikës së Kosovës”, është përgjigjur ai, nëpërmes postës elektronike.
 
Në pyetjen se a kanë ardhur notat verbale të njohjes, nga Nigeria dhe Uganda, në Zyrën e Zëvendëskryeministrit Pacolli, ose në AKR, ai është përgjigjur ngjashëm: “Ashtu siç e thashë më lart, të gjitha korrespondencat tona me shtete të ndryshme të botës ne i përcjellin në MPJ, ashtu siç ndodh edhe me notat verbale të njohjes”.

Kur i është kërkuar nga gazeta që të përcjellë notën e njohjes nga Uganda, Zyberaj ka dërguar letrën e presidentit Joweri Musevini. (Shih letrën këtu)
 
“Qeveria jonë e kupton plotësisht dëshirën e popullit tuaj për liri dhe pavarësi; Ne jemi prapa kombeve të tjera që e kanë njohur Republikën e Kosovës”, shkruan presidenti i Ugandës.

Në fund të letrës, Musevini zotohet se Uganda do të shikojë përpara për forcimin e lidhjeve diplomatike, ekonomike dhe kulturore me Qeverinë e Kosovës.

Ndërkohë “njohja” tjetër, ajo nga Nigeria, ishte bazuar nga një letër që kryetari i këtij vendi, Goodluck Jonatan, i kishte shkruar Pacollit në shtator 2011, në të cilën, ai paralajmëronte hapjen e një përfaqësie ekonomike në Kosovë.

Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, e quan shumë joserioze dhe irrituese që paralajmërimi për hapjen e një qendre tregtare, sikur shprehet ajo, të proklamohet si njohje e shtetësisë.

“Kjo është kundërshtim me praktikat diplomatike dhe mund të irritojë këto shtete, që ndoshta edhe kanë vullnet për të na njohur”, i tha Osmani, Gazetës JnK.

Ajo shton se zyrë në Kosovë ka edhe Greqia, por kjo nuk do të thotë se ajo e ka njohur Kosovën.

Shpalljen e njohjes nga Uganda në Ditën e Pavarësisë, megjithëse letra kishte mbërritur në dhjetor, ajo e quan “show televiziv”.

Osmani, deputete e LDK-së, dhe ish-këshilltare e presidentit Fatmir Sejdiu, i sugjeron Ministrisë së Jashtme se duhet të konfirmojë “njohjet”, para se t’i publikojë në faqen e saj në internet; sepse kjo tregon joseriozitet të një shteti. Nëse jo drejtpërdrejt, atëherë komunikimi duhet të bëhet nëpërmes shteteve mike, si SHBA, Britania, Franca etj, të cilat kanë ambasada në këto dy shtete afrikane.